Rezistencë, durim, mbështetje

Komunikimi publik i Kryeministrit lidhur me situatën e pandemisë së Covid-19:

Miq, fillimisht disa lajme të mira,

E para: Pensionistëve u kemi derdhur në llogarinë e përgjithshme të pensioneve 21 milionë dollarë dhe pensioni i tyre do të rritet që këtë muaj, përmes indeksimit që natyrisht nuk është shumë por sidoqoftë është më shumë sesa ishte dhe ndërkohë po u shërbejmë nëpër shtëpi të gjithëve, barnat e rimbursueshme i kanë marrë deri tani tek dera, 25 mijë e 657 pensionistë, ndërkohë që skuadrat tona në bashki i ndihmojnë për pazarin e me radhë, nevoja të natyrave të ndryshme, të gjithë ata që janë të vetmuar dhe ne nuk do t’i lëmë kurrë vetëm. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka filluar marrjen e aplikimeve online nga të gjitha bizneset e vogla që janë mbyllur për shkak të luftës e që do të marrin pagën e luftës. Paga e luftës do të derdhet direkt në llogaritë e tyre dhe sot kemi marrë nga bankat garancinë e kërkuar, se nuk do të mbajnë asnjë komision për këto paga. Kush në rastin e tij konkret është në listën e 60 mijë e 421 individëve që janë identifikuar si përfitues, sepse e kanë mbyllur biznesin si shkak i luftës, është i lutur të aplikojë në faqen online të tatimeve, ku deri në orën 16:30 kishin aplikuar 1852 persona. Meqë më kanë pyetur disa që punojnë në kopshte a shkolla private, apo në transport qytetarësh, sqaroj se edhe këto kategori janë përfituese – gjithnjë nëse në këto biznese xhiroja nuk i kalon 140 mijë dollarët në vit. Në këtë paketë përfshihen edhe taksitë, meqë shoferë taksish më kanë pyetur shpesh gjithashtu a përfitojnë. Po. Është gati për lëvrim edhe dyfishi i ndihmës ekonomike për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, për të cilat jemi angazhuar me gjithsej për t’u dhënë mjetet jetike të ekzistencës. Pra për këto kategori plani i shpallur i mbështetjes financiare, ka hyre në zbatim dhe të gjithë do të marrin në dorë, qindarkë për qindarkë, paratë e premtuara.

E dyta: Pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm mbi familjet dhe ekonominë kombëtare, bujqësia nuk është ndalur së prodhuari dhe të dhënat e doganave për muajin mars, si edhe për tremujorin, tregojnë një rritje inkurajuese të eksporteve krahasuar me vitin e shkuar. Fatmirësisht fshati është më pak i rrezikuar se qyteti dhe lejimi i punës në fshat, plus masat e marra nga vetë njerëzit, po edhe vetë natyra e punës që e lehtëson shumë distancimin social aq torturues për qytetin, e favorizojnë vazhdimin e aktivitetit prodhues, grumbullues, shpërndarës. Çekuilibrimi i tregjeve ndërkombëtare në drejtim të kërkesës për disa produkte, mbetet sidoqoftë një problem i kësaj lufte, që krijon shqetësime në segmente të veçanta të zinxhirit prodhues në fshat.

E treta, sistemi ynë spitalor deri tani është në gjendje shumë të qëndrueshme dhe ne vazhdojmë furnizimin e stokut të luftës, për ditë më të këqija nëse do të vijnë. Ndërkohë, mjekët e infermierët që janë në vijën e zjarrit do të marrin këto ditë pagën mujore dhe siç e kemi premtuar, do të kenë në llogarinë e tyre 1 mije euro mbi pagën e zakonshme. Ndërsa personeli mbështetës i luftës së tyre në vijën e zjarrit, deri tek shoferët e urgjencës kombëtare, do të ketë në llogarinë e këtij muaji 500 euro plus pagës. Deri kur të mbarojë lufta dhe pacienti i fundit me Covid-19 të lërë spitalin, ata do të vazhdojnë të paguhen kështu. Deri tani mund ta themi me plot gojën se masat shtrënguese na kanë ndihmuar jashtëzakonisht në uljen e agresivitetit të armikut, që gjatë kësaj faze na ka dëmtuar më pak se parashikimet tona më optimiste. Prandaj faleminderit nga zemra, përunjësisht, që të gjithë ju që e keni bërë të mundur këtë arritje të deritanishme, e cila është realisht madhështore, krahasuar me katastrofën ku mund të gjendeshim nëse nuk do t’i kishim marrë masat apo nëse ju nuk do të kishit rezistuar kaq super mirë – largqoftë, për vetë lidhjen e ngushtë me Italinë, jo vetëm do ishim duke numëruar tani mbi 100 të vdekur po do ishim duke përjetuar tmerrin e disa mijëra të vdekurve deri në fund të luftës. Por kjo s’do të thotë se katastrofa është shmangur përfundimisht dhe mos o Zot ta lëshojmë veten tani kur lufta nuk është ende në mes, sepse pastaj do hidhnim në det tërë këtë përpjekje kolosale që po bëjmë si popull, në çdo familje. E di që nuk është e lehtë të vazhdojmë kështu, madje është shumë e vështirë, por nuk kemi asnjë rrugë tjetër dhe njëkohësisht, pa dashur t’ju entuziazmoj para kohe, sepse s’ka vend për asnjë lloj entuziazmi, ju informoj se ne po detajojmë një plan të lehtësimit gradual të masave, që do të hyjë në zbatim sapo të shohim rënien e kurbës së të infektuarve. Nuk e di dhe nuk na e thotë dot askush në këtë botë, se kur do të ndodhë kjo, por dimë që deri në mes të prillit do të mësojmë e kuptojmë shumë mbi thellësinë e shtrirjes së armikut mes nesh. Ndërkohë po studiojmë disa lehtësime të lëvizjes, që t’i kemi gati, me ndihmën e Zotit, duke nisur me pikatore nga java e ardhshme, po qe se numrat deri të dielën do të na e lejojnë ta marrim në konsideratë përdorimin e pikatores. Prisnim një kërcim të numrave në javën që lamë pas, mirëpo nuk ndodhi, çka na bën disi më optimistë se në nisje, por kjo nuk do të thotë asgjë sot për sot. Prandaj vigjilencë dhe rezistencë, pa u lodhur e pa u mërzitur, por me forcë e me besim të madh se fati i kësaj lufte, nuk varet vetëm nga armiku i padukshëm, po edhe nga rezistenca jonë, durimi e motivimi ynë, çdo ditë, pa menduar po nesër ca do bëhet! Duhet të jetojmë me ditën, jo me javën e as me muajin, sepse ndryshe nuk e fitojmë dot këtë luftë. E di mirë dhe e dëgjoj me kumbim në vësh, në mendje e në shpirt, vuajtjen e shumëkujt që po përjeton shtrëngimin e rrypit ekonomikisht!

Jini të sigurtë se unë do të bëj gjithçka që është në mundësitë e kësaj shtëpie të përbashkët, për të mos lënë askënd vetëm në përballjen me rëndesën ekonomike që po sjell kjo luftë, duke kërcënuar ekzistencën. Por receta magjike nuk ka dhe kush i propozon në mexhlis ca lloje recetash me lekë në dorë për të madh e të vogël, ose vjen nga rruga e piramidave që ju kujtohet të gjithëve se si e hodhën në erë mbarë Shqipërinë, ose nuk di çfarë flet sepse nuk ka asnjë përgjegjësi për t’i vënë në jetë ato receta sa qesharake, aq rrëmujë ndjellëse, ose pastaj përton të ndërrojë pllakën e harruar mbi gramafon që para fillimit të luftës. Ne sot kemi bërë edhe një takim me bankat dhe kemi marrë garancinë se instrumenti financiar i Garancisë Sovranë të qeverisë, 100 milion dollarë në dispozicion të kompanive për të paguar punonjësit që nuk shkojnë dot në punë, do të funksionojë menjëherë. Ashtu sikundër jemi garantuar se edhe shtyrja e kësteve të kredive për tre muaj, do të bëhet siç e kemi urdhëruar bashkërisht me guvernatorin e bankës qendrore.

E di mirë që ka pasur plot raste hasjesh në probleme me bankat prandaj po e theksoj duke u lutur për durim dhe besim, sepse ne jemi zgjuar edhe kur ju shkoni të flini pas ditës së gjatë të rezistencës. E di mirë po ashtu që kemi një problem real me ata që punonin në të zezë e që tani rrinë në shtëpi. Por miq, ne nuk mund të bëjmë dot asgjë symbyllur dhe në këtë drejtim, nuk ndajmë dot symbyllur ne një ndihmë për kë punonte në të zezë, sepse pastaj i bie që të vijë kushdo e të thotë më jepni edhe mua një pagë luftë, se unë kam punuar në të zezë. Ne pa diskutim mund t’ju ndihmojmë, ama vetëm nëse ju na i hapni sytë e na tregoni se ku keni punuar në të zezë, në cilën kompani a biznes dhe kush ju ka paguar në të zezë! Kjo jo për të penalizuar punëdhënësit për shkeljen e rëndë që kanë bërë, duke ju mbajtur në të zeze, por për të verifikuar rastin e për t’ju dhënë hakun!

E di mirë edhe që shumë punonjësve po u shkurtohet puna dhe plot sipërmarrës u thonë s’kam c’bëj, ik në shtëpi, ndërkohë që shumë gjinkalla i’a kanë marrë avazit se ne duhet të shkojmë përtej garancisë sovrane për kompanitë, sepse sipas tyre ato nuk do ta shfrytëzojnë garancinë sovranë. Mbase do të na duhet të shkojmë edhe përtej garancisë sovrane, nuk është diçka që nuk e kemi parashikuar, por jo sot dhe jo symbyllur. Sepse së pari, duhet e do të analizojmë gjatë 10 ditëve të ardhshme, sjelljen e kompanive në raport me instrumentin që u kemi vënë në dispozicion, e së dyti ne nuk e dimë sa do të zgjasë kjo luftë, e kemi të qartë që edhe 1 vit po të zgjasë, kategorive që do t’u derdhim në llogari paratë gjatë këtyre 10 ditëve, do t’ua derdhim deri në fundin e luftës pavarësisht kohëzgjatjes së saj.

Ndërsa përfituesit e mundshëm nga zgjerimi i paketës mbështetëse, do t’i përcaktojmë jo më parë se sa 15 prilli, sepse duhet të shohim me patjetër të dhënat nga fronti i luftës, që të mos bëjmë hesape pa hanxhiun kur i thonë si ato që dëgjoni rëndom nëpër televizorë, kur flitet si nga hëna e jo nga lagja më e varfër e Europës, ku gjendet edhe shtëpia jonë, Shqipëria. Imagjinoni sikur në familjen tuaj t’i hyni e t’i mbaroni për një ditë ato që keni në shtëpi për një javë, së çfarë ndodh në ditën e katërt e lërë pastaj se si mund të shkojnë punët në ditën e shtatë. Ne po punojmë intensivisht për të siguruar edhe financime nga jashtë vendit, por lufta që na ka zënë derën nuk është as lokalë, as rajonale, po është një luftë botërore, është lufta e tretë botërore dhe kanalet e financimit përmes bankave të huaja apo institucioneve të tjera financiare, s’janë zgjeruar por janë shumë më të ngushta se sa ishin përpara shpërthimit të luftës. Të gjithë po shohin shtëpinë e tyre dhe taksiratet e vendeve të mëdha e vendeve shumë më të fuqishme ekonomikisht, sado paradoksale të dukët, janë edhe më të mëdha se sa taksiratet tona në një sens! Sepse ne jemi mësuar me pak dhe do bëjmë si do bëjmë, ne do dalim më të mirë e më të fortë në fund, po përtej atyre që shikoni nëpër televizor e miliardave që jepen nëpër lajme sikur u derdhën lumë nëpër xhepat e popujve, shumëkujt që është mësuar me më shumë do t’i duhet të kënaqët me shumë më pak, minimalisht deri kur lufta të mbarojë.

Sidoqoftë, unë jam optimist se ne do t’i sigurojmë edhe financimet shtesë që na nevojiten për të qenë pak më pak të shtrënguar edhe në periudhën më pas zgjerimit e paketës, duke u siguruar ama se kohëzgjatja sado e madhe se nuk mund ta parashikojmë dot, nuk do na gjejë kurrsesi të papërgatitur. Në asnjë luftë nuk pretendohet për jetesë, po luftohet për ekzistencë. Prandaj jeta e secilit prej nesh, prej jush dhe e familjarëve tanë, është prioriteti i prioriteteve. Ekonomia bie dhe ngrihet, të vdekurit nuk ringjallen. Për bukë nuk ka vdekur kurrë asnjë shqiptar dhe nuk do vdesë askush për bukë as në këtë luftë, ku kur themi bukë, flasim për bukë, jo për dreka e darka si zakonisht në kohë normale.

Kështu që do më lejoni t’jua kujtoj prapë, e pastaj prapë, së në këtë vend, kur ishte shumë më i varfër së sot, u vranë 28 mijë njerëz dhe askush nuk vdiq për bukë, e as nuk kishte ku të ankohej se jo vetëm s’kishte facebook për të shkruar po vdes për bukë, çfarë bëhet kështu mor jahu, në faqen e kryeministrit, po qeverinë e kishin ata që i shërbenin armikut jo popullit. Ju’a them këtë, sepse lufta është reale edhe sepse armiku është i padukshëm. Mundësia e malit me viktima është reale, edhe pse mali sot duket i pamundur. Por reale janë edhe vuajtja juaj, edhe përkushtimi im total për ju! Asnjë dyshim për këtë. Jam këtu bashkë me të tjerët që t’ju mbrojmë me çdo kusht dhe t’ju nxjerr të gjithëve shëndosh e mirë, gati për t’u ri ngritur, nga kjo luftë e ne do ri ngrihemi nga kjo luftë prandaj durim, durim, durim dhe besim të patundur që Zoti i Shqiptarëve është i madh!