Durrës, nis puna për rikonstruksionin e 458 pallateve të dëmtuara nga tërmeti

Në Durrës ka nisur puna për rikonstruksionet e ambienteve të përbashkëta të pallateve me shkallë dëmtimi DS1-DS2-DS3. Ndërhyrjet rehabilituese do të kryhen në fasadat, shkallët dhe muret e ashensorëve të këtyre godinave.

Kryeministri Rama e vijoi inspektimin e procesit të rindërtimit në Durrës, ku brenda 80 ditësh do të realizohen 7 nga 9 lote të projektit për muraturat e mjedisat e përbashkëta të 458 pallateve të dëmtuara nga tërmeti.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako tha se granti i rikonstruksionit për banorët është dhënë 100% dhe tani puna më e rëndësishme mbetet rikonstruksioni i ambienteve të përbashkëta. Një nga pallatet ku u ndalën ishte me shkallë dëmtimi të kategorisë DS3. “Ne kemi filluar të zbatojmë kontratën e riparimit të ambienteve të përbashkëta shkallë, ashensor dhe fasadë. Në këtë objekt është likujduar pothuajse 100% granti i rikonstruksionit për banorët. Jemi në fazën që me realizmin e këtyre punimeve do të bëhet më funksional objekti. Këtë kontratë e kemi ndarë në 9 lote në total. Kemi 458 objekte që do të preken. Do ta nisim nga objektet e dëmtuara DS3, pasi kanë problematikën më të madhe dhe pastaj do të vazhdojmë me DS2 dhe me DS1. Është plotësuar ndërkohë i gjithë dokumentacioni përkatës,” – u shpreh kryebashkiakia Sako.

Kryeministri Rama theksoi se puna nuk do të ndalet për asnjë çast, derisa gjithçka t’i jetë nënshtruar rikonstruksionit të standardeve të larta. “Kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë banorët e Durrësit që kanë këtë problematikë, të cilëve, ne ju kemi dhënë atë që ju takon individualisht për apartamentet, por që sidoqoftë e kanë pasur problem dhe të pamundur që të mund të riparojnë vetë pjesët e përbashkëta dhe muret e jashtme, që tanimë jemi në fund. Janë bërë të gjitha projektet, janë bërë garat, janë lidhur kontratat dhe janë 458 pallate me mjedise të përbashkëta, ku puna nuk do të ndalet deri sa të riparohet gjithçka dhe të dalë më e mirë seç ishte. Me pak durim, por besojmë se deri para se të hyjë pranvera, çdo gjë do të jetë e shkuar dhe e harruar,” – tha Kryeministri.

Kryeministri Rama vijoi inspektimin në shkollën  “Shaqe Mazreku”, që ndodhet drejt përfundimit. Edhe kjo shkollë, e bashkë me 10 shkolla të tjera në Durrës po rilind për të hapur dyert më 26 nëntor të këtij viti, më e madhe e më bukur për 711 nxënës dhe mësues, me kushte optimale dhe mjedis shkollor të denjë.