Ulsi Manja

Ministër i Drejtësisë

Z. Ulsi Manja shërben në detyrën e Ministrit të Drejtësisë që prej shtatorit 2021, detyrë në të cilën u emërua pas një karriere të gjatë në fushën e drejtësisë, administratës publike dhe të drejtave të njeriut.
Z. Manja u diplomua me titullin “Jurist” në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë në vitin 1996. Në vijim, ai fitoi licencën e avokatit dhe është doktor shkencash në fushën e të drejtës penale.
Nga diplomimi dhe deri në zgjedhjen e tij të parë në Kuvendin e Shqipërisë, në vitin 2013, ka punuar në funksione të lidhura ngushtë me drejtësinë, si ndihmësgjyqtar, prokuror, drejtues prokurorie dhe avokat në disa rrethe të Shqipërisë, si Dibër, Shkodër, Mirditë, Lezhë dhe Tiranë. Njëkohësisht, për 10 vite me radhë ka shërbyer si pedagog i të drejtës penale dhe procedurës penale në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Shkodër dhe dy universitete të tjera në Tiranë. Karriera akademike përfshin një numër të madh publikimesh shkencore në revista të ndryshme ndërkombëtare.
Përgjatë një periudhe 20-vjeçare, 1999-2019, ai ka kryer trajnime të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, si në Poloni, Danimarkë, Itali dhe Gjermani, konkretisht në fushën e sundimit të ligjit, hetimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, menaxhimit dhe kontrollit të sistemit të prokurorisë, trajtimit të të dënuarve në sistemin e vuajtjes së dënimit, etj.
Në funksionin e tij politik, nga viti 2013 e në vijim, Manja ka luajtur një rol kyç në konsolidimin dhe vënien në punë të institucioneve të reja të lindura falë reformës në drejtësi, në cilësinë e grupit të ekspertëve, anëtarit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi si dhe në funksionin e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve.