Falenderim e mirënjohje për Besa Shahinin

Kryeministri Edi Rama priti sot, në Kryeministri, ministren e Arsimit, Besa Shahini, të cilës i shprehu mirënjohjen dhe falenderimet e përzemërta për kontributin e dhënë në drejtimin e Ministrisë së Arsimit, përgjatë një periudhe 2 vjeçare. “Besa, të falenderoj shumë për të gjithë kontributin  e madh që ke dhënë. Jam i bindur se edhe çfarë nuk është arritur dot të vlerësohet, edhe për shkak të kohës aktuale, pa diskutim do të vlerësohet me kohë, sepse e vërteta është që puna  e Ministrisë së Arsimit në këto 7 vite ka pësuar një ndryshim radikal,” – shpreh Kryeministri, ndërsa i shprehu edhe urimet e përzemërta për jetën e saj të re familjare.

Zonja Shahini shprehu kënaqësinë që pati mundësinë me punen e saj t’i shërbente sistemit arsimor në Shqipëri.

Kryeministri prezantoi edhe ministren e re të Arsimit Evis Kushi, për të cilën u shpreh besimplotë që do të çojë më tej stafetën e reformave transformuese në arsimin shqiptar. “Evisi ka 7 vjet që është angazhuar me ne, në këtë betejë të përbashkët, nga dekane e Fakulteitt Ekonomik në Universitetin e Elbasanit. Besoj se do të vazhdojmë në rrugën e duhur, sepse ky është një vazhdim i natyrshëm i një rruge që ke nisur,” – u shpreh Kryeministri.

“Ju falenderoj shumë. Ështe një privilegj shumë i lartë, por më shumë sesa privilegj, unë e konsideroj një përgjegjësi shumë të lartë”, – u shpreh Zonja Kushi