Platforma shqipëriaqëduam.al në dispozicion të banorëve të prekur nga tërmetet

Takimi me koordinatorët e Zyrës së bashkëqeverisjes. Fjala e Kryeministrit Edi Rama:

Besoj ishte e domosdoshme të bënim një ndryshim strategjik, për të adresuar sa më mirë këtë situatë. Duke qenë se ju jeni ekipi më i lëvduar nga populli i administratës shqiptare, gjithë ekipi i platformës së bashkëqeverisjes, duke qenë se ju keni një eksperiencë tanimë jo të vogël për të vënë në kamzhik zyrat që japin shërbime, duke qenë se sot kemi një problem të madh të adresimit të të gjithë atyre që janë prekur nga tërmeti, të cilët duan të marrin përgjigje të gjithë në të njëjtën kohë, duke qenë se për të dhënë këtë përgjigje krijohen turma e radhë të gjata në zyrat e shtabit të emergjencave, atëherë, ne mendojmë që me një ndjesë drejtuar gjithë qytetarëve të këtij vendi të ndalojmë veprimtarinë e platformës së bashkëqeverisjes përgjatë periudhës së emergjencës. Të gjithë forcat fokusohen tek emergjenca dhe qytetarët që duan të dinë për fatinë e tyre pas dëmtimit të banesës.

Që nga dita e sotme, në platformën shqipëriaqëduam.al, pa pasur nevojë për logim në e-Albania, por direkt te shqipëriaqëduam.al, qytetarët që duan të marrin informacion të shpejtë dhe njësoj si me logjikën bazë të ndërveprimit të platformës, me këtë rast na japin mundësi ta adresojmë problemin në institucionet dhe shtabet përkatëse, mund të drejtohen këtu me një klik.

Është klik që u jep mundësi të shtrojnë pyetje, ose shqetësime mbi disa zëra;

Kam shqetësim mbi banesën time të dëmtuar dhe mjafton të lënë emrin, numrin e telefonit, apo në rast se kanë dhe e-mailin, menjëherë ekipi vihet në lëvizje për t’u kthyer përgjigje;

Kam nevojë për strehim të përkohshëm dhe këtu dua ta vë theksin se nuk bëhet për ata që janë të pastrehë qysh përpara tërmetit, pot për ata që janë pa çati, sepse çatinë ua ka marrë me vete tërmeti;

Kam nevojë për ndihmë mjekësore, ose medikamente, ose pako sociale;

Kam nevojë për ndihmë ushqimore dhe veshje, apo produkte higjienike;

Kam nevojë për transport për në vendin punës, ose në shkollë.

Këto janë zërat e vendosur këtu, duke marrë parasysh gjithë grupin e nevojave bazë.

Çdo familje, çdo vëlla, motër, i afërm në emigracion që në kontakt me familjen ka shqetësime të caktuara dhe do të vijë në ndihmë, çdokush tjetër që ndeshet me njerëz që janë në këto nevoja, nuk ka nevojë fare për t’u strapacuar dhe për të ardhur vërdallë, telefonin nga xhepi, ose nga ora e një të afërmi, apo një fqinj, shqipëriaqëduam.al, regjistrimi këtu i ankesës, kërkesës dhe gjithë ky ekip, -siç e thashë, është ekipi më i lëvduar nga populli për shkak se të gjithë marrin përgjigje, është ekipi që besoj mund të konkurrojë edhe ne Europë për kapacitetin për të dhënë përgjigje, – është në dispozicion dhe përgjigje në kohë reale. Ky ekip do të funksionojë si fuqi mbështetëse e zyrës së drejtuesit të plotfuqishëm për emergjencën dhe do të ketë siç ka kompetencën, detyrën dhe pushtetin për t’i thënë një funksionari, një kryetari bashkie, një ministri, se këtu duhet dhënë përgjigje, padiskutim drejtorive përkatëse, do të bëjë të njëjtën gjë tani.

E di që është një punë kolosale, do të keni me mijëra, por ju jeni tanimë të përgatitur që të përballoni një sfidë të re. Kjo është periudhë emergjence. Qytetarëve që kanë probleme të tjera ju kërkojmë ndjesë, por për sa do zgjasë emergjenca, një muaj, dy, tre apo 5, nuk do të kemi mundësi t’u përgjigjemi nevojës së tyre. Unë shpresoj që kjo periudhë të  jetë e shkurtër, por gjithsesi, kjo gjë do të shihet në vijim.

Ajo që besoj po ashtu, është se e kemi mirëkuptimin e gjithë qytetarëve të tjerë që do kenë problemet e tyre me zvarritjet përkatëse, por që nuk do të marrin dot reagimin e menjëhershëm. Ata nuk janë të ndaluar dhe nuk janë absolutisht të refuzuar ta bëjnë ankesën, të gjitha ankesat e tyre t’i regjistrojnë, siç kanë bërë gjithmonë, por, ju lutem shumë, detyrimi ynë për të dhënë përgjigje brenda 10 ditësh bie. Ankesa do të regjistrohet, do të procesohet në rrugë elektronike në institucionet përkatëse, por njerëzit e platformës nuk do të mund ta ndjekin, siç e ndjekin zakonisht.

Unë do bëj çmos bashkë me ministrat që të mos bjerë ritmi, që përgjigjet të mund të jepen, por platforma nuk do të ndër veprojë. Do të jenë përgjigjet automatike që do të vijnë nga ministritë, thjesht që do të transmetohen kur të vijnë. Kjo është ideja.

Kjo është një faqe unike, e dedikuar për të gjithë njerëzit e prekur nga tërmeti, për të afërmit, familjarët e tyre të shqetësuar që janë në emigracion, që duan t’i ndihmojnë ata e që duan të dinë çfarë do bëhet me ta. Të klikojnë tek Shqipëria që duam. Nuk ka nevojë për të bërë log in në e-Albania, siç ndodh në rastet e tjera dhe sipas zërave të shprehin shqetësimin;

Kam shqetësim për banesën time të dëmtuar; Përshkruaj shqetësimin, vendndodhjen, jep numrin e telefonit, emrin dhe në rast se ke, edhe e-mail-in.

Kam nevojë për strehim të përkohshëm; Përshkruaj vendndodhjen, jep gjendjen banesës, ku e ke, si e ke dhe numrin e telefonit, mundësisht edhe e-mail-in, në rast se ke e-mail.

Kam nevojë për ndihmë mjekësor dhe/ose medikamente pako sociale; – E njëjta gjë.

Kam nevojë për ndihma ushqimore, veshje dhe/ose produkte higjienike; E njëjta gjë.

Kam nevojë për transport për në vendin e punës ose në shkollë; -E njëjta gjë.

Ka dhe një zë të gjashtë; – Të tjera.

Mund të ketë dhe shqetësime shumë specifike, të cilat duhen adresuar.

Shumë faleminderit për gatishmërinë! Jam i bindur që nuk do na bëni të skuqemi përpara njerëzve, do na zbardhni faqen, duke qenë në krye të detyrës. E njëjta gjë dhe për koordinatorët e biznesit, të gjithë forcat në të njëjtin drejtim.

Shpresoj që brenda dhjetorit të kemi sistemuar gjithçka dhe në janar të fillojmë të kthehemi në normalitet, por, nëse do jetë nevoja edhe në janar, edhe në shkurt, edhe më shumë, sepse ky është prioriteti jetik i qeverisë dhe i shoqërisë në këtë moment.

I gjithë ky proces, që duhet kuptuar shumë mirë, është shumë i ndërlikuar, shumë i vështirë e që nuk është një proces i shkurtër në tërësi, duhet të jetë një proces nga ku ne duhet të dalim më të fortë nga sa ishim më parë, nga ku të gjithë ata që u dëmtuan të dalin më mirë nga sa ishin më parë. Jetët e humbura nuk i kthejmë dot, por jetën normale, me një cilësi më të mirë për gjithë ata njerëz, jo vetëm mund ta kthejmë, por do ta kthejmë me se s’bën.

Shumë faleminderit! Përpara! ​