“N’GAZ” – 20 vjetori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor

Fjala e kryeministrit në 20-vjetorin e themelimit të DPSHTRR, koleksioni “RETRO”

Zonja dhe zotërinj

Në fakt, mund të jetë pak absurde që si njeriu i vetëm në këtë takim, që nuk di t’i japë makinës, të mbaj dhe fjalën e rastit. Por besoj që Shqipëria nuk është asnjëherë më shumë tërheqëse se sa kur përmes artefakteve historia e saj shpaloset në të gjitha format e larmishme që ajo ka patur dhe që siç ndodh edhe me këtë ekspozitë unikale, nganjëherë edhe aq të befasishme saqë natyrshëm njeriu pyet veten nëse vërtet të gjitha këto kanë qenë në Shqipëri.

E siç thotë një shtetar francez, i cili i dha shtysën prodhimit të Citroen në një seri shumë të suksesshme, sigurisht që asnjëherë nuk mbarojmë së mikluari nga butësia e llambës me vaj, nga madhështia e anijeve me vela apo nga magjia e ekuipazheve të vjetër.

Dhe këtu sot janë mbledhur në një hapësire të posaçme të kryeqytetit automjete, ku nuk janë ulur dhe nuk kanë bërë një copë rrugë me katër rrota vetëm personazhe historikë, qofshin të mirë apo qofshin të këqij, por edhe njerëz të apasionuar, që meritojnë sot një falënderim dhe një mirënjohje të thellë për faktin se kanë arritur t’i sjellin këto skulptura do të thosha të së shkuarës deri në ditët tona, me kaq përkushtim edhe pse aq padrejtësisht kanë qenë të rënduar nga taksa absurde, të cilat do t’i heqim të gjitha në fillim të janarit të vitit që vjen. Dhe askush më nga koleksionistët e automjeteve me vlera historike, nuk do të jetë i detyruar të paguajë taksa, por do të vazhdojë të kujdeset për objektet e çmuara, duke patur edhe gjithë mirënjohjen tonë në formën e heqjes së taksave.

E këto skulptura të një historie lëvizje drejt transformimit të vazhdueshëm të botës mbi katër rrota, janë në fakt froni dhe janë si të thuash një seli në lëvizje e imagjinatës njerëzore drejt të ardhmes në formën e dëshirës së pafundme për të vrapuar më shpejt dhe për t’u dukur më bukur gjatë vrapimit.

Këto automjete dhe ky aktivitet që dhe vetë si aktivitet do të jetë i lëvizshëm sepse do të lëvizë nëpër Tiranë dhe shpresoj më tutje edhe nëpër Shqipëri, janë simbole të të shkuarit përpara, jo të të mbeturit prapa.

E sado e larmishme apo e përzishme ka qenë historia nëpërmjet këtyre bukurive që shfaqen sot në radhë të heshtura, por që mbartin kujtime të pafundme, e vërteta është që është një histori që na e bën vazhdimisht me sy dhe nuk mbaron as me një pasagjer të posaçëm, as me një model të posaçëm sepse është një histori që thotë “ka edhe më, ka edhe më” . Më tradicionali dhe ndoshta më moderni ndër mbretëruesit shqiptarë, banori që i mungoi këtij pallati, sundoi më shumë mbi një automjet në ecejaket e tij, se sa mbi një fron. Madje një gjest i bukur filantropie dhe zemërgjerësie ishte pikërisht me një automjet që ai e shleu; Mercedesi i kuq që Hitleri i kishte bërë dhuratë martese dhe që ne e shohim në çdo filmim të prillit të 1938 gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ju dhurua Kryqit të Kuq Britanik.

Një mbret perandor shpëtoi nga plumbi falë një Fiati, kur u nis nga ky pallat për të kaluar përmes rrugës së Durrësit.

Mercedesi me sy bufi dhe me trup belerine i viteve 50 , është Mercedesi ku janë puthur dhe janë përqafuar nxehtësisht Enveri me Hrushovin me Cu En Lain dhe me mbretin Norodom Sihanouk . E po me mercedes, por nga ata që deri dje ishin akoma në shërbim të ceremonialit të Republikës , nga më elegantët, kam parë të hipin mbi kurriz dhe t’u zbresin nga kabina të gjithë udhëheqësit e fundit të regjimit komunist dhe të gjithë udhëheqësit e parë të kohës që erdhi pas përmbysjes së regjimit.

Nuk e di a është këtu në këtë koleksion edhe një Mercedez që sekretari amerikan i shtetit ia mori borxh Ramiz Alisë apo dhe më shumë, nuk e di a e kanë të gjithë parasysh që Mercedesi i Enver Hoxhës u përdor më pas nga Sekretarë të përgjithshëm të Natos. Pra, përmes një makine dhe përmes një koleksioni makinash, një histori e tërë kalon përpara syve dhe mund të vazhdojë në pambarim, në varësi të njohjes që kemi për të.

Megjithatë për 70 vjet automjetet në Shqipëri sidomos automjetet personale mbeten një tabu dhe në vitin 1929, regjistri zyrtar i shtetit shqiptar tregon se në të gjithë vendin qarkullonin vetëm 375 automjete, pothuajse të gjitha Fiat, aq sa në ato vite makinës i thoshin Fiat, “ke fiat, s’ke fiat.”

Me ikjen e Italisë në vendin tonë, mbeten pothuajse 6 mijë makina, të cilat deri në vitin 1950 u shtetëzuan të tëra dhe filloi një etapë e dytë e automobilizmit që siç e dinë të gjitha ata që këtu janë ekspertë të vërtetë se unë s’jam, bota e katër rrotave u sundua nga Zisi, nga Gazi, nga Skoda që ishin të gjithë në administrim shtetëror.

E nëse në kohën kur në të gjithë Shqipërinë, qarkullonte një makinë në orë dhe mjaftonte vetëm një zyrë që lëshonte targa, – ato targat drejtkëndëshe të kohës së Zogut, apo ato me yll të kohës së komunizmit, – sot sfida e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor është një sfidë marramendëse, qoftë për shkak të numrit marramendës të makinave krahasuar me të shkuarën, qoftë për shkak të problemeve marramendëse që janë trashëguar në këtë sektor që ja u kanë bërë jetën të vështirë të gjithë atyre që ndryshe nga unë, e kanë dashur me çdo kusht një patentë dhe një timon.

E më vjen shumë mirë që pikërisht sot, kur makina nuk është më luks por është një nevojë dhe shpeshherë një domosdoshmëri për njerëzit, mund të themi me plot gojën që drejtoria e Përgjithshme e Përgjithshme e Transportit Rrugor po bën vërtetë një transformim të shumëpritur për të gjithë ata që kanë punë me të dhe ata që kanë punë me të, janë qindra mijëra, një transformim të shumëpritur që po lehtëson përditë ngarkesat e trashëguara të burokracisë, po zbut përditë të gjithë peshën e rëndë të krijuar nga një sistem i tërë korrupsioni dhe po i jep përditë për të gjithë ata që përdorin makina një shembull vullneti të mirë, për të arritur në një sistem, i cili është një sistem shërbimi i mirëfilltë dhe jo një sistem rrëmbimi i përditshëm, siç për fat të keq ka qenë për vite e vite të tëra.

Nuk është besoj e rastësishme që pikërisht DPSHTRR-ja i ofron jo vetëm atyre më të apasionuar, por publikut, edhe një profil kreut të papritur dhe të panjohur më parë, profilin e promovuesit të historisë dhe të dijes mbi historinë e automobilizmit, profilin e promovuesit të shijes mbi këtë botë, përmes të cilës ka ecur në fakt, si në një film, gjithë rrua e ambicies së njeriut për të lëvizur me shpejt dhe për të shkuar më larg dhe profilin e një institucioni që çdo ditë e më shumë identifikohet me cilësinë, me inovacionin dhe me qytetarin, në kuptimin më të mirë dhe më të vërtetë të kësaj fjale.

“Ashtu si makinat, edhe ne kemi një shpejtësi të ndryshme lëvizjeje. Ka ditë malorë dhe të parëndësishme që marrin një kohë të pafundme për t’u ngjitur dhe ka ditë që janë zbritje në tatëpjetë me një shpejtësi të rrufeshme, gati sikur je duke kënduar.”

Kështu thotë Marsle Prusti në një nga veprat e tij.

Përmes këtij koleksioni unikal dhe mundësisë për të zbuluar 105 vite të tëra mbi katër rrota, mes maloresh dhe tatëpjetash, ditësh të bukura dhe ditësh të zymta, Drejtoria e Përgjithshme na jep mundësinë që të gjithë sëbashku, duke e shijuar këtë eveniment, të ndihemi mirënjohës ndaj të gjithë atyre që na e japin këtë mundësi, por edhe falënderues ndaj atyre që e organizuan. Në këtë pikë, unë mund të dëshmoj se Drejtoi i Përgjithshëm është një shofer i lindur dhe i paepur në marrëdhënien me makinat, aq shumë, sa tanimë është njehsuar me rolin e tij dhe në fakt është kthyer në makinën më të shpejtë të transformimit në të gjithë sistemin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Shumë faleminderit të gjithëve dhe po iu lë me dëshirën e madhe që ta shijoni këtë eveniment, si dhe duke iu thënë se megjithatë unë nuk do ta mësoj makinën dhe do pres ditën kur makina do mësojë të më mbajë pa patur nevojë fare që unë ta di makinën dhe as për shofer.