Manzë, vijon puna për rindërtimin e shtëpive për 280 familje

Manza është një tjetër fshat në Durrës, ku tërmeti rrafshoi me qindra shtëpi individuale, të cilat janë shndërruar në kantiere, ku rindërtimi nga themelet ka nisur, ose pritet të nisë nga dita në ditë. Kryeministri Edi Rama vijoi vizitën e tij në Manzë, i shoqëruar nga Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, e cila shpjegoi se “Gjithë Durrësi ka rreth 904 banesa për t’u rindërtuar. Në këtë njësi janë afro 280, që po zbatohen. Edhe njësia administrative e Ishmit ka 300 banesa në të cilat ka filluar procesi i rindërtimit.”

Deri tani, të gjitha familjet e mbetura pa strehë kanë përfituar nga bonusi i qerasë, i cili do të vijojë deri në ditën që do të hynë në shtëpitë e reja.

Kryeministri Rama shkoi tek disa familje, shtëpitë e të cilave po rindërtoheshin dhe kërkoi mirëkuptimin e tyre për të bërë durim, deri në ditën kur të hyjnë në banesat e reja, më të mëdha, më të sigurta dhe shumë më të bukura se ato që humbën natën tragjike të 26 nëntorit.