Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave
Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave 11 Janar 2016
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E STRATEGJISË SË ZHVILLIMIT TË ARSIMIT PARAUNIVERSITAR, PËR PERIUDHËN 2014-2020
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë së Zhvillimit të Arsimit Parauniversitar, për periudhën 2014-2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Financave, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Ministria e Mjedisit, Ministria e Punëve të Brendshme, ministri i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, njësitë arsimore vendore dhe njësitë e qeverisjes vendore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË PËRFITIMIT TË VESHMBATHJEVE CIVILE PËR PUNONJËSIT E POLICISË USHTARAKE NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 41, të ligjit nr.13/2015, “Për Policinë Ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I: 
1. Punonjësi i Policisë Ushtarake trajtohet me veshmbathje civile në vlerë leku, një herë në vit, në masën e gjysmës së pagës mujore.
2. Kriteret që duhet të plotësojë punonjësi për përfitimin sipas pikës 1 janë:
a) Të ketë jo më pak se një vit pune në Policinë Ushtarake;
b) Të jetë ushtarak aktiv i Forcave të Armatosura.
3. Trajtimi financiar jepet në muajin e parë të plotësimit të një viti nga trajtimi i
 mëparshëm.
4. Referencë për trajtimin financiar merret paga që përfituesi ka në momentin e lindjes të së drejtës së përfitimit.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Mbrojtjes.
6. Ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
MBROJTJEN E VEÇANTË TË PUNONJЁSIT TЁ AGJENCISЁ SЁ INTELIGJENCЁS DHE SIGURISЁ SЁ MBROJTJES DHE INDIVIDIT QË MERR PJESË NË OPERACIONE TË FSHEHTA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 19, pika 4, e 55, pika 2, të ligjit nr.65/2014, “Për Agjencinё e Inteligjencёs dhe Sigurisё sё Mbrojtjes”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Punonjёsit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes të cilit, për shkak të ushtrimit të detyrës, i kërcënohen jeta, shëndeti, familja apo prona, i garantohet mbrojtje e veçantë. Punonjёsit të kësaj agjencie i garantohet mbrojtje e veçantë edhe kur merr pjesё nё operacione tё fshehta të agjencisë dhe pёrdor identitet tё dyfishtё dhe kur, për shkak të detyrës ose bashkёpunimit, i rrezikohen jeta, shёndeti, familja apo prona.
2. Mbrojtje e veçantë i garantohet edhe individit qё merr pjesё nё operacione tё fshehta tё Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe pёrdor identitet tё dyfishtё dhe kur, për shkak të bashkёpunimit, i rrezikohen jeta, shёndeti, familja apo prona.
3. Me mbrojtje të veçantë, sipas këtij vendimi, nënkuptohen masat që merren për sigurimin e jetës, shëndetit, familjes apo pronës së punonjёsit tё Agjencisё sё Inteligjencёs dhe Sigurisё sё Mbrojtjes apo individit qё merr pjesё nё operacione tё fshehta tё kёsaj agjencie dhe pёrdor identitet tё dyfishtё.
4. Kriteret për të përfituar mbrojtje të veçantë janë, si më poshtë vijon:
a) Prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, shёndetin, familjen apo pronën e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes;
b) Prania e rrethanave serioze, që rrezikojnë jetën, shёndetin, familjen apo pronën e punonjësit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes apo individit qё merr pjesё nё operacione tё fshehta tё kësaj agjencie dhe pёrdor identitet tё dyfishtё;
c) Prania e lidhjes shkakёsore, ndërmjet rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, shёndetin, familjen apo pronën dhe ushtrimit të detyrës nga punonjësi ose bashkëpunimit nga individi.
5. Masat për mbrojtjen e veçantë janë, si më poshtë vijon:
a) Ruajtja fizike;
b) Ruajtja e banesës ose e pronës;
c) Transferimi;
ç) Dërgimi jashtë shtetit;
d) Masa tё tjera, nё varësi tё çështjes.
6. Drejtori i Pёrgjithshёm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes merr nё shqyrtim rastet e paraqitura për mbrojtje tё veçantё, me kërkesën e punonjësit, strukturёs së interesuar të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ose individit qё merr pjesё nё operacione tё fshehta dhe pёrdor identitet tё dyfishtё dhe, brenda 3 (tri) ditëve, i propozon ministrit tё Mbrojtjes miratimin e urdhrit për mbrojtjen e veçantë.
7. Propozimi i drejtorit tё Pёrgjithshёm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, qё i dёrgohet pёr miratim ministrit tё Mbrojtjes, përmban:
a) mbështetjen ligjore përkatëse;
b) gjenealitetet e punonjësit apo individit;
c) të dhëna për rrethanat dhe domosdoshmërinë e marrjes së masave për mbrojtjen e veçantë;
ç) të dhëna për mënyrën e mbrojtjes, kohën kur do tё merret nё mbrojtje dhe afatin, strukturat qё do ta zbatojnё dhe do ta kontrollojnё zbatimin, si dhe shpenzimet e nevojshme.
8. Nё rastet e veçanta kur rrethanat përcaktojnë marrjen e masave tё menjëhershme, ministri i Mbrojtjes, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes miraton urdhrin menjëherë.
9. Drejtori i Pёrgjithshёm i Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes, me kërkesë të punonjësit, strukturës së interesuar të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes ose individit, mund t’i propozojё ministrit tё Mbrojtjes zgjatjen e afatit të masave të mbrojtjes, nëse rrethanat për të cilat është siguruar më parë mbrojtja vazhdojnë të ekzistojnë edhe pas përfundimit të këtij afati.
10. Agjencia e Inteligjencёs dhe Sigurisё sё Mbrojtjes, për zbatimin e masave të përcaktuara në pikën 5, të këtij vendimi, i drejtohet dhe mbështetet nga Policia Ushtarake e Forcave të Armatosura dhe, në pamundësi të kësaj, nga Policia e Shtetit.
11. Shpenzimet për mbrojtjen e veçantё përballohen nga buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, akorduar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
12. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn nё fuqi pas botimit nё “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.515, DATË 18.7.2003, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MBROJTJES”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:   
1. Në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
a) Lista e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes, me numrat rendorë 1220-1302 (një mijë e dyqind e njëzet – një mijë e treqind e dy), shtohet dhe i bashkëlidhet vendimit në fuqi.
b) Në listën bashkëlidhur vendimit, përmasat e pronave zëvendësohen me përmasat e përcaktuara në formularët bashkëlidhur këtij vendimi.
 Lista përbëhet gjithsej nga 189 (njëqind e tetëdhjetë e nëntë) fletë.
2. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Mbrojtjes dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë të ndjekin procedurat e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.375, DATË 6.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, REGJISTRIMIN, MËNYRËN E FUNKSIONIMIT, TË ADMINISTRIMIT E TË NDËRVEPRIMIT DHE PËR SIGURINË E SISTEMIT TË REGJISTRIMIT TË PASURIVE  TË PALUAJTSHME (ALBSReP)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 7, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, dhe të nenit 4, të ligjit nr.10325, datë 23.9.2010, “Për bazat e të dhënave shtetërore”, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në fund të nënndarjes “i”, të shkronjës “ç”, të pikës 6, të vendimit nr.375, datë 6.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, shtohen fjalët “… dhe e drejta për të aplikuar on-line për shërbimet e miratuara me marrëveshje mes Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
* * *
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.376, DATË 6.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PROCEDURËN E LËSHIMIT TË DOKUMENTEVE NGA ZYRAT E REGJISTRIMIT TË PASURIVE TË PALUAJTSHME”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.33/2012, “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, dhe të paragrafit të fundit, të nenit 23, të ligjit nr.7829, datë 1.6.1994, “Për noterinë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.376, datë 6.6.2012, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:
1. Pas pikës 2 shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:
“2/1. Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ofron shërbimin on-line për kërkesat për aplikim për kryerjen e shërbimeve për noterët. Shërbimet përkatëse të ofruara on-line për noterët miratohen me marrëveshje të përbashkët mes Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve.”.
2. Pas pikës 3 shtohet pika 3/1, me këtë përmbajtje:
“3/1. Pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme do të funksionojë një regjistër i veçantë elektronik i kërkesave për aplikim on-line dhe një regjistër tjetër për përpunim të kërkesave për aplikim dhe i lëshimit të dokumenteve nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.”.
3. Në pikat 4, 5 dhe 6, termi “Regjistri elektronik” zëvendësohet me “Regjistrat elektronikë”.
4. Pas pikës 17 shtohet pika 17/1, me këtë përmbajtje:
“17/1. Procedurat dhe mënyra e trajtimit të kërkesave, sipas pikës 3/1, përcaktohet me një udhëzim të përbashkët të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme dhe Dhomës Kombëtare të Noterëve.”.
II. Ngarkohen Ministria e Drejtësisë, kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë, zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe Dhoma Kombëtare e Noterëve për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
*SHËNIM: BAZUAR NË NENIN 117 TË KUSHTETUTËS SË RSH DHE NENIT 29 TË LIGJIT PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E KËSHILLIT TË MINISTRAVE, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE PUBLIKOHEN NË FLETOREN ZYRTARE DHE HYJNË NË FUQI PAS BOTIMIT TË TYRE. DREJTORIA E KOMUNIKIMIT PRANË KËSHILLIT TË MINISTRAVE PËRPIQET TË BOTOJË NË KOHËN MË TË SHPEJTË TË MUNDSHME VENDIMET E MBLEDHJEVE TË QEVERISË, POR VERSIONI ZYRTAR DHE HYRJA E TYRE NË FUQI BËHET VETËM PASI VENDIMI BOTOHET NE QBZ. SHPESHHERË, VENDIMET E KËSHILLIT TË MINISTRAVE KANË NEVOJË PËR ZBARDHJE TË MËTEJSHME, ÇKA E VONON PUBLIKIMIN E TYRE NË KËTË FAQE.

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.