Shkolla model në Gosë pas rindërtimit

Programi i Rindërtimit po  i rikthen shkollat në funksionin e tyre më të mëdha e më të sigurta se ato që ishin para tërmetit të një viti më parë. Përfitues nga ky Program, edhe shkolla e mesme e bashkuar dhe kopshti në Gosë të Rrogozhinës janë gati, me një dukje e brendi krejt tjetër pas shkatërrimit të 26 nëntorit të shkuar. Shkolla, – siç informoi ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj në vizitën që Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot aty, – është dyfish në hapësirë me godinën e mëparshme.

Me 18 klasa, dy laboratorë, bibliotekë, sallë informatike, dy palestra dhe me një mini kopsht botanik, shkolla është gati të mirëpresë një vit pas tërmetit, 350 nxënësit e saj. “Si gjithë shkollat e tjera që po ndërtohen në kuadër të Rindërtimit është me standarde europiane dhe me të gjithë infrastrukturën për t’u kthyer në qendër komunitare”, – u shpreh ministri Ahmetaj, ndërsa theksoi se të gjithë shkollat që po rindërtohen janë të pajisura me sistem antizjarr dhe dalje emergjence.

Për ta përfunduar sa më shpejt që nxënësit t’i rikthehen normalitetit në mjediset e saj është punuar me tre turne dhe shkolla është ndërtuar në vetëm 5 muaj. Në Rrogozhinë janë edhe 4 objekte të tjera arsimore pjesë e Programit të Rindërtimit.