Verifikim konsumatorëve BIG të karburanteve në treg

Komunikim publik i zëvendëskryeministrit Erjon Braçe:

Faleminderit të gjithëve!

Do doja të komunikoja disa gjëra me ju, lidhur gjithmonë me veprimin e qartë dhe ligjor të administratës sonë fiskale, doganave dhe të tatimeve, me funksionimin e operatorëve të ndryshëm në treg.

Siç ju e dini, prej javësh jemi fokusuar shumë fort në tregun e karburanteve. Jemi ndalur tek importuesit e mëdhenj, tek depozitat e tyre, tek gjendja e magazinave të tyre doganore. Jemi ndalur në mënyrë të qartë dhe tek prodhuesit e mëdhenj të karburanteve në këtë vend. Tani do ndalemi pa diskutim edhe tek konsumatorët e mëdhenj të karburanteve në vend. Janë ata që zënë gati 40% – 45% të tregut të karburanteve dhe të konsumit të karburanteve në Shqipëri. Do doja t’i bëja një thirrje gjithsecilit prej tyre, veçanërisht dy kategorive të rëndësishme; Së pari, atyre që janë konsumatorë të mëdhenj dhe që zotërojnë depozita në ambientet e kompanive të tyre dhe që i përdorin pastaj për furnizimin e mjeteve të tyre, bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të ndërtimit, bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të ndërtimit të rrugëve, bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe të transportit të materialeve të ndërtimit. Ashtu siç bëhet fjalë për kompanitë e mëdha të distribucionit, pra, të ofrimit të shërbimeve, veçanërisht në tregti. Bëhet fjalë për kompanitë e mëdha jo vetëm të distribucionit, por dhe të prodhimit, veçanërisht kompanitë që prodhojnë në krahun tjetër produkte të ndryshme në këtë vend, të cilat zotërojnë depozita brenda ambienteve të tyre e që për fat të keq, sot që flasim janë depozita të pacertifikuara nga autoritetet ligjore. Janë të pacertifikaura për kapacitete e tyre dhe në disa raste, kur operojnë dhe me instrumente të tjerë siç janë pompat, janë edhe në kushtet e mos certifikimit të këtyre instrumenteve e mbi të gjitha, edhe në kushtet e mosfiskalizimit të tyre.

Që nga dita e sotme, deri në fund të muajit shtator, secili prej tyre ka kohën e mjaftueshme t’i drejtohet organeve shtetërore, përfshirë metrologjinë ligjore dhe institucione të tjera, për të certifikuar kapacitetet e depozitave të tyre sa më parë që të jetë mundur me qëllim që të gjithë autoritetet shtetërore të kenë dijeninë e qartë për kapacitetet dhe konsumin e tyre të karburantit. Përtej kësaj kategorie ka dhe një kategori tjetër që nga gjithë hetimet e organeve fiskale sjell në vëmendje pikërisht faktin që nuk kanë depozita pranë kompanive të tyre, mbi të gjitha nuk konsumojnë naftë, por disponojnë apo janë pjesë e operacioneve, në letra, të tregtimit të karburanteve. Natyrisht që secili prej tyre do të jetë pjesë e hetimit të organeve tona fiskale edhe bashkë me ta, për këtë paligjshmëri që po e hasim ditë për ditë, pa më të voglin diskutim do të mbajnë përgjegjësi dhe gjithë inspektorët e organeve fiskale, që i kanë lejuar apo kanë certifikuar këtë paligjshmëri.

Së dyti, do doja të ndaja me ju atë që ju kam thënë herës që shkoi gjatë komunikimit. I jam drejtuar me dosje të posaçme ministres së Drejtësisë, KLGJ-së dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, pa diskutim autoriteteve të vettingut, KPK-së, për tre gjyqtarë; Për një prej gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Tiranës, për një çështje që ai ka marrë në shqyrtim e që ka vendosur në gjykimin tonë në kundërshtim të hapur me ligjin; Për një gjykatës së rrethit gjyqësor Vlorë, i cili ka vendosur për tre çështje brenda 1 minute dhe natyrisht, jashtë kompetencës së tij lëndore totalisht dhe në fund fare, edhe për një gjykatës të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, i cili, siç edhe jeni në dijeni të këtij fakti, ka liruar nga bllokimi gati 7 ton ushqime të bllokuara nga AKU-ja për shkak se ishin jashtë afatit të skadencës jo me ditë, por me muaj të tërë, për të mos thënë, një pjesë e tyre edhe me vite. Për secilin nga këta gjyqtarë, për secilin nga këto çështje i kam kërkuar KPK-së, organeve të vettingut, por dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, KLGJ-së të ketë në vëmendje veprimtarinë e secilit prej këtyre gjyqtarëve, me qëllim që në momentin që secili prej tyre do paraqitet pranë këtyre organeve, këto çështje të jenë atje e të jenë pjesë e diskutimit prej tyre.

Zoti Braçe, tashmë ka ndodhur një ngjarje e rëndë në karburante, a është pjesë e kontrolleve dhe çështja e sigurisë që ofrohet në tregtimin e tyre?

Siç ju e dini, Inspektorati Shtetëror Teknologjik dhe Industrial ka vendosur masën e bllokimit sot. Ajo që mua më shqetëson dhe po vazhdoj të kërkoj bashkë me ministren përkatëse informacion akoma dhe më të hollësishëm, ka të bëjë me kontrollet e ushtruara më herët në këtë pikë karburanti. Të gjithë inspektorët dhe aktet e konstatimit të tyre janë vënë nën lupë, po kontrollohen një për një e do mbajnë përgjegjësi deri në fund, jo vetëm ata, por edhe ndonjë ent tjetër, qoftë ky dhe privat, që ka lëshuar vërtetim sigurie për atë pikë karburanti.

Faleminderit!