Manzë, Durrës, rikthim në shtëpitë e reja

Janë të shumta familjet që po rikthehen në shtëpitë e reja, shumë më të mëdha, më të sigurta e më komode se ato që humbën natën e tërmetit tragjik. Edhe në Manzë të Durrësit, banesat e reja janë ëndrra e realizuar e shumë qytetarëve, të cilët në jo pak raste ishin skeptikë se kjo ditë do të trokiste.

Familja e Ferit Shehut në fshatin Radë të Manzës, përfituese e një shtëpie të re 3+1, mikpriti sot Kryeministrin Rama, i cili ju uroi hyrjen në banesën e sapopërfunduar me hapësira të bollshme për të gjithë anëtarët e saj.

“Me jetë e shëndet dhe gëzuar shtëpinë e re! – uroi Kryeministri. – Ia vlejti mundimi dhe durimi. Ka akoma shumë nga shtëpitë që duhen bërë, por hap pas hapi.”

Ministri për Rindërtimin Ahmetaj tha se “Vetëm në këtë rrugë janë gati 20 shtëpi, ndërsa në të gjithë Manzën janë 215, nga të cilat kanë filluar 60 dhe pjesa tjetër është në prishje dhe në largim inertesh.” Ai shtoi se “Në gjithë bashkinë e Durrësit janë 785, plus vlerësimit të ri që po shkojnë 1 mijë. Sipas kontratës deri në fund të prillit do t’i kemi mbaruar të 215 shtëpitë. Ndërkohë në bashki ka rreth 30 aplikime për marrjen e grantit kesh, kur nuk ndërtohet dot shtëpia për arsye gjeologjike dhe të relievit të papërshtatshëm për ndërtime. Kështu që dhe me pjesën e grantit po ecim. Janë dy lloj grantesh, për qytetarët. Njëri është DS4 dhe tjetri është DS 5”

Në familjen tjetër, përfituese e një banese të re 3+1, çadra është ende në oborrin e shtëpisë, si një kujtim i ditëve të vështira, që, ashtu siç shprehet e zonja e shtëpisë, tashmë kanë mbetur pas. “Sot, në çadra janë vetëm 860 familje, nga 11 mijë që kanë qenë në janar të viti të kaluar. Ndërkohë që të gjithë e kanë bonusin e qerasë”, – u shpreh ministri Ahmetaj, i cili u ndal në rastin e një qytetari që sapo kish marrë zgjidhje për problematikën lidhur me shtëpitë e përfituara nga Programi për Rindërtimin. “Sapo zgjidhëm një problem. Janë dy kurora në një dhe me Bashkinë sapo sqaruam çështjen në bazë të ligjit që të dy vëllezërit të marrin shtëpi të veçanta”, – sqaroi ministri Ahmetaj.

Familja e Ismail Shehut është një tjetër përfituese nga Rindërtimi e një banese të bollshme 3+1, ku çdo element i projektit ofron një infrastrukturë të sigurt dhe të fortë, të pakrahasueshme me atë çfarë ishte më parë.

Në bisedë me familjarët, ministri Ahmetaj theksoi se përfitimi i shtëpive falas është një ndihmë e jashtëzakonshme për qytetarët. “Ky është Program unik që të gjithë qytetarët që janë dëmtuar kanë marrë shtëpi falas, që praktikisht është i paprecedent si program social i majtë, ashtu siç na shkon, përtej, le të themi, politikës. Imagjinoni sikur të ndiqej formula e zakonshme që ndiqet edhe në vendet e zhvilluara që ti shkon tek banka dhe merr kredi. S’do ta ndërtoje dot kurrë.”

Ndërsa Kryeministri Rama deklaroi se është duke u përgatitur një program tjetër për kreditë e buta për të pastrehët. “Në Turqi, pas tërmeteve bëjnë rindëtimin, por familjet marrin kredi, nuk i marrin shtëpitë falas. Ne e bëmë komplet falas, sepse çfarë kuptimi do të kishte t’u thonim merrni kredi, sado të buta të ishin. Ndërkohë jemi duke bërë një program për kreditë e buta me ministrin për ata që janë të pastrehë, në kuptimin, ata që janë çifte të reja psh., d.m.th, të bëjmë një program me  kredi shumë të buta.”