Postuar më: 6. Shtator 2018

Dëshmi konkrete të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm

Takimi javor në Sallën e Hartave në Kryeministri, ku njerëz të zakonshëm vijojnë dëshmojnë sesi përmes platformës shqiperiaqeduam.al kanë gjetur rrugën e zgjidhjes së problemeve të mbetura pa përgjigje në zyrat e shtetit:

 

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit bashkëqytetarëve që janë këtu të pranishëm, në këtë event javor të platformës së bashkëqeverisjes, për të sjellë dëshmitë e tyre, të cilat janë një kontribut për fuqizimin e platformës në sytë e njerëzve në të gjithë hapësirën tonë të ndërveprimit, sepse janë dëshmi që vijnë me zërin e atyre që deri dje kishin një hall, një problem, një shqetësim dhe sot kanë marrë zgjidhje me platformën.

Dua të përsëris mesazhin e përjavshëm për të gjithë qytetarët që kanë probleme me zyrat e shtetit, që t’i drejtohen platformës, të mos humbasin kohë dhe të mos jetojnë me stresin e zvarritjeve, pengesave dhe ecejakeve të pamerituara, të mos kërkojnë zgjidhje në rrugët e vjetra tradicionale të mikut, të partisë, të lekut. Tre minuta tek shqiepriaqeduam.al dhe menjëherë anëtari i kabinetit që mbulon fushën përkatëse është në dispozicion dhe gjithë struktura përkatëse futet në veprim për të dhënë zgjidhje. Nga ana tjetër, kjo është dhe një ndihmë e kontribut i drejtpërdrejtë për të pastruar administratën, për të pastruar zyrat e shtetit nga punonjës të papërgjegjshëm, nga grabitqarë, nga parazitë, nga individë, qoftë dhe thjesht dembelë, që në vend që t’u shërbejnë qytetarëve me dinjitetin e shtetit dhe në respekt të dinjitetit të tyre, bëhen shkak për vonesa, sjellin stres dhe pasoja në jetën e përditshme të familjeve të zakonshme të këtij vendi.

Dua të ftoj këtu Entelën, për një çështje që ne e trajtojmë në mënyrë të vijueshme dhe jo rastësisht përpiqemi që të kemi vazhdimisht një dëshmitar apo një dëshmitare, sepse duam ta përcjellim kudo mesazhin që çështja e njohjes, llogaritjes, dhënies së pensionit në shumën e merituar është e zgjidhshme. Pensionistë që ndeshin hera-herës pengesa në zyrat e sigurimeve shoqërore të na drejtohen menjëherë, pa asnjë ngurrim dhe të jenë të sigurt se atë çka u takon, do ta marrin në një kohë shumë, shumë të shpejtë.

Entela, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Përshëndetje të gjithëve! Është këtu me ne, për të ndarë dëshminë e saj me platformën e bashkëqeverisjes, Zonja Luljeta Karreci, e cila iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, pasi kishte shteruar rrugët e ankimimit administrativ me institucionin e Sigurimeve Shoqërore dhe pasi kishte marrë përgjigje negative lidhur me njohjen e 6 viteve punë. Pas adresimit në platformën e bashkëqeverisjes, ankesa e saj u trajtua dhe dega rajonale e Sigurimeve Shoqërore në Tiranë e bëri rivlerësimin e periudhës kontributive, njohu 6 vite punë të munguar në përllogaritjen e parë të bërë ndaj pensionit të zonjës dhe sot, shuma e pensionit të llogaritur për zonjën Luljeta është rritur. Zonja ka përfituar edhe diferencat në kohë, që nga momenti i përllogaritjes jo të saktë të pensionit.

Zonja Luljeta Karreci: Përshëndetje! Para një viti e gjysmë kam dalë në pension. Gjithë dokumentacionin e kisha të rregullt, të ruajtur mirë. Librezën e punës dhe ca vërtetime nga ’94-ra e këtej i kisha marrë në institucionet që kisha punuar. Ata nuk më quanin disa vite pune, sepse nuk më gjenin disa listëpagesa. Libreza e punës origjinale, rubrikat të gjitha me vula. Megjithatë ndoqa rrugën ligjore. Kërkova në çdo shkallë që kërkonte ligji i sigurimeve, deri në Komisionin Qendror të Apelimit. U kthye përgjigje përfundimtare që ne nuk t’i marrim në konsideratë këto 6 vite pune. Në televizor dëgjova Zotin Kryeministër në Vlorë për një zonjë që si rasti im e kishte fituar dhe thashë pse jo, ta provoj dhe unë njëherë dhe e provova. Fakti është që mua mu rregullua vjetërsia e punës. Për këtë ftoj të gjithë qytetarët që kanë të drejtë dhe këto të drejta i kanë të argumentuara me letra t’i drejtohen platformës se do gjejnë zgjidhjen brenda një afati kohor shumë të shkurtër, siç e gjeta dhe unë.

Kryeministri Edi Rama: Më vjen shumë mirë për një zgjidhje më shumë. Nga ana tjetër, edhe shumë faleminderit juve për mundimin që morët sepse, pasi e keni zgjidhur problemin për vete, fare mirë mund të thoshit, nuk kam nge të marr mundimin të vij e të flas për një çështje që mezi e hoqa qafe. Duke ardhur e duke folur, ju na ndihmoni që shumë të tjerë, që mbase duke më dëgjuar mua, apo duke dëgjuar koordinatorët e bashkëqeverisjes, mund të mendojnë se kjo është propagandë, por ju dëgjojnë ju dhe siç ju dëgjuat atë zonjën nga Vlora dhe siç ju e morët hapin për ta provuar njëherë, e provojnë edhe ata.

Patjetër që zyrat e hipotekës dhe të ALUIZNI-t janë të pandashme në këtë rrugë tonën. Aty ka ankesa, pretendime, kërkesa të panumërta. Dua të them që kemi filluar të shikojmë përmirësime, kemi filluar të shikojmë një reagim të përgjithshëm të zyrave për të qenë shumë më të përgjegjshme në raport me kërkesat e qytetarëve, por ende ka shumë për të bërë dhe ende ka raste papërgjegjshmërie, të cilat ne i adresojmë menjëherë pastaj.

Këtu do vijë Fatmiri, të bëjë prezantimin për Latifin dhe ndërkohë dua të theksoj që, pasi është dhënë zgjidhja, ka filluar hetimi administrativ për përgjegjësit e vonesës përkatëse dhe kështu ndodh në të gjitha rastet. E ka masa ndëshkuese për të gjithë ata që konstatohet se kanë cenuar padrejtësisht personin apo familjen e interesuar për të marrë një shërbim.

Fatmiri, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti i sotëm lidhet me Zotin Latif Alia, banor në Bashkinë Rrogozhinë. Problematika e tij ka të bëjë me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Kavajë, ku zotëria në janar të vitit 2018 aplikoi për regjistrimin e lejes së legalizimit të pronës së tij, por edhe pas dy ankesave administrative ndaj Zyrës, nuk arriti dot të gjente zgjidhje. I ndodhur në këtë pamundësi, ju adresua portalit dhe pas kryerjes së procedurave nga ana e Zyrës së Bashkëqeverisjes, sëfundmi disponon certifikatën e pronës.

Zoti Latif Alia: Në 25 Janar 2018 aplikova për leje legalizimi, për lejen e banesës. Pas disa kërkesave nuk po më dilte leja. Vajta tek zyra e ankesave në Kavajë, më thanë do presësh një muaj. Vajta prapë pas një muaji, më thanë që akoma nuk ka dalë. Vajta dhe muajin tjetër, më thanë që dosja juaj nuk është punuar akoma. Atëherë, duke parë në televizor që platforma e bashkëqeverisjes po kryente shumë punë për hallin dhe punët e qytetarëve, ju drejtova dhe unë si gjithë të tjerët. Në një kohë shumë të shkurtër mora certifikatën e pronësisë. Për këtë falënderoj njerëzit që drejtojnë platformën e qeverisjes. Në një kohë shumë të shkurtër arrita që të marr certifikatën e pronësisë. Faleminderit shumë!

Kryeministri Edi Rama: Një rast tjetër lidhet me zyrën e hipotekës, por që në aspektin e regjistrimit të tokës bujqësore, bazuar në ligjin 7501, përbën një problem të vjetër, të trashëguar dhe njëkohësisht edhe një nga objektivat e qeverisë për të çuar drejt përfundimit këtë proces. Kjo është arsyeja pse besoj që dëshmia e radhës, që do të prezantohet nga Oriona, është me rëndësi të veçantë, qoftë për t’u çuar të gjithë atyre që jetojnë në fshat mesazhin se platforma është në dispozicion të tyre për këtë, qoftë për të rritur sensibilitetin e të gjithë strukturave, lidhur me domosdoshmërinë për të reaguar në kohë reale ndaj çdo kërkese që vjen nga familjet në fshat për regjistrimin e tokës bujqësore.

Oriona, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që do prezantoj sot, është rasti i Zotit Spiro Cobo, i cili ka adresuar problematikën e tij në platformë. Në fakt, problematika bën fjalë për një nga të afërmit e Zotit Cobo, Zotin Todi Thomo, lidhur me mosregjistrimin e një parcele toke përfituar nga ligji 7501. Zoti Todi, në shkurt të këtij viti ka bërë gjitha pagesat përkatëse pranë zyrës vendore, ku edhe i është komunikuar që do të pajiset me certifikatën e pronësisë në mars të këtij viti. Në fakt nuk rezultoi ashtu, për shkak të mos komunikimi të zyrës vendore dhe Bashkisë Fier. Në këtë moment, Zoti Spiro vendosi t’i drejtohet platformës së bashkëqeverisjes dhe ju dha zgjidhje brenda 10 ditëve.

Zoti Spiro Cobo: Në fakt, historia që kam ndjekur unë është pak më e gjatë. Ka rreth 17 muaj me këtë problem. Dosjet e dokumenteve për të regjistruar këtë parcelë toke dhe në parantezë them që personi që kam përfaqësuar unë ka tre parcela në vende të ndryshme, duhet ta vuajë tre herë këtë, se për secilën parcelë do marrë certifikatën më vete. Dosja është plotësuar në mars të vitit 2017 dhe nga marsi i 2017, deri sa unë bëra ankesën tek platforma e bashkëqeverisjes, kaluan 17 muaj. 17 muaj nuk u zgjidh dot problemi, për 17 ditë u zgjidh. Ky është problem që shqetëson, por mua më shqetëson problemi tjetër, mënyra si funksionon ajo administratë që merret me këtë punë. Unë vetë kam qenë punonjës administrate dhe i di këto rregullat pak a shumë, por çuditesha me mënyrën si të prisnin, si të përcillnin dhe si të shmangnin. Kam fakte që bashkia dhe hipoteka, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë kanë komunikuar me shkresa, pa shtuar unë asnjë dokument tjetër, rreth 5 herë dhe më në fund nuk u zgjidh. Në shkurt të këtij viti paguam atë faturën që duhet të paguanim, me mendimin që do na vinte dhe brenda afatit, në 23 mars. Në 23 mars, jo vetëm që nuk erdhi certifikata, por erdhi kërkesa që si qytetar unë duhet të paraqisja pranë hipotekës planin rregullues të njësisë administrative ku banonte personi. Qytetari nuk ka plan rregullues, e ka bashkia. Në vend që hipoteka t’ia kërkonte bashkisë, ma kërkoi mua. Jam bërë si punonjës i asaj, çdo javë që ka gjoja pritje hipoteka, – se atje dalin ca djem të rinj me një copë letër që të shkruajnë çfarë problemi ke. Pas 5 herësh iu drejtova platformës dhe u zgjidh për 10 ditë. Tani, unë u ankova dhe u zgjidh, problemi është për ata që nuk ankohen. Duhet ngritur ata që merren me këtë punë. Ju vetë e keni filluar këtë punë dhe besoj që kjo do japi rezultate shumë të mira, por ka dhe punonjës administratë, p.sh, pardje, kur mora lajmin që do vija këtu, po diskutoja me një që punon në administratë e më tha, është kot edhe ajo platforma. Domethënë, ka akoma njerëz që e kanë këtë mosbesim. Nuk është kot platforma, platforma zgjidh problemin. Kjo është e sigurt. Unë njoha vetëm hipotekën e Fierit, ajo është në një gjendje, do të thoja e çorganizuar në mënyrë të organizuar. Nuk them që janë të gjithë kështu se nuk e di, por ajo që njoha unë, duhet vënë dorë. Po u lanë në atë mënyrë, njerëzit do të vuajnë. Unë i thashë edhe zonjës që po të ishte toka ime, nuk do ta regjistroja fare se 17 muaj nga bashkia në hipotekë, edhe tek ADISA dhe nuk e zgjidha problemin. Platforma zgjidh problemin. Ata që aplikojnë do ta marrin përgjigjen, nëse kanë të drejtë. Veç kësaj, meqë më jepet rasti të flas në praninë e Kryeministrit dhe unë me moshën që kam nuk besoj se do takoj ndonjë kryeministër tjetër, këtu janë dhe përfaqësuesit dhe koordinatorët e atij problemi që do ta dërgoj unë, prapë nëpërmjet platformës dhe në prezencën tuaj dhe në një sallë që është tepër sinjifikative, se këtu janë dhe koordinatoret që mbulojnë atë sektor ku unë kam punuar. Jam inxhinier nafte dhe kam marrë edhe statusin e naftëtarit, por statusin e naftëtarit e ka marrë edhe vjehrri im që është 103 vjeç. Kur do vendoset që ta marrin shpërblimin këta 103-vjeçarët, se unë do kem kohë ta marr? Përfitoj nga rasti se po mos ta thosha këtë, ata kolegët e mi do thonin jazëk të qoftë, ishe te Kryeministri dhe nuk e the. Faleminderit!

Kryeministri Rama: Ky është një rast për të mësuar dhe një gjë tjetër nga platforma, që kolegët nuk kanë nevojë të presin që të vijë një koleg i tyre këtu në foltoren e Kryeministrisë, por direkt tek platforma mund t’i kërkojnë ministrit interpelancë, siç kërkon një grup deputetësh dhe të bëjnë ekzaktësisht këtë pyetje. Edhe vjehrri 103 vjeç mund të drejtohet në platformë për të marrë përgjigje, sigurisht duke ju shfrytëzuar juve, ose ndonjë nip apo stërnip. Shpeshherë ka ankesa se jo të gjithë dinë ta përdorin kompjuterin, por në fakt, në çdo familje ka një fëmijë që e zgjidh këtë problem për të gjithë.

Përsa i përket administratës jam shumë dakord dhe nëse nuk do të ishte administrata në gjendjen që e kemi trashëguar dhe nëse do të ishte e thjeshtë për ta ndryshuar administratën, nuk do na kishte çuar imagjinata deri tek platforma. Platforma është një inovacion falë teknologjisë dhe unë e kam thënë dhe e përsëris që tani kemi 2-3 qeveri të tjera që na kanë kërkuar informacion dhe që kanë të njëjtin hall, lidhur me administratën.

Lidhur me hipotekën dhe ALUIZNI-n, në radhë të parë, ne kemi nevojë për të çuar përpara një reformë që do të hyjë në një fazë të dytë tani, me kalimin e një ligji që do t’i bashkojë dhe nuk do ketë më “shko tek njëri merre” dhe tjetri thotë “nuk e merr dot”, por do të jetë një institucion. Nga ana tjetër, çështja është e gjithë sistemit të hartave dhe e zgjidhjes së gjithë historisë së mospërputhjeve nga harta në hartë, që me siguri ju i keni ndeshur në këtë proces, pa llogaritur edhe faktin që sistemet duhet të komunikojnë me njëri-tjetrin e jo t’i kërkohet qytetarit plan rregullues se është një absurditet. Plani rregullues është një nga ato shtresat kompjuterike, ku t’i mund të bësh gjithë verifikimet e nevojshme.

Ky proces ka nisur, ndërkohë ne kemi këtu një takim të përmuajshëm me të  gjithë drejtuesit e hipotekave dhe të ALUIZNI-t. Jo më larg se pardje, unë kam pasur një takim me ta dhe deri në fund të shtatorit kemi lënë disa objektiva shumë precize për gjithë kërkesat dhe ankesat e prapambetura, si dhe për gjithë lejet e legalizimit që faktikisht kanë mbetur stok në disa zyra hipotekash. Njerëzit me të drejtë janë të stresuar sepse e kanë marrë legalizimin, por nuk po regjistrojnë dot përfundimisht shtëpinë. Kemi vendosur objektiva dhe në bazë të objektivave, çdo drejtues do duhet të përgjigjet. Kush i plotëson objektivat është i nderuar dhe i respektuar, kush nuk i plotëson, do duhet të largohet nga detyra. Është proces. Nuk është çështje thjesht njerëzish që ndërron një e sjell një. Unë e kam thënë edhe kur diskutohej si temë e ditës tepsia, kjo nuk është çështje e një partie engjëjsh dhe një partie djajsh. Kjo është çështje e një sistemi të krijuar në kaq shumë vite, të një sëmundjeje të trashëguar në kaq shumë vite dhe kërkon sforco të mëdha, vendosmëri të madhe, kërkon edhe durim të madh. Administrata në fund të fundit është vetë shteti. Të bësh administratë që përgjigjet në kohë reale, siç përgjigjet sot platforma në kohë reale, nuk është një fjalë goje, është një sfidë shumë e madhe. Sidomos të rindërtosh një administratë të shkatërruar, domethënë, të ndërtuar së prapthi, siç u ndërtua në 20 e kusur vite, është një sfidë edhe më e madhe.

Ju faleminderit për ardhjen tuaj dhe për gjithë mesazhet që përcollët, se kjo vuajtja me administratën të bën edhe orator, prandaj edhe unë besoj që nuk do kisha oratorinë që kam, nëse administrata nuk do ishte kaq në mbështetje të zhvillimit të oratorisë, me gjithë streset e me gjithë befasitë që të  krijon.

Albana, për një rast tjetër, të zgjatur e të stërzgjatur, me të cilin, në mos gabohem, jam marrë dhe unë personalisht.

Albana, koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që unë sot prezantoj është nga pushteti vendor, Bashkia Lushnje. Si rezultat i zbatimit të projektit për zgjerimin e një rruge, shkallët e banesës së familjes Xhafa, u shkatërruan pothuajse dhe u krijua një problem që u shndërrua në shqetësim të përditshëm. Pas 6 muajsh përpjekjesh për rregullimin e kësaj situate e për zgjidhjen e problemit të familjes Xhafa, por jo vetëm, Leandro, të cilin e kemi sot këtu, iu drejtua platformës me ankesën, ashtu siç kishte ndodhur zvarritja dhe zgjidhja e këtij rasti. Menjëherë nga Zyra e Bashkëqeverisjes u bë ndjekja e rastit, u bë ngritja e grupeve të punës dhe në bashkërendim dhe me Bashkinë Lushnje, shkallët e familjes u rindërtuan dhe situata u zgjidh njëherë e përgjithmonë.

Zoti Leandro Xhafa: Përshëndetje të gjithëve! Situata ime është pak e ndërlikuar, sepse aty po bëhej një projekt shumë i mirë për rehabilitimin e një lagjeje, që në fakt pa atë projekt nuk kishte lagje, ishte çdo rrugë me baltë. Por projekte të tilla duhet të sjellin vetëm gëzime e jo të shtojnë hallet e familjeve, besoj. Një ndër to ishte dhe banesa ime që i fillonte shkallët buzë rruge dhe pothuajse projekti nuk i kapte fare shkallët e mia, por kapte komshiun dhe komshiu duhet të bënte shkallët, duke prishur shkallët e mia, ose më saktë, rrugën për të shkuar me makinë në shtëpi, duke prishur shkallët e mia. Shkallët u prishën me lejen tonë. Ne nuk kishim asnjë problem, thjesht duhet të ngjiteshim në shtëpi dhe të zbritnim nga shtëpia. Aty jetojnë prindërit e mi dhe babai është më shumë se 60 vjeç dhe mamaja më pak. Aty duhet të ishin shkallë, por u krijua një platformë dërrase që edhe unë duhet të mbahesha diku kur hipja. Kur ishte shi, ishte akoma më keq. Kaluan rreth 4 muaj dhe kur përballesh me institucionet, shumë nga ne hallexhinjtë, asnjëherë nuk të thonë jo. Gjithmonë thonë këtë javë dhe këtë javë u bë 6 muaj rresht. U bë një kohë rreth 6 muaj që prindërit e mi, – se unë vetë jetoj në Tiranë, – u ngjisnin në dërrasa. Kur bëra ankesën, ajo është bërë të premten, të hënën janë bërë shkallët. Vetëm dy ditë punë dhe besoj u zgjidh përfundimisht ky problem. Mirënjohje për të gjithë ata që merren me hallet tona. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit Leandro dhe për fat të keq, edhe me shkallët duhet të merremi sepse është një problem sa një milingonë në raport me problemet e mëdha të shoqërisë, por është një problem sa një elefant për personat që nuk kanë shkallë për të hyrë në shtëpi. Ajo që the është e vërtetë dhe prandaj platforma është një derë ku, kur të thonë për një javë, është për një javë dhe jo për një vit. Është një derë që hapet për tre minuta, është një derë që nuk i përplaset asnjëherë askujt në fytyrë dhe është një derë që nuk mbyllet deri sa zgjidhja jepet dhe merret në dorë nga qytetari.

Kemi problem me njësitë vendore për hir të së vërtetës. Ne e diskutojmë në mënyrë të përmuajshme me koordinatorët, nëse do bënim një bilanc të punës së platformës, ajo çalon tek vetëm një rubrikë, që është rubrika e pushtetit vendor, për shkak se ka bashki që nuk denjojnë të përgjigjen. Unë e kam thënë dhe e përsëris, do detyrohem që të filloj me emra e mbiemra, sepse ne nuk mund të mbajmë dot përgjegjësinë për çka nuk na takon. Ne mbajmë përgjegjësinë për çka na takon. Nëse bashkitë nuk denjojnë të përgjigjen dhe këtu bëhet fjalë për halle qytetarësh dhe nëse dhe sot në shekullin XXI, në vitin 2018 ka bashki që i ndajnë qytetarët në tanët dhe të atyre dhe nuk duan t’ia dinë fare, apo për inat të platformës ia faturojnë koston qytetarit, kjo është një fatkeqësi për ato komunitete që kanë këta lloj kryetarë bashkish. Ju bëj thirrje gjithë kryetarëve të bashkive, pa dallim, por sidomos atyre të krahut tjetër, që të marrin masat, t’i përgjigjen platformës e mos thonë pastaj që po sulmohemi politikisht. Sepse do t’i nxjerrim me emër, mbiemër e me raste qytetarësh, të cilët nuk kanë marrë dot përgjigje nga platforma, sepse platforma nuk merr dot përgjigje nga kryetarët e bashkive. Siç çdo ministër ngrihet në këmbë për çdo kërkesë që vjen nga një qytetar për sektorin e tij, çdo kryetar bashkie duhet të ngrihet në këmbë për çdo kërkesë që vjen për bashkinë e tij nga qytetari. Kjo është pak, por e sigurt. Për më tepër, kryetarët e bashkisë. Kjo fatkeqësisht nuk ndodh. Numri i përgjigjeve nga bashkitë është shumë zhgënjyes, ndërkohë që numri i përgjigjeve nga ministritë është 100%. Kur ka raste jashtë afatit, këtu bëhet nami dhe çdo ministër raporton pas çdo mbledhje qeverie për ecurinë e punës me platformën, për të gjitha përgjigjet që i janë dhënë, ose nuk i janë dhënë në kohë qytetarit, me përgjegjësi të plotë.

Aleko, koordinator i Zyrës së Bashkëqeverisjes: Rasti që dua të prezantoj ka të bëjë me kohëzgjatjet e panevojshme dhe vështirësitë që has një biznes në Shkodër, për t’u pajisur me një licencë, e cila ofronte kurse dhe trajnime të formimit profesional. Zonja Merita Bekteshi, në cilësinë e administratores së këtij subjekti ka aplikuar pranë Qendrës Kombëtare të Bizneseve që në mesin e muajit prill 2018, për t’u pajisur me këtë licencë. Fillimisht, licenca u mor, por pas disa ditsh, ajo u revokua nga disa struktura të veçanta të Ministrisë së Financave. Arsyeja e revokimit ishte sepse, sipas pretendimit të tyre, subjekti nuk i plotësonte kriteret për këto lloj licencë. Nga ana e subjektit, pavarësisht disa pasaktësive të vogla në dokumentacion, lehtësisht të kapërcyeshme, pretendohej se subjekti ishte i aftë për t’u pajisur me këtë lloj licence. Këtu filloi ai mekanizmi burokratik i administratës. Zonja shkonte nga një zyrë në tjetrën dhe nuk po gjente rrugëzgjidhje. Kjo gjë zgjati rreth tre muaj. Në këtë situatë, Zonja Bekteshi iu drejtua platformës, e cila mori menjëherë kërkesën e saj dhe nga ana e Ministrisë së Financave, kjo kërkesë u rishqyrtua dhe subjekti u pajis me licencën përkatëse.

Zonja Merita Bekteshi: Problemi im është për të nxjerrë një licencë trajnimi profesional. E kam provuar dhe si biznes dhe si shoqatë. Është shumë e vështirë. Fakti që këto qendra trajnimi profesionale u bënë private dhe ju dha më shumë mundësi certifikimi, aty lindi dhe ky bllokimi burokratik dhe them që nga fillimi, që kur aplikon e deri kur mbaron, në të gjitha hallkat kishte pengesa të jashtëzakonshme. Unë nuk po bëj propagandë, se nuk jam tip që më pëlqen të bëj propagandë, por zgjodha platformën sepse e përdor shumë mirë internetin dhe është një mundësi e jashtëzakonshme që dhe në Itali nuk është futur si duhet, është shumë inovative. Pastaj është diçka që kapërcen shumë pengesa. Një arsye tjetër që e zgjodha është sepse, kur kisha probleme me zyrën e tatimeve Shkodër, sa herë shkoja tek drejtori e kërkoja një informacion, më quanin “spiunia e tatimeve”. Unë kisha hallet e mia. Të paktën nuk e kam këtë nofkën, spiunia e tatimeve, për mua ishte diçka shumë me rëndësi. I jam shumë mirënjohëse platformës. Shumë e thjeshtë për t’u përdorur.

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit! Edhe sikur të kishit folur në dialektin shkodran, do ishte shumë e mirëseardhur gjithë muzika e atij dialekti.

Ndërkohë, përsëri për zyrën e hipotekës të Fierit dhe përsëri rasti për të thelluar hetimin administrativ në atë zyrë.

Katerina,  koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: Përshëndetje i nderuar Kryeministër! Përshëndetje të gjithëve! Sot do doja të ndaja me ju dy ankesa të cilat kanë gjetur zgjidhje pranë platformës së bashkëqeverisjes në Ministrinë e Drejtësisë. Së pari, është ankesa e cila i është adresuar zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Fier në tetor të vitit 2017, prej zotit Refit Refitaj. Do doja të theksoja që zoti Refitaj sot nuk ndodhet prezent për faktin se është i moshuar, por është asistuar nga dhëndri i tij. Pas adresimit të ankesës pranë platformës së bashkëqeverisjes, është bërë e mundur që amaneti i zotit Refitaj të plotësohej dhe ai ka kërkuar që vajza e tij e vetme të trashëgojë, në mënyrë të dokumentuar pasurinë e tij. Pasi rasti është bërë prezent, pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, është evidentuar fakti që ka pasur jo pak, por tre korrespondenca midis pushtetit vendor, bashkisë Roskovec dhe Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, por nuk është bërë e mundur emetimi i certifikatës së pronësisë. Për këtë arsye është vënë në lëvizje ankesa dhe është gjetur zgjidhja, e cila kishte të bënte me saktësimin e marrëdhënieve midis pushtetit vendor dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke u bërë i mundur saktësimi i gjithë problematikes që ndodhej. Në fakt zoti Refitaj sot nuk ndodhet prezent dhe gjithë këtë problematikë do ta bëjë të ditur dhëndri i tij, i cili është këtu prezent me ne.

Dhëndri i zotit Refit Refitaj: Përshëndetje zoti Kryeministër! Përshëndetje stafi drejtues i platformës për bashkëqeverisjen. Unë përfaqësoj vjehrrin tim sot sepse ai është 77 vjeç dhe atë pasuri që kishte marrë në mënyrë të ligjshme, – se një vajzë ka, -t’ia linte me testament vajzës. Në tetor të vitit 2017, aplikoi pasi mbylli të gjitha procedurat në bashkinë Roskovec. Nga ana e bashkisë së Roskovecit ka pasur impenjim, veçanërisht kryetarja e bashkisë. Unë nuk e njoh personalisht, por ka qenë e impenjuar për rastin e vjehrrit tim. Ju drejtua pastaj ADISA-s. Aplikoi. Në momentin që aplikoi i dhanë dhe numrin e protokollit. Vajti vjehrri, aplikoi. Letra ishte për të ardhur mbas 15 ditësh. Kaloi 1 muaj, 2, 3 muaj më tha mua “çfarë do bëhet”. Vajtëm përsëri tek ADISA sepse zyra e hipotekës i kishte kërkuar një letër bashkisë. Ia nis bashkia, kaluan përsëri 3 muaj të tjera. “Çfarë do behet” më tha mua? Pastaj më tha mua: Unë shoh me vëmendje kryeministrin që ka thënë, po deshe zgjidhje, drejtohu tek platforma e bashkëqeverisjes. E mora atë iniciativë se vjehrri nuk përdor teknologji dhe iu drejtuam platformës. Kjo platformë është e ndërtuar nga Kryeministri jonë sepse ka ide dhe brenda 14 ditësh na u kthye përgjigja e parë. Ishte një problem dokumentacioni. Nuk kaloi një 14 ditësh tjetër dhe vjehrri i mori dokumentet. I është mirënjohës dhe ju falënderon!

Kryeministri Edi Rama: Tani, e vërteta është që vjehrri, jo vetëm që ka marrë dokumentin por ka shkarkuar dhe drejtorin e hipotekës së Fierit. Po e them këtë meqë u dha rasti i një burri 77 vjeç që ju sollët dëshminë, se ndryshe mbase nuk do ta thoja këtu, por kemi pasur disa raste nga hipoteka e Fierit për çështje të pronësisë, në tokën bujqësore. Ishte rasti i mëparshëm që doli këtu, është rasti juaj, rasti që vjen pas që, kur pashë këtë raportin e sotëm, i kam kërkuar shkarkimin e drejtorit të hipotekës dhe ndërkohë thellimin e hetimit administrativ për gjithë përgjegjësit për këtë lloj zvarritjeje. Ndërkohe që në atë zonë ne jemi shumë të interesuar që të shpërndajmë një orë e më parë, parcelat e tokës. Ky është fakt! Platforma, jo vetëm të zgjidh problemin, por platforma na jep ne, na ndez llambat e kuqe për aty ku duhet të ndërhymë, falë faktit që qytetarët na drejtohen dhe nuk ka nevojë të bëjnë denoncime, në kuptimin denoncim “stop korrupsionit” apo ku di unë se çfarë, por boll që vijnë dhe thonë, “kam 7 muaj, kam 6 muaj, kam 1 vit, kam 7 vjet”, është e mjaftueshme.

Kështu që në këtë aspekt, është reciproke mbështetja dhe ndihma. Prandaj quhet bashkëqeverisja. Është reale, nuk është slogan. Nuk është një fjalë e gjetur për të thënë që shiko se ne po qeverisim me njerëzit, jo është e vërtetë. Vjehrri juaj 77 vjeç nuk ka asnjë lloj pushteti, nuk ka asnjë lloj aksesi, nuk ka as njohuri për teknologjinë, por ka mend dhe prandaj të ka thënë çfarë do bëhet. Vajzën ta dha, duhet t’i ktheje mbrapa gjithë atë besim që ka investuar tek ty. Edhe unë bashkë me ty i kthejmë mbrapa besimin atij. Kështu që lajmëroje që drejtori i hipotekës i bën të fala.

Katerina,  koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: : Rasti tjetër, i cili ka gjetur zgjidhje pranë platformës së bashkëqeverisjes në Ministrinë e Drejtësisë është rasti i zotit Vladi Fero, i cili sot është prezent me ne. Po kjo ankesë i është adresuar zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, në lidhje me regjistrimin e tokës arë dhe objektit dhe truallit funksional të tij. Është për të ardhur keq por zoti Fero është detyruar t’i drejtohet platformës vetëm për faktin që ishte paraqitur disa herë pranë zyrës vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Fier, pa gjetur zgjidhje. Aktualisht ai ka përfituar certifikatat e pronësisë dhe sot ndodhet këtu me ne për të ndarë këtë eksperiencë.

Zoti Vladi Fero: Përshëndetje! Edhe rasti im ka të bëjë me hipotekën e Fierit, kur në janar kam aplikuar për të regjistruar dy pjesë toke dhe banesën që kam dhe nuk kam gjetur zgjidhje. Kam bërë dy herë kërkesë tek ADISA për të marrë përgjigje, nuk kam marrë. Prita 7 muaj pastaj bëra kërkesën këtu tek platforma për bashkëqeverisje. Pas 2 javësh mora certifikatat në dorë. Faleminderit dhe suksese!

Kryeministri Edi Rama: More certifikatat, shkarkove dhe drejtorin e ta marrin vesh të gjithë që, jo vetëm kur i bie rruga një deputeti apo i bie rruga një njeriu me pushtet apo me influencë që ka një numër telefoni për të ndërhyrë, por kujtdo qytetari nga qyteti apo nga fshati që i bie rruga për të kërkuar një shërbim, i duhet bërë shërbimi, sepse përveç të tjerave, përveçse i takon me ligj, mund të jetë fuqia që të largon nga puna, qofsh drejtor, qofsh shef, qofsh çfarëdo qofsh. Qofsh edhe ministër nëse sektori nuk përgjigjet si duhet për qytetarët në platformë. Por deri tani e vërteta është që gjithë anëtarët e kabinetit janë të super të angazhuar sepse japin llogari çdo javë, për ecurinë e bashkëveprimit me qytetarët.

Rasti i fundit, do të referohet nga Albana. Lidhet me Ministrinë e Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale.

Albana,  koordinatore e Zyrës së Bashkëqeverisjes: : Përshëndetje! Rasti që do të prezantoj sot i referohet ankesave të ardhura në platformën e bashkëqeverisjes drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Zonja Lumturi Binaj invalide pune me statusin e të verbrit, kishte kërkuar transferimin e dosjes së KEMP-it nga Fieri për në njësinë administrative numër 11 në Tiranë, në nëntor të viti 2017. Arkivimi i dosjes ishte kryer 6 muaj me vonesë dhe jo për faj të saj. Gjatë këtyre muajve, zonja nuk kishte mundur që të merrte pagesën e aftësisë së kufizuar, si dhe në të njëjtën kohë, kompensimin e energjisë elektrike. Me marrjen e ankesës, çështja u dërgua për shqyrtim pranë shërbimit social shtetëror dhe rasti gjeti zgjidhje. Zonja tashmë gëzon të drejtën e përfitimit të pagesës së aftësisë së kufizuar sipas legjislacionit në fuqi, si dhe në të njëjtën kohë merr dhe kompensimin e energjisë elektrike. Në mungesë së zonjës, e cila e kishte të pamundur të ishte këtu me ne sot, kemi prezent djalin e saj, zoti Erti Binaj.

Zoti Erti Binaj: Sic e tha dhe Albana rastin tim, ka të bëjë me mamanë time, është me sëmundje diabet dhe për shkak të diabetit i është prekur shikimi dhe të gjitha dokumentacionet dhe procedurat i ka ndjekur vetë. Në nëntor ka bërë transferimin e dosjes nga Fieri në Tiranë dhe për një muaj dosja ka ardhur në institucionin e sigurimeve shoqërore Tiranë dhe për çdo muaj vija dhe interesohesha për dosjen dhe më thonin, ka ardhur, por është në audit. Në muajin maj, kam marrë dokumentin që dosja ka ardhur, por duhet të bësh pagesën. Kur jam paraqitur më është thënë që muajt e prapambetur nuk të takojnë. Si të gjithë qytetarët që i janë drejtor platformës, iu drejtova dhe unë dhe gjeta zgjidhjen falë kryeministrit dhe gjithë stafit kështu që faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Shumë faleminderit dhe një herë dhe shumë sinqerisht, të gjithë juve që erdhët këtu, sot për të sjellë dëshmitë tuaja. E thashë në fillim dhe do ta përsëris në fund, e çmoj shumë mundimin tuaj për të ardhur këtu sepse është një ndihmë e vërtetë dhe edhe vetë ju e përmendët dhe e përmendni vazhdimisht në fakt, që duke dëgjuar dikë si ju, nxiteni që të vini këtu, se nuk janë të gjithë si vjehrri që beson çfarë them unë dhe nuk ka nevojë t’ia thonë dhe të tjerët. Kështu që është një ndihmë e madhe dhe shumë faleminderit!

Dua të them në fund që në nivelin qendror kemi pasur 17075 ankesa direkte pra, kërkesa për të zgjidhur një problem dhe deri në 31 gusht janë dhënë 16 077 përgjigje dhe rreth 1 000 të tjera janë përgjigje që janë në proces. Platforma ka mesatarisht 1 000 kërkesa ose ankesa ose adresime, në javë – se nuk janë vetëm ankesa, ka dhe adresime të tjera, opinione e kështu me rradhë, – dhe ky numër po shtohet. Ne jemi shumë të interesuar që të shtohet se sa më shumë shtohen numrat e adresimeve në platformë, aq më shumë rritet presioni mbi administratën, aq më shumë zgjidhim raste, por aq më shumë përshpejtojmë dhe procesin që tha zotëria më parë të vetëdijesimit përfundimtar të administratës që, ose do të shërbejnë në kohë reale ose do duhet të ballafaqohen me pasojat. Respekt dhe një herë tjetër dhe rrugë të mbarë për nga keni ardhur!

Shumë faleminderit!