Rindërtimi – Ishëm, familjet në shtëpi të reja për Vitin e Ri

Fshati Ishëm në Durrës, një zonë e prekur ndjeshëm nga tërmeti, përgatitet të mbyllë kantieret e rindërtimit për shumë shtëpi individuale, në prag të vitit të ri 2021. Banorët janë në pritje të lenë çadrat dhe të strehohen në shtëpitë e reja, punimet e të cilave po i ndjekin nga afër personalisht.

Në një nga zonat, me përqëndrim të madh të shtëpive që po rindërtohen, ishte sot pasdite, Kryeministri Edi Rama. “Ndodhemi në Ishëm, këtu në këtë vend janë tre banesa të dëmtuara. Kanë përfituar nga Progami i Rindërtimit nga banesat 1+1. Kemi dhe një familje tjetër pak më poshtë, që aktualisht jetojnë në çadër. Janë përfituese të bonusit. Këtu kemi një banesë tjetër përfituese nga programi 2 + 1. Janë katër persona në familje, ku, pasi të mbyllen punimet, do të jetojnë në këtë godinë. Vetëm në këtë njësi kemi patur 300 banesa të miratuara në Këshillin Bashkiak. Ka filluar ndërtimi për rreth 237 prej tyre me lotin e parë të fondit dhe punimet kanë filluar në zona të ndryshme. Këtu kemi një përqëndrim prej 4, 5 banesash që shtrihen në këtë fshat,” – shpjegoi kryetarja e  ashkisë së Durrësit Emiriana Sako.

Kryeministri Rama bisedoi me disa nga banorët, të cilëve u kërkoi të bënin durim, edhe për pak kohë, deri në marrjen në dorëzim të shtëpive të reja.  “Rëndësi ka që shtëpia do të jetë më e madhe, më e fortë, më e bukur. Rëndësi ka që jeni shëndoshë e mirë dhe shumë shpejt do të jeni në shtëpi. Ta bëjnë mirë shtëpinë dhe të mos nxitohen, por sipas llogarisë që bëj unë, për vit të ri do të jeni në shtëpi,” – tha Kryeministri.

Programi i Rindërtimit do të  risjellë më të mëdha e më të forta edhe 4 objekte arsimore, tre shkolla dhe një kopësht. “Në këtë njësi administrative kemi katër objekte të reja arsimore, tre shkolla dhe një kopësht. 2 shkolla do të përfundojnë në dhjetor,” – u shpreh Sako.

Objektet arsimore që do të ndërtohen me mbështetjen e PNUD-it. Ministri për Rindërtimitn Arben Ahmetaj kërkoi që nga Bashkia e Durrësit të mundësohet sa më parë pajisja me lejen e ndërtimit. “Sa i përket shkollave që do të ndërtohen nga PNUD-i ato janë gati, por kanë nevojë për leje nga Bashkia e Durrësit. Janë bërë të gjitha procedurat. Gati janë të gjitha dokumentacionet dhe janë vetëm në pritje të lejes së ndërtimit nga Bashkia e Durrësit, në fakt nga disa bashki. Këto leje duhen dhënë sa më shpejt në mënyrë që të fillojë hapja e themeleve,” – u shpreh Ministri Ahmetaj.