Fjala e Kryeministrit në hapjen e sesionit të ri parlamentar

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në hapjen e sesionit të ri parlamentar, në emër të shumicës parlamentare:

 

Mirë se ritakohemi këtu, pas ndërprerjes!

Uroj që familjarisht të jeni të gjithë mirë dhe të gjithë të dashurit tuaj të jenë mirë, në kushtet kur jemi dëshmitarë të një situate që befason shpesh.

Në këtë fjalë do të përpiqem shkurt të prek disa pika kryesore që besoj do të jenë kryesore në axhendën  tonë të përbashkët. Duke filluar nga zgjedhjet. Data 25 prill është data e zgjedhjeve dhe mendoj që pa humbur asnjë minutë, duhet që bashkërisht, përmes Komisionit të Ligjeve dhe me përfaqësuesit e të dyja palëve të hedhim në letër, ato që do të jenë reflektimet e ndryshimeve që bëmë përpara kësaj ndërprerjeje në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në Kodin Zgjedhor.

Besoj se nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të punojmë intensivisht me të gjithë fuqitë dhe me të gjithë ekspertët në dispozicion, për të garantuar zbatimin e ndryshimeve të bëra bashkërisht.

Nga njëra anë, për mekanizmin e listave të hapura, ku na duhet të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur, me një konsensus të plotë, jo vetëm brenda sallës së parlamentit, por edhe me atë pjesë të opozitës që është jashtë parlamenit, mundësisht, por, nga ana tjetër detyrimisht një orë e më parë. Nuk mund të jetë një proces i tejzgjatur në emër të konsensusit 100%, por duhet të kërkojmë një konsensus 100% për një proces të shpejtë.

Sigurisht, edhe për të vendosur në Kodin Zgjedhor mekanizmin e koalicioneve parazgjedhore si një subjekt zgjedhor.

Këto janë dy pikat kyçe, që duhen adresuar.

Ne kemi shqetësim që kemi patur që ditën e parë. E kemi thënë edhe publikisht, që i vetmi problem për ne, lidhur me kërkesën për t’i hapur listat 100%, është garantimi i ekuilibrit gjinor të listave. Nëse kjo realizohet me një mekanizëm, që ne nuk jemi ftuar këtu që ta shpikim, por me një mekanizëm të besueshëm, atëherë për ne nuk ka asnjë problem. Ama, nëse nuk ka një mekanizëm të besueshëm, mos prisni nga ne të hapim listat 100%, nëse nuk garantojnë ekujlibrin gjinor.

Lista të hapura 100% që e kthejnë Parlamentin e Shqipërisë mbrapsht në kohë, në një parlament ku, për të gjetur një grua, duhet të kërkoje mes 50 burrave, nuk çojnë asgjëkundi, për ne.

Por besoj se kjo nuk është një sfidë e panjohur dhe njê sfidë e re që shfaqet këtu për herë të parë. Bota ka eksperienca të panumërta. Me siguri e ka patur edhe këtë çështje për ta adresuar. Jam i bindur dhe kam besim që bashkërisht dhe me vullnet të mirë të gjejmë një rrugë, siç e gjetëm edhe para ndërprerjes, që të gjitha palët të mund të ndjehen të përfaqësuar në atë që do të jetë produkti përfundimtar, ku asnjë palë nuk mund t’i marrë të gjitha dhe ku çdo palë duhet të pranojë se çfarë nuk mori vetë e mori pala tjetër.

Bashkohem me apelin e Kryetarit të Kuvendit, lidhur me domosdoshmërinë për të nxituar me  përzgjedhjen e Komisionerit të Zgjedhjeve dhe të anëtarëve të trupave të reja të administratës qëndrore zgjedhore. Për këtë duhet të ecim me shpejtësi.

Së dyti, janë rekomandimet e Komisionit të Venecias, lidhur me ligjin për Mediat, atë që unë e quaj “antishpifja” dhe nuk ndryshoj opinion që shpifja duhet adresuar ligjërisht, kur vjen puna tek mediat online.

Fatmirësisht kemi një Raport goxha ndihmues të Komisionit të Venecias dhe mbi atë Raport duhet të punojmë bashkërisht që të dalim në konkluzionin e duhur dhe ta kalojmë atë ligj në parlament një orë e më parë. Sepse, ndërkohë, shpifja po bën kërdinë përditë e përnatë.

Në atë Opinion ka sugjerime shumë të vlefshme edhe për sa i përket medias publike, Radio Televizionit Shqiptar, lidhur me Bordin e RTSH-së. Është koha për të bërë një ndryshim radikal në mënyrën sesi konceptohet Bordi i RTSH-së dhe për të hapur rrugën për të gjithë ato profile që i sugjeron Komisioni i Venecias si pjesëtarë të Bordit të RTSH-së dhe që faktikisht janë përjashtuar në mënyrë të pakuptimtë, për vite të tëra, nga mundësia për të kontribuar për këtë institucion të rëndësishëm publik të medias.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm, që u prek nga të gjithë pothuajse, por që ka të bëjë përsëri me rekomandimet e Komisionit të Venecias, është aspekti i adresimit të rekomandimeve që lidhen me emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Duhet edhe për këtë të materializojmë në draft konkret të gjithë punën e bërë paraprakisht. E këtu patjetër që duhet një harmonizim i plotë me partnerët që e ndjekin hap pas hapi Reformën në Drejtësi dhe t’i japim fund, shpresoj, situatave  e ngërçeve krejtësisht absurde dhe shumë të dëmshme, që na u krijuan në të shkuarën.

Është koha që të shtyjmë përpara draftin e ligjit për Presidentin e Republikës. Është  një draft i shfaqur dhe i zhdukur shumë herë në skenën e debatit politik, madje, edhe në diskutime të brendshme të palëve që përfaqësohen në parlament. Mendoj se ka ardhur koha që të ketë një ligj për Presidentin e  Republikës.   Besoj se ka edhe këtu eksperienca plot, që nuk ka nevojë t’i shpikim, por mjafton t’i marrim, t’i studiojmë, t’i analizojmë, t’i harmonizojmë për të patur një ligj për Presidentin e Republikës, që është sa  i nevojshëm, aq edhe i munguar në të gjitha këto vite.

Pika tjetër e rëndësishme që besoj duhet të meritojë vemendje nga parlamenti në mënyrë specifike këtë vit, – nuk është se ka munguar vëmendja ndaj kësaj pike, – është projektbuxheti i ri, ku do të mund të adresojmë shumëçka nga ato tema që adresohen shpesh, por shpesh jepen në mënyrë krejtësisht spekulative dhe propagandistike dhe jo në mënyrë realiste dhe faktike. Këtu kam parasysh dhe specifikisht nevojën për të adresuar pagat e mjekëve dhe të mësuesve. Janë dy kategori, mjekët sidomos, por edhe mësuesit padiskutim, që në këtë fazë të zhvillimeve të vendit dhe të jetës sonë kanë një rol ekstra për shkak të vështirëve plus që ka krijuar pandemia.

Besoj se ne i kemi mundësitë që për mjekët të bëjmë një rritje pagash si asnjëherë më parë në këto 30 vjet, duke i qëndruar pranë dhe duke shprehur përmes kësaj rritjeje një vlerësim absolutisht legjitim dhe një respekt absolutisht të merituar për ta.

E po ashtu, edhe për mësuesit si një tjetër kategori që jo vetëm në kohë të zakonshme është një kategori e veçantë, por në këtë kohë e sidomos këtë vit shkollor do të përballen me një vështirësi ekstra, të jashtëzakonshme, për të bërë njëkohësisht dy punë, punën e përditshme dhe të gjithëhershme të mësuesit për mësimdhënie dhe edukimin dhe punën ekstra për mbrojtjen e shëndetit të të gjithëve bashkë. Sepse  është e vërtetë që fëmijët nuk janë pjesa më vulnerabël në raport me COVID-in, edhe pse nuk janë plotësisht të imunizuar, por është po kaq e vërtetë që fëmijët janë transmetues. E faktikisht çuarja e fëmijëve në shkollë, e rrit në mënyrë eksponenciale ekspozimin e të gjithëve ne, që mund të mbrohemi sa të duam, por në shtëpi, prapë fëmijët do të kthehen dhe nuk mund të rrimë me maska edhe në shtëpi dhe pa prekur fëmijët. Është diçka surreale ta mendosh.

Dhe në fund, bashkohem me atë që shprehu Kryetari i Kuvendit në fjalën e tij hyrëse, lidhur me Marrëveshjen e bërë në Washington mes Serbisë dhe Kosovës.

Patjetër ishte një moment shumë i rëndësishëm në marrëdhëniet mes të dy shteteve, patjetër ishte tejet e rëndësishme që në funksion të këtij momenti u bë edhe njohja e Kosovës nga Izraeli, por përtej faktit që kjo Marrëveshje u bë në Shtëpinë e Bardhë dhe përtej faktit që Izraeli njohu Kosovën, Marrëveshja nuk ka asnjë gjë të re.

Të gjitha temat e asaj Marrëveshjeje janë tema të Procesit të Berlinit,  të stërdiskutuara në çdo raund të Procesit të Berlinit. E them këtë për një arsye shumë të thjeshtë. Për të kuptuar se sa shumë kohë kemi humbur ne si shqiptarë, në raport me çfarë faktikisht sjell Marrëveshja.

Marrëveshja thjesht sjell një konfirmim të çka  ka qenë aty për vite dhe refuzimi absurd për të ecur në atë drejtim ka sjellë vetëm humbje kohe. Një humbje kohe që besoj, nëse dikush do të ulej të kalkulonte dëmet, ka dëme të pallogaritshme. Humbja e kohës nga patriotizmi farsë dhe nga një luftë imagjinare me një fqinj, që ishte dje armik, sot është një fqinj me të cilin shqiptarët kanë llogari të hapura për të adresuar, por që llogaritë e hapura nuk mund t’i adresosh në kushtet e paqes duke bërë sikur je në luftë. Të bësh sikur je në luftë dhe të mos komunikosh për të adresuar llogaritë e hapura, të cilat qëndrojnë aty me vite e me vite, thjesht e vetëm si municion për të mbushur pushkët imagjinare, është thjesht dhe vetëm të pushkatosh popullin tënd, të sakatosh të ardhmen e vendit tënd. Nuk ka absolutisht asnjë dyshim, të mos e pranosh sofistikimin që sjell paqja të një marrëdhënieje që në luftë është bardhezi, në paqe nuk është bardhezi, do të thotë të jesh ose i paaftë për të drejtuar, ose cinik në raport me popullin tënd.

Ajo që mbetet mbresëlënëse është se qorr-shurdhëria e atyre që i kanë sytë, i kanë veshët, e kanë mendjen dhe qëllimisht nuk duan të shohin, nuk duan të dëgjojnë, nuk duan të hapen, është diçka që ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në përgjithësi, absolutisht!

Dëgjova dikë këtu që bërtiti “nuk e lëshojmë detin ne”. Ishte me maskë dhe nuk e lidha zërin me figurën se kush ishte ky që po mbron detin këtu në sallë, me maskë, por dua t’i them, kushdo që të jetë, që edhe po të duash ti ta lëshosh, nuk e lëshon dot, nuk ke asnjë mundësi.

E dyta, kushdo që do të donte ta lëshonte, cilido qoftë, nuk e lëshon dot, nuk ka asnjë mundësi.

E treta, mos u bëni qesharakë dhe kaq të poshtër, njëkohësisht.

Domethënë, poshtërsisht qesharakë, sepse ata, të cilët i frynë këtij zjarri, e dinë shumë mirë që këtu nuk ka asgjë të vërtetë, por në vend se të punojnë për popullin, duan ta përdorin popullin. Në vend se të punojnë për ata shqiptarë që nuk janë në punën e tyre dhe nuk kanë as detyrën dhe as mundësinë të kenë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe shqetësohen, duan t’i përdorin ata. Duan të kapin një votë, “kap çfarë të kapësh” e nisen me varka mono për të mbrojtur detin në mes të diellit, duke i rënë lopatës sa majtas, djathtas dhe dalin në deklarata, të veshur me kostum, për të mbrojtur detin.

Mbrojnë detin nga cili? Kë det po mbroni?

Keni konstatuar gjë që ka ndonjë zbythje të detit drejt Greqisë? Mos ka dalë gjë tokë, atje ku bëni këto luftërat me varka? Keni parë gjë atje ju?

Deti aty është, nuk ka lëvizur. Nuk është dot as deti, as toka, as ajri, një materie që mund të negociohet e mund të ndahet siç ndaheshin tenderat kur LSI-ja drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar. Nuk funksionon kështu. Çfarëdo negociatash të bëhen, ato bëhen me personat e autorizuar, nuk bëhen si muhabete varkash dhe personat e autorizuar, kur arrijnë një konkluzion, nëse e arrijnë, paraqesin konkluzionin tek autoritetet. E nëse një autoritet, që është qeveria, firmos një marrëveshje, ka një autoritet tjetër që duhet ta gjykojë atë marrëveshje, që është Zoti President i Republikës, i cili nuk e di pse është futur edhe ai në këtë mbrojtje të detit, kur e di shumë mirë që po nuk erdhi deti tek ai, askush nuk ka …(nuk dëgjohet)… Pastaj ka një tjetër autoritet që është Gjykata Kushtetuese e Republikës për të cilën ai ka thënë se do t’i drejtohet pasi të bëhet marrëveshja dhe shumë mirë do bëjë. Pastaj ka dhe një autoritet tjetër që është Parlamenti i Shqipërisë.

Më e bukura është që ata që realisht e lëshuan detin, sot kanë dalë ta mbrojnë. Ilir Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha, – Monika në atë kohë nuk kishte lopata, kishte vetëm varkën se lopatat i kishte Iliri, ndaj nuk mund ta përfshi në këtë, se nuk e pyeste njeri në atë kohë, – bënë marrëveshjen më të gabuar për Shqipërinë dhe si e bënë?

E bënë në rrugë zyrtare. E bënë me firma e me vula. Nuk ka marrëveshje me fjalë për territoret e një vendi, nuk ndodh dot e nuk ka si ndodh, as për det, as për ajër, as për tokë. E bënë me firma,  e bënë me vula. E firmosi me buzëqeshjen më të gjatë që kam parë ndonjëherë në portretin e Lulzim Bashës, vetë Lulzim Basha kur ishte ministër i Jashtëm. Shikoni arkivin. Ai zakonisht e ka buzëqeshjen kilometrike, po ajo është një buzëqeshje me milje të panumërueshme, nga mbrapa një veshi deri mbrapa veshit tjetër. E jam i bindur që po ta filmonin edhe nga mbrapa, buza e qeshur do vazhdonte edhe mbrapa. Por nuk kam prova për këtë e nuk mund të them që ka qeshur edhe me buzën e mbrapshtme. Buzën e mbrapshtme nuk ia kemi parë, buzën e përparme, vesh më vesh dhe firmosi.

Ka dalë Ilir Meta e ka mbrojtur në atë kohë, me të gjithë peshën e tij në qeveri dhe fizike, – ishte dyfish në atë kohë, – duke na thënë ne që po provokojmë e ku di unë se çfarë po bënim.

Ne nuk çuam në Gjykatë Kushtetuese thashetheme. Ne nuk çuam një thashethem në Gjykatën Kushtetuese. Vetëm në Shqipëri mund të ndodhë kjo, edhe në Kosovë faktikisht, që del një kryeministër apo një kryetar shteti në punën e vetë, ne vendin e vetë, në të drejtën e vetë, thotë një fjali dhe këtu plas peshku.

Ne kemi çuar në Gjykatën Kushtetuese një marrëveshje të firmosur, të vulosur, të vendosur. E çuam në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e bëmë pazar peshku. Gjykata Kushtetuese vendosi 9-0 si asnjëherë në çështje sensitive. 9-0 dhe e quajti një marrëveshje që cënon interesat kombëtare.

Këta cënues të interesave kombëtare, që janë konstatuar si të tillë jo nga ndonjë palë këtu në parlament, por nga Gjykata Kushtetuese, pra, janë të fajshëm, janë fajtorë për cënim të interesave kombëtare, sot qenkan mbrojtësit e interesave kombëtare nga unë dhe nga ne që e çuam Marrëveshjen në Gjykatë Kushtetuese.

(Naltmadhni, unë nuk fus njeri në burg, qeveria në demokraci nuk fut njerëz në burg. Partia politike në demokraci nuk fut njerëz në burg. Që të fusësh njerëz në burg, duke qenë kryeministër, duhet të jesh ose mbret në potencë, ose duhet të jesh në një sistem partie shtet. Unë  nuk jam as mbret në potencë, – ti je, por në potencë do mbetesh – dhe as kryeministër i një partie shtet, që të jemi shumë të qartë. Por ju kapni çfarë të kapni për sa kohë keni trupeshq që e hanë karremin tuaj, karremin e Saliut, karremin e Ilirit, karremin e Lulit, karremin e Monikës, që këtu ka ardhur dita të mbrojmë detin.)

Për ta mbyllur këtë temë, thjesht t’ju lutem, të paktën në këtë parlament mos u bëni qesharakë fare, se na bëni qesharakë të gjithëve. Detin dilni mbrojeni aty ku ka peshq që votojnë për ju, kapini, futini në rrjetë dhe shpëtoni detin. Detin imagjinar!

Sa për detin e Shqipërisë, fjala e Kryeministrit të Greqisë, për t’u shtrirë Greqia 12 milje në ujërat e veta territoriale, nuk ka lidhje asnjë lidhje me Shqipërinë. E që ta dini ju, që e doni kaq shumë Shqipërinë, por i ngatërroni dhe hartën dhe jam i bindur që nuk dini as sa kilometra katrorë ka në të vërtetë, nuk ka mundësi fizike, nuk ka hapësirë fizike aty ku gjendet hapësira ndarëse mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të ushtruar të drejtën e 12 miljeve.

E drejta e 12 miljeve është një e drejtë që buron nga Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit e vitit 1982 dhe është për të gjitha vendet. Çdo vend që ka mundësinë të shtrihet 12 milje mund ta bëjë këtë. Aty ku mundësia nuk ekziston, thotë Konventa, shtetet negociojnë.

Çfarë po negociojmë ne me Greqinë, nëqoftëse do të ishte kaq e thjeshtë?!

Ne me Greqinë kemi nisur negociata që kanë ndaluar, nuk jemi në negociata qysh prej ndryshimit të qeverive në Greqi.

Nuk ka negociata në zhvillim me Greqinë qysh nga ndryshimi i qeverive dhe negociatat mes dy palëve nuk kanë përfunduar në atë kohë. Nuk ka marrëveshje!

Mos u bëni qesharakë dhe përfitoj nga rasti t’u them të gjithë atyre që kanë të drejtën e tyre mos të na besojnë neve, mos të na votojnë e mos të na duan, të mos bëhen qesharakë me veten e tyre dhe para fëmijëve të tyre, duke mbrojtur detin nga asgjëja. Sepse, përderisa ne jemi ata që e rrëzuam atë marrëveshje, nuk mund të jemi ata që e ribëjmë marrëveshjen në cenim të interesave kombëtare. S’ka sesi jemi!

Fjalën “shitje” mos e përdorni vend e pa vend për çdo gjë. Nuk funksionon! Nuk është një kamion me 12 litra ujë deti që lëviz pa e marrë vesh ju. Janë 12 milje e jo kamion që ka kaluar natën nga doganat që drejtoheshin nga Timi.  Nuk është më ajo kohë. Timi nuk ka faj, se mendon se mund të funksionojë si trau i doganës puna e detit, por nuk shkon dot deti me kamion nga doganat, nuk ngrihet dot trau për ta kaluar natën dhe del pala tjetër e thotë po shtrihemi ne se na erdhi kamioni.

Jemi në vitin 2020! Ka njëmijë gjëra e njëmijë arsye për të bërë opozitë, po ku i gjeni këto!

E çoroditët këtë pjesë të popullit që beson verbërisht e ju ndjek verbërisht, të cilëve Zoti u ka dhënë sytë, veshët e mendjen, por i kanë lënë në tako të gjitha e shkojnë pas berihait. Të paktën, ju që jeni këtu dhe u ndatë nga ata që ikën, mos flisni si ata që ikën për çdo gjë. Kopja e tyre këtu.

Deti është aty. Nuk ka kush e merr. Një gjë ta fiksoni shumë mirë në kokë, sa të jem unë në këtë detyrë, do bëjmë më të mirën.

Patjetër kemi bërë gabime, do bëjmë dhe gabime, por cenim interesash kombëtare kurrë!

Nuk është faji im që disa këtu e disa në Kosovë kujtoni se mund të fitoni me Serbinë, duke gjuajtur në ajër. Nuk funksionon. Ju demokratët e mëdhenj, që keni frikë nga takimet dhe që takimet i quani faj në vetvete, mos merrni frikën e Lulit. Luli ka frikë të takohet me mua, imagjino si i duket kur takohem unë me të tjerë. Takimet janë gjithmonë pozitive. Edhe në luftë, jo më në paqe. Edhe në luftë, kur ke mundësi të takohesh me atë që po lufton, takohesh.