Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Nëntor 2020

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 18 Nëntor 2020:

 

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS FEDERALE TË GJERMANISË, PËR BASHKËPUNIM FINANCIAR 2019, PËR PROJEKTIN “REHABILITIMI I HIDROCENTRALIT TË FIERZËS (DKTI)”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim financiar 2019, për projektin “Rehabilitimi i hidrocentralit të Fierzës (DKTI)”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE, TË DOKUMENTACIONIT DHE TË MASËS SË PËRFITIMIT TË NDIHMËS FINANCIARE PËR PUNONJËSIT DHE ISH-PUNONJËSIT E RAFINERISË SË NAFTËS, BALLSH

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. TË PËRGJITHSHME

1. Dhënie ndihme financiare prej 40 000 (dyzet mijë) lekësh në muaj për punonjësit dhe ish-punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, sipas listës bashkëlidhur këtij vendimi, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

2. Punonjësve, sipas pikës 1, të këtij kreu, t’u paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021, duke iu transferuar fondi përkatës Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

II. KRITERET DHE DOKUMENTACIONI PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Ndihma financiare llogaritet dhe jepet çdo muaj për punonjësit e rafinerisë së naftës, Ballsh, për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

2. Ndihmën financiare e përfitojnë punonjësit si më sipër, pavarësisht nëse kanë përfituar apo jo ndihmë financiare më parë.

3. Aplikimi për të përfituar ndihmën financiare për punonësit të cilët nuk kanë përfituar ndihmë financiare, sipas vendimit nr.305, datë 16.4.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurës, të dokumentacionit dhe të masës së përfitimit të ndihmës financiare për të punësuarit aktualë dhe të larguarit nga puna si pasojë e COVID-19”, bëhet nga vetë subjekti/individi nëpërmjet dorëzimit elektronik të të dhënave të përcaktuara në pikën 4, të këtij kreu.

Miratimi kryhet pas verifikimit të kritereve, bazuar në të dhënat që administrata tatimore disponon apo të dhënave që të punësuarit do të dorëzojnë.

4. Subjekti/individi aplikues duhet të paraqesë, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, elektronikisht, të dhënat e përfituesit, ku përfshihen:

a) të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS ku janë/kanë qenë të punësuar;
b) të dhënat identifikuese të individit si:

i. emrin, mbiemrin e përfituesit;
ii. numrin personal të identifikimit të përfituesit;
iii. bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
iv. IBAN-in e llogarisë bankare.

III. PROCEDURA E VERIFIKIMIT PËR PËRFITIMIN E NDIHMËS FINANCIARE

1. Administrata tatimore, brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e aplikimit, verifikon në sistemin tatimor, identifikon aplikuesit dhe të dhënat në kërkesën e tyre, duke verifikuar tatimpaguesin nëse është apo jo përfitues i ndihmës financiare.

2. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, pas verifikimeve sipas pikës 1, të këtij kreu, përpilon listat përmbledhëse të përfituesve, të ndara për çdo bankë të nivelit të dytë ku përfituesit kanë llogarinë rrjedhëse bankare. Për çdo listë përmbledhëse, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve përgatit një urdhër shpenzim të cilin ia paraqet Degës së Thesarit Tiranë për ekzekutim. Paralelisht me dërgimin e urdhrit të shpenzimit në Degën e Thesarit Tiranë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve paraqet në bankën respektive të nivelit të dytë listën përmbledhëse të individëve përfitues të ndihmës financiare, me qëllim transferimin e shumës së çdo individi në llogarinë e tij rrjedhëse, pranë kësaj banke. Lista përmbledhëse e individëve përfitues të ndihmës financiare, që paraqitet pranë bankës së nivelit të dytë, duhet të përmbajë të dhënat e mëposhtme:

a) Emrin, mbiemrin e përfituesit;
b) Numrin personal të identifikimit të përfituesit;
c) Bankën ku përfituesi ka llogarinë rrjedhëse bankare;
ç) IBAN-in e llogarisë bankare.
.
3. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ruan dhe administron dokumentacionin e përcaktuar sipas këtij vendimi, sipas dispozitave ligjore e nënligjore të parashikuara për ruajtjen e dokumentacionit dhe arkivat.

4. Drejtoria e Përgjthshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor miratojnë rregullat procedurale për zbatimin e këtij vendimi.

IV. MASA E NDIHMËS FINANCIARE

1. Ndihma financiare, që përfitojnë punonjësit/ish-punonjësit, përcaktohet në kreun I, të këtij vendimi.

2. Ndihma financiare do të jepet çdo muaj për periudhën nëntor 2020 – tetor 2021.

V. ÇËSHTJE TË FUNDIT

1. Efekti financiar për dymujorin nëntor – dhjetor 2020, në masën 92 261 140 (nëntëdhjetë e dy milionë e dyqind e gjashtëdhjetë e një mijë e njëqind e dyzet) lekë, të përballohet nga fondi i alokuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për dhënien e ndihmës financiare sipas paketave përkatëse për përballimin situatës së krijuar nga COVID-19. Efekti financiar, për vitin 2021, në masën në masën 461 305 700 (katërqind e gjashtëdhjetë e një milionë e treqind e pesë mijë e shtatëqind) lekë, përballohet nga buxheti i vitit 2021, nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

2. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS TË PASURISË 4/63-N129, TË LLOJIT “NJËSI”, ME SIPËRFAQE 230 M2, ZONA KADASTRALE 8514, NJËSIA ADMINISTRATIVE DURRËS, DHE PËR NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.448, DATË 16.6.2005, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI ZYRËS QENDRORE TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës të pasurisë 4/63-N129, të llojit “njësi”, me sipërfaqe 230 (dyqind e tridhjetë) m2, zona kadastrale 8514, njësia administrative Durrës, sipas formularit gjithsej 1 (një) fletë, hartës treguese dhe planimetrisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij, me qëllim ushtrimin e funksioneve administrative të drejtorisë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës.

2. Pasuria e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohet listës së inventarit të miratuar me vendimin nr.448, datë 16.6.2005, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar.
3. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Kavajë, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Fier, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Lushnjë, Korçë, Lezhë, Vlorë, Zonat e Stimuluara, Tiranë Rurale 2.

2. Masa e kompensimit është 67 346,4 (gjashtëdhjetë e shtatë mijë e treqind e dyzet e gjashtë presje katër) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 597 547 093 (pesëqind e nëntëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e dyzet e shtatë mijë e nëntëdhjetë e tre) lekë, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë sipas kolonës 14, të shtojcës 1, përkatësisht: nr.4, nr.13, nr.26, nr.33, nr.34, nr.35, nr.73, nr.90, nr.92, nr.100, nr.102, nr.103, nr.104, nr.108, nr.109, nr.116, nr.121, nr.124, nr.135, nr.143, nr.157, nr.232, nr.241, nr.242, nr.243, nr.245, nr.262, nr.263, nr.266, nr.277, nr.278, nr.298, nr.299, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.

4. Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Kavajë, Tiranë Rurale 1, Kamzë-Vorë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Fier, Elbasan, Durrës, Gjirokastër, Lushnjë, Korçë, Lezhë, Vlorë, Zonat e Stimuluara, Tiranë Rurale 2, të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri, në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E PAKETËS SË BARNAVE PËR TRAJTIMIN AMBULATOR NË BANESË TË PERSONAVE TË DIAGNOSTIKUAR ME COVID-19, QË DO TË FINANCOHET NGA FONDI I SIGURIMIT TË DETYRUESHËM TË KUJDESIT SHËNDETËSOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 10, të ligjit nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Rimbursimin e paketës së barnave për trajtimin ambulator në banesë për personat e diagnostikuar me COVID-19 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

2. Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të pacientëve të diagnostikuar me COVID-19 përbëhet nga dy skema trajtimi, në përputhje me formën e sëmundjes, sipas udhëzuesit të miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve.

3. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 1 të trajtimit (forma e lehtë) do të jetë jo më shumë se 1 650 (një mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë) lekë.

4. Vlera e rimbursimit të paketës së barnave për skemën 2 të trajtimit (forma e mesme) do të jetë jo më shumë se 10 900 (dhjetë mijë e nëntëqind) lekë.

5. Mjeku i familjes, për personat e testuar pozitiv për Sars-Cov-2 (të konfirmuar nga institucionet shëndetësore publike përgjegjëse), në përputhje me formën e sëmundjes dhe indikacionet e përcaktuara në udhëzuesin e miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, lëshon recetën me rimbursim, sipas rregullave të përcaktuara nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

6. Për diagnozën COVID-19, e gjithë popullata konsiderohet përfituese nga skema e sigurimeve shëndetësore, duke u regjistruar dhe identifikuar si e siguruar.

7. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

8. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

RREGULLAT, KUSHTET, KRITERET E PROCEDURAT E PRIVATIZIMIT TË BANESAVE DHE TË OBJEKTEVE TË KTHYERA NË FOND BANESE TË PAPRIVATIZUARA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikave 1, shkronjat “b”, “c” dhe |ç”, 2 e 3, të nenit 77, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Qëllimi dhe fusha e veprimit

1. Qëllimi i këtij vendimi është finalizimi i procedurave të privatizimit të objekteve të paprivatizuara për:

a) banesat e ndërtuara me fonde publike nga Enti Kombëtar i Banesave (në vijim, EKB), pavarësisht nëse kanë kaluar ose jo në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore ku ato ndodhen, të cilat, deri në fund të vitit 2007, kanë rezultuar me kontrata të palidhura, si dhe banesat e ndërtuara me fonde publike nga EKB-ja, që rezultojnë me kontrata të zgjidhura e të liruara me vendim gjykate;
b) banesat dhe objektet e kthyera në fond banese, që, me vendime të Këshillit të Ministrave, i kanë kaluar në administrim EKB-së, me qëllim privatizimin e tyre;
c) banesat ose objektet e kthyera në fond banese me vendime të organeve të vetëqeverisjes vendore, ato që kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, si dhe ato që figurojnë ende në pronësi të shtetit, ku, me autorizime të dhëna nga organet kompetente, janë sistemuar me strehim banorët përpara vitit 2004;
ç) objektet që kanë mbetur të lira nga ristrukturimi i Forcave të Armatosura, përveç rasteve kur me ligj të veçantë janë përcaktuar procedura të tjera për privatizimin e tyre.

2. Të drejtën për privatizim e kanë të gjithë anëtarët e familjes që rezultojnë në certifikatën e gjendjes familjare aktuale në momentin që fillon procesi i privatizimit. Privatizimi i banesave ose i objekteve të kthyera në fond banese, sipas këtij vendimi, bëhet bazuar në normat e strehimit në fuqi në momentin e privatizimit. Për efekt të llogaritjes së vlerës së privatizimit e të evidentimit të sipërfaqes së mundshme të tepërt të banimit, referimi do të bëhet në certifikatën e gjendjes familjare në momentin e miratimit të së drejtës së përfitimit të strehimit. Çdo sipërfaqe e përfituar mbi atë të normave të strehimit llogaritet me çmimin e tregut, me përjashtim të rastit të ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve të Forcave të Armatosura, për të cilët sipërfaqja e banimit mbi normat e strehimit trajtohet njëlloj si sipërfaqja brenda normave të strehimit.

3. Rastet e privatizimit të banesave ose të objekteve të kthyera në fond banese në favor të familjeve/individëve që përfitojnë nga ky vendim do të konsiderohen në kuadrin e programit të banesave me kosto të ulët e familjet/individët që përfitojnë nga këto privatizime do të gëzojnë të gjitha lehtësitë që parashikon ligji sipas kategorive të përfituesve.

4. Procedura e privatizimit të banesave dhe të objekteve të kthyera në fond banese, sipas këtij vendimi, fillon vetëm pasi të jetë lëshuar certifikata e pronësisë nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës, përkatësisht, në emër të EKB-së ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Për objekte që privatizohen sipas këtij vendimi, por që janë në pronësi të një organi shtetëror në momentin e hyrjes në fuqi të tij, njësitë e vetëqeverisjes vendore kërkojnë kalimin e së drejtës së pronësisë mbi to, me qëllim privatizimin.

5. Për objektet ndërtimore që janë në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes e që janë dhënë me autorizim për marrjen në posedim për qëllime strehimi për ish-ushtarakët dhe ushtarakët e Forcave të Armatosura, procedura e privatizimit do të kryhet sipas këtij vendimi nga EKB-ja pasi t’i kalohet e drejta e pronësisë mbi këto objekte dhe sipas parashikimit në shkronjën “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi. Për objektet që privatizohen sipas këtij vendimi për ushtarakët e Forcave të Armatosura, lista dërgohet e konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes para se të fillojë procedura e privatizimit, kur subjekti nuk ka një autorizim të mëparshëm të lëshuar nga organet kompetente.

II. Detyrat e njësive përgjegjëse për privatizimin

6. Njësia përgjegjëse për privatizimin në EKB ose në njësinë e vetëqeverisjes vendore ka për detyrë:

a) të kontrollojë kërkesat e depozituara nga subjektet e interesuara për privatizim, duke dhënë ndihmën përkatëse, në rast nevoje për plotësimin e formularëve të privatizimit;
b) të konfirmojë që objekti i kthyer në fond banese që do të privatizohet ndodhet brenda një zone të parashikuar për banim, në të cilën nuk parashikohet të kryhet një investim publik ose nuk parashikohen ndërtime më të larta se 5 (pesë) kate;
c) të llogarisë vlerën e privatizimit për çdo familje;
ç) të marrë vendim për pranimin ose refuzimin e privatizimit;
d) të përgatisë kontratën e privatizimit;
dh) të përgatisë dosjen e privatizimit;
e) të dërgojë dosjen, përfshirë kontratën e privatizimit për regjistrim, në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.

7. Menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, EKB-ja dhe njësia e vetëqeverisjes vendore kryejnë këto veprime:

a) Për banesat e ndërtuara me fonde shtetërore, sipas shkronjave “a”, “b” e “c”, të pikës 1, të këtij vendimi:

i. njësitë e vetëqeverisjes vendore verifikojnë dokumentacionin, nëpërmjet të cilit banesat e ndërtuara nga EKB-ja, me fonde publike, kanë kaluar në pronësi të tyre;
ii. EKB-ja verifikon listën e banesave që janë ndërtuar nga EKB-ja me fonde publike dhe që deri në fund të vitit 2007 rezultojnë me kontrata të palidhura;
iii. rifreskojnë gjendjen juridike të këtyre banesave, me qëllim verifikimin e pronësisë së tyre ndaj këtyre banesave, para se të vijojnë me vënien e banesave në dispozicion të programeve të strehimit social apo të privatizimin e tyre;
iv. përgatisin një raport analitik për privatizimin e banesave apo përdorimin e këtyre për njërin nga programet e strehimit social, i cili paraqitet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore për miratim pranë këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore ose nga drejtori i Përgjithshëm i EKB-së pranë këshillit drejtues të EKB-së, kur banesat janë në pronësi të tij. Raporti specifikon banesat që janë identifikuar për t’iu nënshtruar procedurës së privatizimit dhe ato për t’u përdorur për njërin nga programet e strehimit social. Analiza bazohet në mundësitë ekonomike të familjeve banuese për të përballuar kostot e privatizimit.

b) Për objektet të kthyera në banesa, sipas shkronjave “b”, “c” e “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, të cilat, me vendim të Këshillit të Ministrave, i kanë kaluar në pronësi EKB-së ose njësisë së vetëqeverisjes vendore për privatizim në favor të familjeve banuese në to, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore verifikojnë dhe konfirmojnë:

i. familjet që jetojnë në këto objekte dhe statusin ligjor të këtyre familjeve;
ii. dokumentin, sipas të cilit familjet e kanë poseduar objektin, të tillë si: autorizim nga organet kompetente administrative, kontratë qiraje, kontratë huapërdorjeje, procesverbal të marrjes në dorëzim, ose dokumente të tjera të ngjashme me to;
iii. ekzistencën e objektit;
iv. përmbushjen e kushteve minimale të sigurisë të banimit;
v. nëse familjet poseduese, ndonëse u është dhënë e drejta e privatizimit, e refuzojnë këtë të drejtë, sepse nuk janë dakord me vlerën e privatizimit ose janë në pamundësi financiare për të kryer privatizimin;
vi. nëse banesa është e banuar ose jo;
vii. nëse banesa është plotësisht ose pjesërisht brenda gjurmës fillestare të ndërtimit;
viii. pronësinë e truallit nën objekt;
ix. sipërfaqen e banimit.

8. Nëse, pas verifikimit sipas nënndarjeve “i” dhe “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 7, rezulton se:

a) familjet/individët që banojnë në to nuk janë përfshirë në listat e miratuara në aktet përkatëse;
b) familjet/individët pretendojnë se i kanë blerë ose marrë me qira nga banorët e mëparshëm;
c) aktet nënligjore nuk janë të shoqëruara me listat emërore të përfituesve nga privatizimi;
ç) emrat dhe/ose mbiemrat e përfituesve kanë pasaktësi të karakterit material,

atëherë EKB-ja i kërkon njësisë së vetëqeverisjes vendore të verifikojë familjet që banojnë aktualisht e të dërgojë listën e konfirmuar me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Edhe në rastet kur objektet kanë kaluar në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore, ato kryejnë për llogari të tyre të njëjtat verifikime dhe konfirmim të listave me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.

9. Nëse, pas verifikimit sipas shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, rezulton se:

a) në objekt nuk banon asnjë familje/individ, sipas nënndarjes “vi”, të shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, atëherë EKB-ja ose njësitë e vetëqeverisjes vendore njoftojnë subjektin që ka emrin në listat e vendimit të Këshillit të Ministrave ose të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, në përputhje me rregullat e parashikuara në Kodin e Procedurave Administrative. Nëse subjekti nuk shfaq vullnetin e tij për privatizim ose nuk paraqitet brenda 90 (nëntëdhjetë) ditëve nga kryerja e njoftimit në përputhje me rregullat e parashikuara në kreun II, të Kodit të Procedurave Administrative, ai konsiderohet se e ka humbur të drejtën për privatizim. Në këtë rast objekti përdoret si banesë sociale me qira duke iu shtuar fondit publik të banesave sociale;
b) në objekt janë bërë, pas datës 10.8.1991, shtesa anësore ose shtesa kati, jashtë gjurmës fillestare të ndërtimit, sipas nënndarjes “vii”, të shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, privatizimi do të kryhet vetëm për atë pjesë të banesës ose të objektit që bie brenda gjurmës së ndërtimit, sipas certifikatës së pronësisë. Shtesat anësore ose ato të katit trajtohen nga ASHK-ja, sipas nenit 17, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë;
c) sipas nënndarjes “viii”, të shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, trualli nën objektin, subjekt i privatizimit, është në pronësi të personave të tretë privatë, privatizimi mund të kryhet vetëm pasi pronari i truallit të jetë trajtuar në përputhje me legjislacionin në fuqi për trajtimin e pronës, sipas vendimeve të Agjencisë së Trajtimit të Pronave ose kur ATP-ja vërteton se personi i tretë ka hequr dorë nga e drejta e parablerjes sipas formës dhe mënyrës së parashikuar ligjore.

10. Privatizimi sipas këtij vendimi nuk kryhet:

a) nëse objekti është shembur ose është i pabanueshëm;
b) nëse nga përshtatjet ka ndryshuar tërësisht planimetria dhe struktura origjinale e objekteve, aq sa nuk ekzistojnë më elementet ndërtimore të objektit fillestar;
c) kur trualli nën objekt është në pronësi të subjekteve të shpronësuara, të cilave u është njohur e drejta e parablerjes kur ato të privatizohen, sipas nenit 22, të ligjit nr.133/2015, dhe kanë përfituar nga kjo e drejtë, duke mos hequr dorë nga e drejta e parablerjes;
ç) kur me vërtetim të ASHK-së rezulton se familja/individi disponojnë njësi banimi në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku banojnë aktualisht, si dhe nga vendi i origjinës, të cilën e kanë përfituar më parë nga privatizimi i banesave ose nga programe të strehimit social;
d) kur personat që banojnë në banesë nuk kanë asnjë dokumentacion që parashikohet në nënndarjen “ii”, të shkronjës “b”, të pikës 7, të këtij vendimi, që të provojë të drejtën e tyre të përdorimit të objektit, të tilla si: autorizim nga organet kompetente, procesverbal për marrjen në dorëzim, kontratë qiraje apo çdo dokument tjetër që tregon se ata kanë pasur të drejtën të banojnë në objektin përkatës, ose nuk marrin konfirmimin nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe nga EKB-ja, sipas parashikimit të pikës 8, të këtij vendimi;
dh) nëse objekti rezulton i pakthyer në fond banese nga njësia e vetëqeverisjes vendore, në juridiksionin territorial të së cilës ndodhet objekti ose nuk ka kaluar në pronësi të EKB-së, ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
e) kur subjekti, pavarësisht nga e drejta për të lidhur kontratë privatizimi, refuzon në formë të shprehur ose të dokumentuar, të lidhë kontratë privatizimi;
ë) kur subjektet janë në konflikt gjyqësor, pasi kanë pretendime mbi të njëjtin objekt ose banesë, deri në marrjen e vendimit të formës së prerë.

11. Banesat e objektet e kthyera në fond banese sipas shkronjave “b” dhe “ç”, të pikës 1, të këtij vendimi, që nuk privatizohen e janë në pronësi të EKB-së, transferohen, sipas procedurave ligjore për transferimin e pronësisë, në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore për t’iu shtuar fondit publik të banesave sociale. Shpenzimet që nevojiten për procedurat e transferimit kryhen nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Për banesat e tjera, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij vendimi, të mbetura pa u privatizuar, EKB-ja lidh kontrata qiraje sipas rregullave të parashikuara për programin e banesave sociale me qira, në zbatim të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”.

12. Brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e dorëzimit zyrtarisht të certifikatës së pronësisë, nga ASHK-ja për EKB-në ose njësinë e vetëqeverisjes vendore, këto njoftojnë me postë dhe me mjete të njoftimit publik familjet/individët përfitues nga privatizimi, përkatësisht sipas listës bashkëlidhur vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, në rastet e familjeve të miratuara me lista të tilla, ose sipas listës së miratuar nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Njoftimi publik përfshin njoftimin elektronik në faqen zyrtare on-line të saj, afishimin e njoftimit në mjediset e EKB-së ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore, botimin e njoftimit në gazetën e pushtetit vendor dhe/ose botimin e njoftimit në gazetën e përditshme me tirazh shitjeje më të madh në treg, njoftimin me postë, të thjeshtë ose e të porositur, dorëzimin personalisht të njoftimit, nëpërmjet të të tretit apo postës, për të paraqitur kërkesat e tyre për privatizimin e banesave, të objekteve të kthyera në fond banese dhe për procedurat që duhet të ndjekin. Njoftimi përmban informacion lidhur me procedurat e dokumentacionin e nevojshëm, afatet në dispozicion të procedurës së privatizimit, si dhe hapësirën e nevojshme për të shprehur konfirmimin se përfituesi e ka marrë njoftimin.

III. Procedura e privatizimit

13. Procedura e privatizimit fillon mbi bazën e kërkesës:

a) së subjektit përfitues nga privatizimi; ose,
b) në rast vdekjeje, të trashëgimtarëve të tij; ose
c) të çdo personi që përfaqëson me prokurë nga subjekti i përcaktuar në shkronjat “a” dhe “b”, të kësaj pike.

14. Kërkesa duhet të dërgohet me rrugë postare (letër rekomande), brenda një muaji nga njoftimi publik i EKB-së ose i njësisë së vetëqeverisjes vendore në territorin administrativ të së cilës ndodhet banesa. Kërkesa duhet të përmbajë të dhënat, si më poshtë vijon:

a) Njësinë e vetëqeverisjes vendore ose EKB-në, së cilës i drejtohet;
b) Të dhënat personale të plota të subjektit kërkues;
c) Të dhënat lidhur me banesën ose objektin e kthyer në fond banese, për të cilin kërkohet privatizimi, me përjashtim të rastit kur këto të dhëna i kanë EKB-ja apo njësitë e vetëqeverisjes vendore;
ç) Datën e kërkesës e nënshkrimin e kërkuesit; dhe
d) Adresën e komunikimit, duke përfshirë dhe adresën elektronike në zgjedhje të subjektit.

15. Brenda 2 (dy) muajve nga marrja e njoftimit nga EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore, përfituesi duhet të plotësojë dokumentacionin e nevojshëm për privatizim. Dokumentacioni duhet të përmbajë:

a) kërkesën me shkrim të qytetarit për privatizimin e banesës së miratuar;
b) dokumentin e identifikimit të kërkuesit (letërnjoftim dhe/ose pasaportë biometrike);
c) autorizimin për strehim, lëshuar nga organet kompetente, nëse ka një të tillë;
ç) vendimin e këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, referuar kërkesës së EKB-së, për miratimin e familjes që do të strehohet në banesën e liruar me vendim gjykate;
d) certifikatën e gjendjes familjare aktuale për të përcaktuar subjektet që kanë të drejtë privatizimi dhe për përcaktimin e sipërfaqes tepër mbi normën e banimit në varësi të numrit të anëtarëve të familjes;
dh) vërtetimin negativ nga ASHK-ja për të gjithë anëtarët madhorë të familjes se nuk disponojnë njësi banimi në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore ku banojnë aktualisht, të cilën e kanë përfituar më parë nga privatizimi i banesave ose nga programe të strehimit social;
e) dokumentin nga organet tatimore për kryefamiljarin dhe/ose anëtarët e familjes, nëse ushtrojnë aktivitet privat;
ë) deklaratën me shkrim nga ana e përfituesit për vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur për privatizim;
f) në rastin e shlyerjes së vlerës së privatizimit me këste, dokumentacionin për vërtetimin e të ardhurave familjare, si më poshtë vijon:

i. Vërtetim përkatës nga punëdhënësi për vendin e punës/pozicionin dhe të ardhurat neto të kryefamiljarit e të anëtarëve të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune;
ii. Vërtetim nga zyra e ndihmës e përkujdesit pranë njësive të vetëqeverisjes vendore përkatëse për anëtarët e familjes të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar;
iii. Vërtetim nga zyra e punësimit të njësive të vetëqeverisjes vendore përkatëse, për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë;
iv. Vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.

16. EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga plotësimi i dokumentacionit të përfituesve për privatizim, përfundon shqyrtimin e dosjeve dhe vendos për:

a) pranimin e kërkesës;
b) refuzimin e kërkesës, kur nuk plotësohen kushtet e dokumentacioni i nevojshëm për privatizim sipas parashikimeve në këtë vendim;
c) kthimin e kërkesës për plotësimin e mangësive në dokumentacion.

17. Plotësimi i mangësive nga subjekti bëhet brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e marrjes së njoftimit nga njësia e vetëqeverisjes vendore ose EKB-ja. Mosplotësimi i mangësive, brenda afatit të përcaktuar më sipër, sjell mospranimin e kërkesës.

18. Subjekti që nuk depoziton kërkesën e dokumentacionin e përcaktuar në pikën 15, të këtij vendimi, humbet të drejtën për të kërkuar privatizimin e banesës në të cilën është strehuar.

19. Kur ndonjë nga anëtarët madhorë të familjes, që figuron si pjesëtar në certifikatën e gjendjes familjare të saj, nuk banon në banesë në momentin e privatizimit, nuk merr njoftimin për privatizim dhe, për rrjedhojë, nuk dorëzon dokumentacionin e nevojshëm e nuk paraqitet për të lidhur kontratën, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore bën njoftimin me shpallje publike në faqen e saj zyrtare on-line. Nëse brenda 3 (tre) muajve nga shpallja publike personi përsëri nuk paraqitet, procedura e privatizimit vijon e kontrata lidhet me anëtarët e tjerë madhorë të familjes.

20. Kur ndonjë nga anëtarët madhorë të familjes, që figuron si pjesëtar i certifikatës së gjendjes familjare të saj, heq dorë nga privatizimi, e drejta e tij/saj u kalon anëtarëve të tjerë të familjes, duke u ndarë në pjesë të barabarta, sipas rregullave për heqjen dorë, të parashikuara nga Kodi Civil.

21. Kur përfituesit nga privatizimi refuzojnë që të paguajnë vlerën e privatizimit të banesës ose të objektit të kthyer në banesë, humbasin të drejtën e privatizimit dhe marrëdhënia e tyre vazhdon me statusin e qiramarrësit.

22. Pas privatizimit në emër të përfituesve që banojnë aktualisht në momentin e privatizimit, subjektet që nuk banojnë më në të, pavarësisht se përfitonin nga një listë e mëparshme bashkëlidhur një akti ligjor apo nënligjor, e humbasin të drejtën për privatizimin e tyre.

IV. Llogaritja e vlerës së privatizimit

23. Llogaritja e vlerës së privatizimit (Vp) për objektet që janë kthyer në fond banese, sipas shkronjave “b”, “c” dhe “ç”, pikës 1, të këtij vendimi, si dhe të pikës 2, të nenit 77, të ligjit nr.22/2018, vlera e privatizimit realizohet sipas formulës:

Vp = Vb + Vt – Vsh – Vg,

ku:

Vb – është vlera e njësisë së banimit që i takon një familjeje/individi, sipas normave të strehimit në fuqi. Për çdo njësi banimi, kjo vlerë llogaritet bazuar në kuotën e pjesëmarrjes në bashkëpronësi, shumëzuar me vlerën e objektit. Për banesat dhe objektet e ndërtuara përpara vitit 1990, vlera e objektit llogaritet me koston e ndërtimit të banesave përpara vitit 1990, e barabartë me 400 (katërqind) lekë/m2. Për banesat e ndërtuara pas vitit 1990 me fonde shtetërore nëpërmjet EKB-së, vlera e objektit është e barabartë me vlerën e investuar nga EKB-ja dhe reduktuar me normën e amortizimit 1 (një) % në vit sipas moshës së objektit nga viti i ndërtimit deri në vitin e privatizimit, por jo më shumë se një vit nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

Vsh – janë shumat që qytetarët kanë paguar për lidhje kontrate provizore me EKB-në. Njësia e vetëqeverisjes vendore, me vendim të këshillit bashkiak, mund të vendosë të zbresë pagesat e kryera për qiranë e paguar gjatë periudhës së shfrytëzimit të banesës, nëse ajo nuk ka shpenzuar fonde për administrimin e mirëmbajtjen e tyre.

Vt – është vlera e truallit e llogaritur si produkt i sipërfaqes së truallit që i takon njësisë se banimit që privatizohet sipas kuotës së pjesëmarrjes në bashkëpronësi me vlerën e truallit, sipas vendimit të Këshillit të Ministrave për efekt kompensimi të pronës.

Vg – është vlera e grantit të menjëhershëm për individët/familjet që përcaktohen në pikën 1, të nenit 46, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Vlera e grantit të menjëhershëm llogaritet sa 10 (dhjetë) % e Vb-së.

24. Në rastin kur familja ka përshtatur objektin për banesë me fondet e veta, në vlerën e privatizimit nuk përfshihet vlera e objektit (Vb). Me përshtatje të objektit, sipas kësaj pike, kuptohen punime të kryera brenda perimetrit të objektit ekzistues, sipas njollës së regjistruar në regjistrat e kadastrës.

25. Në rastin kur objekti i kthyer në fond banese është përshtatur me fondet e vetë banorëve, procedura e privatizimit kryhet vetëm për pjesën e objektit që përputhet me kufijtë e objektit origjinal, sipas certifikatës së pronësisë.

26. Subjekti i interesuar për privatizimin ka të drejtë t’i drejtohet me shkrim EKB-së ose njësisë së vetëqeverisjes vendore për çdo ankim lidhur me përllogaritjet e kryera në formularët e përcaktuar në këtë vendim. Ato kanë detyrimin t’i kthejnë përgjigje me shkrim brenda 10 (dhjetë) ditëve.

V. Lidhja e kontratës së privatizimit

27. Afati brenda të cilit përfituesit duhet të lidhin kontratat e privatizimit për objektet që janë në administrim të EKB-së ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore është deri në 2 (dy) vjet nga pajisja e tyre me certifikatën e pronësisë dhe, për ato që certifikata e pronësisë ka dalë para këtij vendimi, afati dyvjeçar fillon nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.

28. Kur certifikata e pronësisë ka dalë në emër të EKB-së ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore për gjithë objektin në tërësi, institucionet përgjegjëse për privatizim bëjnë aplikim për lëshimin e certifikatave të ndara sipas banesave që përbëjnë objektin. Në këtë rast, afati dy vjeçar për lidhjen e kontratës fillon nga nxjerrja e certifikatave të pronësisë për banesat e veçanta.

29. Para nënshkrimit të kontratës, përfituesi i privatizimit paguan vlerën e shpenzimeve operacionale. Në rastin kur privatizimi kryhet nga EKB-ja, shpenzimet operacionale janë sa 4 (katër) % e vlerës së privatizimit. Kur privatizimi kryhet nga njësia e vetëqeverisjes vendore, shpenzimet e administrimit të procesit të privatizimit mbulohen nga të ardhurat që vilen nga privatizimi. Me pagimin e këtij detyrimi, përfituesi i privatizimit ka të drejtë të nënshkruajë kontratën, duke paguar vlerën e plotë të privatizimit në mënyrë të menjëhershme ose me këste mujore të përballueshme, sipas parashikimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, me interes jo më të lartë se 2 (dy) % në vit. Përqindja e interesit përcaktohet për EKB-në me vendim të këshillit drejtues të institucionit dhe për njësitë e vetëqeverisjes vendore me vendim të këshillit bashkiak përkatës.

30. Kontrata e privatizimit formalizohet me akt noterial dhe bëhet në 4 (katër) kopje identike, prej të cilave: një kopje e mban noteri; një kopje i jepet subjektit përfitues; një kopje, së bashku me dokumentacionin, i dërgohet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës; një kopje arkivohet në dosjen e EKB-së ose të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Shpenzimet noteriale për lidhjen e kontratës dhe tarifa e regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi për kadastrën, janë në ngarkim të subjektit përfitues nga privatizimi i banesës.

31. Dosja e privatizimit për çdo njësi banimi në banesat ose në objektet e kthyera në fond banese, që i dërgohet ASHK-së, përmban:

a) kontratën e shitjes së njësisë së banimit (kontratën e shitjes me rezervë të pronës, mbështetur në nenin 746, të Kodit Civil, kur shlyerja është parashikuar me këste ose kontratën e shitjes kur shlyerja është parashikuar të kryhet menjëherë), të lidhur përpara noterit, sipas certifikatës familjare;
b) llogaritjen e vlerës së privatizimit sipas formularit të llogaritjes parashikuar sipas këtij vendimi;
c) planimetrinë e njësisë së banimit objektit;
ç) sipërfaqen e truallit që i takon njësisë së banimit;
d) planvendosjen e objektit, ku ndodhet njësia e banimit, së bashku me kufizimet e pronësisë së truallit;
dh) vërtetimin e shlyerjes së plotë të çmimit të privatizimit.

32. Për kontratat e privatizimit që shlyhen me këste, EKB-ja ose njësia e vetëqeverisjes vendore lidh me subjektin/subjektet përfituese kontratë shitjeje me rezervë të pronës, deri në shlyerjen e plotë të vlerës së privatizimit e të shpenzimeve përkatëse, e cila regjistrohet në ASHK që në momentin e lidhjes së bashku me dosjen e privatizimit.

33. Me shlyerjen e plotë të vlerës së privatizimit, struktura përgjegjëse për privatizimin në EKB ose në njësinë e vetëqeverisjes vendore, për ndjekjen dhe zbatimin e kontratës së privatizimit, lëshon vërtetimin përkatës, në favor të subjektit përfitues. Me lëshimin e vërtetimit në përfundim të përmbushjes së detyrimeve kontraktore, një kopje e tij depozitohet në dosjen e privatizimit, e cila i përcillet Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, me qëllim regjistrimin e kalimit të pronësisë mbi banesën, apartamentin e truallin përkatës në favor të personit përfitues pa rezervë dhe marrjen e certifikatës së pronësisë mbi banesën, apartamentin dhe truallin përkatës.

34. Të ardhurat nga vlera e privatizimit arkëtohen përkatësisht nga njësitë e vetëqeverisjes vendore ose EKB-ja. Fondet e përfituara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore, nëpërmjet privatizimit të banesave objekt i këtij akti, përdoren nga njësia e qeverisjes vendore kryesisht për financimin e programeve të strehimit social.

VI. Çështje të fundit
35. Ngarkohen Enti Kombëtar i Banesave, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARIT TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA PROJEKTI “NDËRHYRJE NË INFRASTRUKTURËN E RRUGËVE ‘ANDREA PAPAJ’ DEGËZIMI 1 DJATHTAS, DEGËZIMI 2 DJATHTAS, LUSHNJË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarit të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga projekti “Ndërhyrje në infrastrukturën e rrugëve ‘Andrea Papaj’ degëzimi 1 djathtas, degëzimi 2 djathtas, Lushnjë”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Lushnjë.

3. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohet, të kompensohet në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasurinë e llojit tokë “truall”, me vlerë 136 996 (njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 136 996 (njëqind e tridhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh, të përballohet nga Bashkia Lushnjë.

5. Shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga buxheti i vitit 2020, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronari i pasurisë së paluajtshme, pronë private, i pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohet, për efekt shpronësimi, pasi të ketë paraqitur certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e Bashkisë Lushnjë.

8. Bashkia Lushnjë të kryejë procedurat për likuidimin e pronarit të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Përfundimi i punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara në kontratat e lidhura nga Bashkia Lushnjë me sipërmarrësit e punimeve.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Lushnjë, të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Bashkisë Lushnjë.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Lushnjë.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Lushnjë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Lushnjë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT, PËR FINANCIMIN E RINDËRTIMIT TË KONVIKTIT TË SHKOLLËS SË MESME PROFESIONALE “KOLIN GJOKA”, BASHKIA LEZHË DHE CAKTIMIN E BASHKISË LEZHË SI NJËSI ZBATUESE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “i” dhe “iii”, 16 e 36, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përdorimin e fondit të rindërtimit, për financimin e rindërtimit të konviktit të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka”, Bashkia Lezhë, në vlerën 155 000 000 (njëqind e pesëdhjetë e pesë milionë) lekë.

2. Përdorimi i fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, për financimin e rindërtimit të konviktit të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka”, Bashkia Lezhë, të jetë në vlerën 31 000 000 (tridhjetë e një milionë) lekë dhe

të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit.

3. Caktimin e Bashkisë Lezhë si njësi zbatuese për financimin e rindërtimit të konviktit të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka”, Bashkia Lezhë.

4. Fondi për financimin e rindërtimit të konviktit të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka”, Bashkia Lezhë, i transferohet njësisë zbatuese, Bashkisë Lezhë.

5. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Bashkia Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E DOKUMENTIT “STANDARDET SHTETËRORE PËR SPECIFIKIMET TEKNIKE TË INFORMACIONIT GJEOHAPËSINOR NË SHQIPËRI – TEMA: ZONAT E MBROJTURA”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 11, pika 2, shkronja “g”, dhe 16, pika 1, të ligjit nr.72/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e infrastrukturës kombëtare të informacionit gjeohapësinor në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e dokumentit “Standardet shtetërore për specifikimet teknike të informacionit gjeohapësinor në Shqipëri – tema: Zonat e mbrojtura”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG) dhe autoritetet përgjegjëse për mbledhjen, përpunimin dhe përditësimin e të dhënave gjeohapësinore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KOSTOT DHE MËNYRËN E MBULIMIT TË SHPENZIMEVE TË SISTEMIT TË IDENTIFIKIMIT TË KAFSHËVE DHE TË REGJISTRIMIT TË FERMAVE BLEGTORALE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës e të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kafshët dhe fermat blegtorale identifikohen e regjistrohen sipas programit kombëtar të identifikimit dhe regjistrimit (IR) të hartuar nga struktura përgjegjëse për veterinarinë në ministrinë përgjegjëse për veterinarinë.

2. Të gjithë termat e përdorur në këtë vendim kanë të njëjtin kuptim me ata të përcaktuar në nenin 4, të ligjit nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, ndërsa termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Pronar ose kujdestar”, çdo person fizik apo juridik, që ka në pronësi kafshët ose është i ngarkuar të kujdeset për kafshët, me ose pa shpërblim financiar;
b) “Bazë materiale për procesin e identifikimit të kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale”, identifikuesit e kafshëve, regjistrat, pasaportat, kartelat, certifikatat shëndetësore veterinare për lëvizjen e kafshëve dhe formularët për regjistrimin e kafshëve.

3. Kostoja e blerjes së bazës materiale për procesin e identifikimit të kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale përballohet nga buxheti i shtetit i alokuar për veterinarinë.

4. Vendosja e matrikujve, plotësimi i formularëve të identifikimit të kafshëve dhe të regjistrimit të fermave blegtorale, përditësimi e ndryshimet në Sistemin e Informacionit Blegtoral dhe Veterinar (RUDA) dhe lëshimi i certifikatave shëndetësore veterinare për lëvizjen e kafshëve kryhen nga shërbimi veterinar rajonal, pa pagesë. Shpenzimet përballohen nga buxheti i shtetit i alokuar për veterinarinë.

5. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, fondi i grumbulluar nga shitja e matrikujve në llogarinë e të ardhurave jashtë limitit të përdoret për blerjen e bazës materiale për procesin e identifikimit të kafshëve dhe regjistrimin e fermave blegtorale.

6. Vendimi nr.957, datë 7.12.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për pagesën e kostos financiare të sistemit të identifikimit dhe regjistrimit të kafshëve dhe fermave blegtorale nga fermerët”, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.270, DATË 2.5.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E PERSONELIT TË FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË MISIONIN E KOMBEVE TË BASHKUARA NË SUDANIN E JUGUT (UNMISS)”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 2 e 5, të nenit 6, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për dërgimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë jashtë vendit, si dhe për mënyrën e procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të shkronjës “ç”, të nenit 11, të ligjit nr.64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të aktit normativ nr.1, datë 20.3.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për pjesëmarrjen e personelit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Sudanin e Jugut (UNMISS)”, miratuar me ligjin nr.23/2019, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në pikën 1, të vendimit nr.270, datë 2.5.2019, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, data 15.3.2021 ndryshohet dhe bëhet 22.9.2021.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MARRËVESHJES, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIM DHE NDIHMË TË NDËRSJELLË NË RASTE TË FATKEQËSIVE NATYRORE DHE FATKEQËSIVE TË TJERA

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunim dhe ndihmë të ndërsjellë në raste të fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të tjera, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA NDËRTIMI I OBJEKTIT “RRJETI SHPËRNDARËS 20 KV, NËNSTACIONI POGRADEC FIDERI 1, 9, 10, RIKONSTRUKSION KABINA, KABINA TË REJA DHE LINJË TU ME PËRCJELLËSA ME VETËMBAJTJE ABC”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga ndërtimi i objektit “Rrjeti shpërndarës 20 kV, nënstacioni Pogradec fideri 1, 9, 10, rikonstruksion kabina, kabina të reja dhe linjë TU me përcjellësa me vetëmbajtje ABC”.

2. Shpronësimi bëhet në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, në shumën e përgjithshme prej 4 999.68 (katër mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tetë) lekësh.

4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, në shumën 4 999.68 (katër mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë pikë gjashtëdhjetë e tetë) lekë, të përballohet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

5. Vlera për shpenzimet procedurale, në shumën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohet nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

6. Afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda tre muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.

7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin për likuIdim, certifikatën e pronësisë, kartelën e pasurisë si dhe hartën treguese të regjistrimit, në zyrat e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

8. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të kryejë procedurat për likuidimin e pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.

9. Afati i përfundimit të punimeve të jetë në përputhje me afatet e parashikuara.

10. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., të fillojë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe të bëjë kalimin e pronësisë për pasurinë e shpronësuar në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec, të pezullojë të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar, deri në momentin kur do të realizohet procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartat kadastrale dhe kalimi i pronësisë në favor të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a.

12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, sh.a., Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Pogradec dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë këshillit të Qarkut Korçë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E MEMORANDUMIT TË BASHKËPUNIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, PËR BASHKËPUNIMIN NË FUSHËN E TRANSPORTIT HEKURUDHOR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin e memorandumit të bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në fushën e transportit hekurudhor, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, TË PRONËS SHTETËRORE, ME NUMËR PASURIE 46, 47, 48, 49, 50, 63, 64, 65, 66, PJESË E ZONËS KADASTRALE NR.8517, BASHKIA DURRËS, NJËSIA ADMINISTRATIVE DURRËS, NË ZONËN E ISH-KËNETËS, SPITALLË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të pronës shtetërore, me numër pasurie 46, 47, 48, 49, 50, 63, 64, 65, 66, pjesë e zonës kadastrale 8517, Bashkia Durrës, njësia administrative Durrës, në zonën e ish-Kënetës, Spitallë, me vendndodhje dhe sipërfaqe sipas aneksit që i bashkëlidhet këtij vendimi.

2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, do të përdoren nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për zhvillimin e një parku fotovoltaik.

3. Sipërfaqes së zonës teknologjike dhe zhvillimit ekonomik, të shpallur me vendimin nr.262, datë 6.4.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e zonës së teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik në Spitallë, Durrës”, i hiqen pronat shtetërore të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi.

4. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES NDRYSHUESE ME SHKËMBIM LETRASH, TЁ MARRЁVESHJES SË HUAS, NDЁRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKЁS SЁ SHQIPЁRISЁ DHE FONDIT ABU DHABI PËR ZHVILLIM, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT “NDËRTIMI I BULEVARDIT VERIOR DHE REHABILITIMI I LUMIT TË TIRANËS”, RATIFIKUAR ME LIGJIN NR.150/2013

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, 12 e 23, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit Abu Dhabi për Zhvillim, për financimin e projektit “Ndërtimi i bulevardit verior dhe rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, ratifikuar me ligjin nr.150/2013, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.656, DATË 31.10.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRCAKTIMIN E MASËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KËSHILLAVE, BORDEVE OSE KOMISIONEVE TË PËRHERSHME TË NJËSIVE TË QEVERISJES QENDRORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 4, të ligjit nr.10405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në fund të lidhjes nr.1, të përmendur në pikën 3, të vendimit nr.656, datë 31.10.2018, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohet tabela që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Efektet financiare për Komitetin Ndërinstitucional për Masat Kundër Krimit të Organizuar fillojnë nga momenti i funksionimit të këtij komiteti dhe përballohen nga buxheti i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, nga të ardhurat e realizuara nga administrimi i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.

3. Ngarkohet Ministria e Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.921, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PERSONELIN E ADMINISTRATËS DOGANORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 7, pika 3, 8, pika 12, e 15, të ligjit nr.102/2014, “Kodi doganor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në pjesën VIII/1, të vendimit nr.921, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

a) Në pikën 1, shkronja “a”, pas nënndarjes “ii”, shtohet nënndarja “ii/1”, me këtë përmbajtje:

“ii/1. Koordinator i Rrjetit Antikorrupsion.”;

b) Në pikën 1, shkronja “b”, pas nënndarjes “ii”, shtohet nënndarja “ii/1”, me këtë përmbajtje:

“ii/1. Koordinatori i Rrjetit Antikorrupsion luan një rol të posaçëm në luftën kundër korrupsionit, duke mbledhur, analizuar e koordinuar të gjithë informacionin për rastet korruptive të referuara nga burime të ndryshme. Koordinatori raporton pranë strukturës përgjegjëse për antikorrupsion, në ministrinë përgjegjëse për çështjet e antikorrupsionit, me qëllim parandalimin e goditjen e korrupsionit në administratën doganore, si dhe vlerësimin e rrezikut kundër korrupsionit dhe propozimin e rregullave për menaxhimin e këtij rreziku.”;

c) Në pikën 2, shkronja “d”, në fund të nënndarjes “i”, shtohen paragrafët, me këtë përmbajtje:

“Koordinatori i Rrjetit Antikorrupsion emërohet e lirohet nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave pas marrjes së propozimit nga ministri përgjegjës për çështjet e antikorrupsionit, në rolin e Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit, për një afat 2- (dy-) vjeçar”.

Koordinatori i Rrjetit Antikorrupsion përgjigjet para ministrit përgjegjës për çështjet e antikorrupsionit për të gjithë veprimtarinë e ushtruar në rolin e koordinatorit, pjesë e rrjetit.

Koordinatori, në ushtrimin e detyrës e sipas nevojës, ka të drejtë të kërkojë mbështetje nga Drejtoria Antikorrupsion dhe e Standardeve Profesionale, si dhe nga strukturat e tjera doganore.

Detyrat, përgjegjësitë e koordinatorit, mënyra e funksionimit të rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion, sistemi elektronik specifik, aksesi në të, përcaktohen me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për çështjet e antikorrupsionit.”.

2. Në aneksin nr.1 bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Te zyra e drejtorit të Përgjithshëm, poshtë rreshtit “Drejtor i Përgjithshëm”, shtohet rreshti si vijon:

Koordinatori i Rrjetit Antikorrupsion 1

b) Totali i numrit për zyrën e drejtorit të Përgjithshëm të bëhet 8 (tetë);
c) Numri i pozicioneve “specialist”, në sektorin e Koordinimit për Mashtrimet Fiskale, në Drejtorinë e Hetimit, të bëhet 7 (shtatë);
ç) Totali i numrit të punonjësve për Drejtorinë e Hetimit të bëhet 24 (njëzet e katër) dhe totali i punonjësve për Departamentin Operativo-Hetimor të bëhet 206 (dyqind e gjashtë).
3. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA 

 

 

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.