Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në Krutje të Sipërme të Lushnjes, për t’u njohur me disa investime të rëndësishme publike dhe private.
Kompleksi i mbarështimit të derrave në Krutje të Sipërme, një biznes familjar i hapur në vitin 1996, është një nga dëshmitë sesi legalizimi falas ka ndikuar në rritjen e biznesit. Pas 10 vitesh zvarritjesh në zyrat e aluiznit dhe bllokimit të mundësisë për të marrë kredi për të zgjeruar biznesin, pronari i kompleksit, Sokrat Shani, së fundmi ka marrë certifikatën e legalizimit për të 13 stallat ku ushtron aktivitetin. Mosnjohja e pronësisë e pengonte atë të aplikonte qoftë për subvencione nga fondet e qeverisë, qoftë për kredi nga bankat. Tashmë me legalizimin, thotë ai, më janë hapur mundësitë për të rritur fuqinë e biznesit.
“Në vitin 2005 kam aplikuar për legalizimin, por ka qenë i pamundur, nuk e kam marrë dot. Legalizimin e kam marrë para tre muajsh dhe tani këto janë formalizuar, janë të rregullta dhe mund të aplikoj për kredi, mund të aplikoj për subvencione të ndryshme. Deri tani kanë qenë të pamundura se nuk kanë qene të formalizuara, nuk kam pasur tituj pronësie,” – tha Sokrati, ndërsa shtoi se tashmë gëzon mundësitë për të dyfishuar prodhimin e mishit dhe të rrisë në këtë mënyrë biznesin.
Kryeministri e ftoi fermerin për të aplikuar për të përfituare dhe nga skemat e mbështetjes, sipas formulës 50% investim sipërmarrësi dhe 50% investim shteti. Ndërkohë që pritet të shpallet një program i ri për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë.
“Do të shpallim një program të ri për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë, se kemi bërë një bashkëpunim me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këtë skemën që përdorëm këtë vit me AZHBR-në do ta kthejmë në një skemë garancie e do të përfshimë edhe një sërë bankash në këtë proces, por pa rritur interesat mbi fermerët, po duke marrë ne përsipër pjesën e interesave dhe të vazhdojmë me atë skemën 50% investim fermeri, 50% investim shteti. Besoj se mund ta rrisim deri në 100 milionë dollarë në vit mbështetjen.”
***
Në komunën Grabian të Lushnjës, shkolla e re 9 vjeçare, financim i qeverisë, vjen për të rinjtë e kësaj zone, me një mjedis tërësisht modern e bashkëkohor. Ajo ofron për fëmijët një panoramë krejt të ndryshme nga ngrehina e dikurshme, e cila vetëm shkollë nuk mund të quhej. Drejtoresha e shkollës tha se në ndërtesën e vjetër, nxënësit e zhvillonin mësimin në kushte tejet të vështira, të detyruar shpeshherë, për shkak të motit të keq të mbanin çadra në klasë. Pjesë e shkollës së re është edhe kopshti i fëmijëve, i cili do të mirëpresë 98 vogëlushë, me të gjitha parametrat e një mjedisi të shëndetshëm dhe argëtues.
***
Rruga – 3 ura – Gërmenj- Divjake, po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, i cili do ta sjellë këtë segment rrugor në kushtet e një infrastrukture të standardeve bashkëkohore. Në gjendjen ekzistuese të rrugës kalimi i makinave ishte i pamundur pasi gropëzimet ishin të shumta dhe trupi i rrugës ishte shumë i dëmtuar.
Projekti parashikon një zgjerim për segmentin e asfaltuar nga Tre Urat – Autostrada Rrogozhinë – Lushnjë dhe rikonstruksionin e plotë për pjesën tjetër me gjerësi 5 m asfalt për segmentin Çerme Sektor-Tre Urat – Stravec – Gërmenj i Madh.
Deri tani në objekt janë realizuar punimet e gërmimit dhe të mbushjes, në një gjatësi prej 10 kilometrash, nga Çermë Sektori në drejtim të Gërmenjit, për të vijuar me pjesën e mbetur prej 2 kilometrash.
Përfundimi i rikonstruksionit do të lehtësojë ndjeshëm lëvizjen e banorëve të zonës drejt bashkisë së Divjakës sipas ndarjes së re territoriale, gjithashtu do ti japë një impakt të ri tregtimit të produkteve të këtyre fshatrave në tregun e Divjakës, i cili është tregu më i afërt për ta. Deputeti Braçe u shpreh se kjo zonë bujqësore do të dalë më në pah me rrugën e re, e cila në të njëjtën kohë do ti japë një shtysë te re edhe turizmit. “Është e gjitha zonë bujqësore kjo këtu dhe rruga kalon mes përmes fushave. Është zonë e pastër, nuk ka as ndërtime asgjë. Ndërkohë të dy tregjet, tregu i Lushnjës me tregun e Divjakës lidhen me rrugë, e njëjta gjë vlen edhe për turizmin, për plazhin, njerëzit nga Lushnja vinë direkt në Divjakë. Ta vijojmë këtë se jo na lidh vetëm Bashkinë e madhe që krijon por në anën tjetër i jep gjithë pjesë bujqësore dhe i jep gjithë pjesës së Grabianit dhe bëhet një super rrugë bujqësore që i nxjerr lekët vetë për shkak të fluksit ët madhe që do ët ketë edhe trafikut, edhe të punëve në bujqësi që ka,” u shpreh ai.
***
Shkollat dhe kopshtet e rikonstruktuara, sipas të gjitha parametrave moderne të financuara nga qeveria, janë realiteti më i ri për të rinjtë dhe fëmijët, në Lushnjë e Divjakë.
Ndërtesa të reja, të pajisura me kabinete bashkëkohore, ku nuk mungon asgjë për të kuptuar sa më mirë lëndët mësimore, janë vënë në dispozicion të nxënësve, për një arsimim sa më cilësor.
Në fshatin Zhamë, shkolla 9-vjeçare “Riza Iberliy”, është rikonstruktuara plotësisht, duke lënë pas imazhin e rrënuar të shkollës së vjetër, aspak të përshtatshme për një proces mësimor normal.
Në Divjakë, Shkolla e Mesme “Miti Zaka” e rikonstruktuara iu ofrohet gjimnazistëve, si një shkollë me standarde europiane, e cila përmbush plotësisht nevojat e tyre për edukim dhe argëtim.
Gjithashtu, kompleksi arsimor në Grabian dhe shkolla 9 vjeçare në Çermë, Proshkë, sigurojnë për vogëlushët dhe të rinjtë kushtet më optimale të mësimit dhe të mjediseve sportive.
***
Pas mbështetjes financiare 50% të investimit, të dhënë nga qeveria shqiptare përmes Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural, u bë i mundur ndërtimi i 2 dhomave frigoriferike, me kapacitet 180 tonë secila dhe një paradhomë që do të shërbejë për selektimin dhe ambalazhimin e produkteve bujqësore. Pronari i kësaj sipërmarrjeje të grumbullimit dhe eksportit të fruta-perimeve, Kujtim Lika, thotë se me ndihmën që ka përfituar nga qeveria ka 5-fishuar eksportin dhe pret ta të 2-fishojë fuqinë punëtore në të gjithë zinxhirin e vlerës, nga 1500 në 3000 vetë.
“Eksportin do ta rris 50% në krahasim me vitin në vazhdim. Falënderoj qeverinë shqiptare që më dha ndihmë dhe ky investim që është bërë, është bërë më shumë me ndihmën e qeverisë shqiptare. Ka mall që eksportohet në Europë, për standardin europian dhe për në Ballkanin. Eksporti është 5-fishuar. Sot aktualisht kam 180 tonë domate që eksportoj. Sot kam të punësuar rreth 1500 vetë, por zinxhiri i punës mund të shkojë deri në 3000 vetë,” – tha Lika.
Kryeministri nënvizoi se fuqizimi i sipërmarrjes në fshat janë fokusi edhe i një programi të ri për bujqësinë, duke siguruar një mbështetje financiare deri 100 milionë dollarë në vit
“Ne kemi një program të ri, bazuar në eksperiencën shumë pozitive dhe inkurajuese të AZHBR-së. Kemi diskutuar me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe me bankat e nivelit të dytë në Shqipëri dhe ata që kemi bërë deri dje, për një numër të kufizuar sipërmarrësit ku keni qenë edhe ju, por kërkesa është më e madhe, ne duam ta zgjerojmë duke e kthyer AZHBR në një ndërmjetës midis sipërmarrësve në fshat dhe bankave dhe duke e kthyer fondin e mbështetjes tonë në një fond garancie. Pra, interesat dhe garancia nuk do të jenë problemi juaj. Sipërmarrësi do të marrë 50% të investimit, mbështetje pa interesa, pa garanci, këto do t’i investojë shteti. Ne besojmë se do të jemi në gjendje të vëmë në dispozicion të sipërmarrjes deri 100 milionë dollarë në vit. Fuqia absorbuese do të varet shumë nga kapaciteti për projekti dhe për realizim.”
Reforma e re administrativo- territoriale, nënvizoi Kryeministri, do të ndryshojë në mënyrë radikale sistemin e vjetër të administrimit nga pushteti lokal të sektorit dhe do t’i japë zgjidhje më efikase dy problemeve, grumbullimit të produkteve dhe punësimit.
“Ndërkohë kemi diskutuar dhe po finalizojmë reformën që qoftë drejtoritë e bujqësisë së ndahen midis pushtetit vendor një pjesë, sepse pushteti vendor do të ketë kompetenca jo vetëm për ujitjen dhe kullimin, por do të ketë kompetenca edhe për gjithë mbështetjen me bazën materiale të imputeve për fermerët dhe AHZHBR-së, e cila do të kalojë në një strukturë që në çdo rajon do të ketë qendra të trajnimit, të informimit dhe të mbështetjes së fermerëve për të bërë projekte që të thithin fondet e garancive dhe njëkohësisht të mund të thithë edhe fonde nga be. Besoj se kjo reformë do të japë goditje shumë tronditëse për sistemin e vjetër dhe besoj që nëse do të arrijmë që në 4 vitet e ardhshme, ne të injektojmë 300 deri në 400 milionë dollarë në sipërmarrjen në fshat, ne do të zgjidhim dy probleme të mëdha. E para do të zgjidhim problemin e grumbullimit të të rritjes shumë të madhe të eksportit dhe e dyta, do të zgjidhim një problem të madh të punësimit, pasi i gjithë zinxhiri që do krijohet do të bëjë që ajo familje fermerë që sot ka 2 a 3 dynym dhe sot mbjell me domate dhe të mos e jetë e lidhur zinxhir do ta nxjerrë domatet tek rruga, ndërkohë që lidhja zinxhir e kthen në një biznes të vogël. Praktikisht, ata që punojnë me ty sot janë në kushtet e biznesit të vogël, bëjnë marrëveshje, kanë mbështetjen tënde për farën, për fidanët, kanë dhe garancinë që do ta shesin prodhimin dhe ata vetëm prodhojnë. Kjo është skema. Njerëz si puna jote janë frymëzim për ne, ta çojmë përpara këtë. Ti je drejtimi i duhur, ne të ndjekim ty.”
***
Kryeministri Rama inspektoi edhe punimet për ndërtimin e pedonales në Divjakë. Pedonalja, me gjatësi 2 kilometra, është pjesë e rrugës nga qyteti i Divjakës në drejtim të plazhit. Projekti përfshin ndërtimin e një trotuari me gjerësi 3 metra dhe një brez i gjelbëruar dhe 6 sheshpushime të pajisur me stola përgjatë pedonales, si dhe ndriçimi. Për ndërtimin e shëtitores janë përdorur pllaka guri dekorative. Ky investim do t’ shërbejë jo vetëm banorëve të Divjakës, por edhe pushuesve gjatë sezonit veror.
***
Gjatë vizitës në Divjakë, Kryeministri inspektoi punimet për poliklinikën e re në këtë qytetet, investim i buxhetit të shtetit. Kjo poliklinikë së shpejti do ti shërbejë banorëve të bashkisë së re të këtij qyteti. Në buxhetin e këtij viti janë planifikuar të gjitha pajisjet për plotësimin e të gjitha laboratorëve dhe të aparaturave të radiografisë, radiologjisë, mamografisë dhe laboratori i analizave të gjakut. Deputeti i zonës Erjon Braçe theksoi: “Dje paradite kemi qenë në spital tek infektivi, me një vajzë 16 vjeçare nga Kryekyqi më sëmundje gjaku të lindur, e gjithë zona është nën këtë regjim. Pikërisht për këtë arsye na shërben dhe do t’i shërbejë gjithë zonës për sëmundjet e gjakut.”