Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Nëntor 2019

Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 6 Nëntor 2019:

 

P R O J E K T L I GJ
PËR

BUXHETIN E VITIT 2020

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, e 158 të Kushtetutës, dhe të nenit 30, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:
KREU I
BUXHETI
Neni l

Buxheti për vitin 2020 është:

Të ardhurat 502 675 milionë lekë
Shpenzimet 531 974 milionë lekë;
Deficiti 29 299 milionë lekë.

Ai përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore, sigurimet shëndetësore dhe kompensimi i pronarëve.

Neni 2

Buxheti i shtetit për vitin 2020 është:

Të ardhurat 371 706 milionë lekë;
Shpenzimet 401 005 milionë lekë;
Deficiti 29 299 milionë lekë.

Neni 3

Buxheti vendor për vitin 2020 është:

Të ardhurat 57 128 milionë lekë;

Nga të cilat:
– transferta e pakushtëzuar e përgjithshme 18 000 milionë lekë;
– transferta e pakushtëzuar sektoriale 7 614 milionë lekë;
– Të ardhura të tjera 31 514 milionë lekë;
Shpenzimet 57 128 milionë lekë.

Neni 4

Buxheti i sigurimeve shoqërore për vitin 2020 është:

1. Sigurimi i detyrueshëm, programet kompensuese dhe trajtimet e veçanta.

Të ardhurat, gjithsej                                          133 300 milionë lekë;

Nga të cilat:

– kontributet                                                 87 076 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit              43 854 milionë lekë;
– transferta nga buxheti për indeksimin e pensioneve  2 370 milionë lekë;
Shpenzimet                                                               133 300 milionë lekë.

Paga minimale, për efekt të pagesës së kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, është e barabartë me pagën minimale në shkallë vendi dhe ndryshon sa herë që ndryshon kjo pagë. Këshilli i Ministrave përcakton masën e kontributit për personat e vetëpunësuar në bujqësi si dhe të kategorive të veçanta të personave të vetëpunësuar. Për vitin 2020, teprica ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, sipas degëve dhe programeve të sigurimit shoqëror të detyrueshëm e suplementar, përdoret për mbulimin e deficitit të degës së pensioneve.

2. Sigurimi suplementar

Të ardhurat, gjithsej                                                 6 688 milionë lekë;
Nga të cilat:

–  kontributet                                                          1 533 milionë lekë;
–  transferimet nga buxheti i shtetit                        5 005 milionë lekë;
–  fondi për indeksimin e pensioneve                        150 milionë lekë;
Shpenzimet                                                             6 688 milionë lekë.

Fondi për indeksimin e pensioneve është parashikuar 2 520 milionë lekë. Përdorimi i këtij fondi bëhet sipas përcaktimeve në nenin 61, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar. Shpenzimet administrative, si pjesë e shpenzimeve totale për skemën e sigurimeve shoqërore, janë jo më shumë se 2 650 milionë lekë dhe ndahen sipas skemave, në proporcion me shpenzimet e drejtpërdrejta.

Neni 5

Buxheti i sigurimeve shëndetësore për vitin 2020 është:

Të ardhurat, gjithsej, 44 100 milionë lekë;
Nga të cilat:

– kontributet dhe të tjera 14 416 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 29 684 milionë lekë;
Shpenzimet 44 100 milionë lekë.

Fondi për rimbursimin e medikamenteve nuk tejkalon tavanin prej 11 000 milionë lekësh, përfshirë edhe detyrimet e prapambetura. Fondi për shërbimin spitalor detajohet dhe përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 6

Buxheti i fondit për kompensimin në vlerë të pronarëve, për vitin 2020, është:
Të ardhurat, gjithsej, 4 500 milionë lekë;

Nga të cilat:

– të ardhura të tjera 1 000 milionë lekë;
– transferimet nga buxheti i shtetit 3 500 milionë lekë;
Shpenzimet 4 500 milionë lekë.

Neni 7

Përdorimi dhe investimi i fondit rezervë të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore bëhet sipas dispozitave ligjore në fuqi.

KREU II
BURIMET PËR MBËSHTETJEN E SHPENZIMEVE
TË BUXHETIT TË SHTETIT

Neni 8

Të ardhurat e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:

Grantet 16 000 milionë lekë;
Të ardhurat tatimore 334 121 milionë lekë;
Të ardhurat jotatimore 21 585 milionë lekë.

Neni 9

Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit, prej 29 299 milionë lekësh, nëpërmjet huamarrjes totale neto nga burime të brendshme dhe të huaja, është 37 094 milionë lekë. Brenda këtij kufiri të huamarrjes totale neto përfshihet edhe emetimi i mundshëm i një eurobondi, me vlerë indikative prej 61 727 milionë lekësh. Ky kufi i huamarrjes totale neto mund të tejkalohet vetëm në rastet e përcaktuara në nenin 19, të këtij ligji.
Çdo diferencë që mund të rezultojë ndërmjet huamarrjes totale neto dhe deficitit të buxhetit të shtetit, në rast teprice akumulohet në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë, ose, në rast mungese, përdoret nga gjendja e kësaj llogarie.
Në raste pamundësie të financimit të deficitit buxhetor nëpërmjet dy burimeve të mësipërme, Këshilli i Ministrave merr masa për kompensimin e diferencave nga burime suplementare ose nga shkurtimi i shpenzimeve.

Të ardhurat nga privatizimi, që mund të krijohen gjatë vitit 2020, përdoren, jo më pak se 50 për qind, për uljen e kufirit të huamarrjes totale neto dhe pjesa tjetër përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve kapitale, e cila, automatikisht, rrit me të njëjtën masë kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit, të përcaktuar në nenet 1 dhe 2 të këtij ligji.

KREU III
SHPENZIMET E BUXHETIT TË SHTETIT

Neni 10

Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, janë:

– Shpenzime të buxhetit qendror 395 305 milionë lekë;
– Fondi rezervë 1 700 milionë lekë;
– Kontingjencë për risqet e borxhit 4 000 milionë lekë.

Kufiri i shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi, për shpenzime korrente dhe kapitale, është sipas tabelës 1, që i bashkëlidhet këtij ligji.
Në tabelat 1/1 dhe 1/2 janë kufijtë e shpenzimeve për çdo ministri dhe institucion, në nivel programi, për shpenzime korrente dhe kapitale, përkatësisht për vitet 2021 dhe 2022. Transferta e pakushtëzuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore miratohet vetëm për vitin 2020.
Të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit, sipas zërave kryesorë, për dy vitet e mëparshme fiskale dhe tri vitet e ardhshme janë sipas tabelës 4.

Neni 11

Numri i përgjithshëm i punonjësve në organikë është 82 377 veta. Numri maksimal i punonjësve për çdo ministri dhe institucion qendror, i dhënë në tabelën 2, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij, detajohet nga ministritë dhe institucionet qendrore, në përputhje me strukturat e miratuara për çdo institucion varësie. Këshilli i Ministrave mund të rishpërndajë numrin e punonjësve ndërmjet institucioneve të përmendura në tabelën 2, në rastin e ristrukturimit të institucioneve ekzistuese apo të krijimit të institucioneve të reja.

Numri rezervë, i parashikuar në tabelën 2, përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për institucionet e pavarura të drejtësisë dhe për krijimin e institucioneve të reja. Këshilli i Ministrave përcakton numrin maksimal të punonjësve me kontratë të përkohshme për çdo ministri dhe institucion qendror.

Për vitin 2020 nuk miratohet asnjë ndryshim në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore me efekte financiare shtesë në koston e personelit, të përllogaritur sipas strukturës së miratuar, me përjashtim të institucioneve të reja dhe institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Ky përcaktim përfshin edhe ato struktura, në të cilat paga për funksion jepet ose është sipas gradës përkatëse, ku, çdo rritje në gradë do të bëhet efektive vetëm nëse nuk shoqërohet me efekte financiare shtesë në koston e përllogaritur sipas gradave të miratuara.

Fondi i veçantë i institucioneve buxhetore, prej 300 milionë lekësh, shpërndahet dhe përdoret sipas procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Shumat e shpërndara nga ky fond shtojnë kufijtë e miratuar në tabelën 1, që përmendet në nenin 10, të këtij ligji.

Neni 12

Paga e Presidentit të Republikës është 257 000 lekë në muaj dhe rritet gjatë vitit sipas përcaktimeve që miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 13

Fondi rezervë i buxhetit, prej 1 700 milionë lekësh, përdoret nga Këshilli i Ministrave për raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme.
Kontingjenca për risqet e borxhit, prej 4 000 milionë lekësh, përdoret nga ministri i Financave dhe Ekonomisë për të kompensuar rreziqe potenciale nga luhatjet në kurset e këmbimit ose normat e interesit, me ndikim në shpenzimet për interesa.
Shumat e shpërndara nga fondi rezervё i buxhetit dhe kontingjenca për risqet e borxhit shtojnë kufijtë e miratuar në tabelat 1 dhe 4, që përmenden në nenin 10, të këtij ligji.

Neni 14

Transferta e pakushtëzuar, që buxheti qendror ia transferon pushtetit vendor, përfshin fondet për përballimin e veprimtarive e të funksioneve që përcaktohen në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi. Transferta e pakushtëzuar e pёrgjithshme shpërndahet ndërmjet njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas formulës së paraqitur në aneksin 1, që i bashkëlidhet këtij ligji. Shuma e transfertës së pakushtëzuar për çdo njësi të vetëqeverisjes vendore paraqitet në tabelën 3, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Fondi rezervë nga totali i transfertës së pakushtëzuar së përgjithshme përdoret nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në përputhje me kriteret e përcaktuara në aneksin 2, që i bashkëlidhet këtij ligji. Fondi për Zhvillimin e Rajoneve dhe programi për infrastrukturën vendore dhe rajonale përdoren sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Transferta e pakushtëzuar sektoriale për funksionet e reja të transferuara në bashkitë shpërndahet sipas anekseve 1 dhe 4, që i bashkëlidhen këtij ligji.
Personeli administrativ i këshillit të qarkut nuk mund të jetë më shumë se 10 veta.

Neni 15

Fondet e buxhetit të shtetit për institucionet e arsimit të lartë shpërndahen në formën e grantit. Ky fond shpërndahet sipas këtyre kategorive:

a) Granti i politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë;
b) Granti i mësimdhënies;
c) Granti i punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese.

Modeli i financimit për institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimin shkencor miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Kriteret për përdorimin e granteve të politikave të zhvillimit për institucionet publike të arsimit të lartë dhe të grantit të punës kërkimore-shkencore dhe veprimtarive krijuese janë përcaktuar në nenet 111 e 113, të ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 16

Kufiri i shpenzimeve, sipas tabelës l, që i bashkëlidhet këtij ligji, mund të rishpërndahet gjatë vitit ndërmjet programeve brenda të njëjtit institucion buxhetor apo ndërmjet programeve të institucioneve të ndryshme nga Këshilli i Ministrave, deri në masën 10 për qind të shumës së përgjithshme të shpenzimeve korrente apo shpenzimeve të përgjithshme kapitale, duke ruajtur totalin e shpenzimeve korrente dhe kapitale. Të drejtat e përcaktuara në nenin 44, të ligjit nr.9636, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për rishpërndarjen e fondeve buxhetore, përcaktojnë treguesit e faktit në tabelat 1 dhe 4, të cituara në këtë ligj.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë miraton çeljen e fondeve për studime-projektime të parashikuara sipas tabelave 1, 1/1 dhe 1/2 të këtij ligji, që lidhen me projekte të reja të investimeve publike, pas shqyrtimit paraprak nga organet kolegjiale të ngritura me urdhër të Kryeministrit për këtë qëllim.

Neni 17

Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi pёr vitin 2019, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve, është 37.3 për qind e PBB-sё. Çdo kontratë e re ndjek procedurat dhe rregullat e legjislacionit në fuqi për koncensionet/PPP-të.

Neni 18

Kufiri për rritjen vjetore të totalit ekzistues të stokut të borxhit të qeverisjes qendrore dhe atij të garantuar të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese, për vitin 2020, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, është deri në 37 594 milionë lekë, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:

⦁ Për huamarrjen totale neto vjetore, përfshirë huamarrjen e brendshme dhe atë të huaj, deri në 37 094 milionë lekë;
⦁ Për rritjen vjetore të garancive të qeverisjes qendrore në dobi të palëve të treta përfituese, deri në 500 milionë lekë.

Stoku i borxhit publik vlerësohet të arrijë  në 1 154 441 milionë lekë, pa përfshirë efektet e mundshme prej ndryshimit të kursit të këmbimit, i dhënë me hollësi, si më poshtë vijon:

⦁ Stoku i borxhit të qeverisjes qendrore 1 110 191 milionë lekë;
⦁ Stoku i borxhit të garantur nga qeverisja qendrore 43 500 milionë lekë.
⦁ Stoku i borxhit të qeverisjes vendore 750 milionë lekë.

Neni 19

Në rast të emetimit të një eurobondi të ri, vlera e të cilit mund të jetë më e lartë sesa vlera indikative prej 61 727 milionë lekësh, e shprehur në nenin 9, të këtij ligji, si dhe në rast të disbursimit të ndonjë kredie shtesë, në formën e “mbështetjes buxhetore” nga institucionet financiare ndërkombëtare, kufijtë respektivë për huamarrjen totale neto, rritjen vjetore të borxhit të qeverisjes qendrore dhe nivelin e vlerësuar të stokut total të borxhit publik, të përcaktuara në nenet 9 e 18, mund të tejkalohen deri sa shuma e dy vlerave të mëposhtme:

⦁ Diferenca ndërmjet vlerës faktike të eurobondit të emetuar dhe vlerës indikative prej 61 727 milionë lekësh;
⦁ Vlera e kredisë në formën e “mbështetjes buxhetore” të disbursuar.

Ndërkohë, niveli i deficitit të buxhetit të vitit 2020 mbetet i pandryshuar, sipas përcaktimit në nenin 1.

Qeveria mund të akumulojë dhe mund të mbajë në llogarinë e qeverisë në Bankën e Shqipërisë çdo gjendje shtesë të likuiditetit që mund të krijohet dhe mbartet për të financuar buxhetet e viteve fiskale pasardhëse, por, në mbyllje të vitit buxhetor gjendja e akumuluar nuk duhet të kalojë vlerën mesatare prej dy muajsh kumulativë të shpenzimeve buxhetore.

Neni 20

Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë të nxjerrë udhëzime për zbatimin e këtij ligji.

Neni 21

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2020.

K R Y E T A R I

GRAMOZ RUÇI

###
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR BUXHETIN E VITIT 2020”

Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për buxhetin e vitit 2020” për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2018, PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I MODERNIZUAR I MBETJEVE DHE EKONOMIA RICIKLUESE NË RESPEKT TË MJEDISIT (DKTI)””

Në mbështetje të neneve 81 e 100 të Kushtetutës dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2018, për projektin “Menaxhimi i modernizuar i mbetjeve dhe ekonomia ricikluese në respekt të mjedisit (DKTI)””, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

###

P R O J E K T L I GJ
PËR

RATIFIKIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM TEKNIK 2018, PËR PROJEKTIN “MENAXHIMI I MODERNIZUAR I MBETJEVE DHE EKONOMIA RICIKLUESE NË RESPEKT TË MJEDISIT (DKTI)”

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 121, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:

Neni 1

Ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2018, për projektin “Menaxhimi i modernizuar i mbetjeve dhe ekonomia ricikluese në respekt të mjedisit (DKTI)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është pjesë përbërëse e tij.

Neni 2

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E T A R I
GRAMOZ RUÇI

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.