Mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë lidhur me situatën e krijuar nga tërmetet:  

Sot është 28 Nëntori, dita më e vështirë ndoshta e Flamurit në historinë tonë bashkëkohore dhe sigurisht që nuk mund të jetë kurrsesi një ditë për të festuar, por patjetër që mund të jetë e duhet të jetë një ditë solidariteti kombëtar, për të kremtuar shpirtin e solidaritet dhe të vëllazërisë mes njerëzve, që është shprehur për hir të së vërtetës qysh në momentin e parë pas pllakosjes së fatkeqësisë së madhe natyrore.

Dua të falënderoj ata, të cilët në këtë tryezë patën idenë për të dhënë një shembull modest të gjithë sëbashku, duke ia dedikuar pagën e muajit nëntor kontributit të solidaritetit. Ndërkohë dua që t’i bëj thirrje të gjithë atyre që na ndjekin që të bëjnë diçka, sado të vogël, se këtu nuk  ka asnjë  rëndësi sasia e kontributit, por ka rëndësi pjesëmarrja në këtë kontribut.

Qysh prej mëngjesit të ditës së djeshme funksionon një adresë unike shtetërore përmes platformës e-Albania. Me të gjithë mirënjohjen dua t’i falënderoj të gjithë ata që janë përfshirë në dhënien e kontributeve. Besoj që ka një rëndësi të madhe, mbi të gjitha në aspektin moral dhe në aspektin shpirtëror, pjesëmarrje sa më masive e të gjithë njerëzve, e të gjithë shqiptarëve, jo vetëm në Republikën e Shqipërisë, por kudo ata të ndodhen, në përballimin e pasojave të tmerrshëm të kësaj fatkeqësie.

Ndërkohë që bilanci i të vdekurve është rritur fatkeqësisht, ka kulmuar me nxjerrjen e kufomës së fëmijës 8-vjeçar nga gërmadhat e pallatit të rrafshuar të në Thumanë dhe përtej faktit dramatik që kërkimet pa pushim të trupave heroike të kërkim-shpëtimit nuk kanë arritur dot të nxjerrin më jetë nga gërmadhat, ata, të cilët kanë vijuar dhe vijojnë të punojnë në kushtet e një rrezikshmërie tanimë shumë të lartë, qofshin përfaqësues të trupave tona, qofshin përfaqësues të të gjitha trupave të përfshira në këtë proces, meritojnë mirënjohjen dhe falënderimin tonë më të përulur.

Nga ana tjetër besoj që është me shumë rëndësi të nënvizoj sot, duke u nisur edhe një fluks i madh shqetësimesh dhe shprehjesh alarmi dhe paniku të njerëzve që ka rëndësi tejet të posaçme përgjegjshmëria e të gjithë atyre që kanë në dorë një instrument komunikimi. Përgjegjshmëria e atyre të gjithëve që kanë përgjegjësinë të shfaqen në ekrane, apo që publikojnë lajme në portale, apo rrjete sociale, sepse është vërtetë momenti për të kontribuar në ruajtjen e qetësisë, është momenti për të ndihmuar psikologjikisht një popull të tërë, të traumatizuar dhe nuk është momenti as për like, as për audiencë, as për sharlatanë, që shfaqen nëpër ekrane me teori konspiracioni, edhe me parashikime që e marrin zanafillën nga koha e romakëve në Durrës. Këto janë në kuptimin e të vërtetë të fjalës, krime të një papërgjegjshmërie absolute që cenojnë drejtpërdrejtë jetën e përditshme të njerëzve dhe bien ndesh në mënyrë flagrante me standardet e gjendjes së jashtëzakonshme.

I bëj thirrje të gjithëve, duke pasur besim dhe duke besuar se i bëjnë nga mungesa e një reflektimi pak më të thellë dhe jo me ndonjë qëllim të keq, që mos të na detyrojnë të vëmë në lëvizje organizma që i parashikon gjendja e jashtëzakonshme, për t’ju fikur fare dritën e ekraneve dhe të pasqyrave të tyre. Është e papranueshme, është e pajustifikueshme, është e pakuptueshme, është jo njerëzore mbi të gjitha, në kushtet kur njerëzit kanë marrë arratinë nga shpitë, kur largohen nga sytë këmbët nga gjithë perimetri zonës ku ka rënë fatkeqësia, në të shumtën e herës edhe të nxitur në pikën e humbjes së mundësisë për të arsyetuar qetësisht nga informacionet e rreme, nga lajmet e rreme, nga audiot që shfaqen në lloj-lloj kanalesh digjitale, që ata, të cilët kanë përgjegjësi t’i shfaqin publikut si ndërmjetës, si zëdhënës, si informues të përfshihen në këtë lloj veprimtarie që nuk ka pikën e sensit të njerëzillëkut.

Edhe një herë i lutem shumë të gjithëve, të kontribuojnë sa të munden, për të qetësuar shpirtrat e të stërtrazuar të njerëzve dhe për të përçuar sa më shumë informacion racional në mendjet e tyre. Kjo është kohë për psikologët, nuk është kohë për astrologët. Kjo është kohë për sociologë, për njerëz që kanë për të thënë në trajtimin me fjalë të buta të dramave psikologjike, edhe jo për sharlatanë që përfitojnë, nuk e di për të cilën arsye të mosarsyes të skutave të errëta të protagonizmit, që të dalin edhe të broçkullisin hakmarrje të natyrës mitologjike nga ana e detit ndaj tokës.

Në anën tjetër, shumë faleminderit të gjithë atyre që janë këtu të pranishëm, që janë të drejtpërdrejtë në stabilizimin e mëtejshëm dhe në koordinimin e vështirë të të gjithë aktivitetin organizativ për situatën në Durrës. Ka qenë vërtetë një mrekulli e vogël brenda gjithë kësaj  katrahure psikologjike, që nga mbrëmë nuk ka asnjë familje që nuk e ka një strehë dhe nuk është e mbrojtur nga i ftohti, nga shiu dhe nga garantuar nga të gjithë ndihmat e nevojshme ushqimore dhe mjekësore. Por do të kërkoja të punohet me shumë këmbëngulje dhe dua të adresoj drejtpërdrejtë të gjithë koordinatorët, këtu të pranishëm, të shtabeve të emergjencave që po asistojnë në bashkinë e Durrësit në këtë sfidë tejet të vështirë, të asistohet për t’u spostuar të gjithë drejt hoteleve. Edhe akomodimi në disa palestra nuk është i mjaftueshëm dhe i arsyeshëm, sepse me gjithë mirëkuptimin për vështirësitë psikologjike që kanë këta njerëz për të hyrë nën tavan në një ngrehinë disakatëshe, është e domosdoshme që të shpjegohet dhe të  veprohet në funksion të faktit se kjo nuk do të jetë një histori e shkurtër. Nuk është një çështje ditësh, javësh, nuk është një çështje e pak muajve. Është një histori pak më e gjatë së kaq, ku do të na duhet shumë vëmendje ndaj këtyre njerëzve, shumë dinjitet në shërbimin ndaj tyre dhe pa diskutim do të na duhet edhe një durim i hekurt, të cilin ne duhet ta kemi. Ata janë të mirëkuptuar që të kenë vështirësi për ta patur, por ne duhet të garantojmë kushtet optimale për ta, në këto kushte për aq optimale sa mund të jenë, kur kanë humbur pasurinë e tyre.

Siç kemi folur dje, tanimë është momenti për të inventarizuar të gjithë kuadrin e situatës së familjeve, duke bërë nga njëra anë, verifikime strikte për familjet që strehohen në hotele. Hotelet janë në dispozicion të familjeve të prekura drejtpërdrejtë nga fatkeqësia, që kanë humbur shtëpinë, apo kanë një apartament, apo banesë private të pabanueshme dhe jo alternativë e mungesës së strehimit për ata, të cilët janë me qera, apo jetojnë në kushte të mungesës së një apartamenti a banese private, siç ka ndodhur normalisht përpara rënies së tërmeteve. E them këtë, sepse historia na ka mësuar në botën ku jetojmë, që këto janë situata ku abuzimet dhe konfuzioni bashkëshoqërojnë gjithë procesin dhe duhet pasur parasysh dhe shmangur maksimalisht.

Po kështu është momenti për të intensifikuar kontrollet fizike të banesave, të godinave dhe për të ndërtuar të gjithë inventarin e gjendjes së tyre fizike e nivelit të sigurisë, apo të rrezikshmërisë së tyre. Komiteti Kombëtar i Ndërtimit, i cili faktikisht është krijuar qysh nga dje, është në fazën fillestare të punës. Unë do të doja edhe një herë të theksoja që ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila meriton mirënjohje për gjithë sakrificën sëbashku me kolegët e tjerë që u ka rënë detyra të përballojnë vijën më të nxehtë të fronit, aty ku janë dhe pikat më të rënda të krizës për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat, duhet të garantojë përfshirjen e të gjithë inxhinierëve dhe ekspertëve të mundshëm të ndërtimit nga të gjitha rrugët e jetës, jo vetëm nga sektori publik, por dhe nga sektori privat dhe organizimin e një procesi pune, ku me blloqe, secili të marrë përsipër të japë një kontribut, natyrisht të certifikuar pastaj nga Instituti përkatës i Ndërtimit.

Ministrja e Kulturës do duhet të thërrasë dhe të organizojë të gjithë studiot dhe individët që ushtrojnë veprimtarinë në fushën e planifikimeve e arkitekturës, për të filluar urgjentisht punën që ka nisur në mënyrë modeste, thjesht në Durrës, por për ta shtrirë në të gjithë territorin, sepse bëhet fjalë për projekte të një numri të konsiderueshëm, të cilat kanë të bëjnë me planifikim, pasi, nëse marrim rastin e Thumanës, aty do të duhet patjetër një plan pjesor rindërtimi, në kuptimin jo vetëm të banesave, por pjesor në kuptimin e të gjithë vatrës së prekur për infrastrukturën rrugore, infrastrukturën arsimore e kështu me radhë. Kjo nënkupton shumë mikroplane brenda hartës së madhe të perimetrit të gjendjes së jashtëzakonshme.

Duhet një bashkëpunim i ngushtë në këtë rast, jo vetëm me pushtetin vendor, por dhe me ministren e Arsimit, për të parë të gjithë situatën e infrastrukturës arsimore dhe për të garantuar në një kohë sa më të shpejtë plane dhe projekte konkrete, për t’i financuar dhe për të filluar ndërtimin.

Një vlerësim maksimal për gjithë trupën e mjekëve dhe të shërbimit tonë shëndetësor, duke përsëritur që kjo ka qenë një sprovë zjarri për Urgjencën Kombëtare që është shquar në këtë proces, si një trup e njehsuar për  nga çdo standard me trupat mbresëlënëse që kemi parë të vijnë nga ajka e kësaj bote, nga Franca dhe nga vendet e tjera.

Duhet sigurisht të qëndrohet ashtu siç ka ndodhur në fakt mbi kokë çdo minutë për pacientët që janë në rrezik. Kemi pacientë në rrezik që kërkojnë ndërhyrje super të  specializuara. Për fat të mirë kemi një solidaritet total. Fatmirësisht spitalet e Europës dhe jo vetëm, por edhe përtej, kemi marra edhe nga Izraeli konfirmimin e gatishmërisë që janë dyert e hapura për këdo që është në nevojë për kurim. Fatmirësisht, numri nuk është masiv, por çdo jetë ka një vlerë të paçmuar dhe për çdo jetë, ne duhet të bëjmë dhe kemi mundësi të bëjmë maksimumin.

Ministrja e Mbrojtjes duhet të vazhdojë punën e nisur për të racionalizuar maksimalisht gjithë procesin ndihmave. Do iu bëja një thirrje, një lutje mirëkuptimi të gjithë atyre që janë mobilizuar në mënyrën më mbresëlënëse dhe me mirënjohjen më të thellë e bëj këtë lutje, këtë thirrje, duke pasur parasysh njerëzit në Kosovë, që ju lutem nuk është në këtë moment më e nevojshme sjellja e ndihmave materiale të natyrës veshje dhe mjete të përdorimit të përditshëm, sepse falë jush në radhë të parë, por falë edhe shumë të tjerëve në Shqipëri, falë edhe miqve fqinjë, ka një sasi të jashtëzakonshme. E natyrisht që mund të ketë nevojë për shumë më tepër koordinim dhe harmonizim dhe sidoqoftë ne nuk pengojmë asnjeri dhe nuk është fare këtu diskutimi, por ju lutem të gjithëve atyre që nisen për të ardhur, të adresohen në drejtim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Emergjencave për të ndihmuar në këtë mënyrë një shpërndarje sa më të drejtë të këtyre ndihmave sepse po ndodh në disa raste një konfuzion, po ndodh një situatë, ku nuk po përfitojnë ose më saktë përtej njerëzve që përfitojnë me të drejtë ka dhe spekulime, ka dhe abuzime.

Kështu që ne po përgatitemi për një konferencë donatorësh të gjithë zonës shqipfolëse duke përfshirë padyshim si dy shtylla kryesore sipërmarrjen në Shqipëri dhe në Kosovë. Prandaj i drejtoj një lutje mirëkuptimi të gjithë atyre që nuk po kursehen që ta dinë këtë dhe të na përgjigjen në momentin kur do na duhet të ulemi dhe të diskutojmë për çfarë mund të bëjë secili. Sepse në këto kushte është tejet e rëndësishme që gjithkush të bëjë atë që mundet.

Është e mirëpritur edhe fantastike që gjithkush të sjellë atë që ka mundësi, por po ashtu është e domosdoshme që të mendojmë dhe funksionojmë duke parë dhe tërësinë, në mënyrë që gjërat të bëhen sa më mirë dhe duke krijuar kushtet e racionalizmit të këtij procesi.

Kështu që me gjithë mirënjohjen, me gjithë falënderimin për të gjithë ata që sjellin ndihma nga Maqedonia e Veriut, nga Kosova, nga Mali i Zi, nga të gjithë territoret rreth e rrotull, por edhe sipërmarrjes vendase, ju lutem shumë të na mirëkuptojnë në nevojën për të patur një adresim dhe ne jemi të mirëorganizuar për të dhënë adresën unike. Adresën unike e keni në internet, e keni gati. Nëse e nisni apo niseni për të dhënë një ndihmë adresohuni aty për të marrë menjëherë përgjigjen se ku mund të shkoni. E nga ana tjetër kini parasysh se fluksi ka qenë i jashtëzakonshëm dhe nuk është në qëllimin tonë dhe nuk është në nevojën tonë të krijojmë një stok materialesh, por na duhet ta adresojmë ndihmën aty ku është plaga. Dhe plaga është pikërisht tek mungesa e pranimit dhe strehimit kështu që të fokusohemi tek ky kontribut. E pikërisht për këtë kontribut, unë mendoj se është vërtet shumë pozitive dhe shumë ndihmëse për ne që në Komitetin Kombëtar të Rindërtimit përfshihen dhe organizatat solidare me njerëzit në nevojë, të cilat kanë grumbulluar një sasi të konsiderueshme monetare nga kontributet e të gjithë njerëzve nëpër botë, por edhe brenda Shqipërisë dhe të cilët do të jenë në tryezë për të garantuar bashkëpunim për të qenë një me qeverinë në këtë situatë apo më saktë me përfaqësues të qeverisë në Komitetin Kombëtar të rindërtimit për të garantuar koordinim sepse është me një rëndësi të jashtëzakonshme që planet dhe projektet të jenë të koordinuara dhe jo të ndodhë që njeri të niset në  një drejtim, tjetri të niset në një drejtim me një grup ndërtuesish, inxhinierësh dhe muratorësh dhe pastaj të shohim rrugës se dy apo tre palë kanë menduar të investojnë në të njëjtin projekt.

Prandaj ju falenderoj nga zemra për gatishmërinë për të qënë pjesë e këtij komiteti. E treta, por jo për nga rëndësia, sepse janë të rëndësishme që të treja njësoj është se duke patur në unitet këto organizata dhe duke qenë së bashku në  tryezë, do të garantojnë një besueshmëri të lartë dhe një transparencë të lartë në përdorimin e çdo qindarke, qoftë nga buxheti, qoftë nga donatorët e mëdhenj dhe qoftë nga donatorët privatë.

Kështu që të gjithë njerëzit do ta dinë se çdo qindarkë, çdo euro, çdo dollar që na dërgojnë do të jetë i supermonitoruar nga shumë sy dhe do të jepet llogari për çdo shpenzim.

Do të bëjmë një transparencë të plotë të të gjithë mënyrës se si do të miratohen dhe do të zbatohen planet e financimit për të cilat kanë filluar punën, ndërkohë qoftë kryetari i komitetit, Zoti Ahmetaj me ministren e financave dhe patjetër që në këtë proces është shumë e rëndësishme që në komitet janë dhe përfaqësues të sipërmarrjes, përfaqësues të bankave të nivelit të dytë, përfaqësues të grupeve më të lidhura me këtë proces të profesionit.

Mendoj se pavarësisht gjithë kësaj sfide shumë përmasore dhe përtej të gjitha gjërave që ende duhen vënë në vijë për të krijuar sistematicitet, duhet mbajtur mirë parasysh, sa hapim sytë dhe derisa mundësisht  do na mbyllen sytë për të patur pak gjumë rikuperimi, që programi i rindërtimit është prioriteti ynë numër 1 tanimë.

Para pak se të ndodhte ky tërmet kemi shpallur 7 prioritete. Tani kemi 1 + 7 prioritete. Ky është prioriteti i prioriteteve,  domosdoshmëria për të dhënë një përgjigje adekuate për këtë situatë. Është një situatë me përmasa të atilla që do të kishte lëkundur shtete shumë më të forta sesa ne, me kapacitete shumë më të mëdha financiare, logjistike, – njerëzore jo, sepse nga pikëpamja e kapaciteteve njerëzore mendoj që është bërë një superpunë me  një investim moral dhe fizik maksimal, – por ra këtu, na ra ne dhe ne duhet ta mbajmë. Nuk kemi asnjë rrugë tjetër, nuk kemi asnjë mundësi t’i shmangemi përballjes me këtë sfidë, që është një sfidë që jam i bindur që do të shënojë në memorien tonë një nga momentet më të pashlyeshëm në çdo aspekt.

Prandaj duhet një koordinim maksimal brendapërbrenda dhe një insistim i madh për të arritur të koordinojmë sa më shumë të tjerë. Nuk është e lehtë, sepse, për shembull, është e pakuptueshme që të ketë akoma tani, sepse në momentin  e parë është OK, konto për ndihma të bashkive. Është e pakuptueshme. Duhen mbyllur dhe të gjitha kontributet duhen adresuar tek adresa unike, në mënyrë që të ketë një pasqyrë të integruar dhe të ketë një proces të integruar. S’kemi pse kemi konto edhe në bashki që janë jashtë  fare këtij perimetri dhe që nga dëshira e mirë, sigurisht, në momentin e parë kanë hapur konto për të marrë ndihmat e para dhe kanë sjellë ndihma, të gjitha bashkitë, aq shumë, bashkë me të gjithë deputetët e përfshirë, pa llogaritur ndihmat kolosale në sasi që kanë ardhur nga sipërmarrja brenda dhe nga Kosova në radhë të parë, saqë tani jemi në momentin që duhet ta frenojmë pak këtë proces dhe të fokusohemi tek kontributi financiar i drejtpërdrejtë. Sado simbolik nuk ka rendësi.

Në faqen e-Albania pashë të dhënat. Ka kontributorë të mëdhenj, është TIA me 1 milionë euro, Bankers me 1 milionë dollarë, por ka dhe kontributorë fare të vegjël që janë shumica. Dhe këta kotributorë fare të vegjël janë tejet të çmuar, sepse sa më shumë të jenë kontributorët fare të vegjël, nuk është problemi se do ketë  më shumë sasi  parash, por ka më shumë shpirt ky proces, ka më shumë mirëkuptim, ka më shumë unitet, që do të duhet shumë në ditët në vijim kur të dalë dielli dhe kur plaga të fillojë të thahet vetë në sipërfaqe.

Do të doja që edhe Dajna t’i bashkohet grupit të Durrësit, sepse është me shumë rëndësi që të kemi edhe këtë dimension tjetër dhe të kemi një lidhje të drejtpërdrejtë me pjesën që ka të bëjë me aspektet e punës edhe të angazhimit për të gjithë ata që janë në kushtet e pamundësisë për punë, apo që duhen ndihmuar që të mund të vetëpunojnë. Në zonën e Thumanës, se thashë këtë edhe për të mos krijuar një hapësirë për spekulantët e momentit, kemi njerëzit në çadra, është e vërtetë, sepse aty është edhe një vatër e ndezur tragjedie dhe njerëzit nuk kanë asnjë disponim që të lëvizin  me gjithë të drejtën dhe natyrshmërinë e kësaj qasjeje, sepse dhe duan  më parë të përcjellin të humburit, të vdekurit, numri i të cilëve ka arritur në 39. Ndërkohë qysh nga mbrëmë, për të gjithë ata është garantuar mikpritja në strukturat hoteliere të Shëngjinit. Menjëherë mbas momenteve të lamtumirës së dhimbshëm do të jetë gati gjithë logjistika për t’i strehuar, për t’i ushqyer dhe për t’i asistuar. Shumë faleminderit!