Programi i Rindërtimit, 500 njësi individuale dhe 500 apartamente në proces në Shijak

Në Shijak, procesi i rindërtimit po vijon të përmbushë nga dita në ditë nevojat për strehim të banorëve që nëntori i vitit të shkuar i la jashtë në mënyrë tragjike. Mbi 500 banesa individuale po përfundojnë për familjet që do të rikthehen në shtëpi të reja, të cilat nuk kanë të krahasuar me ato që humbën. Kryeministri Edi Rama ishte sot, në njësinë administrative Xhafzotaj, për të vizituar shtëpinë e re të një prej familjeve të zonës, e cila është drejt përfundimit. “Këtu është një familje prej 5 pjesëtarësh dhe është përfitues i një shtëpie 3+1. Ka patur 90 metra katrorë, ndërsa tani do të gëzojnë një shtëpi të re prej 107 metra katrorë. Faza e rindërtimit vazhdon në të gjithë Bashkinë e Shijakut me 500 shtëpi ku po vazhdon rindërtimi. Konkretisht, në fshatin e komunitetit boshnjak janë 15 ndërtesa individuale që janë duke u përfunduar,” shpjegoi kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana.

Teksa mirëpret Kryeministrin, i zoti i shtëpisë e vlerëson banesën që po i dhurohet si një “shpërblim madhështor”. “Këtu është gjithë rrugëtimi i jetës time dhe erdhi dita marr një shpërblim madhështor. Jemi shumë të kënaqur familjarisht që po bëhet diçka, sepse shtëpia jonë ka qenë e rrënuar dhe shumëvjeçare. Nuk i kemi patur mundësitë ekonomike. Nuk është e lehtë të bësh një shtëpi. Erdhi dita e po e marrim shtëpinë pa para,” – u shpreh ai.

Kryeministri theksoi se të gjitha familjet përfituese të banesave të reja do të hyjnë në shtëpi të standardeve bashkëkohore të ndërtimit dhe të sigurisë, të cilat përveçse me sipërfaqe më të madhe banimi, kanë vlerë shumë më të lartë sesa ato që humbën. “Në fund të tetorit do e keni shtëpinë më të mirë, më të bukur, më të fortë. Çdo krizë ka të keqen e vet, por është dhe një mundësi. Kjo ishte mundësia për ta kapërcyer krizën dhe duke dalë më të fortë dhe më mirë. E kam thënë nga dita e parë që do bëjmë çmos që të dalim më të fortë nga kjo krizë dhe faktikisht, të gjitha familjet që janë duke hyrë apo edhe pak hyjnë në shtëpitë e reja, janë më të forta në kuptimin e shtëpisë dhe pasurisë, që ka një vlerë më të madhe seç kishte. Ajo që ndodhi nuk e ndalonim dot, por këtë që po bëjmë, kemi thënë që do ta bëjmë dhe do ta çojmë deri në fund,” – tha Kryeministri.

Më pas, Kryeministri Rama vizitoi edhe një shtëpi tjetër në proces rindërtimi, ku do të strehohet familja 4-anëtareshe, përfituese e një banese 2+1 nga Programi i Rindërtimit.

* * *

Drejt mbylljes infrastruktura e lagjes së re me 30 pallate në Shijak.

500 familje do të marrin apartamente të reja pas rindërtimit të lagjes Lugina në Shijak. Kjo lagje ishte një nga më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 nëntorit, duke lënë qindra banorë pa strehë. “Projekt spektakolar” e quajti Kryeministri Edi Rama, i cili inspektoi sot kantieret e Shijakut, ku do të ngrihen nga themelet 30 pallate të reja, bashkë me një hapësirë urbane të rikonceptuar me të gjitha shërbimet e nevojshme, si dhe 6 shkolla të reja.

Kryetari i Bashkisë, Elton Arbana informoi se punimet janë drejt përmbylljes së infrastrukturës së brendshme të lagjes, e cila nisi menjëherë pas procesit të shembjes së pallateve të dëmtuara dhe pastrimit të zonës. Lagja e re Lugina do të ndërtohet në një hapësirë 25 000 metra katrorë, nga të cilat një pjesë e konsiderueshme e saj do të jenë parqe, hapësira të gjelbra dhe ambiente shërbimesh për komunitetin. “E keqja ndodhi, por ishte në këtë aspekt bekim për Shijakun. Me gjithë këto ndryshime që do ndodhin, Shijaku do bëhet si  stacion edhe për turistët që do vijën gjatë verës, se e kanë edhe detin afër”, – u shpreh Kryeministri Rama.

Nisja e punës për hedhjen e themeleve për pallatet që do të ndërtohen parashikohet të fillojë brenda muajit nëntor, ndërsa puna për shtëpitë individuale në këtë qytet po shkon drejt fundit dhe shumica e familjeve, vitin e ri do e festojnë në strehën e tyre të re, më të bukur e më të fortë se atë që kishin.