Bashkëqeverisje reale me njerëzit e zakonshëm

Takimi javor në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku njerëz të zakonshëm vijojnë të sjellin dëshmitë e tyre sesi përmes Platformës Shqiperiaqeduam.al kanë gjetur rrugën e zgjidhjes së problemeve, individuale apo komunitare, të mbetura pa përgjigje në zyrat e shtetit:

 

Kryeministri Edi Rama: Keni ardhur me ftesë të ekipit të Platformës së Bashkëqeverisjes dhe që në fillim dua ta rinënvizoj atë që nuk do lodhem së përsërituri, është një ndihmë e madhe që njerëzit e zakonshëm na japin, duke na nderuar me praninë e tyre çdo të mërkurë. Duke sjellë këtu eksperiencën e tyre me Platformën, duke dëshmuar se si ju adresuan Platformës dhe si u zgjidh halli, problemi, kërkesa e tyre, përcjellin tek të tjerët atë aspekt që mbase fjalët tona, fjalimet e mia, nuk arrijnë dot ta vënë plotësisht në pah, – besueshmërinë dhe integritetin e posaçëm që ka kjo platformë.

Çdo javë, ne shikojmë që vazhdon intensivisht ndërveprimi i qeverisë me njerëzit e zakonshëm falë Platformës. Çdo javë titullarët e ministrive angazhohen për t’i dhënë zgjidhje problemeve të njerëzve nga të katërt anët e vendit dhe jo vetëm të atyre që banojnë në Shqipëri, por dhe të atyre që janë jashtë atdheut dhe që përmes një kliku komunikojnë menjëherë me qeverinë.

Si në herët e tjera, edhe sot kemi një numër dëshmish që do të na ndihmojnë të përcjellim përsëri e përsëri, mesazhin që kushdo që ka një problem, kushdo që ka një hall, kushdo që nuk gjen dot rrugë për të marrë atë që i takon dhe nuk merr madje përgjigje nga një zyrë e shtetit, mjafton që të shkojë përmes telefonit, përmes një kompjuteri në njësinë administrative, në zyrën më të afërt të postës, në zyrat e bashkëqeverisjes që ne kemi hapur në çdo njësi administrative dhe të regjistrohet tek shqiperiaqeduam.al dhe aty të përcjellë ankesën, hallin, kërkesën e vet, për të marrë përgjigje dhe zgjidhje, nëse i takon, brenda 10 ditësh.

Po ftoj Flamurin për të prezantuar rastin e parë për ditën e sotme.

Flamuri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Jam këtu për të përcjellë rastin e një qytetari nga Vlora, Zotit Bajram Canaj, i cili në dhjetor të 2017 kishte aplikuar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Vlorë për të regjistruar lejen e legalizimit dhe për 10 muaj e ca nuk kishte marrë shërbim, pavarësisht se kishte vajtur shumë herë, i interesuar pranë zyrës hipotekore. Duke parë këtë vonesë, vendosi që zgjidhjen e saj ta bënte nëpërmjet Platformës dhe në 17 tetor 2018 e regjistroi në Platformën e Bashkëqeverisjes dhe brenda 10 ditësh mori njoftimin e pajisjes me certifikatën e pronësisë.

Zoti Bajram Canaj: Ju faleminderit që jemi këtu, bashkë me ju. Kisha aplikuar në hipotekën e Vlorës për të marrë certifikatën. Kisha paguar gjithë detyrimet që më takonin dhe nuk  e merrja dot certifikatën. Kurse ngjitur shtëpisë sime, vëllai im e mori prej 1 viti. Shkova te drejtori dhe i thashë, si ka mundësi që vëllai ta marrë e unë mos ta marrë dhe jemi në një oborr. Harta jote është bërë keq, – më tha. Gjatë një viti, tre drejtorë të ndërruar e asnjeri nuk më dha zgjidhje. Në datën 17 tetor iu drejtova Platformës dhe brenda 10 ditëve, Zoti Flamur më ktheu përgjigje. Më merr sekretarja e hipotekës dhe tha që  problemi u zgjidh. Pse të mos e zgjidhin aty ku është mundësia? Pse të shqetësojmë Kryeministrin për diçka kaq të vogël? Për mua është absurde. Ju faleminderit Platformës, se puna ime do kishte zgjatur kushedi se sa. Ftoj të gjithë qytetarët që të vijnë të aplikojnë se do marrin zgjidhje se s’bën. Është e pamundur të mos marrin zgjidhje. Ju faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit i dashur Bajram dhe më vjen mirë që u zgjidh problemi. Duke qenë se jam edhe deputet i Vlorës, unë e di seç kam hequr me drejtorët e hipotekës, por nga ana tjetër duhet sqaruar edhe kjo, që sa më shumë njerëzit i drejtohen Platformës, sa më shumë ne përmes Platformës bëjmë presion mbi administratën, aq më shumë në administratë, në zyrat e shërbimeve krijohet vetëdija që çdo njeri, edhe një pensionist që në pamje të parë duket sikur nuk ka asnjë mundësi që të të tregojë vendin, mund të të tregojë vendin. Sepse ajo që ndodh është që pasi Bajrami ka marrë certifikatën, ka filluar hetimi administrativ për ata që e kanë penguar dhe kush është përgjegjës, ndëshkohet administrativisht dhe shkon deri në ndjekje penale, në rast se vërtetohet që qëllimet kanë qenë me prapavijë korruptive.

Katerina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zoti Armand Rakipi iu drejtua Platformës së Bashkëqeverisjes, pasi rezultonte vetëdeklarues pranë drejtorisë së ALUIZNI-t Tiranë, që në vitin 2006. Pranë banesës së Zotit Rakipi janë kryer jo pak, por 5 herë matje në lidhje me përfundimin e praktikës së tij për legalizim, por, përfundimisht, Zoti Rakipi e gjeti zgjidhjen, duke ia adresuar ankesën Platformës. Për 6 ditë i kthehet përgjigja zyrtare në lidhje me emetimin e lejes së legalizimit dhe përcjelljen e praktikës për regjistrim pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive Tiranë.

Zoti Armand Rakipi: Jam banues i zonës bashkiake nr.1 Tiranë. Kisha shumë kohë që aplikoja, kanë ardhur disa herë e kanë matur dhe në dy raste ka ardhur i njëjti person, sa më ka thënë dhe vetë që isha dhe radhën e parë, por skam çfarë bëj se e vendosin të tjerët. Duke marrë parasysh që nuk po zgjidhej, iu drejtova portalit. U bëra dhe unë pjesë e saj dhe me të vërtetë gjeta zgjidhjen dhe jam shumë falenderues. Në momentin që bëra aplikimin, për 6 ditë më erdhi përgjigja që duhet të paraqitesha tek zyrat e ALUZINI-t për të marrë certifikatën e legalizimit. Ka dalë leja që në 10 korrik dhe nuk i di pastaj arsyet e tyre se për çfarë e mbanin. Tani presim që të më zgjidhet edhe problemi tek hipoteka, por më kryesorja u realizua. I jam shumë falenderues portalit, të gjithëve, ty zoti Kryeministër të parit që ishe iniciator i kësaj gjëje.

Katerina, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti tjetër që ka gjetur përsëri zgjidhje, pasi u adresua në Platformën e Bashkëqeverisjes, është ankesa e Zotit Artur Tanushi, i cili iu adresua platformës, pasi rezultonte që në vitin 2006 vetëdeklarues pranë Drejtorisë Rajonale Tirana-veri. Përsëri janë kryer disa herë matje pranë objektit të Zotit Tanushi dhe përgjigja që merrte pranë sporteleve ishte se nuk gjendej dosja dhe duhej përsëri të rifillonte praktika nga e para. Përfundimisht, Zoti Tanushi është pajisur me lejen e legalizimit dhe praktika është përcjellë për regjistrim pranë zyrave vendore të pasurive të paluajtshme.

Zoti Artur Tanushi: Rasti im është një rast me kalvar problemesh dhe hallesh në zyrat e ALUIZNI-t. Që në themelimin e ALUIZNI-t isha regjistrues, çova gjithë dokumentet që duheshin. Prona ishte një pronë që nuk kishte shumë probleme për t’u regjistruar, se ka qenë pronë e vjetër, e ndarë që para ’91-it, por gjithmonë më sorollatnin, ndoshta donin dhe ata bakshishet e tyre. Ju dëgjova ju për portalin. Nuk shpresoja, ngaqë u bë 2006-2017, shumë vite që nuk gjeja zgjidhje dhe tek portali nuk besoja, por një ditë u futa, bëra regjistrimin. Shumë shpejt më erdhi përgjigja që do e ndjekim rastin. Për 2-3 ditë erdhi grupi, bënë gjithë matjet për të 7-ën herë dhe pas 2-3 javësh u zgjidh gjithçka, erdhi leja.

Kryeminsitri Edi Rama: E vërteta është që drejtoria e ALUIZNI-t ka bërë një punë kolosale këtë periudhë, le të themi katër e gjysmë vjeçare, pasi faktikisht u desh që gjithçka të rifillonte nga e para, me sistemimin e dosjeve, – shumë dosje të humbura, etj. Por është po kaq e vërtetë që përtej kësaj pune ka pasur dhe ka ende probleme dhe shqetësime serioze për qytetarët, sepse ka pasur dhe ka ende persona që janë të padenjë për të punuar në shërbim të qytetarit. Ajo çka bën realisht Platforma në shërbim të shtetit, në shërbim të shoqërisë, përtej zgjidhjes së problemit individualisht të çdokujt, është pikërisht presioni i madh që krijohet mbi administratën nga bashkëqeverisja.Kjo është bashkëqeverisje në kuptimin më real të fjalës, sepse një qytetar, njeri i zakonshëm në Tiranë, në Tropojë, në Konispol, në qytet, në fshat, me të ardhura të larta, pa të ardhura fare, arrin brenda 3 minutash të vërë në shërbim të çështjes së tij qeverinë drejtpërdrejtë, ministrin përkatës.

Një deputet nuk arrin dot, në të shumtën e rasteve, që për 3 minuta ta vërë një ministër në shërbim të një çështjeje, për komunitetin apo për një individ. Një qytetar arrin sepse automatikisht, pasi regjistrohet në platformë dhe pasi çështja hyn në proces, menjëherë koordinatorët që janë këtu, që janë përfaqësues të drejtpërdrejtë të qeverisë në çdo dikaster, në bashkëpunim dhe falë autoritetit që kanë nga titullari, vënë në lëvizje gjithë mekanizmin dhe çdo ministër përgjigjet. Në fund të çdo mbledhjeje qeverie del në ekran gjithë lista e çështjeve të platformës së qytetarëve me qeverinë, sektor për sektor. Pra, është bashkëqeverisje reale. Ajo që është dëgjuar këtu 20 e ca vjet, “vota jote, zëri yt”, “më jep votën, të të jap zërin”, “shprehu ti me votë, që të flas unë për ty gjithë jetën”, ka qenë një slogan që nuk ka gjetur kurrë materializim në jetën dhe procesin e përditshëm qeverisës. Sot është realitet. Sot, realisht, çdo qytetar ka fuqinë që duke u bërë pjesë e platformës të vërë qeverinë në lëvizje drejtpërdrejtë dhe jo vetëm kaq, por të ndikojë me kontributin e tij, që faktikisht e bën për vete apo për komunitetin, që të pastrohet administrata nga njerëz të padenjë dhe nga një inerci që na dëmton e që dëmton njerëzit sot e gjithë ditën.

Aleko, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Është i madh numri i pensionistëve, të cilët i janë drejtuar Platformës së Bashkëqeverisjes, duke u ankuar se përllogaritja e bërë në masën e tyre të pensionit të pleqërisë nuk ka qenë e saktë. E vërteta është që në shumë raste, ankesat e tyre kanë qenë me vend. I tillë është edhe rasti i Zotit Petrit Dyrma nga Kuçova. Zoti Petrit iu drejtua Platformës në fund të muajit tetor, duke u ankuar se bazuar në vitet e tij të punës dhe në profesionin që ai kishte kryer, masa e pensionit ishte më e vegël sa duhet. Rasti u trajtua nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, u gjet vërtetë gabimi, u rregullua, u sistemua. Duke filluar nga muaji dhjetor, Zoti Petrit Dyrma do marrë pensionin e tij të saktë dhe jo vetëm kaq, por për tre vite rresht ku pagesa nuk ka qenë e rregullt, ai do marrë edhe tepricën kreditore.

Zoti Petrit Dyrma: Vij nga Kuçova. Kam dalë me pension me ligjin e 2014-s. Më është llogaritur pensioni jo i saktë. E kërkoja sqarimin në Berat, nuk ma zgjidhën, si ata të parët, edhe këta tani. Iu drejtova Platformës, tani u rregullua. Jam dhe i kënaqur me koordinatorët dhe me stafin që ka qeveria këtu lart. I bëj thirrje dhe pensionistëve të tjerë që nëse kanë të tilla probleme, si ky me ligjin e 2014-s që nuk njeh kategoritë, t’i drejtohen Platformës. Unë kam qenë murator me kategori të 7-të dhe nuk është njohur fare. Kam punuar nëntokë me ushtrinë, 9 vjet. Katër vjet me naftën, në punë të vështira, një pension 124 mijë, me shtesat e qeverisë më vete 15 mijë. Të faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Më vjen posaçërisht mirë kur ne zgjidhim rastet e dëshpëruara të pensionistëve që, edhe për shkak të një trashëgimie skandaloze të Institutit të Sigurimeve Shoqërore që po trajtohet prej disa vitesh, për të sistemuar të gjithë bazën e informacionit që ka qenë e hedhur lart e poshtë, nuk arrijnë dot të marrin atë pension që iu takon. Madje edhe ai që iu takon nuk është një pension që shpërblen ashtu si duhet dhe me dinjitet të gjithë mundimet e tyre të jetës. Por, nga ana tjetër, çdo pensionist, çdo pensioniste duhet ta dijë që jemi këtu për të shërbyer pikërisht për zgjidhjen e çdo rasti kur llogaria e pensionit nuk është e duhura.

Entela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Një tjetër rast i trajtuar dhe i zgjidhur në Zyrën e Bashkëqeverisjes në Ministrinë e Financës dhe Ekonomisë është edhe ankesa e Zotit Halit Aga nga Tirana, i cili iu drejtua platformës www.shqiperiaqeduam.al, pasi prej disa muajsh po sorollatej dhe ende nuk kishte përfituar pensionin e tij të plotë të pleqërisë. Me adresimin e ankesës së tij, dosja e pensionit të tij u rishqyrtua nga Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë dhe sot, Zoti Aga përfiton pensionin e plotë të qeverisë me të drejtë përfitimi që në prill të 2018-s dhe i është llogaritur edhe periudha e plotë e kontributit të tij prej 43 vitesh e 9 muaj. Ai ka përfituar një shumë pensioni të rritur si rezultat i rillogaritjes së pensionit të tij.

Zoti Halit Aga: Realisht, unë jam ndjerë më shumë i fyer si qytetar. E kam mbyllur pensionin te burgu i sigurisë së lartë në Fushë Krujë, sektori social. Sinqerisht u ndjeva i fyer nga Drejtoria Rajonale e Tiranës. Unë iu ankova për pensionin, pse s’ma keni bërë të plotë, ata ma prenë fare. Të falënderoj shumë për këtë që ke bërë. Kjo është ideja juaj dhe sinqerisht më pëlqen.

Juela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, nëpërmjet Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka trajtuar rastin e Zotit Gjelosh Mitaj nga Shkodra, i cili prej 7 vitesh nuk arrinte dot të gjente një punë me profesion piktor dhe në këtë mënyrë të mund të merrte diçka për të jetuar. Por, pasi u shqyrtua ankesa e tij në Platformën e Bashkëqeverisjes, nëpërmjet 2 alternativave të punësimit që ishin trajtuar dhe ofruar pranë tij, ai përzgjodhi ofertën e dytë, duke u punësuar pranë një fabrikë këpucësh.

Zoti Gjelosh Mitaj: Zoti Kryeministër, faleminderit shumë! Unë me zanat jam piktor. Ka 7 vite që unë kërkoj te zyra e punës, se jemi shumë piktorë në Shkodër dhe e kemi mbushur Shkodrën me piktura. Mbeta 7 vite te zyra e punës, s’na hyn piktori në punë. Shkova një ditë te zyra e punës dhe u thashë që do t’i shkruaj Kryeministrit. Shkrova aty, ishte e premte dhe ditën e martë, në ora 9 më merr zyra e punës.

Kryeministri Edi Rama: Jam i bindur që do t’i bëjnë më të bukura këpucët.

Juneta, Koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në kuadër të ndërveprimit të Platformë së Bashkëqeverisjes me qytetarët, një rast tjetër, i cili gjeti zgjidhje është edhe problematika e paraqitur nga mësuesja Nertila Budini, lidhur me dy fëmijë që janë nxënës t ë saj në shkollën 9-vjeçare të Cërrikut. Nëpërmjet kërkesës së ardhur në Platformë, ne njihemi me faktin që familja e Zotit Luan Hasa ndodhen në një gjendje të vështirë ekonomie dhe jetojnë në një banesë, e cila është ndërtuar me fondet e Bashkisë Cërrik, por në mungesë të energjisë elektrike. Në këto kushte, çështja i është dërguar menjëherë OSHEE-së, e cila merr masa të menjëhershme për zgjidhjen e çështjes, për lidhjen e kontratës së energjisë elektrike të munguar deri tani nga iniciativat që nuk ishin marrë nga abonentët dhe për furnizimin e objektit me energji elektrike. Për më tej, çështja po ndiqet nga koordinatorët e bashkëqeverisjes lidhur me kompensimin e energjisë elektrike për shkak të tarifës sociale.

Zonja Nertila Budini: Unë jam nga Elbasani dhe është viti i dytë që punoj në Cërrik, në shkollën 9-vjecare “7 Marsi”. Një ditë të zakonshme mësova nga një prej nxënësve të mi që prej 15 vitesh nuk kishin energji elektrike në shtëpi. Realisht u befasova dhe u preka. Nuk mendova gjatë se kujt duhet t’i drejtohem. Unë kam dhe një eksperiencë tjetër, se edhe punësimin tim e kam falë portalit “Mësues për Shqipërinë”. Pasi mbarova punën, mora telefonin tim dhe gjëja e parë që bëra shkarkova aplikacionin dhe besimplotë bëra ankesën time. Ditën e dytë, portali dëshmoi që nuk ishte thjesht një institucion formal, por ishte një institucion shumë i besueshëm. Dita e tretë ishte ditë e shtunë dhe telefonatat vazhdonin që nga drejtori i OSHEE-së në Elbasan, deri te punonjësit e tjerë dhe ditën e hënë vetëm shikoja sytë e nxënëses që qanin nga gëzimi. Ju falënderoj! Respekte të gjithëve!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe shumë respekt për ty, sepse është një angazhim jashtë angazhimit të punës, por një angazhim qytetar që ka sjellë zgjidhjen e një problemi social për një familje, që as nuk ka ditur më parë se si dhe ku të adresohet dhe as nuk ka pasur vëmendjen e Bashkisë së Cërrikut për të marrë zgjidhjen e merituar.

Etleva, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Zoti Vladimir Duma iu drejtua Platformës, duke ngritur një shqetësim personal në lidhje me banesën e tij. Për shkak të një avarie në rrjetin e kanalizimeve, banesa e tij po shkonte drejt amortizimit. Me marrjen e ankesës, Bashkia Vlorë nisi grupin e inspektimit me punonjësit e ujësjellës-kanalizimeve, bënë verifikimin e rastit dhe megjithëse ndërhyrja ishte pothuajse e pamundur për shkak të intersektimit të linjës së OSHEE-së me rrjetin e kanalizimeve, ata ia dolën me gjithë insistimin e Zotit Vladimir, të rregullonin të gjithë problematikën e tij.

Zoti Vladimir Duma: Falënderoj Platformën, sidomos qeverisjen e Kryeministrit dhe asistentët e tij, në veçanti Zonjën Eva, që mori këto detyra përsipër dhe jam shumë i kënaqur që mua çdo gjë mu rregullua në shtëpi.

Etleva, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Kam nderin të kem këtu sot Zonjën Qëndrime, banore e njësisë Administrative Novoselë, nga fshati Panaja. Këto janë ankesa komunitare, të cilat janë të thjeshta në dukje, por realisht janë stërmunduese për këdo që i përjeton në kurrizin e tij. Zonja Qëndrime nuk e mban mend as vetë sa kohë kishte pa ujë të pijshëm në banesën e saj. Me verifikimin e situatës, sot ajo ka ujë të pijshëm në banesën e saj përmes një linje të re që u ngrit nga e para.

Zonja Qëndrime: Kam shumë vite, që kur ka filluar demokracia, luftë e paparë, pa ujë. Ju falënderoj juve si Kryeministër, Platformën dhe shumë urime!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe shumë mirënjohje që more mundimin për të ardhur deri këtu. Më vjen shumë mirë që çështja u zgjidh. E vërteta është që me ujësjellësin dhe me kanalizimet kemi probleme të rënda, të trashëguara, në të gjithë territorin. Kemi hyrë në rrugën e një ndryshimi, por kërkon kohë, kërkon shumë financime. Reforma e ujit po ecën pak nga pak, por po ecën pozitivisht dhe posaçërishtnë zonën e Vlorës jemi angazhuar për të bërë dhe një investim të madh në vitin e ardhshëm, për të zgjidhur problemin e derdhjes së ujërave të zeza në det, një problem 70-vjeçar dhe besoj se do ta zgjidhin dhe e gjithë vija bregdetare e qytetit do të shpëtojë përfundimisht nga ndotja e ujit, që e pengon edhe Lungomaren të kthehet në një plazh vërtetë spektakolar.

Adela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Në adresë të Platformës www.shqiperiaqeduam.al mbërriti shqetësimi i Zonjës Elisa Shkodrani, nënë e dy fëmijëve binjakë, të akomoduar pranë kopshtit 18, Njësia Administrative numër 2 në Bashkinë Tiranë. Shqetësimi i zonës kishte të bënte me faktin e numrit të madh të fëmijëve në raport me edukatoret e këtij kopshti. Platforma e Bashkëqeverisjes i dha zgjidhje problemit, në bashkëpunim me drejtorinë përkatëse pranë Bashkisë Tiranë, duke shtuar stafin e edukatoreve.

Zonja Elisa Shkodrani: Fëmijët e mi nisën kopshtin për herë të parë. Janë binjakë, mosha 3 vjeç e gjysmë në kopshtin 18, tek Lagja “Mihal Grameno”. Numri i fëmijëve ishte 50 fëmijë në një kapacitet për 20 fëmijë. Për to kujdesej vetëm një edukatore dhe një sanitare. Unë kam dy binjakë dhe nuk i mbaj dot aq lehtë, jo më 50 fëmijë t’i mbajë një edukatore. Isha pak skeptike, të jem e sinqertë në fillim, nuk e mendoja që do merrja jo përgjigje, por zgjidhje, para se të më vinte përgjigja që ishte trajtuar rasti im. Aktualisht u shtuan 2 edukatore. U bë e mundur hapja e një grupi dhe tani është një numër normal fëmijësh për edukatore. Dua t’ju falënderoj juve, koordinatorët e bashkëqeverisjes dhe Bashkinë e Tiranës.