Takim në Qendrën e Emergjencave Durrës me investitorë dhe ndërtues të pallateve të banimit

Takimi i Kryeministrit Edi Rama në Qendrën e Emergjencave Durrës:

Kryeministri Edi Rama: Disa gjëra që nesër duhet të jenë në tavolinë:

  1. Lista e investitorëve, të cilët kanë ndërtuar pallate që janë me dëme, por janë nga pikëpamja strukturoreOk, pra, për të cilat grupet e inspektimit shqiptare dhe të huaja thonë “ky riparohet”. Nesër na duhet lista një për një. Këta do të thirren të gjithë dhe do t’u thuhet këto do t’i riparosh një nga një, jo si të thuash ti, por si të themi ne. Me të gjitha parametrat teknikë, me supervizion tek koka dhe çdo gjë. Nesër në darkë dua informacion, kush dhe ku janë këta, sepse mund të ketë ndonjë që nuk është këtu, mund të ketë ndonjë që bën si i falimentuar, ose është i falimentuar, nuk ka rëndësi. Gjëja e parë, ti që ke marrë bashkinë ta drejtosh deri në zgjedhje do t’i thërrasësh.
  2. Pallatet që janë minus, pra, që do të shemben, është problemi i inerteve. Nesër na duhet harta e Durrësit me pikat ku janë inertet. Do ta pastrojmë para Vitit të Ri komplet, siç u pastrua Lana me kuadrate. Kompanitë e ndërtimit do t’i thërras unë dhe do t’i them ky është kuadrati yt, pastroje.
  3. Inertet do të depozitohen të gjitha në Porto Romano. Do të çohen inertet dhe do të fillojë menjëherë projekti për ta hequr atë fushë plehrash dhe ta bëjmë park komplet, siç bëhen në botë nga këto inerte parqe. Ne e kemi filluar punën për ta bërë park atje. Tani, me këtë rast, pastrojmë edhe inertet, fitojmë edhe parkun.
  4. Dua hartën e tokës shtetërore që është në zonën e universitetit Ka një tokë aty ngjitur me zonën ekonomike, me të dhënat e hapësirës dhe të gjitha.
  5. Nga nesër në mëngjes, të gjithë punonjësit e administratës së Bashkisë së Durrësit duhet në çdo pikë ku ka njerëz të vendosen dy persona, gra dhe vajza kryesisht, që t’u shpjegojnë njerëzve me qetësi. Për pjesën e akomodimit mos i vononi. Kush vjen atje të regjistrohet. Kush realisht ka probleme ta çojnë në hotel, por të jetë i verifikuar që është pa shtëpi.

* * *

Takimi i Kryeministrit Edi Rama me investitorë dhe ndërtues të pallateve të banimit, të cilat kanë pësuar dëme gjatë tërmetit:

Kryeministri Edi Rama: Minimumi që i takon secilit prej jush është që të riparojë dëmet që janë shkaktuar edhe për shkakun tuaj. Natyrisht që dëmet i ka shkaktuar tërmeti. Natyrisht që për të gjitha rastet kur struktura e pallatit rezulton të jetë e padëmtuar, atëherë është një lehtësim i madh në aspektin e përgjegjësisë. Për të gjitha rastet, nëse do të ketë të tilla për pallate të ndërtuara pas viteve ’90-ve të cilat do të prishen, investitorët, ndërtuesit, konstruktorët do t’i çojmë për ndjekje penale. Pastaj natyrisht do të vendosë gjykata, nuk vendos qeveria. Por ajo që unë mendoj është se ata ndërtues janë për burg. Ky është mendimi im si popull.

Natyrisht ajo që ne na takon është t’i përcjellim përpara prokurorisë dhe gjykatës. Ndërsa në rastet kur kemi të bëjmë me një dëm sipërfaqësor, të gjithëve juve ju takon që ta riparoni vetë dëmin, duke patur në konsideratë standardet teknike që do të imponohen nga institucionet tona, pra, muret të riparohen plotësisht dhe ku ka dëme të tjera sipërfaqësore të riparohen plotësisht. Natyrisht që, nuk është as dëshira, as qëllimi që të shtojmë rreshtin e njerëzve që shkojnë për ndjekje penale, por, nëse dikush prej jush nuk do ta bëjë vetë, do të thotë që do ta bëjnë taksapaguesit, do të thotë dëm ekonomik i dyfishtë që i shkaktohet familjeve dhe shtetit. E për këtë dëm ekonomik të dyfishtë, secili do të përgjigjet penalisht dhe me shumë gjasë do të shkojë në burg.

Ju lutem merreni shumë seriozisht këtë gjë, sepse nuk ka kohë. Njerëzit ne nuk do t’i lëmë në rrugë, por, nëse ju do të ngrini një kantier menjëherë, do të bëni riparimet menjëherë, do të lehtësoni shumë veten, shpirtin tuaj, ndërgjegjen tuaj dhe pozicionin tuaj në raport me shoqërinë dhe me ligjin dhe do të na lehtësoni shumë edhe ne, sepse edhe ne do të lehtësojmë njerëzit. Prandaj mos humbi kohë duke e menduar gjatë. Nuk dua ta di fare se kush është situata juaj ekonomike sot. Unë dua t’ju them vetëm kaq, më mirë shitini të gjitha çfarë keni dhe ndërtoni ato që janë dëmtuar atje, sesa t’i humbni ato që keni dhe të humbi dhe lirinë.

Që nesër, bashkia është në dispozicionin tuaj dhe për objektet që do të marrin dritën jeshile nga inspektimi ndërkombëtar, gati për të filluar punën. Nuk po ju themi që të shkojmë deri tek dëmet materiale brenda shtëpive, por dëmet e godinës janë përgjegjësia juaj. Nuk ka fare se çfarë të diskutojmë. Më vjen jashtëzakonisht keq për atë që ka ndodhur, saqë nuk ndjej asnjë keqardhje për asnjë prej jush.

Nuk mundet dot që të ndërtosh  ato struktura aq solide, që do të thotë se ja keni bërë hyzmetin punës, kur vjen puna tek struktura, sepse keni patur frikë që me strukturën nuk luhet dhe pastaj mos bësh minimumin që muri të jetë i gjerë sa ç’është kolona, që është një parim që e di dhe njeriu i rrugës, mjafton që të ketë hedhur dy mistri dhe jo më unë që si kryetar bashkie jam marrë gjatë me këtë histori, – është e pakuptueshme. Sot ka mënyra të ndryshme, mund të bëhen me kartonxhes, mund të bëhen më të lehta, është puna juaj, nuk është puna ime. Ne do t’u japim standardin, do t’u vëmë supervizor mbi kokë që të keni besim dhe ju do të bëni punën. Nëse bëni punën, nga ana jonë jeni në rregull. Pastaj çfarë bën prokuroria, apo dikush tjetër nga ana e vet, nuk është puna jonë.

Kush do të tërhiqet nga kjo punë, do ta çojmë ne në prokurori dhe do të dal unë dëshmitar atje në emër të atyre njerëzve që janë të goditur. Ne nuk e lëmë pa bërë atë, por na bie që t’i marrim lekët nga taksat, nga buxheti, është dyfish. Kështu që çfarë keni, viheni në dispozicion atje. Jeta është e gjatë, keni kohë të riangazhoheni dhe të rehabilitoheni. Mos kurseni, mos kujtoni se do të mund të ikni dhe nuk do të jepni llogari nesër. Bjerini drejt, bjerini shkurt, ja keni detyrim këtyre njerëzve, ja keni detyrim vetes dhe familjes tuaj, ja keni detyrim dhe fëmijëve që t’u lini një emër pa njollë.

Këto mendoj unë, secili prej jush t’i nxjerri vetë konkluzionet.