Platforma e bashkëqeverisjes, ndihmë dhe mbështetje për sipërmarrjen

Kryeministri Edi Rama me sipërmarrës dhe përfaqësues të bizneseve në eventin e bashkëqeverisjes, i cili këtë javë i është dedikuar problematikave të sipërmarrjes:

Mirëdita! Sot, eventi javor i bashkëqeverisjes i është dedikuar risisë së platformës, pra rubrikës së re të kushtuar ndaj sipërmarrjes.

Duke u nisur nga efektet pozitive të ndërveprimit me qytetarët dhe duke parë se si kemi arritur të krijojmë përmes ndërveprimit me platformën një impakt jo të vogël në jetën e tyre të përditshme, sa herë që ata i janë drejtuar platformës dhe kanë patur të drejtë në ankesat e tyre, lidhur me shërbimet, – ne vendosëm që të nisim këtë eksperiencë të re, duke iu dhënë mundësi të gjithë sipërmarrësve, të mëdhenj apo të vegjël, të mos humbin asnjë minutë në pritje të përgjigjeve apo të zgjidhjeve për problemet e tyre, por t’i drejtohen platformës dhe për këtë kemi krijuar edhe një rrjet të ri mbështetës të platformës së bashkëqeverisjes me koordinatorë që janë pranë kabineteve të ministrave dhe që e kanë kohën e tyre të punës të dedikuar ndaj çështjeve të biznesit.

Kështu që, më vjen shumë mirë, që sot, në këtë event kanë ardhur pesë sipërmarrës, të cilët na ndihmojnë me praninë e tyre, sepse është shumë e rëndësishme që përveç fjalëve të mia apo prezantimeve të koordinatorëve, zëri i tyre të dëgjohet nga kolegë dhe nga pjesëtarë të të njëjtit komunitet, komunitetit të biznesit. E përmes zërit të tyre, të përcillet mesazhi i thjeshtë dhe i qartë se çdokush që merret me biznes në Shqipëri, nuk ka nevojë të njohë askënd, apo të kërkojë rrugët e vjetra tradicionale të zgjidhjes së problemeve, kur problemet në fakt nuk janë të krijuara nga biznesi, por janë të krijuara, nga administrata, por mjafton të ndërveprojë me platformën, për të marrë zgjidhje.

Kështu që pa humbur kohë, unë po thërras këtu Etlevën për të prezantuar rastin e parë:

Etleva Bandula, koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes: Problemi për të cilin zoti Gjergj Buça iu drejtua platformës e ka zanafillën që në vitin 2017, vit në të cilin ky subjekt nënshkroi një kontratë me bashkinë Dibër për sigurimin e materialeve drusore, të cilat do të përdoreshin për nevojat e kësaj bashkie për ngrohje në kopshte dhe shkolla. Pas përmbushjes së detyrimit të tij si subjekt dhe mbarimit të kontratës, zoti Gjergj Vucaj iu drejtua me një sërë kërkesash bashkisë Dibër, por pa mundur që të merrte likuidimin e faturave të tij, me pretendimin se llogaritë bankare të bashkisë Dibër ishin të sekuestruara. Atëherë në datën 12 shtator, zoti Gjergj iu drejtua platformës, duke parashtruar kërkesën e tij dhe duke pritur më në fund zgjidhjen e hallit të tij. Pas një ndërveprimi intensiv me bashkinë Dibër, u bë e mundur që në datën 18 tetor të bëhej likuidimi i gjithë faturave të zotit Gjergj me një shumë prej 8 milion e 326 milionë lekë të reja. Për më tepër kam përfaqësues të subjektit sot, zotin Gjeto.

Rasti prezantohet nga punonjësi i firmës, zoti Gjet Kalusha: Përshëndetje zoti kryeministër! Ne kemi një firmë druri, tek ura e Dajlanit, Durrës. Presidenti i firmës dërgon dru në të gjitha rrethet, në Kukës, në Fushë-Krujë, në Milot, në Laç, në Kavajë dhe gjithandej sepse ka tenderin për të furnizuar shkollat dhe disa objekte të tjera me lëndë drusore. Mirëpo, duke dërguar dru me shumicë në gjithë këto zona, faturat nuk i erdhën sepse kishte vonesa tek bashkitë. Presidenti i firmës sonë hasi në një vështirësi shumë të madhe, pasi nuk i vinin lekët. Kështu u detyrua të zvogëloheshin edhe rrogat tona deri diku. U detyrua të shkonte në bankë që të merrte para për të paguar rrogat e punëtoreve derisa të ktheheshin këto para që ky i kishte dërguara mallin. Unë si punëtor i thashë, pse nuk shkruan në portalin e bashkëqeverisjes. Ai më dha të drejtë dhe menjëherë e paraqiti këtë kërkesë dhe pas 7 ditësh atij filluar ti vinin paratë. Kështu që ne na u kthyen rrogat. Ndërsa mua më dha dhe një shpërblim sepse më tha që më ke dhënë një mendim shumë të mirë. Unë dëshiroj që të gjitha institucionet e shtetit të punojnë siç punon ky sistem, të cilin kryeministri e ka menduar shumë mirë. Falënderoj edhe njëherë kryeministrin dhe grupin që punojnë kaq bukur  për këtë platformë. Kjo platformës është një armë e fuqishme në duart tona, duke eliminuar çdo pengesë.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit për dëshminë. E mira e të mirave do ishte që të gjitha institucionet të reagonin në këtë formë. Por, pikërisht sepse kjo nuk ka ndodhur për shumë e shumë vite, – sepse janë përmirësuar jo pak gjëra, por prapë se prapë ka plot probleme të tilla, – ne kemi zgjedhur këtë rrugë. Unë dua t’ju them se ne po përgatitemi për një hap tjetër shumë të rëndësishëm, duke kaluar një sistem të përgjithshëm me disa përjashtime objektive për të bërë të detyrueshëm aplikimin online për një numër shumë të madh shërbimesh, pra për të mos patur më radha, për të mos pasur më situata të pafundme pritjeje dhe zvarritjeje dhe për të krijuar mundësinë që çdokush që kërkon një shërbim në çdo institucion që jep shërbime për publikun me përjashtim të pak institucioneve që ende nuk e kanë mundësinë ta marrin aplikimin online për shkaqe objektive, të aplikojnë online dhe të marri me telefon përgjigjen që çfarë i ka kërkuar është gati.

Me këtë sistem, që unë shpresoj dhe po punojmë që ta nisim nga 1 janari, çdo institucion shtetëror do të jetë i detyruar të plotësojë të gjitha dokumentet që përmban një dosje për të aplikuar për një licencë, për një autorizim, për regjistrimin e një ndërmarrjeje, të cilat i japin institucionet e shtetit. Shteti nuk do thotë më të mungon kjo apo ajo, për çdo mungesë që lidhet me vetë shtetin. Vetë institucionet do t’i mbledhin këto për llogari të qytetarit apo të institucionit. Përshembull, do heqim regjistrimin në QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit) me prani fizike. Në Qendrën Kombëtare të Biznesit shkojnë njerëzit mbajnë radhë për të aplikuar, për të regjistruar një kompani, këtë do ta heqim. Që do të thotë se çdo aplikim do të bëhet online.

Kjo do të përfshijë edhe platformën e bashkëqeverisjes, si një strukturë monitorimi me një databazë të përgjithshme, ku të gjitha aplikimet do të kenë një datë dhe të gjitha përgjigjet kanë një afat. Për çdo shkelje të afatit do të ndiqet nga platforma, siç bëhet sot dhe nga institucioni përkatës, arsyeja “pse” dhe në rast se është arsye subjektive, pra, mungesë korrektese nga ana e institucionit, do të ndëshkohen ata që janë përgjegjës për këtë. Besoj se kjo do të lehtësojë shumë njerëzit në procesin e aplikimeve, apo të kërkesave për të marr një shërbim.

Nga ana tjetër, sot vazhdon të jetë e vështirë, shpesh herë e pamundur të mendsh të shkosh në gjykatë e ta zgjidhësh problemin. Sot, ne jemi në kushtet ku ka nisur pastrimi  i sistemit të drejtësisë, i cili kërkon kohën e vet dhe kur ndërkohë, shumë nga xhagajdurët që janë në sistem, të cilët e dinë vetë që nuk e kalojnë  dot filtrin e Vetting-ut, pra, që do t’i kapi fshesa, janë lëshuar “Kap ça të kapësh”, (KÇK).

KÇK-ja është organizata më e rrezikshme kriminale që vepron sot në Shqipëri, sepse është e veshur me petkun e ligjit dhe funksionon si një organizatë grabitësish ordinerë. Për KÇK-në, ne po bëhemi gati dhe sikundër e kam lajmëruar lidhur me krimin e organizuar, paralelisht me një ligj special për të çuar luftën kundër krimit të organizuar në një nivel të pandodhur kurrë më parë dhe me rezultate absolutisht të garantuara në një hark kohe jo të gjatë, ne do të çojmë në Parlament edhe disa masa speciale ndaj anëtarëve të KÇK-së. Nuk mund të them më shumë për momentin, por të jeni të sigurt që më herët se vonë, të gjithë do të shohin në praktikë, jo në fjalime, rezultatet e një ofensive frontale që qeveria do të ndërmarrë, qoftë ndaj krimit të organizuar, qoftë ndaj KÇK-së.

Myrteza Braha, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Një rast tjetër që ka gjetur zgjidhjen përmes platformës së bashkëqeverisjes është rasti i subjektit “Thertore Emi” i përfaqësuar nga administratori Ervis Cena. Ervis Cena ka bërë një kërkesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për rimbursim të TVSH-së, por kjo kërkesë pasi është miratuar nga drejtoria nuk është rimbursuar për 9 muaj me radhë dhe për këtë arsye Ervis Cenës i kanë dalë dhe disa probleme të tjera gjithashtu dhe po shkonte drejt rrugës së falimentimit. Për këtë arsye, Ervis Cena ka zgjedhur të ankohet në platformën e bashkëqeverisjes. Me të ardhur rasti në platformën e bashkëqeverisjes është trajtuar me seriozitet nga koordinatorët dhe drejtoria përkatëse dhe ka gjetur një zgjidhje të suksesshme duke shmangur kështu dhe falimentimin e subjektit “Thertore Emi”. Për më tepër ftojmë administratorin.

Zoti Ervis Cena: Faleminderit zoti kryeministër! Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu mes jush sepse më keni ndihmuar jashtëzakonisht shumë në zgjidhjen e këtij problemi sepse thertorja po shkonte drejt falimentimit. Jam shumë i lumtur, falënderoj platformën e bashkëqeverisjes që e bëri kaq të thjesht këtë zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë që çështja është zgjidhur dhe është një tjetër arsye ose një tjetër moment për t’ju drejtuar të gjithë sipërmarrësve dhe për t’ju thënë se është koha që ta shikojmë platformën si mikun e tyre më të fortë pranë qeverisë. Dua të falënderoj këtu dhe ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsin që është bashkë me ne për një punë voluminoze dhe për një aktivitet intensiv për komunikimin me sipërmarrjet sepse është jo e lehtë edhe për të shembur muret e paragjykimeve, siç kanë qytetarët shpesh pothuajse të gjithë madje,  kur vijnë thonë “nuk e besoja, por thashë hajt ta provoj se nuk kisha rrugë tjetër” edhe bizneset kanë paragjykimet e tyre lidhur me ndërveprimin me qeverinë me siguri edhe me platformën. Kështu që dëshmitë tuaja na ndihmojnë shumë për të përcjellë me raste konkrete faktin që platforma funksionon, funksionon pa filtra, funksionon pa miq, funksionon pa ryshfet, funksionon pa llafe dhe jam i bindur që është baza e një të ardhme jo të largët kur i gjithë shteti do jetë në xhep, në xhep të çdo qytetari dhe sipërmarrësi që mjafton të lidhet përmes aplikacioneve përkatëse për të marrë zgjidhje apo për të marrë shërbimet dhe aty do të jetë dhe fundi i sigurt i gjithë merimangave dhe i rrjetit të vjetër të merimangave që kërkojnë ushqim për të dhënë atë, që në fakt është e drejta e gjithsecilit, duke futur duart në xhepat e njerëzve.

Fatmir Shehu, koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes: Rasti me objekt ankese fushën e biznesit është trajtuar nga platforma e bashkëqeverisjes dhe lidhet me subjektin “Endi sh.p.k”. Problematika e tij ishte vendosja e sekuestros konservative në pronën që ai dispononte për ta zhvilluar si biznes nga Drejtoria e Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, në bazë të kërkesës së përmbarimit. Kjo problematikë kishte ardhur si rrjedhojë e një adrese në lidhje me subjektin, pasi këtë emër kishte edhe një subjekt tjetër në Fier. Pas adresimit të rastit në platformën e bashkëqeverisjes, problematika u ndoq nga koordinatori i biznesit i atashuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës dhe në bazë të dokumentacionit përkatës iu mundësua heqja e sekuestros dhe mundësimi i zhvillimit të biznesit të tij në bazë të lejes zhvillimore që ai dispononte.

Zoti Samir Pistolja: Jam administrator i “Endi sh.p.k”. Kisha këtë problem në Kadastrën e Durrësit, ishte bërë një ngatërresë dhe ishte sekuestruar prona ime për një emër tjetër. I dërguam shkresa Kadastrës së Durrësit dhe drejtorisë së Përgjithshme, por përgjigja nuk erdhi. Për këtë arsye, menduam t’i shkruajmë platformës së bashkëqeverisjes.  Brenda 10 ditëve u zgjidh problemi dhe çdo gjë është në rregull. Sekuestro u hoq, prona është e imja, shumë faleminderit.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit për praninë edhe pse na preke në një plagë të hapur që është kadastra e Durrësit, por jam i bindur që ligji special kundër krimit të organizuar dhe masat speciale, kundër KÇK-së do ta çlirojnë përfundimisht edhe Kadastrën e Durrësit, do të çlirojnë edhe të gjitha Kadastrat e  Shqipërisë nga rrethimi kriminal që ka nisur prej shumë e shumë vitesh dhe që ne kemi arritur ta çajmë vetëm pjesërisht, sidomos në zonat që kanë interes zhvillimi turistik, aty ku krimi i organizuar përpiqet të shpëlajë paratë e pista, por nuk do t’i gëzojnë.

Emiljano Gjika, Koordinator i Platformës së Bashkëqeverisjes : Rasti në fjalë ka të bëjë me shoqërinë “R.B.H. BELINË” sh.a, e cila është një shoqëri që merret me përpunimin e naftës dhe përfaqësohet nga zoti Rebani Likometa, aksioneri dhe administrator i saj. Në procesin e përpunimit të naftës, rafineria duhet të djegë solar. Solari duhet të rimbursohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe zoti  Likometa kishte që nga shtatori i 2018-s që nuk ishte rimbursuar. I është drejtuar platformës në datën 23 shtator, ka marrë pjesërisht zgjidhje në datën 10 tetor dhe përfundimisht është zgjidhur në datën 18 tetor.

Zoti Rebani Likometa: E kam patur këtë problem që kur e kam nisur. Megjithëse pati vonesë vitin e parë, vitin e dytë, i kemi marrë. Por durimi ka një kufi se të fyejnë më shumë, ky është problemi. Të fyejnë dinjitetin. T’i mbajnë  një vit. Unë kam ndjekur rrugën institucionale. Kam shkuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, edhe ministres i kam shkruar. Ajo ngarkoi koordinatorin. Unë  nuk e njoh fare, por vetëm komunikimi i atij djali me ka bërë përshtypje. Për atë KÇK që përmend, ushqimi i shkon i përgatitur atje, nga kush i shkon? Nuk duhet të funksionojë kështu sepse kjo është hallka e fundit, ato institucione për çfarë janë? Ato nuk funksionojnë.

Kryeministri Edi Rama: Keni të drejtë. Nuk duhet të funksionojë kështu, por mirë që jemi dhe kemi njeri -tjetrin. Kam dëgjuar dhe kështu që nuk duhet  të funksionojë kështu, por në fakt që të funksionojë ashtu si duhet, në të gjitha hallkat do të thotë të kemi përfundimisht shtetin modern europian që nuk bëhet sa hap e mbyll sytë dhe aq më tepër ta rindërtosh nga gërmadhat. Të prishësh për të rregulluar është më e vështirë sesa të rregullosh nga e para. Jam dakord edhe me këtë që the dhe përsëri po të them që sa kanë shirë nuk do shijnë dhe të jesh i sigurt që çfarë kanë grabitur nuk do ta gëzojnë.

Flavia Dulellari, Koordinatore e Platformës së Bashkëqeverisjes : Rasti që prezantoj është ai i subjektit “Stone-Alb”, një subjekt me seli në Shkodër, i cili ushtron aktivitetin mineral gëlqeror. Kishte aplikuar pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit për t’u pajisur me leje mjedisore të tipit B, leje, e cila nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit ishte miratuar në mënyrë automatike, por qëndronte e bllokuar prej një kohe në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit, duke shkaktuar kështu probleme në veprimtarinë  e zhvillimit të aktivitetit të këtij subjekti. Rasti u ndoq nga koordinatori i biznesit në ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe në komunikim të vazhdueshëm me kabinetin dhe me vetë ministrin, u arrit që kjo leje të miratohej përfundimisht në datën 1 nëntor 2019.

Zoti Renato Isufi: Unë përfaqësoj subjektin “Stone-Alb” në rrethin e Shkodrës. Kam bërë një aplikim për një leje mjedisi. Kisha dy vite që prisja për zbardhjen e lejes. Iu drejtova ministrisë disa herë, nuk gjeta përgjigje, iu drejtova platformës dhe menjëherë brenda 10 ditëve gjeta zgjidhje.

Kryeministri Edi Rama: Faleminderit dhe ajo që do ndryshojë shpejt dhe ajo që unë e thashë dhe njëherë më parë dhe e përsëris, shpresoj dhe besoj nga 1 janari, do të jetë që aplikimet nuk do të bëhen më dorazi, por do të bëhen online. Duke u bërë online do të jenë të gjitha në pasqyrë. Pra, nuk do të jenë hallet e njerëzve, letra, në sirtarët e një drejtori apo të një përgjegjësi që marrin peng njerëzit për të marrë atë copën e tyre të kaçkavallit. Do të jenë online.

Sigurisht që, hap pas hapi, ne do të vazhdojmë të investojmë që edhe përgjigjet përfundimisht të jenë online, por kjo kërkon ngritjen e një sistemi tërësor. Ne e kemi filluar modernizimin e sistemeve për të kaluar tek shërbimet pa kontakt njerëzor, pra pa xhepa, me tre shërbime online. Sot, janë afro 350 shërbime dhe përveçse kësaj, kemi sot edhe nënshkrimin digjital të secilit që mund ta bëjë që vlen njësoj si nënshkrimi në letër.

Ju e kaluat atë kalvarin tuaj, por në të ardhmen e afërt të gjithë ata që do kenë nevojë për të njëjtin shërbim nuk do të kalojnë më nëpër këtë kalvar.

Sistemi i monitorimit të aplikimeve do të jetë një sistem që do ta bëjë të pamundur marrjen peng të njerëzve, duke i fshehur letrat nëpër sirtarë, zakoni i vjetër dhe vesi siç thonë del me shpirtin. Kështu që për këtë arsye, kalimi në një sistem tjetër eliminon edhe shpirtin, edhe vesin dhe e kthen shërbimin në një shërbim automatik, kompjuterik.

Unë dua të përsëris në fund se që kur ka nisur ky proces me këtë risi, rubrika ka marrë jo pak kërkesa dhe jam shumë i kënaqur që numri i tyre, numri i zgjidhjeve, është goxha i konsiderueshëm. Por, mbi të gjitha jam shumë mirënjohës që ju morët mundimin të vini për të dëshmuar. Dëshmitë janë absolutisht kyçe për të kaluar mesazhin tek njerëzit.

Shumë faleminderit edhe njëherë dhe shumë faleminderit edhe të gjithë atyre që kontribuuan dhe kontribuojnë përditë për këto zgjidhje.

Faleminderit  zoti ministër!