Hap dyert bujtina e parë në Labovën e Kryqit

Një tjetër shembull suksesi në agroturizëm është bujtina e zonjës Maria në Labovën e Kryqit në Gjirokastër. Maria, zonja që ka pasur shtëpinë e të parëve në këtë fshat, falë iniciativës së saj dhe mbështetjes nga Agjencia për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, ka hapur bujtinën e parë në këtë fshat, ku sot u ndal Kryeministri Rama.

“Në Labovën e Kryqit kemi dy investime. Një të realizuar e një të kontraktuar nga skema kombëtare, nëpërmjet mbështetjes së programit që kemi për ngritjen apo rikonstruksionin e agroturizmit. Rasti që po shohim sot është zonja Maria, që këtu ka pasur shtëpinë të parëve të vet. Plani ishte që shtëpia do rikonstruktohej, por në fakt është ringritur nga e para. E veçanta e këtij investimit është se është shtëpia e parë që hapet në Labovën e Kryqit për turistët. Qëllimi i programit është që të krijojë shembuj dhe modelin në mënyrë që dhe shtëpitë e tjera të shërbejnë si kjo”, – u shpreh drejtoresha e AZHBR-së, Frida Krifca.

Kryeministri e vlerësoi këtë iniciativë të Marias, ndërsa tashmë falë rrugëve lidhëse të përfunduara në Labërinë e sipërme, rrugëtimi drejt fshatrave të tillë si Labova, jo shumë të njohur për turistët vendas e të huaj, është shumë më komod.