Konferenca për shtyp e Kryeministrit Edi Rama pas mbledhjes së qeverisë, për të njoftuar paketën e masave për të adresuar situatën e krijuar nga tërmeti i 21 shtatorit:
Jemi në këtë komunikim për të njoftuar një sërë aktesh të përgatitura gjatë javës në përgjigje të nevojës për të adresuar situatën e krijuar nga tërmeti i 21 shtatorit dhe për të vendosur bazën e një pune intensive të mëtejshme, për të cilën po komunikojmë edhe me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë.
Përpara sa të informoj publikun e mbi të gjitha familjet e prekura nga tërmeti, dua të nënvizoj solidaritetin e madh që kemi hasur qysh në momentin e parë nga partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë. Kam patur komunikime të drejtpërdrejta me Kryeministrin e Italisë, me Presidentin e Turqisë, me Presidentin e Francës, me Kancelaren e Gjermanisë, me Kancelarin e Austrisë e ndërkohë dhe një sërë komunikimesh në nivele të tjera, ku dua të veçoj komunikimin dhe përfshirjen shumë të përkushtuar të ambasadorit të Bashkimit Europian në emër të të gjithë vendeve, si dhe të Zëvendësambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet tona.
Duke parë një solidarizim të madh dhe një gatishmëri të posaçme edhe nga sipërmarrja, por edhe nga investitorë të huajë të pranishëm në vendin tonë, kemi ndërtuar një punë me disa korsi. Sot, në këtë komunikim do të përqendrohem te korsia e punës së drejtpërdrejtë të Këshillit të Ministrave, duke iu referuar buxhetit, por edhe pushtetit ekzekutiv dhe vendimmarrës në raport me një sërë masash që besoj se ka ardhur koha të merren.
Akti Normativ i buxhetit të këtij viti garanton ndër të tjera edhe përdorimin e Fondit Rezervë për përballimin e situatës emergjente.
Së dyti, parashikon përjashtimin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për të gjithë investimet mbi banesat e dëmtuara si pasojë e tërmetit.
Nisur nga fakti se prokurime me vlerë të vogël janë procedura të thjeshtuara, që zhvillohen brenda një afati të shkurtër, kemi vendosur që përjashtimisht për këtë periudhe të vitit të lejohen autoritetet kontraktore, vetëm duke iu referuar familjeve të prekura nga tërmeti, për të plotësuar nevojat e tyre procedurale me procedura prokurimi me vlerë të vogël deri në 1 milionë lekë, ose 10 milionë lekë të vjetra, sepse ka shumë nevoja që kushtojnë pak në raport me volumin e përgjithshëm, por kanë një impakt të rëndësishëm për familjet.
Po ashtu kemi vendosur që të sigurojmë një ekzaminim të plotë për ashensorët për të cilët personat përgjegjës nuk disponojnë dokumentacionin e plotë dhe faktikisht e kanë të pamundur të realizojnë një vlerësim konformiteti. Objektivi është që të sigurohemi se ashensorët në përdorim plotësojnë kriteret dhe nuk janë të impaktuar teknikisht pas tërmetit.
Kemi marrë një vendim me impakt afatgjatë, që parashikon masat detyruese për ndërtuesit, për zhvilluesit, investitorët, për të lidhur një kontratë sigurimi me afat 10-vjeçar me përfituesit, blerësit e apartamenteve. Kontrata e sigurimit me afat 10-vjeçar mbulon dëmet ndaj të tretëve që rrjedhin kur për shkak të terrenit, apo defektet në ndërtim, ndërtimi shembet tërësisht, ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje, apo defekte të tjera serioze.
Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” përcakton se institutet shtetërore dhe ente të tjera do të kryejnë oponencën teknike, jo vetëm për ndërtime me vlerë mbi 100 milionë lekë, por edhe mbi çdo godinë publike apo private me akses publik, pavarësisht nga vlera e investimit. Ky projektligj do të parashikojë edhe procedurën e auditit teknik për vlerën e objekteve publike që kanë mbi 50 vite që janë ndërtuar.
E vërteta është që goditja sizmike, edhe pse e konsiderueshme, nuk ka dhënë impakt në godinat e reja. Kemi pasur të gjithë, edhe unë përfshirë këtu bashkë me ju dhe të gjithë, dyshimin e fortë se në gjithë këtë zhvillim të këtyre 30 viteve dhe për shkak edhe të shumë abuzimeve e për shkak edhe të shumë shkeljeve të bëra në lejet e ndërtimit, do të kishim një vulnerabilitet të konsiderueshëm në rast të një tërmeti. Për fat të mirë, godinat kanë kaluar një test me sukses, do të thosha, sepse të gjitha dëmet, qoftë ato të konsiderueshme, qoftë ato sipërfaqësore janë regjistruar në godina të vjetra, në shtesa të godinave të vjetra, apo në një grup godinash të viteve ’90-të, ndërkohë në periudhën e mëpastajme nuk janë shënuar dëme, qoftë edhe sipërfaqësore. Ky është një lajm i mirë në gjithë morinë e kësaj vështirësie të madhe që kemi kaluar dhe gjithë këtyre pasojave që duhet të përballojmë.
Po ashtu kemi vendosur të bëjmë një përshpejtim maksimal të procedurave për lejet e ndërtimit për riparime dhe rregullime të godinave që kanë patur dëme nga tërmeti. Ka një numër të konsiderueshëm familjesh që duan të bëjnë ndërhyrjet përkatëse aty ku e kanë të mundur, madje ka familje, të cilat kanë kërkuar që t’u lehtësohet procedura, sepse nuk dëshirojnë të ecin me projektet tip, që ne kemi tanimë përgatitur për rastet kur do na duhet të bëjmë ndërtimin nga e para të godinës. Këta, jo vetëm që do të marrin lejen pa paguar asnjë taksë, por do ta marrin edhe brenda vetëm 5 ditëve.
Kemi marrë po ashtu, një vendim për një sërë studimesh të thelluara në planifikimin e territorit që lidhen pikërisht me fenomenet natyrore, sepse tërmeti është një prej tyre, por për fat të mirë nuk është aq i përhershëm, saç janë përmbytjet për shkak të erozionit, për shkak të shumë e shumë arsyeve të tjera, që i dini dhe nuk dua t’ju marr kohë me to, apo siç mund të jenë zjarret dhe të ngjashme. Kështu që ky është një detyrim për institucionet që të vendosin në fokus edhe këtë element të munguar në të shkuarën.
Kemi marrë një vendim tjetër për organizmin, funksionim dhe fushën e veprimit të policimit vullnetar, duke u nisur nga eksperiencat e të gjitha vendeve të tjera që e nxisin angazhimin qytetar në ndihmë të Policisë së Shtetit, gjatë momenteve të emergjencave natyrore.
Dua të shtoj një element të rëndësishëm, që mbase ka nevojë për një shpjegim më të gjatë, që leja e ndërtimit për godina kolektive do të lidhet me sigurimin. Nuk do të jepet më leje ndërtimi pa policën e sigurimit. Policën e sigurimit që duhet ta disponojnë qysh në fillim arkitektët dhe grupet e projektimit, policën e sigurimit që duhet ta depozitojë investitori apo kërkuesi i lejes në dosje, kur kërkon lejen dhe detyrimin për kompanitë e sigurimit që të garantojnë zbatimin e saktë dhe pa shkelje të lejes.
Është një element që më në fund besoj se gjen konsensus. E kam propozuar shumë vite më parë, ka hasur gjithmonë rezistencë. Nuk mund të kontrollohen dot godinat e ndërtuara për qëllime fitimi, flasim për pallate dhe për godina me karakter biznesi, hotele, apo të gjitha këto, thjesht dhe vetëm me inspektorate, qoftë me polici, qoftë me Inspektorat të Mbrojtjes së Territorit e kështu me radhë, por duhet futur dhe do të futet mekanizmi i vetëkontrollit përmes marrëdhënies me kompaninë e sigurimit.
Kompania e sigurimit do të marrë përsipër të garantojë blerësit dhe autoritetin që ka dhënë lejen se godina përputhet me atë çka është autorizuar në lejen e ndërtimit. Në të kundërt do të shkojnë para ligjit të dyja palët. Kemi një ligj aktual, në Kodin Penal, për ndërtimet pa leje, apo për shkeljen e lejes së ndërtimit. Sistemi i kalbur i drejtësisë, që po pastrohet dita-ditës dhe që ende është një hapësirë zullumi, ka refuzuar në vijimësi të marrë masa dhe ka preferuar ryshfetet e majme për ndërtues që kanë abuzuar haptas dhe që duhet të ishin subjekt i Kodit Penal. Me futjen e kompanisë së sigurimit do të bëjmë të mundur edhe që të mos ketë më asnjë blerës të mashtruar, që fillon paguan për hapësirën që i premtohet qysh në gropë, me këste dhe në fund fare bëhet pronar, posedues më saktë, i një apartamenti apo një dyqani që nuk e hipotekon dot, sepse ndërkohë, zotëria që i ka marrë leket i ka lënë një pronë me barrë për shkak se është një ndërtim me shkelje.
Për këtë arsye kemi futur në proces legalizimi, – besoj se e dini historinë sesa e komplikuar ka qenë, – godina të tërë kolektive, ku blerësit legjitimë nuk e kanë zotëruar dot titullin e pronësisë. Ka ende të tillë që janë me probleme serioze nga pikëpamja ligjore për t’u legalizuar, sepse cenojnë interesat e fqinjëve. Nga ky moment besojmë se futja e këtij elementi, që përdoret gjerësisht në botën normale, do të garantojë siguri dhe do të garantojë për efekt, edhe të gjithë blerësit e apartamenteve, apo të njësive tregtare.
Së fundi, OSHEE-ja dhe kompanitë e ujësjellësve në zonat e dëmtuara do të marrin vendime për të zëruar detyrimin e familjeve të dëmtuara që janë në kushte pabanueshmërie, që këtu të mos kemi spekulime. Që do të thotë që për të gjitha këto familje do të zerohen të gjitha borxhet dhe do të subvencionohet 100 %, tarifa që paguhet edhe kur hyjnë të tjerë aktualisht në banesë.
Ndërkohë që për familjet e tjera, nisur nga shkalla e dëmtimit, do të ketë masa të përshkallëzuara.
Ky është një lehtësim dhe një shprehje konkrete solidaritetit në raport me të gjitha këto familje, të cilët u prekën seriozisht dhe të cilat duhet të bëjnë durim deri kur të mund të futen në shtëpinë e rindërtuar.
Paralelisht kemi kryer të gjithë inventarin, po bëjmë rakordimet e fundit. Do ta ndajmë me partnerët në një mënyrë shumë të organizuar, ku kontributet e partnerëve do të specifikohen. Presim një takim me Bankën Europiane të Investimeve, që ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur me një fond solidariteti.
Gjithçka do të kryhet në transparencë të plotë dhe pa duart e autoriteteve kontraktore publike, në rastet kur partnerët janë të gatshëm që ta bëjnë vetë të gjithë procesin, sipas zonave që do të caktohen dhe do të marrin përsipër sigurisht.
Nga ana tjetër janë dokumentuar tipologjitë e shtëpive sipas frymëve të familjeve, në mënyrë që të garantojnë një rindërtim në kohë dhe cilësor. Deri atëherë, këto familje që janë në një situatë pabanueshmërie janë në kujdesin e plotë të autoriteteve. Një pjesë e tyre në zona të thella, sidomos në zonat e Durrësit dhe të Tiranës, sepse këtu është edhe impakti kryesor, nuk kanë pranuar të largohen nga oborri i shtëpisë dhe të akomodohen në qendrat e akomodimit në dy strukturat e mjaftueshme, fatmirësisht, të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme në Durrës. Familjet nuk që nuk kanë pranuar të strehohen, shërbehen aty, pavarësisht se kushtet nuk janë optimale, por respektojmë zgjedhjen e tyre. Pjesa tjetër janë akomoduar në qendra.
Në mbyllje një sqarim për gjithë ata që janë të shqetësuar nga plasaritjet apo dhe nga rastet kur ka godina të ndara. Instituti i Ndërtimit ka bërë një punë voluminoze dhe po vazhdon, pasi nuk është ezauruar i gjithë volumi i ndërtimeve për t’u ekzaminuar. Atyre që nuk kanë parë ende ekspertë rreth e rrotull u lutem të bëjnë durim, pasi nuk ka asnjë rrezik momental. Ekzaminimet do të bëhen deri në fund.
Nga ekzaminimet e bëra rezulton se, së pari, plasaritjet e dukshme janë sipërfaqësore, nuk ka prekje të strukturave. Së dyti, në rastet kur shikojmë ato vijat ndarëse, janë rezultat i funksionimit të fugave sizmike, të cilat vendosen qysh në projekt pikërisht për të shpërndarë intensitetin e goditjes dhe për të krijuar më shumë fleksibilitet në një volum të madh.
Po shohim shumë seriozisht 4 godina në zonën e Kombinatit, godina shumë të vjetra, silikate, të cilat kanë kaluar tre tërmete, të cilat kanë patur një përforcim shumë vite më parë pas një tërmeti në vitet ’70-të dhe ku është shumë e rëndësishme që të bëjmë një ekzaminim të hollësishëm. Banorët janë të shqetësuar, për momentin nuk duket të ketë asnjë rrezik imediat, por jemi duke bërë ekzaminimin e imtësishëm për të pasur siguri se struktura nuk është prekur në shkallën e rrezikshmërisë të lartë.
Me mirëkuptimin që pyetjet nuk do na kthejnë në tërmetet artificiale të filxhanëve të klubeve politike dhe mediatike, ju lutem kush e do fjalën.
Zoti Rama, a ka një kosto, një vlerë monetare të përcaktuar tashmë, sesa është dëmi i shkaktuar në 21 shtator? Ju kërkuat mirëkuptimin tonë, gjithsesi po e bëj pyetjen, a do jeni dhe ju kaq solidar, sa u tregua Shqipëria më 21 shtator me Partinë Demokratike dhe aleatët e saj me kërkesën që kanë bërë për Reformën Zgjedhore?
Tërmeti në Partinë Demokratike është tërmet i realizuar me metoda artificiale, kështu që solidariteti im është i gjithi për ata që janë prekur nga tërmeti natyral.
Përsa i përket dëmeve ju thashë që po bëjmë verifikimet e fundit. Duhet të presim edhe një rakordim nga njësitë vendore, pasi kam kërkuar që çdo verifikim kostosh të bëhet jo bazuar tek vetëdeklarimet, por tek inspektimet. Inspektimet do jenë të dyfishta, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të dyfishta. Nga njëra anë është Policia e Shtetit me një grup të emergjencave civile dhe me ekspertë të vendosur në dispozicion nga Ministria e Infrastrukturës, jo vetëm nga institucionet publike, por edhe nga kompanitë private që bujarisht kanë ofruar inxhinierët e tyre dhe nga ana tjetër, kontrolli i njësisë vendore, sepse nuk duam të ketë abuzime, apo spekulime me idenë e tërmetit. Natyrisht që shtëpi në gjendje si një ditë pas tërmetit në Shqipëri kemi parë edhe më parë. Fatmirësisht nuk janë shumë, por ato do t’i adresojmë siç kemi nisur me programe të tjera, edhe në bashkëpunim me organizatat e përkushtuara në këtë drejtim. Ama nuk do të lejojmë që të përfshihen në kostot e pastërmetit. Kostot e pastërmetit janë kostot e pastërmetit, pavarësisht se shtëpi në nevojë për ndërhyrje ka patur edhe përpara tërmetit dhe janë po aty. Kështu që duhet të bëjmë një verifikim të plotë, të bëjmë një përputhshmëri të plotë të kostove dhe pastaj të mund të themi shifra që të jenë të sakta, jo shifra të përafërta.
Zoti Kryeministër, a e ka qeveria një studim sesa mund të mund të kushtoj një policë sigurimi, siç dhe ju e përmendët? A i druheni faktit se ndërtuesit pikërisht vendosjen e kësaj police sigurimi ta përdorin për të rritur çmimin e banesave?
Së pari, çmimi i jetës është i pakrahasueshëm me asnjë çmim tjetër; Së dyti, shpresoj që ata që e ndjenë dhe e panë atë që të gjithë ndjemë dhe pamë mos të harrojnë se, – dhëntë Zoti mos e kemi një të dytë në kohën që na ka mbetur mbi tokë, flas për veten time, se ju do keni më shumë kohë, ndonjë tërmet tjetër, – është shumë e rëndësishme që të garantohet plotësisht që ajo që blen është ajo që paguan dhe mbi gjitha të takon. Kjo ka një efekt të dyfishtë në raport me blerësin dhe të shumëfishtë në raport me komunitetin dhe në raport me shoqërinë dhe me pronën. E thashë, të paktën me këtë test që nuk ishte një test i lehtë, edhe godinat me shkelje nuk kanë shfaqur shenja pasojash, sepse mesa duket janë ndërtuar me themele shumë të forta, me idenë që të shtojnë ujë e të shtojnë miell gjatë kohës. Por të fokusohemi tek nevoja që kemi dhe të mos harrojmë se godinat me shkelje cenojnë edhe pronën e tjerëve rreth e rrotull, cenojnë komunitetin, ambientin e të gjitha me radhë. Kështu që nuk besoj se kjo masë nuk do të përshëndetet nga kushdo që nuk ka pasoja tërmetesh artificiale në sferën ku strehon trurin.
Nga ana tjetër nuk është se e kemi shpikur ne. Është një masë gjerësisht e përdorur në gjithë botën normale, është një marrëdhënie e mbyllur, jo një marrëdhënie e hapur, që shkojnë njerëzit blejnë apartamente dhe pastaj mbeten me gisht në gojë, sepse nuk e kanë pronën e tyre dhe pse jetojnë aty, pra, kanë një strehë, por jo një pronë se as nuk e shesin dot, as nuk e vendosin dot kolateral, sepse kur shkojnë në hipotekë është diçka që nuk mund të regjistrohet. Ky është një mashtrim që duhet të marrë fund. E pastaj ankohen sigurisht tek shteti, ndërkohë që është marrëdhënie palësh dhe ajo marrëdhënie palësh duhet garantuar dhe atë marrëdhënie palësh nuk ta garanton dot askush, por e garanton vetëm ligji dhe sistemi i mbrojtjes që krijohet me ligj. Kështu që futja e kompanive të sigurimit besoj se është e domosdoshme, aq më tepër që besoj, – nuk e di në cilin prej ekraneve tuaja se nuk i referohem ekraneve, por shoh raporte të përmbledhura, – që është dhënë informacioni mbi dëmshpërblimin e menjëhershëm nga kompani sigurimi të një numri jo të vogël familjesh. Këto familje, që nuk më rezulton të ishin familje të pasurish, kanë patur urtësinë që të sigurojnë banesën apo apartamentin e tyre dhe sot që flasim nuk janë të pritje të planeve tona, por kanë marrë menjëherë ndihmën nga kompanitë e sigurimit. E për më tepër nuk është çështje thjeshtë tërmeti, por kemi përmbytjet që janë për njëmijë e një arsye të shpeshtuara së fundmi.
E patë dhe e shikoni vazhdimisht, sepse jeni ju që e informoni publikun, se çfarë ndodhi vetëm para pak ditësh, jo shumë larg Shqipërisë, masivisht, kështu që këto nuk mund përballohen dot, as me stresin që do marrim ndonjëherë dëmshpërblimin, as me buxhetin e shtetit. Këto duhet të përfshihen të gjithë në një sistem sigurimesh, siç e ka gjithë bota normale. Kush dëmtohet, përtej gjithë dhimbjeve që ka dëmi, për njëmijë e një arsye, së paku është i siguruar që do të marri mbrapsht atë që ka humbur materialisht, se shpirtërisht është e pakompensueshme.
Sa është fondi rezervë që ju keni alokuar sot, nga vendimi i mbledhjes së qeverisë dhe sa ka shkuar kontributi i Shqipërisë solidare deri tani, nëse mund të kemi një shifër. E së dyti, nëse më lejoni ju shkuat vetë në Gjermani për të kërkuar një kohë për negociatat. Po me Parisin dhe Amsterdamin zyrtar çfarë po bëhet?
Me Parisin jemi duke komunikuar për tërmetin dhe kanë shprehur të gjithë gatishmërinë e tyre. Që në momentin e parë, Presidenti më ka telefonuar, gjë për të cilën e kam falenderuar.
Përsa i përket negociatave, edhe njëherë, unë nuk do të lodhem së përsërituri, por besoj se edhe ju është mirë që të mos keni ngurrimin ta përsërisni që nuk varet nga ne, varet nga të tjera arsye jashtë nesh. Nëse në Bundestagun gjerman, ne kemi një marrëdhënie tjetër për shkak të një angazhimi tjetër politik, – në raport partiak me Shqipërinë, CDU-ja është partia politike më e informuar në botë, por është dhe e vetmja, me thënë të drejtën, kështu që nuk është një rast i përgjithshëm, është më e informuara, po edhe me e dizinformuara patjetër, sepse ka një kontakt të vazhdueshëm me Shqipërinë dhe janë shumë skrupulozë. E përderisa ne kemi kaluar Bundestagun gjerman do të thotë që nuk ka më asgjë që lidhet me ne. Tani, reformën e BE-së dhe vizionin e kësaj reforme për ndryshimin rrënjësor të BE-së që ka Presidenti i Francës, nuk e ndikon as Gjykata Kushtetuese në Shqipëri, as reforma zgjedhore në Shqipëri. Nuk janë fare në sferën e interesave dhe të vëmendjes së tij.
Kështu që unë nuk jam në gjendje të them se cili do të jetë përfundimi nga ana e Francës, por jam në gjendje të them që unë mirëkuptoj plotësisht që Franca është një vend i madh, është një nga dy themeluesit e idesë së BE-së, ka të drejtën që të mendojë dhe të shohë ndryshe në raport me Bashkimin Europian dhe për sa kohë mendon dhe sheh ndryshe, ka edhe të drejtën të mos e ketë mendjen tek ne, pavarësisht se sa e padrejtë që mund të na duket ne kjo dhe sa e padrejtë mendoj unë që është kjo.
Sidoqoftë është shumë e rëndësishme që kemi kapërcyer barrierën e Bundestagut, kemi marrë një “Po” që është e qartë, se përndryshe për çfarë do votohej në Bundestag, nëse do ishte një “Jo” apo “Jo”. Ishte “Po” apo “Jo”. E kemi marrë me debat, me të gjitha.
Ka dy kushte që janë plotësisht të realizueshme brenda këtij viti, qoftë referoma zgjedhore sipas OSBE/ODIHR, qoftë dhe plotësimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendosja në funksionim i Gjykatës së Lartë dhe SPAK. Pastaj të tjerat nuk janë më në dorën tonë. Duhet të mësoheni që integrimi në BE është përfshirja në një familje me shumë anëtarë, me shumë interesa që jo gjithmonë përputhen dhe mbi të gjitha, jo të gjitha përputhen në të njëjtën kohë. Mund të meritosh atë që po kërkon, ndërkohë që dikush nga anëtarët e asaj familjeje ka zgjedhje dhe në ato zgjedhje i duhet të thotë që nuk dua t’ia di fare për Shqipërinë. Ndërkohë që ty të thotë të mbarojmë zgjedhjet dhe të flasim prapë. Kështu që duhet të mësohemi. Ashtu sikundër duhet të mësohemi me faktin që ky i gjithi është një proces me kushte. Unë qesh kur dëgjoj jo 2, jo 9.
Dy kushtet janë të rëndësishme, sepse na çojnë në tryezë të konferencës ndërqeveritare midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Europës, me gjithë kryeministrat dhe kancelaren. Pastaj të tjerat nuk janë 9, janë 999, sepse në çdo hap, në çdo kapitull, në çdo paragraf ka një kusht. Ky është kushti që të përputhesh legjislacionin për pyjet, për peshqit, për ajrin, për detin, për tërmetin etj.. Janë të gjithë gjëra që na bëjnë shtet europian. E kjo është arsyeja pse unë të paktën jam kaq i dëshiruar për këto negociata, për faktin se na përshpejtojnë të bërit shtet europian, siç ndodhi me drejtësinë.
Sa para nga Fondi Rezervë qeveria shqiptare i ka ndarë veç për të përballuar dëmet e tërmetit?
Kemi vendosur pjesën e Fondit Rezervë me Akt Normativ dhe janë rreth 6 milionë dollarë në dispozicion sot, por është një shifër bazë, sepse kostot janë më të larta dhe që do të duhet të pasurohen edhe me elementë të tjerë.
Cilat do të jenë format e ndërhyrjes shtetërore për familjet e prekura, do të ketë vetëm kompensim financiar për banesat e ndërtuara, apo ndërhyrje të drejtpërdrejtë për të rindërtuar shteti apo donatorët
Ne atyre që kanë humbur shtëpinë, do t’i bëjmë shtëpinë. Lojëra me lekë nëpër duar nuk do të ketë. Kush ka humbur shtëpinë, do të marrë shtëpinë. Kemi patur raste që do që ta bëjë vetë, sepse do që ta bëjë më të madhe, apo më të bukur, është i lirë ta bëjë, nuk do të paguajë asnjë taksë. Kjo është ajo që do të bëjmë ne.
Ju thatë që negociatat nuk i kemi në dorë. Por Zoti Basha tha sot në një deklaratë se ju keni në dorë zgjidhjen e krizës politike. Sipas tij ka thënë që ju keni në tryezën tuaj platformën antikrizë të opozitës së bashkuar. Ose duhet të zgjidhni atë, ose duhet të hapni krahun. Cilin do të zgjidhni ju?
Unë mendoj se më e rëndësishme, sesa të harxhojmë kohën e njëri-tjetrit dhe të njerëzve me këtë procesin “ai tha, po ti si thua”, është se ne me njerëzit merremi me problemet reale. Tërmetet artificiale, unë kam në dorë t’i krijoj, por nuk kam në dorë t’i parandaloj, kur ndodhin diku tjetër. Tërmetet, – largqoftë! – natyrale, asnjë nga ne nuk i ndalon dot. Ajo që ne kemi në dorë është të bëjmë atë që kemi në dorë. Çfarë nuk kemi në dorë, as nuk e bëjmë dot dhe për më tepër as nuk e imponojmë dot. Më erdhi diçka për të thënë, është njësoj si një karrocë me kalë që i thotë një treni hap krahun.