Arrin në 15 mijë numri i të vaksinuarve

Lezha është qyteti i radhës në listën e qyteteve që kanë nisur vaksinimin për personat e moshës mbi 80 vjeç. Edhe në Lezhë, Kryeministri vizitoi qendrën ku kryhet vaksinimi, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu, për të parë nga afër ecurinë e këtij procesi të rëndësishëm për këputjen e zinxhirit të transmetimit të COVID-19.

Të gjithë të moshuarit që po marrin vaksinën janë të planifikuar më parë nga mjeku i familjes e ditë pas dite, me ardhjen e dozave të tjera të vaksinave pritet të rritet dhe numri i vaksinimeve që do të bëhet në ditë në çdo qytet të vendit.

“Ne po vijojmë në të gjithë qendrat e vaksinimit. Kemi arritur mbi 15 000 vaksinime nga ku 12000 janë stafe mjekësore e çdo ditë bëjmë rreth 1000 vaksinime. Besoj që do ecim akoma më shumë me ardhjen e serive të tjera të vaksinave që presim, qoftë nga COVAX, që besoj dy javët e para do ketë ardhjen e serisë së parë dhe gjithashtu nga Pfizer, ku data 15 do të jetë data e ardhjes së pjesës tjetër të vaksinave. Ndërkohë jemi duke kombinuar punën edhe për dozën e dytë që është po aq e rëndësishme për efektivitetin e plotë”, – u shpreh ministrja Manastriliu.

Vaksinimi kundër COVID-19 do të nisë edhe tek mësuesit, të cilët priten të marrin vaksinën e firmës AstraZeneca menjëherë pas ardhjes së saj në vend.