Situata e emergjencës, mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë

Mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit të Ministrave për situatën e emergjencës së fatkeqësisë natyrore. Fjala e Kryeministri Edi Rama:

Mirëmëngjes!

Një përditësim është i nevojshëm.

Numri i qytetarëve që janë ndarë nga jeta si rezultat i tërmetit ka mbërritur në 50 dhe operacionet e kërkim-shpëtimit janë përfunduar.

Duke përsëritur edhe një herë, shprehjen më të fuqishme të mirënjohjes për të gjithë ata që u përfshinë në këto operacioni dhe duke i shprehur edhe një herë, mirënjohjen më të thellë miqve dhe partnerëve që në një kohë shumë të shpejtë mobilizuan trupa superspecializuar të kërkimit-shpëtimit, më lejoni të përsëris sepse më duket shumë e rëndësishme, që trupat tona, forcat e përfshira në momentin  më akut të krizës meritojnë vlerësimin më të lartë. Këtë e them jo thjesht për t’iu kthyer një përgjigje sqaruese atyre që përpiqen të thonë se po të mos ishin trupat e huaja, ne nuk do kishim arritur dot të shpëtonim askënd, por për t’iu thënë të gjithëve që duhet të jemi e duhet të jenë krenarë për trupat tona, pasi deri në momentin e pasdites së vonë kur ka mbërritur forca e parë speciale e kërkim-shpëtimit, numëroheshin 38 të shpëtuar nga gërmadhat. Në 10 operacionet pasuese, që ishin ato më të vështirat, kontributi i trupave të ardhura ndihmë ka qenë jetik, por ama 38 njerëz janë shpëtuar nga trupat tona.

Pa dashur fare ta mohoj faktin që trupat tanë të kërkim-shpëtimit kanë nevojë për t’u fuqizuar nga pikëpamja e mjeteve dhe për t’u motivuar edhe më shumë, duke nisur nga trajnime shumë më të specializuara, diskutim që as nuk bëhet fjalë për të vënë në dyshim dhe jo më pastaj për të përqeshur kapacitetet e tyre.

Duhet të bëj edhe një detajim, që nuk më duket hiç i parëndësishëm, që në tërësinë  e skuadrave të integruara që u krijuan për shpëtim-kërkimin, skuadra jonë e urgjencës është absolutisht e të gjitha standardeve të sotme ndërkombëtare, më të mira ndërkombëtare, gjë që e kam konstatuar edhe nga fakti se të gjithë përfaqësuesit e trupave të kërkim-shpëtimit që kanë ardhur nga jashtë e kanë thënë këtë me admirim.

Një efekt, le të themi pozitiv i gjithë kësaj, është se me trupat franceze, me trupat italiane janë vendosur tani urat e komunikimit dhe shumë shpejt, ata do të sjellin edhe planet për të mbështetur fuqizimin e trupave tanë në çdo aspekt. Në aspektin e mjeteve, në aspektin e njohurive dhe në aspektin e trajnimeve të përbashkëta, të cilat i kanë ofruar me shumë bujari, duke vlerësuar maksimalisht përkushtimin heroik të njerëzve tanë.

Aktualisht në spitale marrin ndihmë mjekësore 41 persona, nga këta 34 në spitalin e Traumës, 4 në spitalin e Durrësit, 3 të tjerë të transferuar jashtë vendit për kurim, pasi kanë patur nevojë për ndërhyrje shumë të specializuar dhe disa nën një vëzhgim shumë intensiv, për të parë ecurinë ndërkohë që ministrja e Shëndetësisë ka gati të gjitha transferimet në klinikat e superspecializuara në rast se mjekët do të kërkojnë një gjë të tillë.

Tërësia e personave të akomoduar  vetëm në strukturat hoteliere  është 2472.

Harku i kësaj mikpritje shtrihet nga Durrësi deri në Gjirokastrës dhe duhet patur parasysh që një numër i këtyre personave nuk kanë humbur krejtësisht shtëpinë, por janë persona në një situatë traumatike dhe me shtëpinë në kushte frike, që jo domosdoshmërish janë kushte objektive që lidhen me qëndrueshmërinë e godinës. Por ne kemi ndjekur dhe do të ndjekim këtë linjë, që nuk do të lëmë njerëz të traumatizuar pa iu shërbyer në këtë fazë të parë.

Ministri i Turizmit, në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha strukturat që janë ofruar për të bërë këtë shërbim shumë të nevojshëm, po punon ngushtë edhe me shtabet e emergjencave për të vlerësuar çdo familje, si familje që do të trajtohet në një afat të gjatë. Është e natyrshme që një pjesë vetvetiu do të duan të kthehen në normalitet.

Nga ana tjetër, ne shpejt do të kemi edhe raportin e qëndrueshmërisë së banesave. Që do të thotë se falë angazhimit të grupeve që kanë filluar të vijnë, grupi grek është në terren, grupi francez është në terren, grupi italian është në terren, grupe të tjera vijnë sot dhe nesër, inspektimi i godinave që janë të mëdha në numër të bëhet në një kohë shumë të shpejtë dhe rezultatet mbi qëndrueshmërinë e tyre do të merren në një kohë shumë të shpejtë, të godinave të dëmtuara, apo që kanë një pamje të frikshme për banorët. E them ketë, sepse është shumë e rëndësishme  që njerëzit të kuptojnë që plasaritjet, krisjet e dukshme në banesat kolektive nuk janë domosdoshmërisht shfaqje të një situate kritike, pa kthim, të këtyre banesave. Nuk është e rëndësishme sa plasaritje, apo sa krisje ka në pamje të jashtme një godinë, por e rëndësishme është sa është e afektuar ose jo struktura mbajtëse. Këtë do ta thonë specialistët.

Për të patur një garanci maksimale që raportet të jenë maksimalisht të kujdesshme dhe të sakta, duke patur parasysh volumin e madh të godinave që duhen radiografuar, kemi kërkuar edhe ndihmë. Ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme ka kryer të gjithë ciklin e telefonatave dhe kontakteve me të gjithë ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian, për të garantuar që do të kemi edhe ekipe të tjera. Ekipi hungarez, ekipi bullgar, ekipi lituanez dhe letonez vijnë sot. Kështu që në këtë aspekt nuk do të kemi asnjë problem. Do të jetë e rëndësishme të kemi koordinim të plotë për t’i pritur dhe shoqëruar drejt shtabeve të emergjencës, në mënyrë që këto shtabe, në bashkëpunim me personin përgjegjës për këtë çështje, zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe të Energjisë në zonën e Durrësit dhe personat përgjegjës për zonat e Tiranës të mund t’i alokojmë me shpejtësi  në vendet e duhura, për të mos patur mbivendosje dhe asnjë minutë kohë të humbur.

Kemi në listën e dëmeve të shkaktuara disa situata që janë më specifikisht më problematike, siç është situata në bllokun e pallateve tek Ura e Daljanit në drejtim të Muzeut të Dëshmorëve në Durrës, tek rruga “Aleksandër Goga” në drejtim të Spitallës, Lagja 14 Shkozet, Lagja 13 plazh, Thumanë, Manëz, Bubq dhe Ishëm.

Në Tiranë kemi 1192 banesa individuale, të cilat kanë dëmtime serioze dhe në momentin që flasim kemi 265 pallate që kërkojnë një vlerësim. 8 shkolla numërohen të dëmtuara, një qendër shëndetësore. Në drejtim të të gjithë infrastrukturës publike, shkolla, qendra shëndetësore, kopshte, çerdhe po kryhet dhe do të përfundojnë një analizë e plotë me një shpejtësi maksimale në këto kushte.

Problematikat me të cilat shtabet duhet të përqendrohen fort tani janë që të identifikohen dhe të regjistrohen pa asnjë cedim dhe pa asnjë përjashtim familjet e prekura nga dëmet e tërmetit. Janë dy kategori familjesh që duhet të kërkojnë fuqi për të qenë mirëkuptues, që nuk mund të jenë objekt i kësaj përpjekjeje;

Një kategori janë familjet që përpara tërmetit kanë rezultuar si të pastrehë, siç ka kudo njerëz me familje në nevojë për strehim dhe që banojnë në shtëpi me qera, të cilat janë në rregull. Në raste, kur këto shtëpi janë në rregull, nuk mundet dot që të kërkojnë të futen në listën e familjeve që do të trajtohen me strehim si pasojë e tërmetit. Programi i Rindërtimit nuk është një program  për të zgjidhur strehimin e të gjithë Shqipërisë. Programi i Rindërtimit është një program për të zgjidhur strehimin e të gjithë atyre që e kanë humbur atë.

Kategoria tjetër, ajo e banesave me një standard shumë të ulët kushtesh është një kategori që ne fatmirësisht e kemi identifikuar si rezultat i punës së bërë nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies dhe Ministri i Brendshëm paraprakisht.

Para dy javësh (në mos gabohem) kemi patur  një takim për të parë sesi do të mund ta adresojmë këtë problem për këto familje. Flas për familje të varfra, flas për ato familje që janë edhe subjekti punës së organizatave solidare për njerëzit në nevojë, që ndërtojnë shtëpi etj. Edhe këto familje, edhe këto banesa nuk mund të hyjnë  në kategorinë e banesave dhe të familjeve që janë prekur nga tërmeti, kuptohet në ato raste kur tërmeti nuk ka shkaktuar dëme të mëtejshme. Fatmirësisht, ne e kemi fotografuar këtë situatë. I kemi të gjitha me fotografi në një dosje të veçantë të Ministrisë së Mirëqenies.

Përsa i përket personave të vendosur në kampe dhe hotele duhet të bëhet përputhja me pikën e ardhjes, pra, me shtëpinë e tyre. Në qoftë se këta persona janë persona që realisht kanë humbur shtëpinë, apo kanë një shtëpi në rrezik duhet të qëndrojnë aty dhe duhet të trajtohen deri në fund, me gjithë kujdesin e duhur. Ndërsa personat, të cilët  janë aty si rezultat i  ankthit, duhet trajtohen edhe me psikolog. Ne kemi vendosur  një numër psikologësh në dispozicion për ta. Siç e thashë dje, një angazhim në këtë fazë kritike, edhe i gjithë ministrave për të ndjekur struktura të veçanta, për të qenë aty të pranishëm në emër të qeverisë, për të lehtësuar peshën e të ndierit vetëm të njerëzve, do të ndihmojë në këtë proces.

Ajo që do të miratojmë sot dhe që lidhet me këtë aspekt është nevoja për të lidhur kontratat me këto struktura hoteliere. Sepse është histori e njohur kjo. Dje, në pjesën e dytë të mbledhjes, edhe Pandi, si njeri që e  ka kaluar një krizë humanitare, e theksoi historinë e nevojës për të kornizuar të gjitha proceset dhe nga ana tjetër, për të limituar edhe abuzimet që ndodhin vetvetiu dhe që duhen margjinalizuar e  duhet të mos kalojnë atë shkallën e minimumit.

Me këtë dua të them se nuk do të lejojmë që të vijnë të na kërkojnë fatura të sjella në rrugë informale, apo qoftë edhe formale, por që nuk kanë  lidhje me këtë proces, struktura hoteliere, të cilat i kanë hapur dyert e tyre përpara për zemrën e tyre. Cilido që do të hyjë në këtë marrëdhënie për qëndrim përtej 3,4,5 ditëve, 1,2,3 javëve të krizës, të këtyre njerëzve, do të ketë kontratë të qartë detyrimesh reciproke. Qeveria do t’i detyrohet atyre mbulimin e shpenzimeve në raport me nevojën për të mbajtur të gjitha stafet aty dhe në raport me nevojën që ne t’iu kërkojmë llogari. Ata nuk mund t’i mbajnë  njerëzit atje dhe t’u japin shërbim gjysmak. Njerëzit atje do të trajtohen siç trajtohen turistët kur vijnë, me të gjithë kujdesin. Dhe ata nuk janë turistë, ata janë pacientë në këtë moment, sepse janë të traumatizuar dhe kanë nevojë për një kujdes të veçantë. Janë njerëz, të cilëve nuk mund t’ju kthehet fjala me inat apo me nervozizëm, edhe sikur ta teprojnë, edhe sikur të bëjnë diçka që një turist nuk do ta bënte në pikëpamje të marrëdhënies me mjedisin aty. Për këtë, ne kemi nevojë për kontratë detyruese për palët. Ata do të marrin përsipër shërbimin perfekt, ndërsa ne do të marrim përsipër monitorimin e shërbimit të tyre.

Kemi folur me Besën dhe me Ogertën dhe duhet që menjëherë të plotësohet dhe shpresoj ta kem nesër listën e personave në nevojë për ilaçe, që vuajnë nga sëmundje kronike, në të gjitha këto struktura hoteliere. Të gjitha ilaçet për sëmundjet kronike, përsa kohë këta njerëz do të rrinë në hotel, do të jepet falas 100%. Ata nuk do të kenë asnjë mungesë ilaçesh.

Për  gjithë strukturat, sipas një planit të bërë, do të ketë mjek të dedikuar dhe infermierë, që nuk është e nevojshme të rrinë në hotel gjithë ditën, por do të jenë në dispozicion si pjesë e strukturës së Urgjencës Kombëtare. Ata do të nisen në rast se ka urgjencë, ashtu sikundër do të bëjnë një punë ekstra, kur të mbarojnë 8-orarëshin në punën e shtetit, do të shkojnë të bëjnë edhe një pjesë kohe atje për të ndjekur ecurinë dhe për t’u siguruar se nuk ka asnjë problem.

Duhet të garantojmë që të gjithë nxënësit që janë nëpër këto hotele të kenë mësimin e vazhduar. E para, të garantohet transporti për nxënësit që duhet të lëvizin drejt shkollës, p.sh, nga Shëngjini në Thumanë;

E dyta, të garantohet që të ketë mësues t’i ndjekin pasdite për t’i ndihmuar për të bërë detyrat. Hotelet kanë hapësira plot për salla mbledhjesh, konferencash etj. dhe ato do kthehen në hapësira për mësim dhe në hapësira për fëmijët. Është shumë e rëndësishme që fëmijëve më të vegjël, atyre që s’janë në shkollë t’u çohen lodra, si dhe t’u çohet një edukatore të merret me ta. Edhe nënat e tyre kanë nevojë për pak qetësi dhe pak pushim dhe nuk mund t’u gjëmojnë fëmijëve gjatë gjithë kohës nga mbrapa dhe në një strukturë të mbyllur të bëhet një rrëmujë e madhe.

Kemi problemin e inerteve. Ku do shkojë gjithë këto inerte që do të duhet të pastrohen nga rrënojat?

Është absolutisht e domosdoshëm që ta shikojmë këtë si një oportunitet. Nuk po bëj shembullin Gjermanisë pas luftës, sepse është një dimension komplet tjetër, por po bëj shembuj të tjerë që lidhen me të njëjtin  shembull. Inertet në këto raste përdoren edhe për të krijuar zona ekologjike. Që do të thotë, mblidhen, krijohen kodrina. Gjermanët kanë krijuar kodra të tëra, që janë kthyer kodra të gjelbëruara dhe janë  kodra të memories dhe në të njëjtën  kohë janë kodra që i kanë shtuar një përmasë të gjelbër zonave të shkatërruara plotësisht. Të njëjtën gjë bëjnë edhe vendet e tjera mbas këtyre situatave.

Inertet nuk mund të hidhen as në lum, as në det. Por edhe nuk mund të mbeten aty dhe të kthehen në një vatër dëshpërimi dhe pisllëku, kur të ketë dalë dielli dhe Shqipëria të vazhdojë me avazin jetës së përditshme. Për këtë duhet një plan shumë i qartë.

Ministres së Kulturës, edhe si anëtare e Komitetit Kombëtar për Rindërtimin, i është kërkuar të ndjekë të gjithë aspektin që ka të bëjë me projektimin dhe planifikimin, si dhe të koordinojë arkitektë, sëbashku me zëvendësministrin e Infrastrukturës. I kërkoj të na japin një plan për këtë, duke e konsultuar me arkitektët dhe me një numër jo të vogël arkitektësh të huaj, që kanë çuar mesazhe dhe janë të gatshëm të vijnë të punojnë falas dhe të ofrojnë falas konsulentë për gjithçka që ne na duhet për rindërtimin.

Në Durrës kemi 19 ndërtesa, flasim për objekte të mëdha që janë vlerësuar të dëmtuara thuajse plotësisht dhe ku janë vendosur edhe shiritat e sigurisë. 12 prej tyre do të prishen. S’kanë nevojë as për një lloj ekspertize tjetër ndërkombëtare, sepse janë qartësisht jashtë çdo lloj funksioni. Dje është shembur  i pari. Për 7 të tjerët do presim një raport të inspektorëve  të huaj, që të kemi garanci të plota.

Ka edhe një problem tjetër që duhet të jemi shumë të vëmendshëm. Është e mirë të angazhojmë të gjithë trupat e inxhinierëve që punojnë në sektorin privat, por të bëjmë shumë kujdes, sepse edhe në këtë fushë, eksperienca e vendeve të tjera flet për hapësira abuzivizmi. Kështu që duhet të vendosim një double check (një kontroll të dyfishtë), njëri grup konfirmohet edhe nga grupi tjetër.

AKU-ja ka një rol kyç dhe një rol shumë të vështirë. Në bumin e parë të ndihmave ushqimore kanë nevojë për një superangazhim që të garantohemi se bëhet fjalë për ushqime që janë të shëndetshme. Për shembull, një pjesë e ndihmave mjekësore të ardhura nëpër autokolonat e para të solidaritetit janë jo vetëm të panevojshme, por janë  tërhequr  menjëherë dhe janë bllokuar nga Ministria e Shëndetësisë, sepse nuk kanë asnjë lidhje me çfarë nevojitet në këtë moment. Njerëzit kanë çuar çfarë kanë mundur, por sasi ilaçesh komplet të panevojshme. Ndërkohë që ilaçet e nevojshme në këtë moment janë ilaçet që lidhen me sëmundjet kronike, kryesisht. Gjithsesi, nevojë për ilaçe nuk do të ketë, sepse ne do të plotësojmë çdo nevojë. Kjo është pak, por e sigurt, sepse edhe komunikimet e ministres me një sërë kompanish të mëdha të huaja e kanë konfirmuar këtë gjë, në rast se do të lindi një nevojë për më shumë.

Jemi në nevojë për të plotësuar gjithë kërkesën për çadra të standardeve optimale. Çadrat e vendosura në ditët e para janë çadra të momentit të parë të krizës. Ndërkohë që duhet të garantojmë që aty ku do të kemi çadra dhe bëhet fjalë vetëm për zonat rurale, psh., Bupqin, duhet të jenë çadra optimale. E kemi diskutuar këtë. Shembulli më i shkëlqyer është shembulli i atij kampit të vogël në Vorë, që u ngrit bashkë me emergjencat italiane. Çadra të standardit të BE-së, me ndriçim brenda, të termoizoluara, që garantojnë që futesh brenda dhe s’ke problem as me shiun, as me të ftohtin, as me ndriçimin. Pastaj pjesa tjetër ëshë sigurisht pjesa që dallon çadrën nga shtëpia.

Këtu janë detyrat. Dje kishim 82 pika të ndara sipas ministrive. Një pjesë e tyre janë të njëjtat, një pjesë janë të reja për secilën ministri dhe nuk po i përsëris këtu, sepse nuk janë në  në interes të publikut, mund  t’i diskutojmë në pjesën tjetër.

Tani kalojmë tek disa projekt-akte normative që qeveria duhet të marrë sot.

Së pari, të gjitha familjet e viktimave në Durrës:

Familja Broshka 4 anëtarë 1 viktimë

Familja Gjana 8 anëtarë 1 viktimë

Familja Hadarmataj 4 anëtarë 1 viktimë

Familja Lala 4 anëtarë 1 viktimë

Familja Lala (tjetra) 8 anëtarë 7 viktima

Familja Meçja 5 anëtarë 1 viktimë

Familja Misho 3 anëtarë 1 viktimë

Familja Qato 2 anëtarë 1 viktimë

Familja Rexhepi 2 anëtarë 1 viktimë

Familja Zenelaj 9 anëtarë 1 viktimë

Familja Cakoni (këtu kalojmë në Thumanë) 6 anëtarë 2 viktima

Familja Cara 5 anëtarë 4 viktima

Familja Cara 2 anëtarë 1 viktimë

Familja Cuka 4 anëtarë 2 viktima

Familja Cupi 4 anëtarë 3 viktima

Familja Greku 3 anëtarë 1 viktimë

Familja Greku 3 anëtarë 2 viktima

Familja Hoxhalli 3 anëtarë 1 viktimë

Familja Kabilli 4 anëtarë 1 viktimë

Familja Lala 4 anëtarë 1 viktimë

Familja Preci 3 anëtarë 1viktimë

Familja Steneci 3 anëtarë 1 viktimë

Familja Vata 2 anëtarë 1 viktimë

Familja Vata 4 anatemë 1 viktimë

Familja e Iljos Gegës viktimë në Thumanë

Atëherë, që të gjitha këto që duhen konsideruar, ju lutem shumë, me një rezervë me 0.1% për emrat e familjeve, apo për ndonjë lapsus, sepse mund të ketë ndonjë lapsus për mospërmendjen e ndonjë emri, apo të një numri ashtu siç është saktësisht, sepse këto janë të dhënat e zyrës operacionale, gjithkush që hyn në këtë kategori do të trajtohet në mënyrë të veçantë dhe të gjitha këto familje duhet të hynë në shtëpitë të reja urgjent. Ne i kemi gati mundësitë për ta. Do duhet caktuar një person specifik në shtabin e emergjencës në Durrës dhe në shtabin e emergjencës në Tiranë për pjesën që i takon Tiranës, që do të bëjë kontaktin me ta, për t’ju thënë se ku duan të rrinë.

Ne, familjeve të Thumanës, viktima në Thumanë jemi gati t’u ofrojmë menjëherë apartamentin në Tiranë. Kemi ndërkohë gati dhe duhet vetëm të bëhet arredimi, 6 apartamente në Thumanë, por ju lutem një komunikim me ta për të parë se kush është dëshira e tyre. Dhe ky akt i parë është akti i dorëzimit të apartamenteve të gjithë këtyre familjeve. Duhet bërë në një kohë rekord. Ne jemi gati tani, komunikimi do të sjellë mbrapsht gatishmërinë e tyre për të shkuar Tiranë. Ata të Thumanës, ata të Durrësit, nëse ndonjëri prej tyre do të vinë në Tiranë, apo duhet të qëndrojë në Durrës dhe ata të Tiranës, kuptohet në Tiranë.

Besoj jemi dakord që ky projekt-akt të miratohet.

E dyta, për një shtesë në ligjin 8438, datë 28.12. 1998, për Tatimin mbi të Ardhurat, i ndryshuar.

Para se të kaloj tek kjo, dua të vazhdoj pak me pjesën që ka të bëjë me këto familje, sepse janë ata të parët fare që duhet të kenë gjithçka që ne mundet t’i japim në këtë moment, ndërkohë që sigurisht jetët e humbura nuk mund t’i kthejmë dot.

Kalojmë tek një akt tjetër, për një shtesë në ligjin 7703, datë 11.05.1993, për Sigurinë shoqërore në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar. Një akt normativ që krijon të gjithë hapësirën e nevojshme ligjore për të dhënë një trajtim të posaçëm financiar të gjithë atyre që kanë mbijetuar në familjet ku tërmeti ka marrë jetë. Ky do të jetë një trajtim financiar për të gjithë jetën e tyre. Unë dje kam shoqëruar Albert Carën, i cili ende nuk di që ka humbur të gjithë dhe urojmë me gjithë shpirt që ta kapërcejë situatën e rëndë, sepse është i dëmtuar në shtyllën kurrizore dhe për këtë kërkon një trajtim të specializuar. E kemi çuar në një nga klinikat më të mira, më të njohura, të Italisë. Por të gjithë jemi të vetëdijshëm se çfarë do të thotë që, mbasi të dalë nga ajo situatë, ai të përballet me faktin që s’ka më asnjë njeri. Ashtu sikundër Lindita Cara, e cila ka humbur të gjithë. Për dy, në këtë akt ka një trajtim të veçantë.

Ndërkohë për të gjithë pensionistët e familjeve të viktimave do të jepet pensioni i veçantë i Republikës së Shqipërisë. Pensioni që në ligjin ekzistues është pension që u jepet njerëzve me kontribute të veçanta dhe është një numër i kufizuar, që varion në 12 – 15, flas për pensionin e veçantë që jepet. Kështu që këta njerëz përfshihen në këtë kategori dhe do të marrin pension të veçantë, njësoj siç e marrin njerëzit me kontribute të veçanta, akademikë, artistë, sportistë, shkencëtarë e kështu me radhë.

Projektvendimi tjetër lidhet përsëri me përkrahjen sociale dhe financiare të familjeve të viktimave dhe ka të bëjë me akordimin direkt të një përkrahje financiare prej 1 milionë lekë të reja për çdo familje dhe patjetër edhe për përballimin e shpenzimeve të varrimit. Gjithashtu, secila prej familjeve të vëllezërve Abazi nga Kosova do të marrë të njëjtën përkrahje financiare prej 1 milionë lekë të reja nga ky vendim i Republikës së Shqipërisë.

Besoj jemi dakord të miratohet.

Po ashtu nxënësit që janë në familjet e viktimave, për t’ju ardhur në ndihmë në këtë situatë që besoj s’ka nevojë për koment, do të marrin një bursë mujore prej 15 mijë lekë të reja në muaj. Është faktikisht trefishi i bursës së ekselentëve që jep Republika e Shqipërisë dhe këtë bursë do ta përfitojnë dhe studentët kuptohet, pra, të gjithë nxënësit, që nga ata të klasës së parë deri në klasën e fundit të parauniversitarit në familjet e viktimave dhe studentët do të përfitojnë bursën prej 15 mijë lekë në muaj.

Kjo është pjesa sociale e vendimmarrjeve të sotme.

Ndërkohë po rikthehem tek vendimi që ishte i dyti në radhë, për Tatimin mbi të Ardhurat, si shtesë në ligjin 8438, datë 28.12.1998. Ka një mobilizim të madh, por ne e duam të nxjerrim maksimumin nga ky shpirt solidariteti dhe gjithçka për banorët e goditur dhe çdo individ apo familje në nevojë për ndihmë. Emergjenca ka një perimetër që është zgjeruar edhe me Qarkun e Lezhës, si rezultat i goditjes që solli tërmeti në zonën e Bashkisë Kurbin, por edhe për të mos lënë vetëm asnjë nga banorët që janë përtej perimetrit në Qarkun e Lezhës, të cilët kanë problem me godinat. Dua të theksoj se mund të ketë godina të dëmtuara, apo në dukje të dëmtuara edhe përtej këtij perimetri, ne do t’i trajtojmë të gjitha, me vëmendjen maksimale. Por prioritetet janë priorite, hapat janë hapa.

Ju lutem, të gjithë njerëzve të mirëkuptojnë që ne jemi qeveria e Republikës së Shqipërisë, nuk jemi qeveria e një vendi që nxjerr një buxhet sa ai i qeverisë së Republikës së Shqipërisë brenda një ore nga nafta. Ne jemi qeveria e Republikës së Shqipërisë, natyrisht që kemi të gjitha detyrimet dhe do t’i mbajmë të gjitha, por për ne ka shumë rëndësi që të kuptohet se koha, të cilën po mundohemi ta shfrytëzojmë duke ia marrë natës, maksimumin që mund t’i marrim, ka kufijtë e saj dhe nuk dua të them se do të ndodhi kështu dhe këtu, se, nëse do të ndodhë kështu dhe këtu, do ta marrin të tjerët përgjegjësinë, jo unë. Do të them deri këtu isha unë dhe le të vijnë burra më të zotë ta bëjnë, por sot që flasin, akoam fatkeqë të mbetur pa shtëpi nga tërmeti i 2009-s në Abruzzo janë nëpër gabina. Sot që flasim, fatkeqet e mbetur pa shtëpi nga tërmeti në Molisse, akoma më përpara se ajo e Abruzzo-s, janë nëpër gabina. Që do të thotë se edhe për një vend të G7 si Italia nuk është kollaj. Sfida ime dhe sfida jonë është që të bëjmë diçka që se ka bërë askush, jo këtu në Shqipëri që nuk bëhet fjalë, por që se ka bërë askush në pikëpamje të qëndrimit mbas këtyre njerëzve, deri kur i fundit të jetë i trajtuar, që do të thotë mbasi të dali dielli.

Kur të dalë dielli, të tjerët do të kthehen në jetën e përditshme. Politika do të kthehet në avazin e përditshëm. Mediat, që avazin e përditshëm nuk e lanë as tani, do ta intensifikojnë avazin e përditshëm. Ata do të harrohen, por ne nuk do t’i harrojmë, ama na duhet mirëkuptim për durim. Nuk do të bëj asnjë polemikë, por, duke e vlerësuar se është për t’u vlerësuar qëndrimi normal, asgjë heroike, por normaliteti këtu është special në kuptimin që ne kemi kthyer anormalitetin në normalitet, prandaj dhe normaliteti është social, qëndrimi i kryetarit të opozitës. Por të tjerë zëra, të tjera burime nga ato plot helm në atë kamp flasin e do të vazhdojnë t’i intensifikojnë të folurat pa lidhje, jo inventari, jo fondi, jo… Të gjitha do të bëhen me radhë.

Komiteti Kombëtar i Rindërtimit do të mblidhet nesër. Arsyeja pse nuk është mbledhur sot, apo mbrëmë, është se duam ta kompletojmë me të gjithë përfaqësuesit, madje duam ta lëmë të hapur për të mos e mbyllur, duke harruar ndonjë komponent në kushtet e gjithë këtyre gjërave që duam të bëjmë menjëherë. Që do të thotë, përfaqësuesit e qeverisë, përfaqësuesit e organizatave solidare si Elvis Naçi, Arbër Hajdari, Marin Mema dhe kushdo tjetër, – u kërkoj ndjesë nëse si përmend të gjithë emrat, se nuk jam marrë unë me këtë punë, por po flas për ata me një profil shumë publik, – përfaqësuesit e sipërmarrjes që po jep fonde të konsiderueshme. Ata, të cilët janë fyer, anatemuar, baltosur po u tregojnë shqiptarëve që janë njerëz, që kanë një zemër dhe kanë një përgjegjësi sociale. Do të jenë të pranishëm në tryezë përfaqësues të tyre, për të bërë të mundur që asnjë qindarkë të mos abuzohet në vendimmarrje. Abuzime si këto, një individ këtu e një atje, njëri kapi 5 batanije i shet, tjetri dy thashë me ndihma i çon në shtëpi, ka në të gjithë botën. Edhe në Amerikë kur ndodhin uraganet, një nga problemet që ndeshet është abuzimi. Por ajo që në këtë rast po flasim është që të mos abuzohet në një masë që përfshihet jo individi, po struktura e qeverisë, e shtetit, e këtyre organizatave që kanë mbledhur një shumë të madhe. Por edhe paratë e tyre duhet të kontrollohen. E patë një mashtrues që kishte mbledhur gjithë ato lekë si përfaqësues i Rilindjes dhe fliste në emrin emrin tim. U arrestua. Tani dyshohet për një tjetër grabitje, – shpresoj e uroj të mos ishte e vërtetë, do të ishte e tmerrshme, – të këtyre fondeve të dhëna në shpejtësi e sipër dhe në emocion e  sipër nga njerëzit përmes Facebook.

Komiteti do të bëjë transparencë të plotë për fondet. Do të kontrollojmë njëri tjetrin. Ne do t’i japim llogari organizatave solidare, do t’i japim llogari biznesit e të tjerëve dhe reciprokisht do të na japin llogari neve. Fondet do të monitorohen. Nuk do të lejojmë që unë po shkoj të bëj ca shtëpi këtu, ca apartamente atje. Ne nuk e kemi këtu pazar, ku secili hap tezgën e vet dhe ofron hallvë për ditën e kiametit. Ne duam që çdo gjë të kanalizohet, kush do të bëjë çfarë. Natyrisht janë grupe të pavarura nga njëri-tjetri. Organizatat do të bëjnë punën e tyre, por ama në tryezë do të planifikojmë sëbashku, do të përcaktojmë standardet. Çdo gjë që do të lindë nga ky proces dhe çdo gjë që do të përfshihet në Programin e Rindërtimi duhet të jetë me standard të dakordësuara. Do të shohim, a duhen ndërtuar përsëri 4 pallate në Thumanë, apo duhet ndërtuar një apo dy dhe familjet e tjera të spostohen diku tjetër. Janë gjëra që do të bëhen, por duhet të bëhen bashkërisht, në mënyrë që të ndihmojmë njëri-tjetrin. Ndërtuesve që ofrojnë kaq dhe aq apartamente për të ndërtuar, u them faleminderit shumë, por lekët në fondin e ngritur përmes adresës unike. Nuk duam tulla me klering në këtë marrëdhënie, sepse duam të garantohemi se çdo gjë që do të ndërtohet në emër të ringritjes nga fatkeqësia të jetë e kontrolluar, e standardizuar dhe transparente.

Këtu vendimi bën që donacionet për fatkeqësi të jenë shpenzime të zbritshme nga të ardhurat e biznesit në masën 8% të tij. Është thjesht një ndryshim, sepse ne e kemi edhe sot që flasim një përqindje për donacionet, por e rrisim pak përqindjen.

Ndërkohë, duke marrë edhe ne pjesë në ndarjen e barrës, duam të reduktojmë taksën mbi fitimin me 15% të shumës së dhënë në formën e donacionit për të dëmtuarit nga tragjedia, për të inkurajuar. Që të mos kemi avaze, ky vendim hyn në fuqi menjëherë sot, por nuk përfitojnë nga ky vendim, ata që kanë dhuruar deri para 1 minute, që të mos çohen e për të thënë se bëhet për këtë apo atë.  Nuk bëhet fare, por bëhet për të stimuluar të tjerët që të vazhdojnë dhe të rritet numri i atyre që duhet të mbështesin.

Një vendim tjetër për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar. Këtë vendim na e sjell Ministria e Mbrojtjes. Për materialet e pajisjet që do të përdoren për rindërtimin e zonave në zonat e fatkeqësisë nuk duhet të krijohen barriera financiare. Kështu që projekt-akti  bën që të përfshijë përjashtimin nga pagesa e TVSH-së të mjeteve dhe pajisjeve që përdoren për të rindërtuar. Kështu që çdo mjet e pajisje që do të vijë për rindërtim në zonat e prekura të fatkeqësisë nuk do të jetë subjekt i TVSH-së. Ky është një përjashtim i kufizuar vetëm për rastet dhe afatet e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të fatkeqësive natyrore.

Dua edhe një herë ta përsëris, ne jemi maksimalisht të angazhuar, në mënyrë të vijueshme do të kemi akte të tjera. Do të flasim me vepra, do flasim me akte normative, do të flasim me fakte.

Po përgatisim edhe një akt për dënimin, për të përcaktuar qartësisht e përfundimisht dhe për fat të keq për ta mbyllur me viktima një debat 30 vjet, që unë e kam humbur për 30 vjet rresht, debatin e burgosjes të çdo individi që merr leje ndërtimi me emrin e tij, apo që është investitor dhe pronar i një kompanie ndërtimi që lë pas një ndërtim që ka shkelje në ekzekutim, 7-15 vjet dhe të mos ta diskutojë njeri fare, çdo ndërtues, çdo investitor e çdo person i përfshirë në ndërtime që leja jepet për 3-kate dhe përfundon me 8 kate. Këto janë ato që kanë ndodhur në të shkuarën, nuk duhet të ndodhin në të ardhmen.

Përsa i përket nxjerrjes së përgjegjësive duhet të shohim inventarin. Ne ishim në Lezhë dje me Erionin dhe ishim në një kontrast aty për aty. Pallati me silikate i marrë dhe i bërë si ajo përralla e famshme, koka e dhelprës, trupi i ujkut, bishti i palloit, këmbët e kalit, që ishte kthyer në makth dhe mbi të pallati tjetër 13 a 17 kate, – kishin të gjithë ide të ndryshme për numrin e kateve nga stresi, – asnjë dëmtim. Pra, nuk është se kjo është historia e pallateve të ndërtuara pas vitit ’90-të, kjo është historia e tmerrshme abuzivizmit dhe e një abuzivizmi që ka qenë kolektiv, popullor. Sot, kujt t’ia kërkosh përgjegjësinë për një qytet të tërë të ndërtuar në kënetë? Atyre që kanë vajtur kanë bërë fushatë e kanë thënë se kjo është mrekullia e 8-të e botës, që populli ynë ndërtoi qytete pa leje komplet? Ka qenë koha. Nëse do të ktheheshim mbrapsht, nuk e di në do të përsëritej historia, unë them se po. Por të mos bëjmë sikur s’kemi qenë këtu. Ama për ata, të cilët ndërtojmë për qëllime fitimi dhe fitojnë nga ndërtimi, sanksionet duhet të jenë të tmerrshme dhe pa fare hapësirë për gjykatësit për të thënë nuk ishte kështu apo ashtu.

Burg për ndërtuesit. Burg për arkitektët. Burg për supervizorët.

Arkitektët që nuk denoncojnë ndërtuesin që ju deformon projektin dhe bëhen bashkëpunëtor. Ka bërë projektin dhe ndërtuesi i thotë më bëj edhe një kat tjetër, se të jap më shumë. Ata duhet të jenë roje të projektit të tyre dhe duhet ta denoncojnë ndërtuesin që ju kërkon të prishin projektin e tyre, deri duke vënë në rrezik strukturën. Po kështu për supervizorët. Po kështu për ato kompani private që japin firma që kjo apo jo është në rregull. Por ky akt është në rrugë e sipër, duke u përgatitur.

Ju faleminderit për pjesën publike!