Mbështetja për blegtorinë, rrit investimet e fermerëve

“VJEN” operon nga viti 2005 në tregun shqiptar dhe është një nga fermat më të mëdha për mbarështimin e gjedhit në rrethin e Lushnjes, si nga kapaciteti prodhues dhe eksportit të produkteve blegtorale. Sot, pas shumë vitesh në treg, ata synojnë që deri në fund të vitit, falë mbështetjes së përfituar nga qeveria dhe nga fondet IPARD, të arrijnë në 1200 krerë.

Kryeministri Rama, sëbashku me Ambasadorin e Delegacionit të BE-së në vendin tonë, Luigi Soreca, dhe Drejtoren e Agjencisë për Zhvillim Rural dhe Bujqësor, Frida Krifca, ishin në ambientet e kësaj ferme, e cila po zgjerohet me ndërtimin e një hapësire të re. “Shpresojmë deri në fund të vitit të shkojmë në 1200 lopë që të kemi më shumë prodhim të lartë ditor. Prodhojmë 11 ton qumësht çdo ditë. Kemi rendiment mesatar mbi atë të BE-së. Kemi rreth 7600 litra për krerë nga 7500 që e ka BE-ja”- u shpreh sipërmarrësi, ndërsa falë investimit të ri, ai synon të modernizojë proceset në sistemin e mjeljes për 600 lopë qumështi, duke plotësuar standardet ndërkombëtare.

Drejtoresha e AZHBR-së dha lajmin se ka filluar fushata për skemën ndërkombëtare të mbështetjes për bujqësinë dhe blegtorinë dhe më 29 maj hapen aplikimet, të cilat këtë vit do të bëhen vetëm online në portalin e-albania dhe do të mbyllen më 19 qershor. “Mbështetje do të ketë për blegtorinë kryesisht, pasi ka qenë një sektor që ka nevojë më tepër për mbështetje, pasi bujqësia ka 11% rritje të eksporteve këtë vit”, – u shpreh Krifca.

Investimi i ardhshëm për këtë fermer janë panelet diellore. “Ne e kemi ndërmend për të investuar për energjinë diellore. Do të vendosim panele diellore për të prodhuar energji e me këtë energji do ujisim tokat që i kemi këtu afër, duke maksimalizuar edhe rendimentin, edhe fitimin”, – u shpreh ai teksa shtoi se falë mbeshtetjes së përfituar ka investuar në makineri të teknologjisë së fundit për mjeljen e lopëve. “Ky impiant është më I njohuri në botë për mjeljen. I mjel lopët duke u rrotulluar. 36 lopë njëherësh. Mendohet të mjelim nga 180 deri në 230 lopë në orë. Kjo e rrit shpejtësinë e mjeljes 35% por nuk është vetëm mjelja, është dhe informacioni që do kemi për kafshët. Çdo kafshë do ta kemi të pajisur me cip dhe e dimë në kohë reale se çfarë është dukw bërë, sa ripërtypje ka bërë, sa qumësht ka dhënë. Gjithë investimi në impiant nuk është vetëm mjelja por edhe informacioni”, – theksoi fermeri.

Kryeministri Rama e vuri theksin tek grumbullimi i fermerëve në mënyrë që fitimi dhe puna të jenë të garantuara, gjë të cilën e konfirmoi dhe sipërmarrësi, i cili shtoi se “fermeri jonë duhet ta kuptojë që nuk mund të rrijë me 3 lopë, sepse gënjen veten. Nuk mundet me 10 lopë të bësh investime të tilla. Sot ka ardhur koha që qumështi të jetë shumë i kontrolluar se është produkt i domosdoshëm”.

“Këtu është gjithë problemi, si shtyhet më përpara nga ana e mentalitetit, fermeri i vogël që tamam gënjen veten. Domethënë, në një ngastër, i ndarë nga të tjerët, prodhon atë që prodhon, pastaj thotë nuk kam ku e shes. Po si do ta shesësh nëse nuk je brenda një cikli më të madh e nëse nuk ka një bazë shitje ku ti mbaron punë, pra, nuk je individualisht personi që shkon në treg. Ti je pjesë e një zinxhiri që shkon tek pika e grumbullimit. Ti e ke kontratën, ja ku e ke farën, këtë do më prodhosh e ndodh çfarë ndodh me tregun, këto janë lekët e tua. Barra është e atij tjetrit. Po kështu dhe me qumështin. Si mund të rrihet me 2 lopë, me një çift dhish e të thuhet pastaj të ma blejë shteti. Plus siguria që është tmerr”, – tha Kryeministri Rama.

Ambasadori Soreca, nga ana e tij shtoi se skema mbështetëse IPARD po funksionon. “Pavarësisht krizës së COVID, ne jemi të kënaqur që jemi këtu e të shohim që kontributi ynë po i ndihmon fermerët shqiptarë që ta kalojnë këtë krizë. Mund të shihni këtu pas nesh një teknologji mjaft të lartë, që do të ndihmojë fermerët shqiptarë për t’i bërë ata më konkurrues dhe në përputhje të plotë me standardet e BE-së, që do të thotë që fermerët shqiptarë do të kenë mundësi të eksportojnë në Bashkimin Europian, por dhe më tej”, – u shpreh Soreca.