Merr jetë gara ndërkombëtare për Parkun e Ri Fotovoltaik të Spitallës

Nisi sot procesi i garës ndërkombëtare për t’i dhënë jetë një tjetër projekti për rritjen e kapaciteteve të energjisë diellore, me Parkun e Ri Fotovoltaik të Spitallës, në zonën e ish-Kënetës së Durrësit. Aty ku së shpejti do të hapet edhe gara ndërkombëtare për portin e ri të mallrave dhe zonën ekonomike.

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast në Kryeministri:

 

Përshëndetje të gjithëve!

Pavarësisht se jemi të detyruar që në kushtet shumë specifike të kësaj periudhe të jemi shumë pak këtu, realisht është një event i rëndësishëm për të nesërmen, jo shumë të largët, të ekonomisë sonë, për të nesërmen, jo shumë të largët, të sektorit tonë elektroenergjitik. Por edhe për forcimin e imazhit tonë si vend, në një kohë kur e gjithë bota ka një shqetësim të jashtëzakonshëm lidhur me burimet e energjisë dhe me domosdoshmërinë për diversifikimin e saj.

Është një event shumë i rëndësishëm edhe për më shumë se këto që thashë, sepse lidhet drejtpërdrejtë me zhvillimin e një zone që ka një gravitet strategjik për ekonominë dhe turizmin e vendit tonë, zona e Durrësit ku përmes këtij procesi i hapet rruga ndërtimit të një tjetër Parku Fotovoltaik në Shqipëri, pas atij të Karavastasë për të cilin tanimë ka përfunduar procesi, jo i thjeshtë, i nënshkrimit të të gjitha aspekteve të kontratës dhe së shpejti do të fillojë puna në kantierin e parë të energjisë diellore në Shqipëri.

Ky Park Fotovoltaik në zonën e Spitallës është pjesë e një mozaiku që jetëson vizionin tonë për Durrësin 2030 dhe edhe vizionin tonë për Shqipërinë 2030. Në këtë zonë, e cila prej shumë e shumë vitesh ka qenë një zonë e parë si një periferi, ku ka pasur hapësirë vetëm për ndërtime kaotike të atyre që gjatë gjithë këtyre dekadave kanë lëvizur nga zonat më të thella drejt qendrave të mëdha urbane, ndërkohë që me këtë park, ne bëjmë vetëm hapin e parë që do të shoqërohet me një sërë hapash të tjerë. Duke filluar nga lagja e re e rindërtimit, që do të jetë një lagje po aq mbresëlënëse, sa janë faktikisht shkollat e reja që po ndërtohen, po kuptohet në proporcione shumë më të mëdha për nga pikëpamja e volumit dhe për nga pikëpamja e sfidës së rindërtimit, në funksion të krijimit të një hapësire komunitare me të gjitha standardet për të gjithë ata që humbën shtëpitë në 26 nëntorin e shkuar.

Ndërkohë, porti i ri i mallrave për të cilin së shpejti do të hapet gara ndërkombëtare, do të mundësojë transferimin e të gjithë aktivitetit kaq shumë vjeçar të transportit detar të mallrave në zemër të qytetit, për t’i hapur rrugë transformimit të portit të vjetër, portit aktual, në një port të madh turistik që do t’i japë Durrësit pikërisht magnetin e fuqishëm për jo vetëm të tërhequr më shumë turistë e për të krijuar një kategori të munguar të turizmit në pikëpamje të volumit, që është turizmi elitar, por edhe do të mundësojë një fuqi të shtuar tërheqëse të Durrësit si një pikë e rëndësishme referimi në Mesdheun turistik.

Po ashtu po këtu, në anë të këtyre zhvillimeve ose bashkë me këto zhvillime, pjesë e këtij mozaiku është zona e re e lirë ekonomike për të cilën është folur shumë e shumë vite, është synuar herë pas here të shkohet përpara. Edhe ne vetë kemi bërë në të shkuarën 2-3 hapa për të shkuar përpara, por nuk kemi pasur sukses në to për shkak të mungesës së interesit që lidhet me shumë aspekte, që nuk është vendi këtu për t’i shtjelluar. Tani shohim që interesi është i lartë, edhe pse, me thënë të drejtën, kjo periudhë e pandemisë ka frenuar shumë procese, ka ndërlikuar shumë procese, ka bllokuar shumë procese në gjithë botën, – jo vetëm këtu, – por ka bllokuar edhe procese të rëndësishme për ne.

Në këtë mozaik, ne besojmë që është vërtetë themelore vendosja e gurit të këtij parku fotovoltaik, i cili vjen pas suksesit, jo të vogël, të arritur në ankandin ndërkombëtar të Karavastasë, që pati një jehonë ndërkombëtare për nga mënyra e zhvillimit, për nga rezultati fantastik që pati.  esojmë shumë që mbi atë bazë, sikundër u tha këtu nga ministrja, nga përfaqësuesi i BERZH-it, do të kemi një tjetër sukses të rëndësishëm e do të mundemi që të zgjerojmë kapacitetin e prodhimit të vendit me një burim tjetër energjie diellore, por dhe me mundësinë për të marrë 70% të këtij prodhimi për tregun e brendshëm.

Po aty është dhe parku ekologjik i Porto Romanos, i cili po merr formë dita ditës. Shpresoj që verën e ardhshme të jetë një destinacion i ri, jo vetëm për qytetarët e Durrësit, por dhe për turistët, pasi do të ofrojë një hapësirë krejt të re për të gjithë në funksion të rekreacionit. Do të jetë një shëmbëlltyrë spektakolare e një transformimi historik nga plaga e tmerrshme, gangrena e plehrave që për dekada të tëra u kalbën mbi tokë në vargmale të turpshme, që bënë edhe xhiron e botës hera herës nëpër mediat më të njohura si një katastrofë mjedisore në mes të Europës, në një shëmbëlltyre të bukur dhe kuptimplotë të një vizioni për të ardhmen e këtij vendi.

Dëshiroj e shpresoj që shumë shpejt, ne do të jemi këtu përsëri, – me ndihmën e Zotit, kur i thonë se asgjë nuk mund të parashikohet në këtë kohë, – mbase javën e ardhshme për të zhbllokuar më në fund procesin për aeroportin ndërkombëtar të Vlorës, gjë për të cilën kemi bërë përpjekje e përpjekje dhe të cilën e konsideroj një tjetër gur shumë të rëndësishëm në mozaikun e përgjithshëm të Shqipërisë që ne parafytyrojmë e për të cilën ne luftojmë dita-ditës që ta kemi si një realitet të plotësuar në këtë dhjetëvjeçar ku kemi hyrë.

Po e mbyll me falënderimin për të gjithë ata që kontribuuan për këtë përgatitje, duke përfituar nga rasti t’ju them të gjithë atyre që na ndjekin se punët nuk fillojnë kur dalin në televizor. Kantieret nuk nisin kur faktikisht bëhen publike, por nisin kur ideohen, kur konceptohen projektet, kur ndërtohen të gjitha proceset, kur garantohen financimet, kur negociohen kontratat e me radhë. Është një punë shumë e madhe përgatitore që ka sjellë sot, mundësinë e këtij komunikimi. Besoj që është një punë përgatitore solide që do të na japë sukses, sipas kalendarit të publikuar edhe këtu nga ministrja, gjithmonë me ndihmën e Zotit, sepse kemi pasur disa eksperienca zhgënjyese në këtë periudhë, kur në pak ditë, përpara se të konkludonim procese të caktuara, është dashur të frenohemi si rezultat i kushteve të reja objektive, të krijuara nga pandemia. Jo më pak e rëndësishme, sepse lidhet me eventin e sotëm, kemi konkluduar marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara për lagjen e re që do të financohet prej tyre në zonën e Spitallës, por dhe për pallatet e reja që do të ndërtohen në ato pika mbi qytet ku është vendosur që rindërtimi të kryhet po aty ku kanë qenë pallatet që u pastruan pas goditjes që morën në 26 nëntor. Kjo lagje është ana tjetër e kësaj medaljeje të bukur që sot u bë e dukshme për të gjithë me fillimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm për sektorin tonë elektroenergjitik, për ekonominë tonë dhe për imazhin e Shqipërisë në sytë e gjithë bashkësisë së vendeve të Bashkimit Europian.

Faleminderit!