Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Tetor 2019

Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Tetor 2018:

V E N D I M
PËR

PËRCAKTIMIN E KUFIJVE TERRITORIALË, HIDROGRAFIKË, TË BASENEVE UJORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË DHE TË QENDRËS E PËRBËRJES SË KËSHILLIT TË SECILIT PREJ TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c” dhe “ç”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Territori i Republikës së Shqipërisë, në funksion të menaxhimit të burimeve ujore, ndahet në shtatë basene ujore, si më poshtë vijon:

a) Baseni Ujor Drin-Bunë, me qendër në Shkodër;
b) Baseni Ujor Mat, me qendër në Lezhë;
c) Baseni Ujor Ishëm, me qendër në Durrës;
ç) Baseni Ujor Erzen, me qendër në Tiranë;
d) Baseni Ujor Shkumbin, me qendër në Elbasan;
dh) Baseni Ujor Seman, me qendër në Fier;
e) Baseni Ujor Vjosë, me qendër në Vlorë.

2. Përcaktimi i kufijve territorialë të baseneve ujore është sipas hartës hidrografike të shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

3. Përcaktimi i kufijve hidrografikë të çdo baseni ujor është sipas hartave hidrografike të shtojcës 2, bashkëlidhur këtij vendimi.
4. Në çdo basen ujor funksionon Këshilli i Basenit Ujor, në vijim KBU.

5. Kryetar i KBU-së do të jetë prefekti i qarkut ku ndodhet qendra e basenit ujor.

6. Funksionet e sekretariatit teknik të KBU-së ushtrohen nga zyra e administrimit të basenit ujor përkatës.

7. Numri i anëtarëve për çdo KBU është, si më poshtë vijon:

a) Baseni Ujor Drin-Bunë 21 anëtarë;
b) Baseni Ujor Mat 19 anëtarë;
c) Baseni Ujor Ishëm 15 anëtarë;
ç) Baseni Ujor Erzen 15 anëtarë;
d) Baseni Ujor Shkumbin 19 anëtarë;
dh) Baseni Ujor Seman 31 anëtarë;
e) Baseni Ujor Vjosë 25 anëtarë.

8. Përbërjet e KBU-ve janë, si më poshtë vijon:

8.1. KBU-ja Drin-Bunë përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Shkodër (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashki, emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Malësi e Madhe një anëtar;
⦁ Tropojë një anëtar;
⦁ Shkodër një anëtar;
⦁ Fushë-Arës një anëtar;
⦁ Has një anëtar;
⦁ Vau i Dejës një anëtar;
⦁ Pukë një anëtar;
⦁ Kukës një anëtar;
⦁ Dibër një anëtar;
⦁ Lezhë një anëtar;
⦁ Bulqizë një anëtar;
⦁ Pogradec një anëtar.

c) drejtues të institucioneve lokale, si më poshtë vijon:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e Zonave të Mbrojtura një anëtar;
⦁ Drejtoria Rajonale e Operatorit të Shërbimeve
të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit një anëtar.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë një anëtar;
⦁ hidroenergji dhe industri dy anëtarë.

8.2. KBU-ja Mat përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Lezhë (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashki, emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Fushë-Arës një anëtar;
⦁ Pukë një anëtar;
⦁ Mirditë një anëtar;
⦁ Lezhë një anëtar;
⦁ Kurbin një anëtar;
⦁ Krujë një anëtar;
⦁ Mat një anëtar;
⦁ Klos një anëtar;
⦁ Bulqizë një anëtar.

c) drejtues të institucioneve lokale, si më poshtë vijon:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e Zonave të Mbrojtura një anëtar;
⦁ Drejtoria Rajonale e Operatorit të
Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit një anëtar.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë dy anëtarë;
⦁ hidroenergji dhe industri dy anëtarë.

8.3. KBU-ja Ishëm përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Durrës (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashki, të emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Durrës një anëtar;
⦁ Tiranë një anëtar;
⦁ Krujë një anëtar;
⦁ Vorë një anëtar;
⦁ Kamzë një anëtar;

c) drejtues të institucioneve lokale, si më poshtë vijon:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e Zonave të Mbrojtura një anëtar;
⦁ Drejtoria Rajonale e Operatorit të
Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit një anëtar.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë dy anëtarë;
⦁ ujitjen një anëtar;
⦁ hidroenergji dhe industri një anëtar.

8.4. KBU-ja Erzen përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Tiranë (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashki, emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Tiranë një anëtar;
⦁ Vorë një anëtar;
⦁ Durrës një anëtar;
⦁ Kavajë një anëtar;
⦁ Shijak një anëtar;
⦁ Rrogozhinë një anëtar.

c) drejtues të institucioneve lokale, si më poshtë vijon:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e zonave të mbrojtura një anëtar;
⦁ Drejtoria Rajonale e Operatorit të
Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit një anëtar.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë një anëtar;
⦁ hidroenergji dhe industri dy anëtarë.

8.5. KBU-ja Shkumbin përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Elbasan (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashki, të emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Librazhd një anëtar;
⦁ Prrenjas një anëtar;
⦁ Pogradec një anëtar;
⦁ Elbasan një anëtar;
⦁ Kavajë një anëtar;
⦁ Peqin një anëtar;
⦁ Rrogozhinë një anëtar;
⦁ Lushnjë një anëtar;
⦁ Divjakë një anëtar;
⦁ Cërrik një anëtar;
⦁ Belsh një anëtar.

c) drejtues të institucioneve lokale, si më poshtë vijon:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e zonave të mbrojtura një anëtar;
⦁ drejtoritë rajonale të Operatorit të
Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit një anëtar.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë një anëtar;
⦁ hidroenergji dhe industri një anëtar.

8.6. KBU-ja Seman përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Fier (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashkitë, të emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Divjakë një anëtar;
⦁ Lushnjë një anëtar;
⦁ Belsh një anëtar;
⦁ Cërrik një anëtar;
⦁ Gramsh një anëtar;
⦁ Kuçovë një anëtar;
⦁ Ura Vajgurore një anëtar;
⦁ Roskovec një anëtar;
⦁ Patos një anëtar;
⦁ Fier një anëtar;
⦁ Pustec një anëtar;
⦁ Maliq një anëtar;
⦁ Berat një anëtar;
⦁ Korçë një anëtar;
⦁ Devoll një anëtar;
⦁ Skrapar një anëtar;
⦁ Poliçan një anëtar;
⦁ Kolonjë një anëtar;
⦁ Elbasan një anëtar;
⦁ Mallakastër një anëtar;
⦁ Memaliaj një anëtar;
⦁ Përmet një anëtar.

c) drejtues të institucioneve lokale nga:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e Zonave të Mbrojtura një anëtar;
⦁ drejtoritë rajonale të Operatorit të
Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit dy anëtarë.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë një anëtar;
⦁ hidroenergji dhe industri një anëtar.

8.7. KBU-ja Vjosë përbëhet nga:

a) prefekti i Qarkut Vlorë (kryetar);
b) drejtues të nivelit të lartë në bashki, të emëruar nga kryetarët përkatës të bashkive,:

⦁ Fier një anëtar;
⦁ Vlorë një anëtar;
⦁ Mallakastër një anëtar;
⦁ Selenicë një anëtar;
⦁ Memaliaj një anëtar;
⦁ Këlcyrë një anëtar;
⦁ Përmet një anëtar;
⦁ Kolonjë një anëtar;
⦁ Tepelenë një anëtar;
⦁ Gjirokastër një anëtar;
⦁ Libohovë një anëtar;
⦁ Dropull një anëtar;
⦁ Konispol një anëtar;
⦁ Sarandë një anëtar;
⦁ Finiq një anëtar;
⦁ Delvinë një anëtar;
⦁ Himarë një anëtar.

c) drejtues të institucioneve lokale, si më poshtë vijon:

⦁ Drejtoria Rajonale e Mjedisit një anëtar;
⦁ Administrata e Zonave të Mbrojtura një anëtar;
⦁ Drejtoritë Rajonale të Operatorit të
Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor një anëtar;
⦁ Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit një anëtar.

ç) përfaqësues të grupeve të interesit për:

⦁ mbrojtjen e burimeve ujore një anëtar;
⦁ furnizimin me ujë një anëtar;
⦁ hidroenergji dhe industri një anëtar.

9. Drejtuesit e institucioneve lokale dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit emërohen si anëtarë të KBU-së me miratimin e kryetarit të KBU-së përkatëse.

10. Anëtarët e KBU-së shpërblehen sipas legjislacionit në fuqi për shpërblimin e anëtarëve të këshillave, bordeve ose komisioneve të përhershme të njësive të qeverisjes qendrore, por jo më shumë se gjashtë pagesa në vit.

11. Vendimi nr.342, datë 4.5.2016, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufijve territorialë e hidrografikë të baseneve ujore në Republikën e Shqipërisë dhe qendrën e përbërjen e këshillit të secilit prej tyre”, i ndryshuar, shfuqizohet.

12. Ngarkohen organet kombëtare të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M

PËR

SHFUQIZIMIN E VENDIMIT NR.564, DATË 29.9.2018, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DHURIMIN UNESCO-S TË IKONËS “NGJALLJA E LLAZARIT”, NË KUADËR TË 60-VJETORIT TË ANËTARËSIMIT TË SHQIPËRISË NË KËTË ORGANIZATË”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 113, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Shfuqizimin e vendimit nr.564, datë 29.9.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për dhurimin UNESCO-s të ikonës “Ngjallja e Llazarit”, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë”.

2. Ngarkohet Ministria e Kulturës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

HAPJEN E MISIONIT TË POSAÇËM TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KIEV, UKRAINË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit dhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Hapjen e Misionit të Posaçëm të Republikës së Shqipërisë në Kiev, Ukrainë.

2. Misioni i Posaçëm në Kiev, Ukrainë, do të ndjekë zhvillimet politike në vend dhe do të pasqyrojë aktivitetin e grupit tripalësh të Kontaktit të OSBE-së për Ukrainën, në kuadër të marrjes së kryesisë së radhës së OSBE-së nga Shqipëria për vitin 2020, deri në mbarimin e kryesisë së radhës së OSBE-s nga Shqipëria.

3. Misioni i Posaçëm do të drejtohet nga një diplomat karriere, me gradën diplomatike “Ministër Këshilltar”, i cili do të qëndrojë në këtë detyrë deri në mbarimin e misionit të posaçëm.

4. Shpenzimet për hapjen e këtij misioni të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, miratuar për vitin 2019.

5. Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DHËNIEN E MIRATIMIT PËR LIDHJEN E KONTRATËS SË QIRASË ME TARIFËN 1 EURO/KONTRATA, NDËRMJET MINISTRISË SË FINANCAVE DHE EKONOMISË, SI QIRADHËNËS, DHE SHOQËRISË “ROZAFA”, SH.P.K., SI QIRAMARRËS, PËR PASURINË SHTETËRORE “SEKTORI AUTOPARK, ISH-PARKU I MINIERËS SË HEKUR-NIKELIT, PËRRENJAS”, ME NUMËR PASURIE 4/240, ZONA KADASTRALE 2924, NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË NDËRMARRJES INDUSTRIALE NR.1, TIRANË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9967, datë 24.7.2008, “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore, të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve””, dhe të vendimit nr.54, datë 5.2.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë me tarifë 1 euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe shoqërisë “Rozafa”, sh.p.k., si qiramarrës, për pasurinë shtetërore “Sektori autopark, ish-Parku i Minierës së Hekur-Nikelit, Përrenjas”, me sipërfaqe të përgjithshme 10 287.3 m2, nga ku sipërfaqe ndërtimore 1 090.5 m2 dhe sipërfaqe funksionale 9 196.8 m2, me numër pasurie 4/240, zona kadastrale 2924”, në përgjegjësi administrimi të Ndërmarrjes Industriale nr.1, Tiranë, për një periudhë 20 (njëzet) vjet, sipas genplanit dhe tekstit të projektkontratës bashkëlidhur këtij vendimi.
2. Ngarkohet Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.230, DATË 13.3.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR TRAJTIMIN ME PAGESË TË QIRASË SË DISA FAMILJEVE QË PREKEN NGA ZBATIMI I PROJEKTIT “UNAZA E MADHE E TIRANËS, SEGMENTI KOMUNA E PARISIT – RRUGA E KAVAJËS””, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 30 e 33, të ligjit nr.9232 datë 13.5.2004, “Për programet sociale të strehimit”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.230, datë 13.3.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:

a) Pas pikës 1/3 shtohet pika 1/4, si më poshtë vijon:

“1/4. Familjet sipas listës 2/4 përfitojnë subvencionimin e qirasë nga data 16.11.2018, sipas verifikimit të Njësisë Bashkiake nr.6 të Bashkisë Tiranë. Shpenzimet për mbulimin e qirasë deri në fund të vitit 2019 mbulohen nga fondet e strehimit, të planifikuara në buxhetin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.”.

b) Pas lidhjes 2/3 shtohet lidhja 2/4, me listën emërore të subjekteve që do të trajtohen me qira, e cila i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

2. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Enti Kombëtar i Banesave dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

PËRBËRJEN DHE FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT TË POSAÇËM PËR ADMINISTRIMIN E UJËRAVE NDËRKUFITARE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.111/2012, “Për menaxhimin e integruar të burimeve ujore”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përbërja e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare (në vijim, Komisioni) është, si më poshtë vijon:

⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme, kryetar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mjedisin, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për furnizimin me ujë të pijshëm dhe kanalizimet, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për energjinë, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për peshkimin, ujitjen dhe kullimin, anëtar;
⦁ Zëvendësministër i ministrisë përgjegjëse për mbrojtjen, anëtar.

2. Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore ka rolin e sekretariatit teknik të Komisionit dhe kryen këto detyra:

a) Organizon mbledhjet e Komisionit dhe njofton anëtarët;
b) Planifikon dhe harton projektaktet, sipas tematikave përkatëse;
c) Realizon çdo detyrë tjetër që i ngarkon kryetari i Komisionit;
ç) Raporton periodikisht pranë Kryeministrit për veprimtarinë e Komisionit.

3. Komisioni ngarkohet për administrimin e ujërave ndërkufitare, administrimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për këto ujëra, duke u bazuar në legjislacionin shqiptar, në marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe protokollet e nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

4. Komisioni ka të drejtë të krijojë nënkomisione me ekspertë të fushave përkatëse për probleme dhe çështje specifike.

5. Titullarët e institucioneve përgjegjëse të përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, caktojnë përfaqësuesit e tyre në këtë Komision.

6. Vendimi nr.177, datë 26.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, përbërjen, funksionimin, përgjegjësitë dhe detyrat e Komisionit të Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

7. Ngarkohen Komisioni i Posaçëm për Administrimin e Ujërave Ndërkufitare, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe institucionet e përmendura në pikën 1, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.319, DATË 15.4.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E STRATEGJISË NDËRSEKTORIALE PËR REFORMËN NË ADMINISTRATËN PUBLIKE 2015-2020”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të pikës 1, të nenit 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Në vendimin nr.319, datë 15.4.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

1. Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:

“Për miratimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2015–2022”.

2. Në dokumentin bashkëlidhur vendimit bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

a) Ndarja “Vlerësimi i ri i kostos për planin e ri të aktiviteteve të strategjisë për periudhën 2018–2020”, ndryshohet me përmbajtjen sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
b) Lidhja 1/1 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe me emërtimin “Plani i aktiviteteve dhe treguesit për periudhën 2018–2022”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Lidhja 2/1 zëvendësohet me lidhjen me të njëjtin numër dhe me emërtimin “Vlerësimi i detajuar i kostos për zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike për planin e veprimit për periudhën 2018–2022”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

3. Kudo në vendim dhe në tekstin bashkëlidhur:

a) Fjalët “… Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2015-2020 …” zëvendësohen me “… Strategjisë Ndërsektoriale për Reformën në Administratën Publike 2015-2022 …”;
b) Fjalët “… Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2015-2020 …”, zëvendësohen me “… Strategjia Ndërsektoriale e Reformës në Administratën Publike 2015-2022 … ”.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

KALIMIN E SË DREJTËS SË PRONËSISË MBI PARCELAT E OBJEKTEVE TË LEGALIZUARA DHE KOMPENSIMIN E PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, QË PREKEN PREJ TYRE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 15/1 e 17, të ligjit nr.9482, datë 3.4.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, të nenit 163, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Për Kodin Civil të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 10 e 24, të ligjit nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 4, të ligjit nr.7980, datë 27.7.1995, “Për shitblerjen e trojeve”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese për 512 (pesëqind e dymbëdhjetë) parcela ndërtimore të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken prej tyre, sipas shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Numri i parcelave ndërtimore, për të cilat miratohet kalimi i pronësisë sipas qarqeve, është, si më poshtë vijon:

a) Për Qarkun Tiranë (drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Tiranë dhe Kavajë) numri i parcelave ndërtimore është 131 (njëqind e tridhjetë e një), me sipërfaqe të përgjithshme 25 465 (njëzet e pesë mijë e katërqind e gjashtëdhjetë e pesë) m²;
b) Për Qarkun Berat (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Berat) numri i parcelave ndërtimore është 1 (një), me sipërfaqe të përgjithshme 215 (dyqind e pesëmbëdhjetë) m²;
c) Për Qarkun Shkodër (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Shkodër) numri i parcelave ndërtimore është 29 (njëzet e nëntë), me sipërfaqe të përgjithshme 9 189 (nëntë mijë e njëqind e tetëdhjetë e nëntë ) m²;
ç) Për Qarkun Elbasan (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan) numri i parcelave ndërtimore është 196 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë), me sipërfaqe të përgjithshme 56 015 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e pesëmbëdhjetë) m²;
d) Për Qarkun Durrës (drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës dhe Krujë), numri i parcelave ndërtimore është 23 (njëzet e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 5 495 (pesë mijë e katërqind e nëntëdhjetë e pesë) m²;
dh) Për Qarkun Gjirokastër (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Gjirokastër) numri i parcelave ndërtimore është 42 (dyzet e dy), me sipërfaqe të përgjithshme 8 060 (tetë mijë e gjashtëdhjetë) m²;
e) Për Qarkun Vlorë (drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Sarandë) numri i parcelave ndërtimore është 43 (dyzet e tre), me sipërfaqe të përgjithshme 18 362 (tetëmbëdhjetë mijë e treqind e gjashtëdhjetë e dy) m²;
ë) Për Qarkun Fier (drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Fier dhe Lushnjë) numri i parcelave ndërtimore është 25 (njëzet e pesë), me sipërfaqe të përgjithshme 7 053 (shtatë mijë e pesëdhjetë e tre) m²;
f) Për Qarkun Lezhë (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Lezhë) numri i parcelave ndërtimore është 15 (pesëmbëdhjetë), me sipërfaqe të përgjithshme 3 631 (tre mijë e gjashtëqind e tridhjetë e një) m²;
g) Për Qarkun Kukës (Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Kukës), numri i parcelave ndërtimore është 4 (katër), me sipërfaqe të përgjithshme 726 (shtatëqind e njëzet e gjashtë) m²;
gj) Për Qarkun Korçë (drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Korçë dhe Pogradec) numri i parcelave ndërtimore është 2 (dy), me sipërfaqe të përgjithshme 793 (shtatëqind e nëntëdhjetë e tre) m².

Sipërfaqja e përgjithshme që kompensohet është 41 086,46 (dyzet e një mijë e tetëdhjetë e gjashtë presje dyzet e gjashtë) m² dhe vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 210 969 121,13 (dyqind e dhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e njëzet e një, presje trembëdhjetë) lekë, sipas shtojcës 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, që preken nga ndërtimet pa leje, për numrat rendorë sipas kolonës 1, të shtojcës 1, bashkëlidhur këtij vendimi, do të veprohet, si më poshtë vijon:

a) Numrat rendorë 166, 167 dhe 249 (për pasurinë nr.38/217) sipas seksionit të veçantë (kolona 17) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave pas miratimit nga kreditori, sipas pikës 12, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e procedurave dhe të rregullave për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi parcelën ndërtimore të objekteve informale”;
b) Numrat rendorë 58 dhe 137, sipas seksionit të veçantë (kolona 17) të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, pasi të ketë përfunduar procedura e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas pikës 13, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave;
c) Numrat rendorë 59, 86, 94, 136, 138, 248, 275, 427 dhe 428, sipas seksionit të veçantë (kolona 17), të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të shkakut të kufizimit, sipas pikës 15, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave;
ç) Numri rendor 249 (për pasurinë nr.38/67), sipas seksionit të veçantë (kolona 17), të shtojcës 1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave pas zgjidhjes në rrugë gjyqësore të mbivendosjes, sipas pikës 16, të vendimit nr.465, datë 22.6.2016, të Këshillit të Ministrave.

Për kompensimin e pronarëve përdoren po ato të ardhura që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen.

4. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Kamzë-Vorë, Shkodër, Tiranë Veri, Sarandë, Vlorë, Tiranë Jug (ish-Shtesat), Krujë, Gjirokastër, Lushnjë, Berat, Pogradec, Durrës, Lezhë, Elbasan, Tirana Rurale, Dibër dhe Kukës të kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.

5. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

MIRATIMIN E NDRYSHIMIT TË STATUSIT, NGA KATEGORIA E RESURSIT “TOKË BUJQËSORE” NË “TOKË URBANE”, TRUALL, TË PASURISË ME NR.316, ZONA KADASTRALE 2281, BASHKIA CËRRIK

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 5/2, të nenit 11/1, të ligjit nr. 8752, datë 26.3.2001, “Për krijimin dhe funksionimin e strukturave për administrimin dhe mbrojtjen e tokës”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Miratimin e ndryshimit të statusit, nga kategoria e resursit “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me nr.316, zona kadastrale 2281, fshati Cërrik Fermë, Bashkia Cërrik, sipas certifikatës së pasurisë, hartës treguese dhe lidhjes nr.1, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

2. Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës, Qarku Elbasan, të pasqyrojë në dokumentacionin kadastral (LN) ndryshimin e resursit, nga “tokë bujqësore” në “tokë urbane”, truall, të pasurisë me nr.316, zona kadastrale 2281, Bashkia Cërrik.

3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Këshilli i Qarkut Elbasan, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Elbasan për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.19, DATË 16.1.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “PËR RIKUALIFIKIMIN URBAN DHE ZHVILLIMIN E BLLOKUT NR.2, QENDRA E QYTETIT ROSKOVEC””

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Në vendimin nr.19, datë 16.1.2019, të Këshillit të Ministrave, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

a) Në pikën 3, vlera prej 24 435 412 (njëzet e katër milionë e katërqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekësh ndryshon dhe bëhet 30 755 074 (tridhjetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë e katër) lekë.

b) Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me vlerë 30 755 074 (tridhjetë milionë e shtatëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e shtatëdhjetë e katër) lekë, të përballohet, si më poshtë vijon:
⦁ 24 435 412 (njëzet e katër milionë e katërqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e dymbëdhjetë) lekë, nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë;
⦁ 6 319 662 (gjashtë milionë e treqind e nëntëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë e dy) lekë, nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, për vitin 2019”.

c) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“5. Shpenzimet procedurale në vlerën 169 000 (njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë) lekë, të përballohen, si më poshtë vijon:

⦁ 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, nga buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë;
⦁ 119 000 (njëqind e nëntëmbëdhjetë mijë) lekë, për botimin në organet e shtypit, nga Bashkia Roskovec.

ç) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela bashkëlidhur këtij vendimi.

2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bashkia Roskovec dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.