N J O F T I M P Ë R A P L I K I M

PËR FUNKSIONIN E ANËTARIT TË KËSHILLIT DREJTUES  TË AUTORITETIT TË KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE  DHE POSTARE (AKEP)

(shtyhet afati i aplikimit deri në datën 6 nëntor 2020)

 

Në përputhje me pikën 3, të nenit 114, të ligjit nr.9918, datë 19.5.2008, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave është institucioni përgjegjës për propozimin e anëtarëve të këshillit drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Në përfundim të mandatit të njërit prej anëtarëve të këshillit drejtues të AKEP-it, Këshilli i Ministrave inkurajon personat që përmbushin kriteret të aplikojnë.

Në funksion të pranimit të një numri sa më të lartë aplikimesh, për funksionin e anëtarit të këshillit drejtues të AKEP-it, afati i aplikimit shtyhet deri në datën 6 nëntor 2020.

Aplikimet e dorëzuara brenda datës 12 qershor 2020 nuk duhen ridërguar. Ato do t’i nënshtrohen verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore dhe vlerësimit përkatës, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

 

Aplikanti duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:

Të jetë:

a) specialist, me arsim të lartë, i kualifikuar, që ka, të paktën, 10 vjet përvojë pune;

b) përfaqësues nga sektori i komunikimeve elektronike, postare, i ekonomisë dhe i drejtësisë.

 

Të mos jetë:

a) bashkëshorti ose i afërm, deri në shkallë të dytë, i anëtarëve të Këshillit të Ministrave;

b) dënuar nga gjykata për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë;

c) debitor, kreditor ose aksionar në një shoqëri, e cila i nënshtrohet kuadrit rregullator të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare;

ç)  i përjashtuar me ligj për të mbajtur poste publike shtetërore.

Aplikanti që do të emërohet në pozicionin e anëtarit të këshillit drejtues të AKEP-it duhet të japë dorëheqjen nga çdo post ose funksion zyrtar e partiak, të tërhiqet nga çdo veprimtari private fitimprurëse, si dhe të shesë e të shlyejë çdo interes financiar, që mund të ketë në shoqëri, që ushtrojnë veprimtari tregtare nën juridiksionin e AKEP-it.

 

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë, si më poshtë vijon:

Kërkesë për aplikim;

Kopje e letërnjoftimit;

Curriculum vitae në gjuhën shqipe (secila faqe e firmosur);

Dokumente të diplomimit (të noterizuara) si dhe dokumente të përvojës në fushat e kërkuara;

Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;

Vetëdeklarim se nuk është debitor, kreditor ose aksionar në një shoqëri, e cila i nënshtrohet kuadrit rregullator të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare;

Formular të vetëdeklarimit (të plotësuar e të firmosur), në zbatim të  ligjit nr.138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, të ndryshuar;

Formular të aplikimit (të plotësuar e të firmosur) për informim për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.

 

(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale, sipas legjislacionit në fuqi.)

 

 

Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 6 nëntor 2020.

Adresa:  Kryeministria

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, 1000

Tiranë, Shqipëri

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm

Tel.: 00355 4 22 77 401