Situata e emergjencës, mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore. Fjala e Kryeministri Edi Rama:

Sot miratojmë dy projektvendime si fillim, për një trajtim të posaçëm financiar të lidhur me fatkeqët më të mëdhenj në këtë histori, të cilët kanë nevojë për një ndihmë me karakter të përhershëm, për të gjithë jetën, si rezultat i tragjedisë që u ka shkatërruar familjen. Po ashtu, edhe për ata që janë në moshë të thyer, që përveç pensionit të tyre duhet të ndihmohen me një trajtim plus sa 8-fishi i pensionit social dhe i barabartë me pensionin e posaçëm shtetëror të Republikës së Shqipërisë, që në masën më të lartë shkon në 60 mije lekë të reja.

Lista është si më poshtë:

Trajtim i veçantë financiar për Zonjën Lindita Cara, e cila përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Trajtim i veçantë financiar për Zotin Albert Cara, i cili përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Trajtim i veçantë financiar për Zotin Elez Çupi, , i cili përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Trajtim i veçantë financiar për Zotin Albert Lala, i cili përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Trajtim i veçantë financiar për Zonjën Denisa Gregu, e cila përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Trajtim i veçantë financiar për Zonjën Marjana Rexhepi, e cila përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Trajtim i veçantë financiar për Zotin Fehmi Vata, i cili përfiton për gjithë jetën 100 mijë lekë të reja në muaj.

Është dhe Zonja Pranvera Qato me të njëjtin trajtim financiar.

Trajtim i veçantë financiar, plus pensionit prej 60 mijë lekësh të reja në muaj për ata që janë më të moshuarit në këto familje të shpartalluara nga tërmeti, të cilave duhet t’u qëndrojmë pranë, jo thjesht me ndihmën financiare, por me ndihmën morale. Po ashtu mbrëmë kemi filluar sistemimin e tyre në shtëpitë e reja, i cili për të gjitha familjet duhet të përfundojë maksimumi brenda 15 dhjetorit.

Falënderoj Dajnën që po kujdeset personalisht për sistemimin e tyre të shpejtë dhe dinjitoz.

Njëkohësisht kemi kërkuar nga qeveria e Republikës së Francës një ndryshim të adresimit të marrëdhënies me Agjencisë Franceze të Zhvillimit dhe për këtë arsye duhet të miratojmë sot, në parim, një marrëveshje që Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë të mund të nënshkruajë me qeverinë e Republikës së Francës, në mënyrë që në Shqipëri të themelohet dhe të ushtrojë aktivitetin e vetë Agjencia Franceze e Zhvillimit, një agjenci e njohur botërisht për kapacitetet e saj financiare dhe për veprimtarinë e saj në funksion të mbështetjes së zhvillimit në vende të tjera. Presidenti i Francës është i angazhuar personalisht për t’i dhënë një shtysë shumë të fortë kësaj Agjencie, në funksion të rritjes së bashkëpunimit në kudër të programeve për investime në vendin tonë, por tanimë me fokus kryesor dhe me prioritet emergjent situatën post katastrofë. Natyrisht që kjo është një marrëveshje që shkon përtej kësaj situate, por të gjithë mjetet financiare të vënë në dispozicion nga Agjencia, deri kur të jenë kuruar dhe shëruar plagët e mëdha që ka hapur tërmeti, do të adresohen vetëm në këtë drejtim.

Duhet të shtoj se kam marrë disa reagime të para nga të gjitha letrat e dërguara në gjithë botë, reagime inkurajuese, që shpresoj do të pasohen sot nga të tjera, për të mobilizuar një solidaritet ndërkombëtar, që me thënë të drejtën në nivelin e përjetimit dhe të komunikimit ka qenë i menjëhershëm, por që na takon të bëjmë gjithçka që ta përkthejmë në një solidaritet të vazhdueshëm në funksion të kurimit të këtyre plagëve të tmerrshme.

Është konfirmuar edhe një adresim i imi në konferencën e madhe të investitorëve të rajonit lindor që Presidenti i Republikës së Turqisë ka organizuar dhe sipas fjalëve për momentin, do ta adresojmë bashkërisht, duke kërkuar solidaritet maksimal nga sipërmarrja e pranishme në atë konferencë, e cila është një konferencë që zhvillohet çdo vit, por që do të ketë një sesion të veçantë për tërmetin në Shqipëri, me mundësinë e adresimit të saj dhe të sensibilizimit të tyre.

Ajo çka është diçka që vjen si mundësi e shtuar, është gatishmëria e disa vendeve që në nivelin e Ministrive të Arsimit të ndërtojnë një urë të drejtpërdrejtë bashkëpunimi. Kështu që Ministria e Arsimit duhet sot t’i drejtohet homologëve europianë, por dhe më gjerë se kaq, pra, të gjithë homologëve të të njëjtave vende që i jam drejtuar dhe unë, me një informacion të përmbledhur mbi goditjet që tërmeti ka dhënë në infrastrukturën shkollore, si dhe në nivelin psikologjik për nxënësit dhe mësuesit dhe me një kërkesë të përulur për ndihmë.

E njëjta gjë me Ministritë e Shëndetësisë, në të cilat në disa prej vendeve janë shprehur të interesuar të dinë se çfarë ka dëmtuar tërmeti në infrastrukturën e shëndetësisë. Në fakt nuk kemi dëmtime serioze dhe të pakapërcyeshme, por kemi disa dëmtime.

Nga ana tjetër është një moment për të përshpejtuar për ndërtimin dhe në nivelin e përmirësimit të domosdoshëm të të gjithë sistemit të koordinimit dhe shfrytëzimit të ndihmave, për të shmangur konfuzionin dhe për të shmangur lëvizjet e pakontrolluara të ndihmave që vijnë nga të gjitha anët, siç erdhën ditët e para. Po ashtu kemi goxha gatishmëri dhe solidaritet nga shumë vende. Por thënë kjo, duhet ta përsëris edhe njëherë që në të gjitha kontaktet që unë kam patur edhe gjatë ditës së djeshme me disa nga grupet e ekspertizës inxhinierike për qëndrueshmërinë e banesave, mbresat nga skuadrat tona janë jashtëzakonisht pozitive.

Grupet e ekspertëve janë në terren intensivisht. Grupe të tjera kanë ardhur dje. Të tjera priten të vijnë për të mbuluar gjithë perimetrin dhe për t’i dhënë njerëzve garanci, kur bëhet fjalë për shumicën dërrmuese të rasteve që godinat nuk paraqesin rrezikshmëri, edhe pse kanë nevojë të riparohen dëmet dhe njëkohësisht, për të vendosur në kryq të gjitha godinat që duhen shembur.

Kemi nisur përgatitjen për një konferencë publike, e cila është rënë dakord të bëhet ditën e premte. Dua ta dëgjojnë të gjithë njerëzit që duan informacion të sigurtë dhe të vërtetë dhe jo ato informacionet e kanaleve mediatike që vijnë me lloj-lloj prurjesh toksike që ditën e premte, regjistrues të grupit të inspektimit të godinave do të paraqesin për publikun informacione dhe raste konkrete, tipologji të ndryshme dëmtimesh, për të shpjeguar se nga çfarë duhet të kihet dhe nga çfarë s’duhet të kihet shqetësim, në kuptimin e parimeve. E sigurisht për çdo rast duhet të bëhet ekspertiza  më vete. E kam pritur me shumë kënaqësi dhe gatishmëri dhe të premten, kjo do të jetë një mundësi për të gjithë për të ndjekur nga goja e atyre që dinë se çfarë flasin, të gjitha të vërtetat mbi situatën.

E me këtë rast përfitoj t’ju bëj një apel mediave që të përpiqen nëse është e mundur, të adresojnë pyetjet e tyre tek këto grupe. Grupet janë në terren. Nuk u kushton asgjë që t’i kërkojnë dhe t’i pyesin.

E fundit, për të mos humbur shumë kohë, sepse kemi dhe një takim tjetër më pas, me kërkesë të Zotit Ilir Meta.

Jemi duke punuar dhe besoj do ta konkludojmë shpejt, edhe kuadrin e ri ligjor dhe penal për abuzimet në ndërtim. Ndërkohë që njësia speciale kundër korrupsionit ka filluar të përgatisë të gjithë hartën e veprimeve, për të identifikuar përgjegjësi në godinat problematike. Por duhet të bëj një apel për të gjithë ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe që sot hynë tek godinat e dëmtuara, por jo të rrezikshme, që të paraqiten vetë urgjentisht në zyrën përkatëse të drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën, apo në zyrën e shtabit të emergjencës në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një për një, vetë, godinat, të gjitha riparimet, nga ato sipërfaqësore deri tek dëmet materiale që u janë shkaktuar njerëzve për shkak të dëmtimeve, natyrisht, jo për të gjitha të tjerat. E bëj këtë apel, sepse shumë shpejt do të jetë vonë për ta. Kush do i shmanget këtij detyrimi do të jetë i akuzuar drejtpërdrejtë përpara organeve të drejtësisë dhe do ta çojmë ne në akuzë dhe do kërkojmë burgim për papërgjegjshmërinë.

Për tua thënë dhe njëherë qartësisht njerëzve, bëhet fjalë për dëmtime që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e godinës, por që vënë në pamundësi banueshmërinë e saj dhe që kanë të bëjnë me abuzime të ardhura pas dhe gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit. Është e vërteta e sigurt që ndërtimet  e reja dhe ato të bëra qysh nga mesi i viteve ’90-të dhe më pas, në 99, 99% të tyre kanë qëndruar më së miri përballë tërmetit. Pjesa tjetër, ajo pjesa shumë e vogël, është në 99% të rasteve abuzivizëm nga individë, – jo nga kompani – që kanë ndërtuar shto ujë e shto miell dhe me një përqindje të vogël nga kompani që kanë abuzuar me vetë lejen.

Ndërkohë i kam kërkuar drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën, edhe një raport, i cili do përgatitet me pushtetin vendor, për katet e shtuara mbi leje. Janë një sërë katesh të shtuara mbi lejen, të cilat duhen të gjitha të regjistrohen dhe me të cilat duhet të ndërmarrim një nismë të veçantë më pas.

Përsa i përket pjesës tjetër, gjendja psikologjike e njerëzve ka filluar të përmirësohet. Është domosdoshmëri përgatitja e fazës tjetër, asaj të akomodimit për ata që janë sot në hotele dhe faza tjetër e akomodimit për ata që janë në zona rurale.

Kam një merak shumë të madh për ata që janë në zona rurale, lidhur me nevojën për t’ju garantuar cilësi maksimale të çadrave dhe të tendave. Për këtë ministrja e Mbrojtjes po punon çdo ditë, sëbashku me drejtuesin e plotfuqishëm dhe pastaj me ministrin e Turizmit dhe shtabin përkatës të emergjencave në Durrës dhe në Lezhë.

Ka filluar përpilimi i listës për ata që nuk kthehen dot në shtëpi e që janë në hotel. Duhet të fillojë urgjentisht identifikimi i të gjitha apartamente për t’u marrë me qera nga shteti. Nuk do t’i çojmë nëpër kampe, nuk do t’i çojmë nëpër çadra, por do t’i çojmë në apartamente ku do të qëndrojnë me qera, deri kur të bëhet rindërtimi.

Rindërtimi do zgjasë, nuk është një histori që bëhet sa hap e mbyll sytë, pavarësisht se ka njerëz që kërkojnë shtëpia dhe pallate dje. I duan që t’i bëjmë dje dhe është e mirëkuptueshme, sepse është ankth, por të gjithë ata, të cilët nuk kthehen dot në shtëpi se e kanë të dëmtuar, deri kur të riparohet shtëpia, duhet të qëndrojnë si njerëz nëpër apartamente.

Nuk është e lehtë, sepse janë shumë. Nga ana financiare do ta përballojmë ne, me çdo çmim, në kuptimin jo me çdo çmim qereje, se nuk do lejojmë abuzivizma, me çdo çmim në kuptimin e kostos së përgjithshme dhe duhet të jetë objektivi, Blendi, që, pasi ata të kalojnë edhe Krishtlindjen e Vitin e Ri në hotele si njerëz,- na vjen keq për të tjerët që mund të kenë menduar, ose edhe bërë ndonjë prenotim që të bëjnë Vitin e Ri ose Krishtlindjet në plazhin e Durrësit, por kjo është e pamundur, në ato hotele do të qëndrojnë këta njerëz – duke nisur nga fillimi i janarit e në vijim, të fillojë kalimi i tyre në apartamente. Apartamente që të kenë minimumin jetik, dinjitoz, jo në apartamente që të shkojnë të shtrihen përtokë, në çimento, por në dyshek, me pajisjet minimale të nevojshme, në mënyrë që të mbrohen nga i ftohti, të kenë mundësi të ushqehen dhe natyrisht, edhe me një kuotë të caktuar, si dhe me ndihma ushqimore konstante.

Ndërkohë që të tjerët, ata, të cilët kanë janë futur nëpër hotele, janë mirëpritur, janë mirëkuptuar sepse janë të trembur, pak nga pak mund të kthehen nëpër shtëpi, aty ku i kanë ato.  E këtu kam parasysh qoftë kategorinë e atyre që kam takuar, plot të moshuar, të cilët të rrinë sa të duan aty si gjithë të tjerët, por të kthehen në shtëpi pastaj. Edhe ata që janë të pastrehë të regjistruar në Bashkinë e Durrësit apo të Lezhës, që kanë një shtëpi, që s’ju ka ndodhur gjë në shtëpi, duhet të kuptojnë e duhet të na mirëkuptojnë që ky nuk është një program strehimi i gjithë popullit, por i një program ristrehimi i atyre që kanë humbur strehën, apo që i është dëmtuar streha. Ka gjithmonë një prioritet dhe prioriteti janë ata, edhe pse unë i mirëkuptoj shumë mirë edhe të tjerët që duan strehë, por mundësitë janë këto.

Duke parë shembujt e vendeve të tjera, të Italisë apo dhe të Greqisë, ku tërmetet kanë rënë prej vitesh e ku akoma ka numër të konsiderueshëm familjesh nëpër kabina, unë jam shumë i shqetësuar, por njëkohësisht dua t’ju them që ne këtë nuk do ta lejojmë. Të gjithë duhet të kenë një afat dhe një horizont të qartë. Natyrisht do zgjasë, mund të zgjasë një vit, dy vjet, apo 3 vjet për disa kthimi, por unë mendoj që brenda 2020-s, ne duhet t’i kemi dhënë të gjithëve perspektivën shumë të qartë dhe të gjithë duhet të jenë sistemuar, ata që janë edhe masa e madhe që i kanë shtëpitë e dëmtuara, por që janë shtëpi që mund të riparohen. Ndërkohë ata që janë pjesë e programit të rindërtimit total duhet të jenë të garantuar plotësisht që do të jetojnë në kushte normale, deri kur të kthehen normalisht në shtëpitë e tyre, aty ku do rindërtohen të reja, ose diku tjetër e nëse jo, po aty ku janë, por kjo është çështje e planifikimit dhe programimit.