Linde: Shqipëria, shumë e suksesshme me sistemin e ri të drejtësisë

Konferenca e përbashkët për shtyp me Ministren e Jashtme suedeze, Ann Linde:

 

Kryeministri Edi Rama: Mirëdita të gjithëve!

Sapo kemi përfunduar një takim shumë të dobishëm dhe natyrisht, shumë miqësor me ministren suedeze të Punëve të Jashtme dhe mund ta them me kënaqësi, edhe një mike të çmuar, e cila është sot këtu si kryetare e radhës e OSBE-së, pasi vitin e ardhëm Suedia merr kryesinë dhe njëkohësisht, si një partnere e angazhuar e Shqipërisë dhe e Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit Europian.

Kemi folur për temat e OSBE-së. Me Ann, ne kemi prej disa muajsh një kontakt të vazhdueshëm dhe një bashkëpunim të shkëlqyer për të nxitur një zgjidhje me dialog në Bjellorusi. Nga ana tjetër, në funksion të stafetës së kryesimit të OSBE-së kemi një diskutim konstant mbi të gjitha temat. Tema që janë jo të lehta në një pjesë të konsiderueshme të tyre dhe për të cilat fatmirësisht kemi një qasje 100% të dakordësuar.

Nuk dua të marr kohë nga fjala e Ann për këto tema. Natyrisht që jemi duke diskutuar së bashku, edhe për atë që është një sfidë e madhe e kryesisë shqiptare të OSBE-së, por është edhe një gur themeli në vazhdimin e punës së OSBE-së, që është përzgjedhja e drejtuesve të lartë të Organizatës pas asaj që ndodhi me rrëzimin e paketës së parë të kandidaturave, diçka e pandodhur ndonjëherë në historinë e OSBE-së. Patjetër edhe për Këshillin Ministror të OSBE-së në Tiranë në fillim të dhjetorit, ku natyrisht, Ann do të jetë prezente edhe si marrësja e  stafetës së kryesimit.

Po ashtu kemi diskutuar për bashkëpunimin me Suedinë në aspektin e integrimit europian, që, siç thashë, është një proces ku miqtë tanë suedeze dhe Ann, në mënyrë të posaçme janë plotësisht mbështetës dhe të angazhuar që ta shtyjmë përpara procesin, por dhe në aspektin e bashkëpunimit bilateral, ku kemi arsye të jemi shumë mirënjohës me Suedinë që në të gjitha këto vite i ka qëndruar Shqipërisë pranë si një mik i vërtetë. Projektet e bashkëpunimit me Suedinë kanë qenë projekte që gjithmonë kanë sjellë cilësi, gjithmonë kanë sjellë mësime  dhe gjithmonë kanë vlejtur për të hedhur hapa më tej.

Ne jemi shumë të lumtur që së shpejti do të kemi në Shqipëri çeljen zyrtare të një investimi shumë të veçantë suedez në turizëm. Shpresojmë që kjo do të vlejë për të promovuar drejtpërdrejtë, përmes një shembulli konkret, Shqipërinë turistike në Suedi dhe në vendet nordike dhe njëkohësisht, për të tërhequr më shumë investime nga Suedia dhe vendet nordike.

E fundit, por jo për nga rëndësia, kemi diskutuar për një hap të ri në bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të luftës kundër krimit të organizuar, gjë që ne po e bëjmë me sukses me disa vende, ku kemi kaluar në një fazë tjetër të bashkëpunimit, me një ndërveprim në terren të oficerëve të policisë shqiptare në shtetet përkatëse dhe të oficerëve të shteteve përkatëse në Shqipëri, për të koordinuar më mirë luftën kundër krimit të organizuar, që është një sistem i koordinuar me shumë nënshtetësi dhe me shumë pika veprimi. Në këtë aspekt, duke e dëgjuar me shumë vëmendje kolegen time për situatën në Suedi, ku ka një periudhë të vështirë me krimin e organizuar dhe përsa na takon kemi mundësi të japim një ndihmesë dhe të përfitojmë nga ky bashkëpunim edhe për t’u ndihmuar vetë për atë segment të krimit të organizuar që ka lidhje me Shqipërinë, jemi absolutisht të gatshëm të çojmë në Suedi oficerët tanë, të mirëpresim këtu oficerët suedezë dhe të shtrëngojmë darën për elementët kriminalë në rrjetet e krimit të organizuar në Suedi që janë nga Shqipëria dhe kanë lidhjet e tyre në Shqipëri.

Ann, shumë faleminderit për vizitën dhe besoj që e kupton edhe nga moti që je shumë e mirëpritur sepse të kemi pritur pa diell, me një ngjyrë të përgjithshme që është ngjyra e Stokholmit.

 

Ministrja Ann Linde: Faleminderit Edi!

Jam shumë mirënjohëse për mikpritjen e ngrohtë këtu dhe gjithmonë i vlerësoj takimet me ju. Kam qenë pothuajse një vit më përpara në Shqipëri dhe gjatë punës sonë të përbashkët në Trojkën e OSBE-së kemi patur një marrëdhënie akoma më të ngrohtë dhe më pranë njëri-tjetrit. Mendoj se njerëzit do të mrekulloheshin nëse do të dinin sesa shumë ne flasim dhe kontaktojmë me njëri-tjetrin, duke u përpjekur që të zgjidhim problematika të ndryshme, sepse është e qartë sepse ka shumë problematika që duhen zgjidhur  për OSBE-së.

Duke qenë se ne do të jemi vendi kryesues i ardhshëm, duhet të jemi të ndërgjegjësuar për problemet. Kemi diskutuar për zgjidhjen e çështjes së Bjellorusisë dhe unë, bashkë me Kryeministrin kemi biseduar për të lehtësuar dialogun midis regjimit dhe opozitës. Është akoma një bisedë mbi tavolinë dhe mendojmë se duhet të lemë gjithmonë mundësi të hapura, në momentin kur mendojmë që ka mundësi për dialog për një Bjellorusi demokratike.

Një tjetër problematikë e rëndësishme është ajo çfarë po ndodh në Karpash dhe jam shumë e shqetësuar për situatën dhe për jetët e humbura, duke përfshirë dhe shumë civilë. OSBE-ja me rolin e saj të rëndësishëm, me grupin e Minsk-ut, me bashkëdrejtuesit e Rusisë dhe SHBA-së dhe Francën dhe unë mbështes plotësisht përpjekjet e bashkëdrejtuesve dhe përfaqësuesve të drejtuesve, të cilët po përpiqen të ndalojnë armiqësitë dhe luftën që po ndodh midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Sot, ne kemi diskutuar dhe procesin e veçantë për Sekretarin e OSBE-së dhe për kreun e institucionit. Është një proces që do të mbështetet tek merita, por gjithashtu duhet të kemi edhe parasysh dhe balancën gjeografike dhe gjinore dhe është e rëndësishme që të kemi të gjithë përgatitjet gati për Ministerialin në Tiranë, në dhjetor.

Gjithashtu do të doja të shfrytëzoja mundësinë të përsërisja urimet tona kryetarit në detyrë ende dhe ekipit të tij. Ka qenë një periudhë e vështirë për shkak të COVID-it dhe ka qenë një kryesim shumë konstruktiv. Ne do ta vazhdojmë këtë rrugë kur të marrim këtë pozicion dhe do të vijojmë punën.

Kur vjen puna tek procesi i integrimit në Bashkimin Europian, Suedia e mbështet plotësisht Shqipërinë në vendimin për hapjen e bisedave për zgjerimin e BE-së dhe gjithashtu vlerësojmë punën e vështirë dhe seriozë që është bërë nga qeveria juaj për përgatitjen për kandidaturën dhe për anëtarësimin në të ardhmen. Kur shohim raportet nga Bashkimi Europian, një fushë ku Shqipëria ka qenë shumë e suksesshme është fusha e shtetit të së drejtës dhe sistemi i ri i drejtësisë. Prandaj jam shumë e bindur që një arsye se përse jam këtu me Ministrin e Punëve të Brendshme është si mund të diskutojmë sesi mund të bashkëpunojmë më nga afër çështjet e krimit të organizuar dhe problematikat e lidhura me krimin. Fatkeqësisht në Suedi kemi probleme me krimin e organizuar dhe tani do të përpiqemi të marrim mbështetjen nga vende të ndryshme në luftën ndaj këtij problemi, sepse është një problem pa kufi dhe siç e tha Kryeministri Rama, fatkeqësisht, bandat kriminale janë në bashkëpunim në territorin europian dhe nëse e luftojmë këtë fenomen së bashku, atëherë mund të kemi disa ndryshime.  Do të kemi mundësinë për të bërë ndryshim në lidhje me atë çka po bëjnë ata, duke shkatërruar shoqërinë tonë. Jam shumë mirënjohëse që Kryeministri ishte i hapur dhe konstruktiv, duke u përpjekur që ne të bëjmë gjëra së bashku në këtë aspekt.

Kjo ishte fjala ime hyrëse.

Faleminderit shumë!

 

– Një pyetje për Zonjën Linde. Do doja të dija çfarë statusi kanë azilkërkuesit shqiptarë në Suedi dhe a është e gatshme që Suedia t’i rikthejë ata, nëse e kërkon drejtësia shqiptare?

Dhe pyetja e dytë; Disa gazetarë shqiptarë kanë kërkuar leje qëndrimi në Suedi, çka është dhe e miratuar, por në raportin e prezantuar ditën e djeshme në OSBE për Shqipërinë vijonte të kishte vërejte për ligjin e medias në Shqipëri. A mendoni se gazetarëve shqiptarë u mbyllet goja?

Ministrja Ann Linde: Kur bëhet fjalë për azilkërkuesit në Suedi, ka një proces për këtë. Ne kemi pasur probleme, përshembull, nga disa vende, të cilat kanë pasur kërkesa të pabazuara azili. Në Suedi, nëse nuk merr azil, atëherë duhet të riatdhesohesh dhe kjo vlen për të gjitha kërkesat e pabaza për azilkërkuesit. Në të njëjtën kohë japim mundësi të njëjtë për të gjithë që të kërkojnë azil, sipas të drejtës ndërkombëtare.

Kur bëhet fjalë për pyetjen tjetër, siç e dini, Suedia është një mbrojtëse vokale e lirisë së medias dhe mendoj se është e rëndësishme që qeveria të konsultohet me shoqërinë civile dhe me gazetarët gjatë këtij procesi, duke thënë që liria e medias është një nga të drejtat bazike për çdo vend demokratik, si dhe për vendet kandidate në Bashkimin Europian si Shqipëria.

Kryeministri Edi Rama: Do doja të bëja një ndërhyrje të shkurtër, edhe pse nuk mu adresuat mua. Kur vini në një konferencë me Kryeministrin dhe me një ministre të Jashtme, minimalisht mos ngatërro OSBE-në me Bashkimin Europian. Përsa i përket ligjit, ligji është konsultuar një vit me OSBE-në dhe i miratuar nga OSBE-ja. Ndërkohë që tani po bëhet dhe adoptimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe ligji do kalojë, jo për t’i mbyllur gojën gazetarëve, por për të krijuar një mjedis shumë etik, ku të gjithë mund të flasin, por ata, të cilët janë pre e sulmeve të pabaza, kanë mundësi të mbrohen.

– Për ju Zonja Linde. Nga janari i vitit të ardhshëm, ju do të kryesoni OSBE-në. Keni ju një qëndrim sa i takon ndryshimeve ligjore që ka bërë Shqipëria për Kodin Elektoral, duke qenë se vendi do të jetë në zgjedhje pranverën e ardhshme? Ju faleminderit!

Ministrja Ann Linde: Faleminderit për pyetjen! Jo, nuk jam e familjarizuar me këtë problematikë. Si prioritet i Suedisë për OSBE-në, ne do të kthehemi tek baza kur vjen puna tek problematikat, do të kthehemi tek siguria në kontekstin europian dhe koncepti i sigurisë së detajuar dhe do të përpiqemi të ecim përpara, kur vjen puna tek konfliktet brenda për OSBE-në. Gjithashtu, unë përfaqësoj një qeverisje feministe dhe gjithashtu pjesë e problematikave për të konsideruar gjatë kryesimit tonë do të jenë çështjet e gjinisë dhe problemet për femrat.

– Një pyetje për ju Zoti Kryeministër. Sapo keni ardhur në krye të OSBE-së, një nga objektivat që ju keni vendosur, është rritja e kapaciteteve të njerëzve, në burime financiare, në burime teknologjike për monitoruesit në zonat e konfliktit. A është kjo një detyrë e përmbushur nga ana juaj dhe me çfarë detyrash të përmbushura do t’ia lini pasardhëses suaj, kryesimin e OSBE-së dhe çfarë pritet më pas?

Kryeministri Edi Rama: Në fillim të dhjetorit kemi Ministerialin dhe aty do flasim dhe për detyrat e marra, detyrat e përmbushura, problemet e adresuara, problemet që do të trashëgojmë dhe besoj që na duhet të presim Ministerialin për të pasur një bilanc të plotë për gjithë vitin e kryesimit të OSBE-së.

– Kam dy pyetje për Kryeministrin Rama dhe një për Ministren. Së pari, për ju Zonja Ministre. Përmendët se mbështesni fuqimisht Shqipërinë drejt BE-së dhe veçanërisht përparimin që është bërë për Reformën në Drejtësi. Në gjykimin e Suedisë, a do të mjaftonte ngritja e Gjykatës Kushtetuese, për të pasur një tryezë të parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian?

Në këtë linjë edhe për ju Zoti Rama. Herën e fundit që kam patur rastin t’ju pyes për datën e tryezës, mbaj mend përgjigjen tuaj për të mos vënë një datë, por një afat ndoshta, fundit i vitit, mund të jetë në gjykimin tuaj si afat i mundshëm për tryezën e parë ndërqeveritare?

Flas këtu pas raportit të një dite më parë të Komisionit Europian. Më lejoni t’i rikthehem dhe një herë çështjes së ligjit të medias, Zoti Rama. Kam pasur rastin të komunikoj disa ditë më parë me Sekretarin për Mediat në Asamblenë Parlamentare në Këshillin e Europës, i cili i sugjeron mazhoracnës që përpara se të finalizojë në Kuvendin e Shqipërisë ndryshimet në ligjin e medias, t’ia çojë dhe një herë, për një rishikim final, Komisionit të Venecias. Mendoni se mund të bëni këtë zgjedhje? Faleminderit!

Ministrja Ann Linde: Faleminderit shumë! Ne e mbështesim paketën e zgjerimit dhe e diskutuam paketën ditën e djeshme për Ballkanin Perëndimor e patjetër që pjesë e kësaj problematike do të jenë reformat në vijimësi, përparimi mbështetur në merita e në të njëjtën kohë mund të shikoj që një nga gjërat pozitive që raporti thoshte për Shqipërinë ishte pikërisht për projektet në drejtësi. Vetting-u i gjyqtarëve deri më tani është zhvilluar shumë mirë. Patjetër është diçka që ne e shikojmë me shumë pozitivitet.

Kryeministri Edi Rama: Nuk e di si ma kërkoni mua datën e konferencës që duhet ta vërë Bashkimi Europian, nuk mund ta vë unë datën. Po të ishte për mua, data e konferencës së parë ndërqeveritare duhet të ishte dhjetor 2017.

Për sa i përket pyetjes tjetër, jo, nuk do ta çojmë prapë në Komisionin e Venecias.

– Pyetja është për Kryeministrin Rama. Zoti Kryeministër, OSBE/ODIHR-i është një organ që ka në themel liritë e të drejtat. Si kryetar i saj, ju do t’i dorëzoni detyrën ministres suedeze vitin tjetër e do të jetë ajo në krye. A jeni ju krenar që gjatë kësaj periudhe që keni pasur kryesimin e OSBE-së, po kaloni një ligj që pengon lirinë e medias dhe nga ana tjetër keni qenë ju, ai njeriu që keni bërë ndryshime në Kodin Zgjedhor dhe ndryshime kushtetuese në mënyrë të njëanshme? Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Po, jam.

– Pyetja është për ministren e Jashtme Linde. Marrja e Presidencës së OSBE-së në fakt ju bën të vetëdijshme që ka angazhime, të cilat janë ndërmarrë nga shtete  pjesëmarrëse të OSBE-së, sidomos lirisë së shprehjes. Ju e dini që dhe Këshilli Europian e ka vendosur si parakusht përpara hapjes së konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë si pjesë e negociatave. Qeveria shqiptare duhet të dëgjojë thirrjen e Komisionit të Venecias sa i përket ligjit të medias. Dëgjova Kryeministrin se do të kalonte ligjin, siç e ka miratuar OSBE-ja, megjithatë Këshilli Europian dhe Komisioni i Venecias tha se nuk është në përputhje me standardin ndërkombëtar. Është një çështje që do ta trashëgoni. A keni ndonjë qëndrim në lidhje me këtë ligj? A keni një qëndrim në raport me këtë ligj, nëse ky ligj është në përputhje me standardet ndërkombëtare?

Ministrja Ann Linde: Faleminderit shumë! E mora këtë pyetje 5 minuta më përpara dhe ju përgjigja. Suedia, e thashë që është një mbrojtëse e madhe e lirisë së medias dhe është e rëndësishme që qeveria të diskutojë me gazetarët dhe shoqërinë civile në këtë proces.

Kryeministri Edi Rama: Dua të shtoj diçka që ajo çfarë u tha, është e rreme, tërësisht e rreme, sepse draftligji u diskutua më shumë sesa përgjatë një viti, shumë hapur, këtu dhe me OSBE-në. E nisëm me modelin gjerman, na u tha që modeli gjerman nuk është demokratik, vijuam drejt modeleve franceze, kroate dhe një të treti që nuk më kujtohet dhe na u tha që dhe ato nuk janë demokratike. Më pas bëmë një shumë demokratik, mbështetur në konsulencën tonë me OSBE-në, që në thelb, sipas këndvështrimit tim, nuk trajton atë plagën në debatin shqiptar lidhur me lajmet e rreme, me shpifjen, me sulmet personale dhe diskriminimin e njerëzve e kështu me radhë, por sërish ofron së paku, mundësinë që njerëzit, jo unë, por njerëzit të mbrojnë veten kur gjenden të sulmuar. Gjeje çfarë! Kur po flisnim për këtë ligj, mbështetja më e madhe erdhi nga njerëzit e biznesit. Pse?

Sepse ata shantazhohen çdo ditë. E megjithatë, ne e dërguam ligjin në Komisionin e Venecias. Sepse ju pyetët që si është e mundur që nuk e çuam ligjin në Komisionin e Venecias. Komisioni i Venecias nuk tha se ligji është në kundërshtim me parimet demokratike. Ai ka bërë disa vlerësime, ka dhënë disa rekomandime, të cilat ne do t’i trajtojmë një nga një. Pra, flas për rekomandime të Komisionit të Venecias. Dhe do të miratojmë ligjin, sepse në këtë xhungël dezinformomi, lajmesh të rreme, sulmesh kundër personalitetit të njerëzve dhe keqedukimit të të rinjve përmes shkeljes së përditshme të etikës së medias, së paku individët në këtë vend duhet të kenë të drejtën që t’i kërkojnë llogari para gjykatës çdokujt që i sulmon e që fshihet pas anonimatit, apo burimeve të jashtme dhe që në fakt u bien njerëzve si të ishin të pavlerë në shoqërinë tonë.

Kjo nuk mund të vazhdojë, është shumë e thjeshtë.

Meqë ra fjala, ju sugjeroj ju të gjithëve të shihni filmin që titullohet “Dilema Sociale”. Shiheni dhe diskutojmë.

Faleminderit shumë!

* Përkthim simultan