Shijak, vijon puna për meremetimin e thellë të 27 pallateve me dëme DS1-DS3

Pallatet e dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit të shkuar në Shijak janë në proces meremetimi dhe puna vijon me ritme të larta që 27 pallatet e kategorizuar DS1-DS3 të jenë gati në dhjetor. Vitin e ri banorët e këtyre pallateve do të mund ta festojnë në një shtëpi më të mirë, më të bukur e mbi të gjitha, më të fortë se ajo që tërmeti dëmtoi.

Kryeministri ishte sot në një nga pallatet që po meremetohet, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana dhe nga ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj. Punimet në këtë pallat janë drejt fundit.  “Ndërhyrjet në këtë pallat kanë qenë meremetimi i fasadës, është ndërhyrë në strukturën e pallatit duke forcuar gjithë kolonat, është ndërdyrë në çdo apartament dhe më pas është bërë heqja e depozitave nga tarraca dhe janë vendosur 2 depozita të mëdha”, – shpjegoi kryetari i Bashkisë së Shijakut.

Ndërkohë banorët e këtij pallati duke qenë se janë kategorizuar në shkallën DS3 të dëmeve, janë trajtuar edhe me bonus qeraje. Përveç pallatit, sheshi përballë tij, që dikur ishte parkim makinash, është rikualifikuar, duke u kthyer në një hapësirë të cilën banorët mund ta shfrytëzojnë sipas nevojave të tyre për t’u relaksuar.

“Shtëpia ka qenë me shumë dëmtime pas tërmetit, – tha një nga pronarët e apartamenteve të rikonstruktuar, – plus, muret kanë qenë shtrembër. Tani u bë një punë e shkëlqyer”.

Kryeministri Rama e vlerësoi punën e bërë nën kujdesin e kryebashkiakut Arbana, teksa shtoi se pas ndërhyrjeve” u rritet dhe vlera apartamenteve”.

Puna vijon me ritme të larta, ndërkohë, edhe për njësitë individuale në këtë bashki, teksa një nga një familjet po rikthehen në shtëpitë e tyre të reja.

***

Edhe në Xhafzotaj në Shijak vazhdon kthimi në shtëpi të reja. Ndërkohë puna vijon pa pushim për të gjithë ata që u prekën nga tërmeti i nëntorit të shkuar. Në 300 shtëpi të kësaj zone do të festohet Viti i Ri dhe do të nisë një jetë e re për familjet që u goditën natën e 26 nëntorit të shkuar.