Postuar më : 19 Dhjetor 2013

Kryeministri Rama me biznesin e vogël: Ndryshimet e reja fiskale, frymëmarrje për ju

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot disa biznese të vogla në zonën e Don Boskos në Tiranë, për t’i njohur dhe shpjeguar efektet e ndryshimeve të reja fiskale për këtë biznes, në buxhetin e tyre personal. Në bashkëbisedim me ta, Kryeministri sqaroi në shifra konkrete përfitimet nga heqja e taksës dhe ulja e tatim fitimit për biznesin e vogël, çka do t’i lehtësonte njëherësh edhe nga barra burokratike. 

“I gjithë sistemi do ndryshojë. Kështu që, ju nuk do të keni dy palë tatime, dy palë grupe, dy palë letra, dy palë halle. Ju keni vetëm një tatim fitimi që nga 10% bëhet 7.5%.

Teksa u ndal në një biznes me një xhiro vjetore prej 1 milion e 458 mijë lekësh, pas një përllogaritjeje të atypëratyshme që Kryeministri bëri me drejtuesen, e vetëpunësuar në këtë aktivitet, sipas ndryshimeve në paketën fiskale 2014, rezultoi se në fund të vitit, ajo do të kursente rreth 350 mijë lekë. Kryeministri Rama garantoi se përfitimi nga ulja e barrës fiskale  do të jetë i ndjeshëm për të gjithë biznesin e vogël në mbarë vendin.

 “Taksën e biznesit të vogël ju e paguanit 595 mijë lekë. E gjitha aforfe te pushteti vendor. Përveç pushtetit vendor që ua merrte aforfe, arbitrare komplet ju paguanit edhe tatim fitimin 10%. Tani, taksa e biznesit të vogël nga 595 mijë lekë bëhet zero. Ju do paguani vetëm një herë dhe do paguani tatim fitimin jo 10%, sa ç’ishte, por 7.5%. Dhe praktikisht, në fund fare ju kurseni 345 mijë lekë,”  - theksoi Kryeministri.

Ndërsa në një tjetër biznes, Kryeministri bëri një vlerësim të efektit të përgjithshëm që këto masa të reja fiskale do të kenë mbi buxhetin e tij.

“Xhiron e deklaruar ju e keni 1 milion e 320 mijë. Taksa e biznesit të vogël që ju e paguanit aforfe, nga 450 mijë lekë bëhet zero. Nuk keni më taksë të biznesit të vogël. Nuk ka më aforfera në kurrizin tuaj. Tatim fitimi që ju rezultonte në fund, nga gjithë kjo llogari, në 275 mijë lekë, bëhet 250 mijë dhe në finale që nga viti i ardhshëm nuk do paguani gjithë këto, por do të paguani vetëm 250 mijë lekë. E në fund, vetëm nga ulja e përgjithshme, ju do fitoni 200 mijë lekë.”

Madje Kryeministri duke theksuar se kështu vihet në vend një padrejtësi, duke përsëritur parimin se “kush fiton më shumë do paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do të paguajë më pak”, iu la në duar biznesmenëve të vegjël edhe përllogaritjet e taksimit. “Mbajeni këtu me shkrimin tim dhe nesër, në qoftë se nuk ndodh kështu, thoni që nuk na ndodhi kështu. Ja ku e keni me shkrimin tim!” - garantoi Kryeministri.

 

Shkruaj Mesazh

Shkruaj Kryeministrit

Shkruaj Mesazh

Reportazhe Eksklusive

Dokumentarë

Reportazhe Eksklusive

Për Gazetarët

Hapsira Mediatike

Për Gazetarët

Raport publik

100 Ditë

Raport publik