Integrimi i rrjeteve, hap i rëndësishëm për sektorin elektroenergjetik Shqipëri-Kosovë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e mbajtur online me rastin e nisjes së  operimit të pavarur të Kosovës, si Zonë Rregulluese brenda Bllokut Rregullues Shqipëri – Kosovë, si dhe nisjes së  transmetimit të  linjës 400 kv mes dy vendeve:

 

Më në fund ja kemi dalë ta arrijmë këtë ditë, e cila faktikisht, nëse kthehemi pas dhe shohim historikun e këtij procesi, ka marrë shumë kohë. Ka qenë shkurti i vitit 2010, pra, plot 10 vite më pare, kur qeveria e Shqipërisë ka miratuar për një hua për ndërtimin e linjës së trasmetimit Shqipëri-Kosovë dhe sipas zotimit të kryeministrit paraardhësës, linja, e cila do të përfundonte brenda 2 vitesh ishte, – citoj: “Një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve tona me potencialin e rregullimit të tregut të energjisë mes dy shteteve dhe më gjërë se kaq, në rajon”.

Duke hequr këtë pjesë të fjalës, me të cilën pajtohem plotësisht, sepse vërtetë është një nga projektet më të mëdha në historinë e dy vendeve tona, dua të kujtoj se puna nuk filloi kurrë. E për arsye të mosarsyes, që nuk ka nevojë të qëndrojmë këtu gjatë, jo vetëm që asgjë nuk nisi, por sistemi ynë elektroenergjitik vazhdoi të degradojë deri në pikën që u bë një barrë shtypëse mbi shpatullat e shtetit shqiptar, e cila rrezikonte ta falimentonte financiarisht Shqipërinë. U desh viti 2014 që qeveria e re, qeveria jonë të fillonte zbatimin e këtij projekti madhor dhe e mbyllëm projektin ekzaktësisht në dy vjet, në vitin 2016.

Por këtu, sot jemi 4 vite pas përfundimit të plotë të projektit. Kujtoj që kam qenë i pranishëm, së bashku me mikun tim Isa Mustafa, kur kemi lajmëruar përfundimin e projektit dhe linja nuk u vu në punë për një arsye që duhet thënë sot dhe që mbase u shërben atyre, të cilët në mënyrë të verbër kundërshtojnë përpjekjen tonë të vazhdueshme për të integruar qasjen ndaj të ardhmes së krejt rajonit, – ishte vetoja e Serbisë. Linja mbeti peng i një formaliteti në kushtet e mungesës së një vullneti politik. Kosova për 4 vjet nuk mund të merrte një kod transmetimi nga rrjeti europian i operatorit të trasmetimit, sepse pala serbe pranonte ta njihte pavarësinë e rrjetit të Kosovës me kusht që të mbetej përsëri i varur nga Serbia.

Ky është Shengeni Rajonal.

E përsëris, ky është Shengeni Rajonal.

Kështu zgjidhen problemet që kanë një rëndësi shumë të madhe dhe që mbeten peng i fjalëve të mëdha, i sherreve të mëdha dhe i grandomanisë që rëndom i ka penguar shqiptarët të shohin përtej hundës së tyre. E pra, ne arritëm që pikërisht, duke hapur rrugën e një ndërveprimi në rajon dhe që, duke njehsuar qasjen dhe me ndihmën e Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara përsa i përket të ardhmes së këtij rajoni, ta heqim atë veto dhe të marrim mbrapsht pikërisht këtë për të cilën sot jemi mbledhur, hapjen dhe vënien në funksion të këtij projekti, që siç e thoshte dhe paraardhësi im, është një prej projekteve më të mëdha në historinë e dy vendeve, – unë them shteteve tona, se jemi 1 vend me dy shtete.

Fundi i kësaj historie përmes shtypjes së një butoni të vetëm i jep jetë, sot, një hapësire të përbashkët të integruar energjitike mbarëshqiptare. Një hapësirë e pavarur, një një treg sigurisht më të gjërë rajonal, që njëherazi është një hallkë themelore e një sistemi edhe më të madh e të gjërë, siç është sistemi mbarëeuropian i trasmetimit të energjisë. Vënia në operim e linjës 400kV do të sjellë një impakt të jashtëzakonshëm pozitiv në sigurinë e operimit të sistemit elektroenergjitik shqiptar dhe njëkohësisht do të rrisë konsiderueshëm kapacitetin e rrjetit interkonektiv të OST-së.

Më lejoni me këtë rast, të sjell këtu një shembull nga libri i një historiani të njohur, Bernd Fischer, rreth Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, ku tregohet në detaj, sesi interesat e tregut kishin bashkuar në një hapësirë të vetme Shqipërinë dhe Kosovën, nën sovranitetin e atëhershëm italian. Ishte periudha kur Shqipëria dhe Kosova jepnin e merrnin në mënyrë reciproke. Kosova mbulonte nevojat e Shqipërisë për produktet bujësore, Shqipëria mbulonte nevojat e Kosovës për produkte blegtorale. Kosova mbulonte nevojën e Shqipërisë për qymyr, Shqipëria mbulonte nevojën e Kosovës për krom, hekur e kështu me radhë.

Sot ndodh ekzakt e njejta gjë.

Shqipëria, sot gjeneron 97% të energjisë së saj nga hidrocentalet dhe Kosova gjeneron 97% të energjisë së saj nga termocentralet.

Mjafton të shohësh të dy pamjet e të njëjtës medalje, për të kuptuar se çfarë rëndësie strategjike ka kjo që sot është kthyer në realitet, integrimi i rrjetit dhe ndërveprimi në linjë 24orë/24 i OST-së me KOSTT-in. Faktikisht, kjo do  të thotë që ne, sot jemi reciprokisht më të fuqishëm nga pikëpamja e kapaciteteve dhe përsa na takon si Shqipëri, duke qenë se kemi një nivel kaq të lartë të prodhimit të energjisë së pastër, e cila në Europë përdoret për të ekuilibruar kuotat e karbonit, hapet perspektiva edhe përmes kësaj linje, por edhe përmes atyre investimeve që përmendi ministrja, qoftë Skavica, qoftë dy parqet e mëdha fotovoltaike që janë në proces, për të mundur që të eksportojmë.

Në Kosovë dihet botërisht, sistemi ka një kosto operacionale veçanërisht të lartë. Rrjeti varet ekskluzivisht nga termocentralet dhe njësoj si me Shqipërinë, ku nuk ka fleksibilitet për shkak se e gjithë energjia e prodhuar ka si bazë ujin, në Kosovë nuk ka fleksibilitet për shkak se baza e prodhimit është ajo e termos.

Mungesa e fleksibilitetit të sistemit e bën të pamundur racionalizimin ndaj ndryshimit të menjëhershëm të kërkesës. E faktikisht, këtu jemi në kushtet kur mund të fillojmë së bashku të racionalizojmë pikërisht fuqinë tone, në raport me ndryshimin e menjëhershëm të kërkesës si pasojë nga njëra anë, e motit dhe nga ana tjetër, e faktit që e gjithë oferta bazohet vetëm nga një burim.

Në Shqipëri, për herë të pare, falë kësaj linje, ne vihemi në kushtet që të programojmë më mirë administrimin e tepricave apo të mangësive sezonale, që jemi dëshmitarë të gjithë, diktohen nga kushtet klimaterike e ndryshe nga koha që përshkruan Bernd Fischer dhe ndryshe nga çdo kohë tjetër në historinë tonë të përbashkët, kjo është një kohë kur ne vijmë në këtë përfundim si shprehje e vullnetit sovran të dy qeverive sovrane, në dy shtetet sovrane. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, si një shembull i qartë që të gjithë xhagajdurët tanë, këtej dhe andej kufirit, gjithë grandomanët tanë këtej dhe andej kufirit, që vënë kujën patriotike për të penguar projektet ekonomike, të kuptojnë se çfarë do të thotë qasja jonë ndaj të ardhmes dhe çfarë do të thotë Shengeni Rajonal në thelb.

Shengeni Rajonal nuk është dorëzim i asnjë pavarësie dhe i asnjë sovraniteti, por është fuqizim i pavarësisë dhe i sovranitetit.

Pikërisht ky projekt, ekzaktësisht historik, siç nënvizonte paraardhësi im, është shëmbëlltyrë e vënies në shfrytëzim të kapaciteteve të sovranitetit dhe të pavarësisë së të dyja shteteve, për të ndërvepruar me njëri-tjetrin, në kushtet kur arrijnë të bëjnë politikë largpamëse dhe kur politikën nuk e lënë të katandiset në statuse nacional-revolucionare që nuk sjellin asnjë zgjidhje, por, përkundrazi, sjellin vetëm mbyllje, izolim dhe pastaj si rezultat edhe varfërinë.

Duke u kthyer tek linja e tensionit të lartë, OST-ja dhe KOSTT-i sjellin aplikimin e një koncepti të panjohur më parë. Një koncepti të ri të operimit të sistemit elektroenergjitik shqiptar dhe së bashku me bursën e energjisë, e përmendi drejtori, interkonjeksioni vendos bazat e një zhvillimi të unifikuar energjetik, që do të ketë hap pas hapi të mira të mëdha për të dyja shtetet dhe si rezultat, në fund fare, për popullatën shqiptare këtej dhe andej kufirit.

Krijimi i bllokut të kontrollit Shqipëri – Kosovë është zgjidhja më e mirë teknike e një problematike të madhe të nevojës për rezerva që ka çdo zonë e veçantë kontrolli.

Nga ana tjetër, blloku i kontrollit sjell një përfitim të madh dhe të rëndësishëm për sa i përket dimensionimit të përbashkët të rezervave, duke siguruar një potencial të madh kursimi ndaj totalit të rezervave, të nevojshme për kontrollin e përbashkët në bllokun e quajtur AK.

E pra, rritja e sigurisë së sistemit elektroenergjitik, optimizimi i përdorimit të rezervave, përshpejtimi i procesit të bashkimit të tregjeve të energjisë elektrike në të gjithë rajonin, reduktimi i humbjeve në sistemin e transmetimit, krijimi i mundësive për shkëmbim energjie balancuese nëpërmjet operatorëve janë gjëra të mëdha që ndodhin falë këtij hapi të jashtëzakonshëm që hedhim bashkërisht. Bashkohem plotësisht me ministren kur tha që çka ka bërë OST-ja dhe KOSTT-i në këtë periudhë, për të arritur që të shkelet butoni e të fillojë që prej mesnatës së mëparshme transmetimi, është një shembull kuptimplotë për të gjithë ata që duan të kuptojnë, në të gjitha fushat, është një gur kilometrik në rrugën e ndërveprimit me sukses në funksion të jetës së përditshme të njerëzve dhe jo në funksion të statuseve inflamatore në rrjetet sociale dhe deklaratave inflamatore në mexheliset e Prishtinës dhe të Tiranës, që asnjë të mirë nuk i kanë sjellë as shqiptarëve të Kosovës, as shqiptarëve të Shqipërisë, por vetëm rritjen e atyre pengesave që duhet t’i kapërcejmë së bashku.

Duke i falënderuar me shumë mirënjohje, me shumë respekt të gjithë ata që kanë kontribuuar për ndezjen e linjës dhe vendosjen në punë të saj, qoftë drejtuesit dhe punonjësit këtu, qoftë drejtuesit dhe punonjësit në Kosovë, mbetem shumë besimplotë se hapësira e përbashkët shqiptare që është krijuar me këtë vendosje në operim të linjës për sistemin elektroenergjitik, do të jetë një shtyllë në historinë e krijimit të tregut rajonal, i cili në një të ardhme të afërt, patjetër do të jetë pjesë e rrjetit europian.

E në këtë pikë, dua ta mbyll duke e përsëritur, nuk është fundi, është vetëm vazhdimi i një rruge, kjo që dëshmojmë sot, sepse fundi është shtrirja dhe integrimi i plotë në tregun europian që kalon përmes tregut rajonal.

Shumë faleminderit dhe një here! Gjithë të mirat miqve që na ndjekin nga ekrani në Prishtinë dhe të gjithëve ju uroj shëndet, në rradhë të parë, në këtë kohë kaq sfiduese për shëndetin, për veten, familjen, të afërmit, miqtë dhe dashamirësit e tyre.

Faleminderit!