Bubq, përfundon infrastruktura nëntokësore e lagjes së re

Në lagjen e re qendrore të njësisë administrative Bubq, në Fushë Krujë, infrastruktura nëntokësore është gati dhe javën tjetër do të nisë puna për shtëpitë individuale dhe banesat kolektive.

Një “superqytezë”, e cilësoi Kryeministri Rama lagjen e re, gjatë inspektimit që bëri në kantierin e hapur në një sipërfaqe prej rreth 8,3 hektarë.

Në banesat e reja do të sistemohen në total 150 familje, ndërkohë që ka nisur puna për shkollën dhe kopshtin, si dhe do të vazhdojë edhe me qendrën shëndetësore e me godinën e re të njësisë.

“Këtu kemi një kombinim midis njësive administrative të komunës, një zonë për njësitë individuale dhe një zonë tjetër për kolektivet. Do të jenë 76 njësi individuale dhe 46 apartamente. Në një zonë prej gati 8.3 hektarë e gjitha, ku përfshihen edhe ambientet komunitare”, – u shpreh ministri për Rindërtimin Ahmetaj.

Pjesë e kompleksit të ri infrastrukturor është edhe Shkolla e mesme e Bashkuar “Selman Daci”, e cila përfundon në fund të shkurtit dhe është pjesë e lotit të fundit të shkollave. “Këtu sapo kanë filluar punimet e shkollës. Janë rreth 14 klasa që do të shërbejnë për rreth 350-360 nxënës. Ka rreth 5 ambiente laboratorike, palestër moderne”, – u shpreh Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi, sipas projektit të ekspozuar në terren.

Pas përfundimit të infrastrukturës nëntokësore të lagjes dhe të linjave të ujësjellësit për gjithë zonën mbetet të fillojë puna për banesat individuale. “Për 3-4  ditë nisim me banesat individuale. Nesër fillojmë me piketimet dhe me përgatitjet e bazamenteve të tyre”, – shprehet drejtuesi i punimeve.

‘Me infrastrukturën në këtë zonë po ecet me shumë shpjetësi dhe do të fillohet pastaj me kombinimin i banesave kolektive dhe individuale.  Në krye të dy muajve do ta kemi të qartë se si do të jetë e gjithë zona,” – u shpreh ministri Ahmetaj, i cili siguroi se “një pjesë e mirë e shtëpive individuale do të mbarojnë në krye të 5 muajve.”

Për të njëjtin afat kohor u shpreh edhe Kryeministri Rama. “Unë mendoj se të gjitha shtëpitë do të jenë në pranverë të mbaruara. Me ndonjë vonesë të vogël, unë mendoj se në prill maj do të jetë pjesa e mbyllur e shtëpive dhe shkollat, të paktën ato që janë me financim të buxhetit të shtetit. Ndërsa ato me financim nga donatorët i kanë procedurat pak më ndryshe. E ndërkohë besoj se deri në mars të gjitha kantieret e pallatit do të jenë ngritur, me përjashtim të Krujës. Krujën e kam pak shqetësim, sepse na u desh ta ndryshonim për shkak të terrenit, të infrastrukturës atje, kishte një tjetër specifikë”, – tha Kryeministri. Ndërkohë që për këtë aspekt, Kryetari i Bashkisë së Krujës Artur Bushi sqaron se tashmë proçedura ndodhet pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe shumë shpejt do të lidhet kontrata  e projektuesi. Ndërsa ministri Ahmetaj shpjegoi se “për ato shtëpi që është e pamundur gjeologjikisht dhe gjeografikisht të ndërtohen, do të jepet vlera  e plotë e ndërtimit të shtëpisë. Besoj do të kemi mbaruar, me mungesa fare të vogla dhe të gjithë pallatet do të jenë në themele për të 11 bashkitë. 59 shkolla që financohen nga buxheti i shtetit do të jenë të mbaruara dhe në proces gati 80 % e shkollave që ndërtohen nga donatorët.”

Po ashtu, duke vlerësuar shpejtësinë dhe ecurinë e mbarë të punimeve, Ministri Për Rindërtimin Ahmetaj tha se “Infrastruktura ka ecur në kohë rekord. Para tre muajsh erdhëm për herë të dytë pas inspektimit të sheshit, sot jemi thuajse në përfundim të infrastrukturës.”