Cikli i bashkëbisedimeve me qytetarë vijon në Berat

Nga bashkëbisedimi i Kryeministrit Edi Rama në Berat në kuadër të ciklit të bashkëbisedimeve me qytetarë:  

Kryeministri Edi Rama: Për të vazhduar punën, për të çuar para projektet e nisura dhe për të plotësuar kornizën e projektit të madh të transformimit të të gjithë Qarkut të Beratit, sot kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë për një bashkim të madh dhe të rëndësishëm forcash, sepse sfidat e mëdha të kësaj kohe të vështirë nuk janë sfida të majta e të djathta, nuk janë sfida partiake, por jetësore.

Sfida e madhe e daljes nga kthetrat e armikut të padukshëm dhe çlirimit të vendit, njerëzve nga ankthi i prezencës së armikut të padukshëm, është një sfidë jetësore që ne do ta fitojmë. Një sfidë ku falë bashkimit të madh të njerëzve, me vetëdijen se kjo është një sfidë që na përket të gjithëve, kemi arritur ta përballojmë pavarësisht vështirësive.

Tani është koha për t’i dhënë një shtysë finale me vaksinimin e njerëzve në kushtet aspak të lehta, kur çështja e vaksinës është kthyer në një çështje të madhe botërore ku të gjitha shtetet kanë nevojë për vaksina, ku 70% e prodhimit të vaksinave sot është në duart e 10 shteteve dhe të gjitha të tjerat kanë akses vetëm në 30% të prodhimit dhe ku Shqipëria, si një vend i vogël dhe në një rajon në mes të Europës, por që nuk u përfshi në skemën e shpërndarjes europiane të vaksinave, ka një sfidë të madhe. Falë këmbënguljes, angazhimit, durimit të madh ja kemi dalë që ta fillojmë vaksinimin, ndërkohë që të tjera vende kanë pasur vështirësi të jashtëzakonshme dhe ende nuk kanë bërë vaksinën e parë.

Brenda gjysmës së muajit mars, ne do mbyllim vaksinimin e të gjithë mjekëve dhe infermierëve të Republikës së Shqipërinë. Jam shumë i bindur se së shpejti do mund të kemi lajme të mira për sigurimin e sasive të nevojshme për jo vetëm për të mos e ulur ritmin, por për ta intensifikuar ritmin dhe për ta kthyer gjithë këtë sezon pranveror në një sezon vaksinimi masiv.

Nga ana tjetër patëm goditjen e madhe të tërmetit, që ishte goditje jo vetëm për mijëra familje të mbetura pa çati brenda pak sekondave, por goditje për gjithë vendin, që imponoi një ndryshim imediat të prioriteteve dhe angazhimeve tona, duke e bërë këtë mandat të dytë të qeverisjes një mandat karakteri. Mandat për të dëshmuar forcën e karakterit të kësaj qeverisjeje, për të mos u përkulur para këtyre goditjeve, por për t’u ngritur më të fortë.

Siç po dalim më të forte, hap pas hapi, ditë pas dite në procesin e rindërtimit ku çdo ditë kthehen në shtëpi familje që humbën strehën dhe sot strehohen në shtëpi më të forta, më të bukura e më të mëdha, në të shumtë e herëve, ashtu do dalim më të fortë nga kjo fazë pandemie.

Pandemia ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm negativ mbi turizmin, në tërësi dhe si e tillë e ka goditur Shqipërinë në mënyrë të posaçme si një vend me profil turistik, ka goditur dhe Beratin. Megjithatë është fantastike që njerëzit këtu, jo vetëm kanë rezistuar, por kanë vazhduar të punojnë, të investojnë. Vetëm në vitin e fundit janë ndërtuar, bërë gati 350 dhoma të reja. Në periudhën qyshkur ne kemi nisur punën për Rilindjen Urbane, këtu në Berat janë katërfishuar kapacitetet. Janë afro 70 struktura të reja mikpritjeje, hotele të vegjël, bujtina, por dhe hotele të standardeve fantastike.

Ka një shifër që flet shumë për ndryshimin e madh që ka nisur. Do kishte qenë edhe më i prekshëm në shifra, nëse nuk do kishim pasur në mes armikun e padukshëm. Janë gjysmë milionë vizitorë në Kalanë e Beratit në periudhën 2014-2020, përfshirë edhe kohën e ngushtimit të hapësirave dhe kufizimit të lëvizjes.

Shifër e pakrahasueshme me të shkuarën, ashtu siç është shumë domethënëse edhe shifra e bizneseve të reja që janë hapur gjatë kësaj periudhe në Bashkinë e Beratit, por edhe në të gjithë Qarkun e Beratit. Një Qark ku është kuptuar dhe po shkohet çdo ditë e më shumë në drejtim të kthimit të vlerave të trashëgimisë, traditës, natyrës në burime për të investuar të ardhmen dhe për të fituar përmes mirëpritjes e turizmit.

Po ashtu është shumë domethënës ndryshimi në të gjithë hapësirën rurale. Në këtë Qark ka eksportues të fuqishëm të prodhimeve bujqësore, grumbullues të fuqishëm, rrjete njerëzish të lidhura bashkë, që funksionojnë më së miri për të rritur vlerën e prodhimit në treg, duke u organizuar, duke u vetëdijesuar që bashkimi bën fuqinë.

Sigurisht ka edhe sfida, probleme e gjëra që janë në mes dhe imponojnë vazhdimin e punës pa u lodhur, pa pushim dhe imponojnë bashkimin e forcave.

Në këtë format, unë dëshiroj të kemi një bisedë të çlirët, krejtësisht të hapur, pa dorashka, me pyetje, opinione, kritika dhe jemi këtu për t’ju përgjigjur mesa ne kemi mundësi.

– Përfaqësuesi i Albania Rafting Group, sipas të cilit, deri në vitin 2019 ka pritur rreth 10 mijë turistë, jo vetëm në Qarkun e Beratit, por në të gjithë Shqipërinë, u shpreh se në kontaktet me agjensitë e huaja është se jemi lajmëruar që deri më 17 maj, sidomos nga Anglia nuk mund të ketë udhëtime drejt aeroportit të Tiranës. Interesimit të tij se çfarë do bëhet nëse kufijtë do vazhdojnë të jenë të mbyllur, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj:

Faleminderit për pyetjen sepse më ndihmon të shpjegoj një fakt që shumëkush, – për arsye të pakuptueshme për mua, – nuk e di. Ne nuk kemi kufij të mbyllur me Shqipërinë. Me Britaninë e Madhe është një rast specifik për shkak të variantit të ri të Coronavirusit që u shfaq në Britaninë e Madhe. Nuk ka fluturime nga Britania e Madhe në asnjë vend të Europës, jo vetëm në Shqipëri. Vështirë ta thuash deri kur do të zgjasë, por ka një gjë që besoj do t’ju japë juve e të gjithëve optimizëm, që Britania e Madhe është një vend që po ia del më mirë së të gjithë të tjerët me vaksinimin për arsye specifike të tyre dhe për faktin se një nga vaksinat ka lindur në Britani. Ata po ecin shpejt drejt çlirimit të hapësirës nga armiku i padukshëm. Pardje, kryeministri lajmëroi disa zhvillime shumë optimiste në Britani, sepse është fakt që vaksinimi është një armë e pazëvendësueshme për këputjen e zinxhirit të infeksionit. Sa më shumë njerëz të vaksinohen, aq më shumë krijohet mundësia për të hequr masat. Ai tha që ata përgatiten që në mars të fillojnë me një çlirim gradual të masave, në prill të hapin stadiumet për 10 mijë persona dhe në maj e qershor të jenë përfundimisht të hapur në çdo gjë. Mund të ndodhë që shumë shpejt të hapen fluturimet me Britaninë e Madhe, nuk është e thënë deri në maj. Edhe këtu, ky është një vendim që e marrim në mënyrë periodike, jo me një afat të gjatë pasi në këtë lloj situate gjërat ndryshojnë dhe dinamikat janë të paparishikueshme.

Ajo që unë besoj është shumë e rëndësishme për ne, është të arrijmë të vaksinojmë intensivisht gjatë gjithë sezonit pranveror, këtu fus edhe ambicien që kur të hyjmë në sezonin e verës dhe pikun e sezonit turistik, të kemi lehtësim nga pikëpamja e rrezikut. Nuk do mund të vaksinojmë të gjithë popullatën deri në atë fazë, por, nëse do vaksinojmë një pjesë jo të vogël sipas planit tonë që brenda 14 muajve ta kryejmë vaksinimin, atëherë sigurisht do kemi një avantazh e marzh veprimi shumë më të madh seç e kemi sot. Po punojmë shumë fort, ditë – natë, për të siguruar dozat e nevojshme, për të vazhduar vaksinimin, duke rritur sasitë. Kemi organizuar një rrjet vaksinuesish dhe po bëhet dhe përzgjedhja e grupeve shtesë, një grup nga studentët e Infermierisë dhe një grup nga Forcat e Armatosura, për të shtuar kapacitet në terren që në momentin që kemi më shumë doza, të kemi më shumë kapacitet vaksinimi ditor.

– Lidhur me pyetjen e një ekonomisti me përvojë të gjatë në Berat se çfarë plani ka qeveria për të ndihmuar biznesin në këtë situatë të vështirë, Kryeministri Rama u përgjigj:

Mendoj që pandemia na dha një shtysë të rëndësishme për të hedhur një hap shumë të rëndësishëm, një hap që tejkalon zotimet tona lidhur me biznesin. Sepse, siç ndodh zakonisht, kur ka një krizë, krijohet edhe mundësia për t’i parë gjërat ndryshe dhe për të shfrytëzuar krizën, për të dalë më të fortë prej saj. Ky hap është zerimi i taksës së fitimit dhe zerimi i TVSH-së për të gjitha bizneset me një xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit dhe zerimi i Tatim-fitimit mbi të ardhurat për të gjithë bizneset mbi 140 mijë dollarë në vit.

Kur ne kemi marrë detyrën, çdo biznes me xhiro mbi 20 mijë dollarë në vit tatohej 10%, plus 20% TVSH-ja. Ne morëm masën e parë të përgjysmimit të tatimit, e çuam në 5% dhe sot është në fuqi masa e lajmëruar vitin e shkuar, si rezultat i reagimit ndaj pandemisë në mbështetje të biznesit për taksa 0. Unë isha në disa njësi biznesi të vogël këtu në Berat dhe është një mbështetje e madhe, sepse shteti heq dorë nga çdo akses në fitimin e biznesit të vogël. Ato që deri dje merrte shteti, sot janë aty për familjet, për të punësuarit dhe disa prej tyre dëshmuan që, nëse nuk do ishte marrë kjo masë, do ishin detyruar të hiqnin njerëz nga puna.

Ajo që na rezulton është që ne, sot kemi më shumë biznese të vogla në Republikën e Shqipërisë, seç kishim në janar të 2020-ës, para sesa të fillonte goditja e pandemisë. Dhe kjo është arsyeja themelore, biznesi është i inkurajuar.

Për biznesin e madh, unë e kam thënë dhe e përsëris, nuk do ulim Tatimin mbi fitimin. Ka qenë, është dhe vazhdon të jetë 15%, të paktën për një periudë kohe, pastaj nëse do krijohen mundësitë për ta ulur, pse jo. Është e rëndësishme që ta dinë të gjithë që ka një ndarje të prerë mes nesh dhe alternativave të tjera. Ne jemi që ata që paguhen më pak, të paguajnë më pak dhe ata që fitojnë më shumë, të paguajnë më shumë. Kjo nuk do të thotë që biznesin e madh e kemi lënë pa mbështetur në disa forma. Kemi mbështetur punonjësit e sipërmarrjve të mëdha me paketën e mbështetjes, kemi mbështetur turizmin me një paketë speciale dhe të gjitha industritë prodhuese që nga fasonet e me radhë, për të mos i lënë vetëm.

Sot, nëse shikojmë konsumin, jemi kthyer në shifrat e konsumit para pandemisë, sepse është injektuar shumë para në ekonomi. Është injektuar përmes paketave të mbështetjes, Programit të Rindërtimit. Vetëm nga Programi i Rindërtimit ushqehen dhe punojnë me pagë nga Programi 25 mijë familje. Janë 25 mijë persona janë punësuar nga Programi e që çojnë paratë në familje.

Turizmi është goditur, por jo aq shumë sa mund të ishte goditur nëse, së pari, do kishim mbyllur kufinjtë, gjë që ne nuk e bëmë; së dyti, nëse ne nuk do e kishim lehtësuar sipërmarrjet në hoteleri, për t’u dhënë mundësi që të shfrytëzojnë gjithë sezonin me një turist disi më ndryshe, sepse vërtetë nuk erdhën turistët nga jashtë, por shumë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri që udhëtuan e pushuan e këtu sepse nuk shkonin dot jashtë e patjetër dhe turistët nga Kosova që erdhën në numër të konsiderueshëm. Këtë vit, unë besoj që do jetë më mirë sesa vjet. Jam i bindur dhe shifrat do tregojnë që do jetë më mirë se vjet, sepse edhe një pjesë e të huajve që janë vaksinuar do lëvizin, edhe një pjesë e jona që do jetë e vaksinuar do e ketë më të lehtë. Do ketë pak më shumë frymëmarrje këtë vit në industrinë e turizmit. Ndërsa në të gjithë aspektet e tjera besoj se gjërat do shkojnë duke u përmirësuar.

– Pyetjes së një maturanteje nëse ka një plan për të luftuar korrupsionin deri në eliminimin e tij, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Kjo është një pyetje që meriton një cikël bisedash, por do mundohem t’i përgjigjem në mënyrë të përmbledhur. Duhet të kuptojnë të gjithë që korrupsioni është një alternativë e një shërbimi të munguar. Aty ku mungon një shërbim, aty ku një shërbim i mohohet apo i bëhet i vështirë qytetarit, aty korrupsioni fiton terren e kthehet në alternativë. Lufta kundër korrupsionit është një luftë për të modernizuar sistemet tona të funksionimit të shtetit dhe të shërbimit. Patjetër, nëse e shohim sot me sy kritik vendin, kemi një problem të madh me korrupsionin, jo të vogël, por, nëse e vendosim në perspektivë nga u nisëm, kemi arsye të besojmë që jemi në drejtimin e duhur dhe thjesht duhet të vazhdojmë punën. Boll t’ju them që me revolucionin digjital që po bëjmë, duke kaluar një pjesë të shërbimeve online, duke hequr kontaktin e qytetarit dhe atij tek sporteli, sepse problemi më i madh në një vend si i yni është ardhja e korrupsionit shumë afër çdo individi në formën e kërkesës për rryshfet për të marrë një shërbim ndonjëherë shumë të zakonshëm për të marrë një certifikatë, një dokument, një titull pronësie, një akses më të shpejtë në radhë e po të mendosh që ne e nisëm me tre shërbime dixhitale që ishin në vitin 2013 dhe sot jemi duke finalizuar punën për 900 e disa shërbime, janë miliona shërbime sot që janë dhënë online, janë miliona kontakte që janë eliminuar dhe miliona mundësi rryshfeti që janë eliminuar. Por kjo nuk do të thotë që ky nuk është një problem, përkundrazi, do të thotë që ne duhet të vazhdojmë në këtë drejtim, sepse çfarë është e mundshme të shërbehet online, kjo çështje është e zgjidhur, mjafton të realizohet. Nëse kemi problem me hipotekat dhe janë probleme në ato zona ku ende hartat e pronat nuk janë ende të mirëregjistruara e të mirëfiltruara nga mbivendosjet e për këtë arsye nuk e merr dot shërbimin online, nuk e gjeneron akoma kompjuteri, një pjesë tjetër, jo e vogël, sot e gjeneron kompjuteri e nuk ka nevojë të shkosh në hipotekë.

Nga njëqindpërqindësh që deri dje duhet të shkonin atje dhe të fillonin ndërveprimet që në të shumtën e herës përfundonin me nevojën e një sekseri, sot, një përqindje e konsiderueshme nuk e ka këtë nevojë. Por është pjesa tjetër që jemi shumë të vetëdijshëm që është problem. Nëse tek këto shërbime, çështjen e zgjidh online, ka shërbime të tjera që nuk e zgjidh dot online, si shërbimi në shëndetësi, kontakti me mjekun, me infermierin e spitalin, se është çështje njerëzish. Këtu, ne kemi krijuar kushte që të hyjmë në fazën tjetër të reformës në shëndetësi, duke ndryshuar modelin e menaxhimit të spitaleve e duke futur autonominë spitalore.

Për këtë arsye, ne do e shndërrojmë spitalin e ri të Fierit në një qendër transferimi teknologjie dhe dijeje dhe do aplikohet modeli i autonomisë spitalore si projekt pilot, ku autoritetet e shëndetësisë dhe të spitaleve do shohin si funksionon atje, do marrim trajnimet përkatëse. Atje për një periudhë tranzicioni 1 deri 3 vjet do ketë menaxhim turk. Menaxherët do jenë turq, shefat e pavioneve do jenë turq. Janë rreth 50 persona që do vijnë nga Turqia e që do bashkohen me 320 persona, mjekë, infermierë, personel shqiptar. Më pas do shtrihemi në të gjithë territorin.

Turqia ka pasur një problem të njëjtë para se të fillonte reforma. Reforma tek ne ka filluar njësoj si në Turqi, por autonomia spitalore nuk mund të bëhet nëse nuk ke spital dhe spitalet janë ashtu siç ishin përpara 7 vitesh, një tmerr. Nuk mund të bëhet autonomi spitalore, nëse nuk ke të gjitha linjat e furnizimit dhe të ruajtjes si duhet të medikamenteve. Nuk mund të bësh autonomi spitalore, nëse nuk ke mjete për spitalin. As përparëse nuk kishin. Sot ka akoma disa ndërhyrje të rëndësishme për të bërë në disa pika, por ky nivel pak a shumë është siguruar dhe ne mund të ecim paralelisht, për të krijuar një tjetër system ku, përveç autonomisë spitalore, mjekët dhe infermierët janë shumë më të motivuar financiarisht për punën që bëjnë dhe ku mjeku do të vlerësohet sipas kontributit dhe do të ketë mundësi të paguhet shumë më mire, duke i menaxhuar vetë spitali, qoftë fondet që i jepen nga qeveria, qoftë nga të ardhurat e veta.

Të keqen më të madhe e kemi kaluar dhe tani duhet vetëm të vazhdojmë punën.

Shqipëria në çdo sektor është në të njëjtën situatë. Janë hedhur disa baza, janë ngritur disa mure, por duhet të mbarojë puna, përndryshe nuk mund të thuash shiko sa mirë jetohet këtu.

Ka patur një entuziazëm shumë të madh për reformën në drejtësi që solli një mbështetje mjaft popullore. Por një pjesë e madhe nuk e kanë kuptuar apo nuk duan të kuptojnë që vetting-u është vetëm hedhja e bazave, sepse vetting-u është pastrimi, nuk është gjykatë që dënon gjykatësit apo prokurorët e korruptuar. Vetting-u pastron dhe nga pastrimi çlirohet sistemi nga një llum i madh. Duke qene se vetting-u filloi, por, nga ana tjetër, njerëzit i kanë ato fiksimet “pse nuk u arrestua ky apo ai”, a thua se unë jam kryeprokuror dhe unë i kuptoj këto frustacione, por çështja është që ne nuk jemi në vitin 1945, që të bëjmë arrestime me urdhër partie. Por, nëse shikojmë sot, disa shenja pozitive janë dhënë. U arrestua një gjyqtare me një grup rreth saj që kishte marrë vendime të tmerrshme. Deri dje, kjo nuk ndodhte, ndërsa sot ndodh dhe është një mesazh shumë i qartë për të gjithë. U arrestua një mjek që kishte rrjepur dynjanë. Deri dje, kjo nuk ndodhte.

E fundit që ka krijuar një turbullirë të madhe në lagjet e tjera të politikës, lidhur me vendimin e Sekretarit të Shtetit për të vlerësuar me çmimin e veçantë të nderit të SHBA-së një gjykatësi shqiptar, që dihet pse është bërë i njohur, dihet edhe se më kë është përplasur, është shumë domethënëse.

A kemi drejtësinë që duhet?

Ne s’e kemi drejtësinë që duhet, por a i kemi hedhur ne bazat? Kjo nuk diskutohet!

Kush mund ta mbështesë drejtësinë?

Kjo është shumë e qartë, ashtu siç është e qartë se kush mund ta pengojë.

Kështu që në të gjitha drejtimet, për ti’ dhënë përgjigje pyetjes, korrupsioni po luftohet duke reformuar dhe duke ndryshuar sistemet, por ende këto sisteme nuk janë në atë nivel që të mund të themi që korrupsioni është defaktorizuar kudo.

-Interesimit për fazën në të cilën ndodhet Shqipëria sa i përket procesit të integrimit Europian, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Procesi i integrimit ka dy faktorë, Shqipërinë dhe BE-në. BE-ja nuk është një i vetëm, por është një bashkësi shtetesh që janë faktorë të ndryshëm në këtë proces. Duke u nisur nga vendimi i marrë nga Këshilli Europan, çelja e negociatave është zyrtarizuar. Nëse i pyet ata, negociatat me Shqipërinë janë hapur, por negociatat formalisht me një vendim të Këshillit Europian, është aspekti i aprovimit nga të gjitha shtetet, ndërkohë që procesi i negociatave lidhet me hapin formal të Konferencës Ndërqeveritare, pastaj vazhdimi është një histori me shumë kapituj.

Këtu jemi në një fazë ku e kemi parë që dinamikat e brendshme në BEdhe hallet e brendshme të një vendi dhe të një vendi tjetër ndikojnë. Unë e kam thënë që pa u bërë zgjedhjet në Holandë, ne do të dëgjojmë shumë, por Konferenca Ndërqeveritare nuk do të ndodhë. Një nga faktorët ky, nuk është i vetmi. Të shohim më pas. Ka ndikuar shumë edhe pandemia, sepse ka futur një tjetër axhendë në mes. E rëndësishme është që ne i kemi bërë detyrat tona.

Bashkimi Europian ka dy shkallë, Komisionin Europian që bën vlerësimin teknik të të gjithë hapave, të të gjithë rezultateve dhe ka dhe Këshillin Europian që bën vlerësimin politik mbi situatën e brendshme dhe kjo lidhet me situatën e brendshme në vende të caktuara. Përshembull, një qeveri e caktuar nuk do të hapë rrugë në një moment të caktuar sepse ka hallin se çdo thonë zgjedhësit e vet atje. Nuk është një proces që ecën vetëm teknikisht, nuk është një proces që varet vetëm nga çfarë bëjmë ne, por është një proces që varet nga shumë komponentë të tjerë. Ajo që është e rëndësishme është që ne të bëjmë tonat për një arsye shumë të thjeshtë. Ne i bëjmë se janë gjërat e duhura për t’u bërë për vendin tonë, për shtetin tonë, për fëmijët tanë. Ҫdo reformë dhe çdo hap që imponon procesi i integrimit europian është në të mirën e vendit tonë.

 -Lidhur me planet për të ardhmen e Arsimit të Lartë dhe atij Parauniversitar, si dhe mbi ecurinë e alternativës së mësimit online, Kryeministri Rama u shpreh:

Mësimi online është një alternativë nga halli. Mësimi online mund të jetë i vlefshëm në momente të caktuara, kur është zgjedhje e lirë. Por mësimi online në kushtet e pamundësisë për të bërë mësimin normal, sigurisht nuk është një alternativë ideale, por një alternativë nga halli. Unë e kam të lehte ta imagjinoj këtë sepse e kam në shtëpi, kur online futen edhe fëmijët e vegjël fare dhe pastaj është një histori që ka vërtetë vështirësi të jashtëzakonshme për ta, për mësuesit, për prindërit. Por kjo është një fazë tranzitore dhe unë shpresoj të mbarojë shpejt.

Nëse flasim për reformën, mendoj që transformimi real në Sistemin Parauniversitar është një fakt. Mjafton të shikojmë ndryshimin e madh që është bërë me tekstet shkollore. Fëmijët shqiptarë kanë sot tekstet e Oxford, të Cambridge, të Pearson. Mësuesit janë në një situatë krejt tjetër nga sa ishin, kanë një status tjetër, në sensin njerëzor dhe profesional. Të bëhesh sot mësues, nuk është si deri dje. Duhet të kalosh një test kombëtar dhe të presësh radhën, sipas pikëve që ke marrë.

Nëse unë do të vija gishtin mbi një problem të ngjashëm me çka ishte, është drejtimi shkollave ku ne jemi ende një fazë shumë fillestare të procesit. Kemi garantuar që të heqim nga drejtimi i shkollës frymën e militantizmit. Ne duam që në drejtimin e shkollave të kemi një drejtues shkollash të licencuar. Kemi marrë nga Izraeli një model, që është shkolla e drejtorëve.

Për Arsimin e Lartë, për të qenë shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë, unë jam i shqetësuar sepse reforma e Arsimit të Lartë ka qenë një reformë e thellë dhe e guximshme. Në letër, ky ligj është shumë i guximshëm dhe lë hapësirë për progres, por është problem që autonomia universitare, që ligji e jep me pashë, ka dy anë, liri dhe përgjegjësi. Ajo që perceptoj unë dhe ajo që perceptohet pa ndonjë mundim të madh nga të gjithë ata që e vëzhgojnë situatën, është se aspekti i lirisë është marrë i tëri, aspekti i përgjegjësisë, jo. Po të shikosh kërkesat për programe të reja, është shqetësuese. Kërkojnë të shtojnë programe që tregojnë vetëm një gjë, ankthin apo nevojën për të krijuar punë për vete, por jo shqetësimin se si të krijojmë punë për të rinjtë. Çfarë kuptimi ka që t’i japim të rinjve një shkollim që tregu nuk e kërkon!

Këtu, ne kemi nevojë të bëjmë një hap kurajoz përpara dhe realisht të reformojmë sistemin e programeve në funksion të tregut. Mes këtyre të dyjave është Arsimi Profesional dhe krijimi i kushteve për kolegje profesionale, jo vetëm shkolla profesionale, por edhe kolegje. Një pjesë e njerëzve që mbarojnë shkollën e mesme të marrin një kolegj profesional që është një kualifikim më i lartë, siç e ka gjithë bota.

-A ka menduar qeveria shqiptare një skemë mbështetjeje të sipërmarrësve të rinj, por edhe të tur-operatorëve të vegjël, për kthimin e banesave monument në bujtina, ishte një nga pyetjet e bëra nga një drejtues bujtine, të cilës, Kryeministri Rama iu përgjigj:

Ne kemi lehtësuar maksimalisht sipërmarrjen e vogël me zero taksa dhe zero TVSH. Një bujtinë e vogël hyn tek kjo kategori. E kishit TVSH-në 20%. Na u lutët ta bënim 8%, ne e bëmë 6%. Tani që e bëmë zero, do të donit që jo vetëm të mos paguanit asgjë, por ta paguajë qeveria. Përtej kësaj shakaje që është më shumë se gjysma e së vërtetës, unë dua të them që kemi dy gjëra me të cilat po merremi; Është një projekt, për të cilën kemi nënshkruar marrëveshjen gjatë vizitës time të fundit në Turqi, për Beratin dhe Gjirokastrën, për një ndërhyrje më të konsiderueshme sesa ato që ne kemi bërë në vite për restaurimin dhe vënien në kushte optimale të këtyre godinave që janë monumente kulture. Gjëja tjetër për të cilën ne po punojmë është një program për nxitjen e jetësimit të këtyre banesave. Nuk është vetëm restaurimi, por edhe jetësimi, kthimi i tyre në një instrument ekonomik, jo për shtetin, por për pronarët.

Do të kalojmë së shpejti në Parlament një ligj të ri për Start up-et, i cili do të jetë një mbështetje e rëndësishme për ata të rinj që hapin biznese të reja.

Po ashtu jemi duke punuar për një masë të re për të gjithë emigrantët që do të jenë të gatshëm të investojnë në shtëpitë në toke e tyre në fshat, për agroturizmin apo investime deri në një shumë të caktuar. Jemi duke përgatitur masën dhe besoj që do të jetë pjesë e planit tonë të veprimit 2021-2025.

– Lidhur me sistemin e ujit të pijshëm dhe furnizimin e Beratit me ujë të pijshëm 24 orë, Kryeministri Rama u shpreh:

Ka shumë njerëz që me shumë të drejtë thonë akoma diskutojmë për ujin. Normalisht nuk duhet të diskutonim për ujin në vitin 2021, por, fatkeqësisht, çështja e ujit u bë një odise e pashembullt për shumë e shumë vite. Ndryshimi demografik ishte bombastik. Qytete të tëra u rritën me një shpejtësi të madhe nga pikëpamja e popullatës. Sistemet e furnizimit me ujë apo të kanalizimeve ishin të ndërtuara për komplet të tjera përmasa, shumë më të vogla. Po ashtu, nevojat për ujë, për energji u rritën jashtëzakonisht shumë dhe këto sisteme dolën jashtë loje dhe nga këto nevoja të rritura filloi masakra e jashtëzakonshme nga ndërhyrje të paligjshme në sistem. Uji është malli më i vjedhur në Shqipërinë e viteve pas rënies së komunizmit, së bashku me energjinë që ishte në një situatë po kaq të rëndë.

Ne sistemuam fillimisht gjithë atë mal me dokumente. Llogariteni që Shqipëria me paratë e donatoreve të ndryshëm apo dhe me paratë e taksave ka hartuar 23 strategji kombëtare për ujin nga viti 1991 deri në vitin 2013. Ajo që mund të them është që qoftë Berati, qoftë të gjitha qendrat urbane të Shqipërisë, deri në fund të vitit 2022 do të kenë ujë të pijshëm 24 orë. Tirana është sfida më e madhe se aty është dhe ndryshimi më i madh i numrave të popullsisë, por unë them fundi i 2022-it, kryetari i Bashkisë së Tiranës thotë mesi i 2023-it. Kjo është sfida dhe këto që po them nuk janë parashikime, por janë të bazuara tek investimet që kanë nisur. Ndërkohë në zonat rurale, puna do të vazhdojë në zona më të vogla.

– Lidhur me të ardhmen e investimeve të huaja në vendin tonë, Kryeministri Rama u shpreh:

Unë besoj që e ardhmja do të jetë shumë e mirë dhe nuk e kam thjeshtë se duhet thënë, por sepse kam parasysh se çfarë investimesh janë në proces për t’u finalizuar dhe pastaj për t’u realizuar. Në turizëm, ne kemi një ndryshim shumë të madh të qasjes dhe kemi patur shumë investime në këtë katëvjeçar, numri i hoteleve të ndërtuar, që janë kryesisht investime të sipërmarrjes shqiptare. Aty është hapur rruga për të parë më larg dhe për të parë me më shumë ambicie për investime të huaja.

Investimi i huaj që do të fillojë shumë shpejt me fazën e parë në Portin e Durrësit është investimi më i madh i huaj që po realizohet në Shqipëri, me 2 miliardë.  Faza e parë fillon shumë shpejt. Kanë ardhur të gjithë dokumentet nga ana e qeverisë.

Por kështu investimet në portin turistik të Vlorës, në portin e ri tregtar të Vlorës. Po kështu investimi në portin e ri turistik të Sarandës që fillon së shpejti.

Investimi në aeroportin e Tiranës fillon së shpejti. Një investim i domosdoshëm dhe i vonuar në kohë që ka të bëjë me terminalin e ri dhe me zgjerimin e pistës. Kryesorja është që, duke patur një sipërmarrje tjetër, sipërmarrje shqiptare, që është bërë një rinegociim, do të kemi një ulje të çmimeve. Më në fund, aeroporti i Tiranës nuk do të jetë një nga aeroportet më të shtrenjtë të Europës dhe nga më të shtrenjtët e botës, siç ishte, por do të jetë një aeroport me çmime normale, siç janë aeroportet ndërkombëtare europiane.

Këtu në Berat kemi një investim të rëndësishëm të Shell. Janë rreth 500 të punësuar. Flitet për një pasuri të madhe të zbuluar që së shpejti do të jetë në dispozicion të ekonomisë shqiptare. Është gjithë ai investim. Një tjetër investim i huaj ka filluar po në sektorin e naftës e të gazit nga një kompani amerikane. Presim fillimin e investimit nga kompania italiane po në sektorin e naftës e të gazit.

Kemi investimin tjetër të rëndësishëm për Skavicën nga kompania amerikane, që do të jetë dhe një ndryshim i madh i profilit të sektorit të energjisë sonë, sepse më në fund do të kemi atë që mungon në Kaskadën e Drinit, që është balancuesi i ujit. Kur kemi ujë më shumë sesa na duhet, nuk e derdhim, por e ruajmë dhe kur nuk kemi shi sa duhet, e fusim në përdorim. Kështu kemi një tjetër mundësi për të eksportuar dhe njëkohësisht nuk jemi të lidhur skallvërishst me qiellin, po nuk ra shi, në thatësirë, në pikun e energjisë të importojmë me çmime të kripura.

Investimi tjetër i madh është investimi në Korridorin Blu për të ndërtuar gjithë autostradën e standardeve europian nga Murriqani në Milot e deri në Fier.

Fillon së shpejti, – procedura mbaron këto ditë – Tuneli i Llogarasë.

Në infrastrukturë, në energji, në gjithë pjesën e rëndësishme të ekonomisë që ka të bëjë me turizmin, ne kemi arsye shumë të forta të besojmë që e ardhmja do të jetë e mirë.

– Një qytetare pyeti Kryeministrin Rama në lidhje me planet apo programet për rritjen e masës së pensionit për pensionistët, për të cilën u shpreh:

Kjo është pyetja më e vështirë që mund t’i bëhet një Kryeministri, jo të Shqipërisë, por të çdo vendi sot, pavarësisht se nivelet janë të ndryshme. Sidomos është pyetja më e vështirë për dikë që nuk do të gënjejë, se për dikë që do që të gënjejë, është pyetje që mezi e pret, se të jep atë përgjigjen fantastike që do ulim sigurimet shoqërore e do rrisim pensionet. Ka një gjë që jo shumëkush e ka ndjekur dhe e di, por ne kemi bërë një reformë në pensione dhe nga reforma jonë e pensioneve që, po të ishte bërë 20 vjet përpara, sot nuk do bënim këto diskutime, do kishim pensione më të larta. Nga reforma jonë e pensioneve ka ndodhur diçka. Një mësuese që del sot në pension e ka pensionin më të lartë, sesa e njëjta mësuese që kë bërë të njëjtën lëndë e që ka dalë në pension para reformës. Sepse, duke mos e reformuar sistemin e pensioneve dhe duke vendosur një tavan 240 mijë lekë, bënte që ti të kesh bërë çfarë të duash, kur dilje në pension, nuk e kaloje 240mijë lekëshin dhe u shpik ai pensioni i veçantë, për t’i dhënë disa njerëzve ekstra për kontribute të veçanta, që janë një numër i vogël.

Sot, tavani i pensioneve është hequr dhe pensioni sot është rezultat i kontributeve. Sa ke kontribuuar për pensionin, aq ndikon mbi pensionin tënd. Po të shikojmë pensionet që merren pas reformës, janë ndryshe nga ato që janë marrë e vazhdojnë të merren nga ata që kanë dalë para reformës.

Rritja e pensioneve është jashtëzakonisht e lidhur me kapacitetin për të paguar pensionet. Të thuash që do paguaj pensionet jashtë skemës së sigurimeve, gjë që ne e bëjmë sot, sepse skema jonë e sigurimeve nuk është e balancuar. Ne kemi një deficit të caktuar që fusim nga të ardhurat e tjera, nga buxheti, për të plotësuar, sepse çfarë prodhon skema e sigurimeve nuk arrin dot t’i shlyejë pensionet. Ky është gjithë thelbi. Sa më shumë ti i rrit në mënyrë jo logjike, bazuar tek skema, aq më shumë e aq më shpejt goditja i vjen të tjerëve dhe shteti falimenton e nuk paguan dot pensione.

Thënë këto, rritja e pensioneve, që në rastin tonë është e lidhur me balancimin e skemës, me çfarë fusim ne plus, në rast se duam t’i shtojmë, ka marzh. Ky marzh krijohet duke rritur mundësitë. Ne nuk do ta kishim bërë kurrë, edhe pa pandeminë, taksën zero për biznesin e vogël disa vite më pare, sepse nuk dilnin llogaritë. Sot, për shkak se ne kemi vënë bazat, dalin llogaritë, megjithëse është pandemia. Pandemia na dha shtysën. Përshembull, ne po studiojmë tani e do ta finalizojmë këto ditë, që çdo shqiptar që merr 400 mijë lekë rrogë të mos paguajë taksë. Deri më tani e kemi 300 mijë lekë.

300 mijë lekë është paga minimale dhe mbi pagën minimale nuk paguan taksa, paguan vetëm sigurime shoqërore e shëndetësore që janë për ty. Ne do ta çojmë 400 mijë lekë, që nuk është pak. Shkon në, mos gabohem, 67% e të gjithë pagave. Kalkulimet që po bëjmë është se do ta bëjmë në 1 janar të 2022-it apo do ta bëjmë në 1 janar të 2023-it. Sepse do të nisemi gjithmonë nga mundësitë, domethënë, të rrisim mundësitë e pastaj të shpërndajmë më shumë.

Rritja 40% e pagave për mjekët nuk do bëhej dot para disa vitesh. Edhe rritja tjetër që ju bë mësuesve nuk do bëhej dot. Krijojmë mundësitë dhe rritemi. Ne kemi bërë rregullisht indeksimin e pensioneve, që kemi mbajtur atë bonusin në fund të vitit. Sigurisht që duam t’i rrisim pensionet, por kjo do të varet vetëm nga rritja e mundësive.

– A do kemi investime të tjera në Berat, ishte një nga pyetjet që iu drejtua Kryeministrit gjatë bashkëbisedimit me qytetarët, të cilës ai iu përgjigj:

Do kemi pa diskutim, se nuk do i lëmë punët në mes. Ndryshimet fizike të qyteteve, që ne kemi sjellë pak nga pak, kanë sjellë një efekt zinxhir ekonomik. Ndërhyrje që e nxorën në dritë pak nga pak qytetin në pjesët e veta më domethënëse. Kuptohet se ka akoma pika që duhet ndërhyrë, ka akoma pika ku gjërat mund të jenë njësoj siç kanë qenë dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Shumë njerëz mund të thonë, aty ku jam unë nuk ka ardhur asgjë akoma. Ky zinxhir do të shtrihet detyrimisht, sepsë me kalimin në një nivel tjetër të turizmit, me ardhjen e më shumë vizitorëve, me krijimin e një mase kritike që hap fjalën, që promovon, kërkesa vjen në një moment që shkon përtej kufijve në të cilat ti ke pjesën këtu dhe shtrihet dhe përtej tyre.

Unë kam vënë një bast të ri me vlonjatët. Kur thoja që Lungomare do të gjenerojë jo vetë biznes, por do të rrisë vlerën e pasurisë së njerëzve që kanë apartamente aty me dyfish e trefish, mendonin se flisja përçart. Sot janë faktet aty. Tani, basti i ri është që lagja informale, që është si Bathorja e Vlorës po themi, pranë portit e ku ne po bëjmë ndryshimin e infrastrukturës, do kthehet në një lagje shtëpish që do të merren nga turistët në verë. E pakonceptueshme për sa shumë vite, sa ajo lagje është aty. Tani po bëhet infrastruktura. Shtëpitë janë ndërtuar me kursime, me yzmet. Nuk janë shtëpi pa vlerë, janë shtëpi me vlerë, por në atë lagje nuk futet njeri, përveçse ka shtëpinë aty, pasi është një gropë e zezë në Vlorë. Por është pranë portit. Porti do të kthehet në një port turistik dhe vlera e qytetit do të rritet vetëm nga ai port turistik, me shpejtësi të madhe. Edhe aksesi në qytet do të rritet dhe lloji i klientëve që do të vijën në qytet do të jetë tjetër. Kjo do të sjellë edhe njerëz të tjerë, se një port turistik që sjell klientin më të shtrenjtë, nuk sjell vetëm ata që vijnë me jahte, por edhe plot të tjerë që shkojnë dhe për të parë jahtet.

E vetmja gjë që ka rëndësi është që ne të vazhdojmë punën. Gjërat duan kohën e tyre. Çdo punë do kohën e vetë edhe në kushte optimale, jo më kur duhet të përballesh me këto situata kaq të vështira e me këtë pandemi që është një hata e madhe dhe ra pikërisht në këtë kohë, kur realisht do duhej e do mund të merreshim më shumë me të gjitha gjërat e tjera. Ne nuk e kemi zgjedhur as tërmetin, as COVID-in e duhet t’i zmbrapsim dhe të vazhdojmë punën.