Reforma në menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe një plan masash ligjore e investimesh, si domosdoshmëri në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE – ishin në fokus të takimit të sotëm të zhvilluar me pushtetin vendor, nën drejtimin e Kryeministrit Rama dhe Ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro.
“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim në të gjitha nivelet dhe në të gjithë territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo si nëpunës të këtij shteti të lidhur me të gjitha çështjen e mjedisit të vetëdijesohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në BE.” – theksoi kryeministri Rama në fjalën e tij, teksa bëri të ditur se qeveria do të parashtrojë një paketë të re reformash dhe masash, ku një rëndësi të posaçme merr projektligji i ri “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, i cili parashikon krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë se erdhët dhe uroj që të keni pasur disa ditë pushimesh të qeta, ndërkohë që si në çdo sezon veror, as Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe as agjencitë dhe as ministrja vetë nuk kanë pushuar asnjë ditë për shkak të sfidës së madhe të përballimit të rritjes shumë domethënëse të sasisë së mbetjeve për shkak të numrit të shtuar të vizitorëve dhe turistëve.
Sidoqoftë dua të them që kemi parë edhe këtë vit përmirësim të ndjeshëm në pjesën dërrmuese të territoreve të afektuara nga rritja e volumit të vizitorëve dhe turistëve dhe nga rritja e madhe e volumit të mbetjeve. Patjetër që ka pasur disa probleme, por edhe këtë vit duke filluar nga bashkia e Lezhës e cila vazhdon të prijë me forcën e shembullit në pastërti dhe duke vazhduar me Shkodrën, me Durrësin, me Himarën e më tutje, gjërat kanë shkuar më mirë se sa vitin e shkuar, pra ka një përmirësim inkurajues.
Nga ana tjetër, mbetet problem mungesa e uniformitetit në këtë drejtim sepse ka përgjatë vijës bregdetare disa zona problematike dhe ndërkohë, ne duhet të vazhdojmë me një ritëm ende më të lartë përsa i përket reformave dhe masave ligjore edhe në funksion të ambicies dhe arritjes së objektivit prioritar kombëtar për anëtarësim në Bashkimin Europian në fund të kësaj dekade, por duke filluar nga mbyllja e negociatave për anëtarësim në fund të vitit 2027, sikundër është rënë dakord në parim me Komisionin Europian dhe dëshiroj që të gjithë, pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe në të gjithë territorin që kanë një funksion publik si të zgjedhur apo si nëpunës të këtij shteti, të lidhur me të gjitha çështjet e mjedisit, të vetëdijesohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe ky është aspekti më sfidues i anëtarësimit tonë në Bashkimin Europian.
E them me keqardhje që ndërkohë që kemi vënë re me kënaqësi një përmirësim të mëtejshëm të gjithë proceseve të pastrimit, nuk vëmë re as ndonjë vetëdijësim më domethënës nga ana e qytetarëve, në raport me mbajtjen pastër të territorit dhe nuk vëmë re, për fat të keq, përmirësime domethënëse as në trajtimin e mbetjeve.
Tani, në këto kushte, duke marrë parasysh edhe gjithë shkallët e ngjitura, vështirësitë përkatëse, edhe pengesat apo vonesat përkatëse, duke parë edhe vendet e tjera, ne do të çojmë përpara një paketë të re reformash dhe masash, të cilat ministrja do t’i shpjegojë më në detaje, por për të cilat dua të them se së pari, është projektligji i ri për menaxhimin e integruar të mbetjeve ku kemi parashikuar krijimin e operatorit kombëtar të trajtimit të mbetjeve; një agjenci, një institucion, një ndërmarrje e re e cila do të jetë në dispozicion të të gjithë Republikës, do të jetë në dispozicion patjetër të pushtetit vendor, do të jetë në dispozicion të qytetarëve, do të jetë në dispozicion të këtij misioni për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, duke përqendruar të gjithë procesin e trajtimit të mbetjeve, pra e grumbullimit dhe e trajtimit të mbetjeve, që nuk do të jetë më një proces i administruar nga bashkitë, por do të jetë një proces i administruar nga ky operator kombëtar, në bashkëpunim patjetër me të gjitha hallkat e tjera të qeverisjes dhe ku në raport me të cilin, bashkitë do të jenë klientë njësoj siç janë klientë të operatorëve të tjerë për të tjera shërbime.
Tjetra është sfida e përafrimit me direktivat e Bashkimit Europian dhe ky ligj i ri praktikisht merr përsipër të bëjë këtë gjë, të përafrojë direktivat e Bashkimit Europian 100% me legjislacionin shqiptar, por nëse në pastrim kemi bërë përparime të dukshme, nëse në mbajtjen pastër të vendit dhe të plazheve sidomos gjatë sezonit kemi bërë përparime të dukshme, nëse dhe në trajtimin e mbetjeve kemi bërë përparime domethënëse në raport me nga filloi kjo punë që s’kishte asnjë lloj lidhjeje me fjalën trajtim mbetjesh, jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve, në raport me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, ku përfshihen ambalazhet plastike, ku përfshihen letra, qelqi, pajisjet elektrike, elektronike, bateritë, automjetet në fund të jetës, jemi besoj i vetmi vend në Europë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj po me vullnetin e “Maliqit” në territor, si fakte të kryera dhe ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjithë atyre varrezave. Dhe jemi një vend që s’ka akoma asnjë detyrim për raportim dhe për financim nga prodhuesit, nga shpërndarësit dhe nga importuesit lidhur me pikërisht këtë që thashë, trajtimin, çfarë ndodh me gjithë këto materiale kur kryejnë misionin e tyre si ambalazh, kur kryejnë misionin e tyre si pajisje elektrike apo si bateri apo si automjete. Kështu që për këtë kemi përsëri një ligj që do të kalojë në Kuvend brenda këtij viti.
Një tjetër nevojë e krijuar është rishikimi i strategjisë kombëtare dhe i master planit për investimet, për ndarjen në burim, për riciklimin, për tarifat sipas standardeve të Bashkimit Europian.
Këto janë pikat kyçe të hapave që ne do ndërmarrim në aspektin ligjor dhe në aspektin e masave me akte nënligjore në mënyrë që të ecim edhe falë një tjetër projektligji, këtij për menaxhimin e integruar të mbetjeve; për të harmonizuar legjislacionin tonë me kapitullin e 27 që përmbledh legjislacionin evropian; për të fuqizuar sistemin kombëtar dhe ndarjen e qartë të përgjegjësive ndërmjet institucioneve, bashkive, privatëve; për të përcaktuar hierarkinë nga parandalimi, te riciklimi, te rikuperimi, tek asgjësimi; për të futur dhe instrumente ekonomikë të munguar dhe për të krijuar fondin e ekonomisë së mbetjeve e kështu me radhë.
Në ndërkohë që përsa i përket disa sfidave shumë akute aktuale, nevoja prioritare për investime, më tutje për sa i përket investimeve në proces e kështu me radhë besoj që ministrja do të hyjë më në detaje por kryefjala e këtij procesi është nga njëra anë marrja në zotërim e përgjegjësisë për trajtimin e mbetjeve si një përgjegjësi e përbashkët kombëtare dhe nga ana tjetër marrja e përgjegjësisë në të gjitha nivelet për gjithë procesin e riciklimit të mbetjeve deri në asgjësimin e tyre për gjithë ato kategori që thashë.
Pa këto dy hapa, rruga jonë për sa i përket kapitullit të negociatave lidhur me mjedisin është një rrugë që nuk ka dalje, pa këto dy hapa. Natyrisht ka dhe hapa të tjerë, por këto dy hapa janë kryesore dhe janë themelore, duke filluar nga vendosja në kornizën ligjore dhe duke vazhduar pastaj me të gjitha fazat dhe të gjitha përgjegjësitë e implementimit.
* * *
Kryeministri Edi Rama: Mirë, duke iu falënderuar për praninë dhe për vëmendjen dua ta ritheksoj që kjo është sfida e sfidave më procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Edhe eksperienca e vendeve të tjera që na kanë pararendur në rrugën e anëtarësimit e tregon qartë që pjesa më e vështirë e gjithë procesit të vetë transformimit të vendit, sepse në fund të ditës procesi i anëtarësimit është vetë transformimin dhe ky është dhe impakti më i rëndësishëm dhe kjo është vlera më e madhe e shtuar e këtij procesi ka qenë edhe për to pjesa e mjedisit.
Ne kemi siç edhe ministrja e pasqyroi me të dhëna dhe me detaje konkrete të gjithë ecurisë së këtyre viteve, kemi shumë arsye për të qenë krenar për çfarë kemi bërë, por kemi shumë arsye për të qenë të shqetësuar për se sa i madh është mali për t’u kapërcyer deri në fund të kësaj dekade që përkon edhe me mandatin tonë të katërt dhe është mal që është shumë i madh për t’u kapërcyer pikërisht sepse nuk është një mision që mund ta përmbushë qeveria e ndarë nga pushteti vendor apo pushteti vendor i ndarë nga qeveria dhe shteti i ndarë nga qytetarët.
Duhet një vetëdijesim i madh në radhë të parë në nivelin e të gjithë atyre që kanë lidhje të drejtpërdrejtë për shkak të detyrës me mbetjet.
Duhet një përkushtim i madh dhe duhet një organizim jashtëzakonisht i ndërlikuar për t’i përfshirë të gjithë në këtë proces por pa këto ky proces nuk del dot matanë dhe Shqipëria nuk ia del dot që të përmbushë detyrimin ndaj vetvetes në radhë të parë, sepse të gjitha këto natyrisht, janë etapa që përcaktohen në rrugën e anëtarësimit, por janë përfitimi i drejtpërdrejtë i vendit dhe i njerëzve të këtij vendi, nuk janë përfitim i drejtpërdrejtë i vendeve të BE-së dhe i popujve të tyre.
Pra, këto janë etapa që do të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës dhe cilësisë së mjedisit në territorin e vendit tonë, në të vendbanimet e vendit tonë.
Për këto arsye është shumë e rëndësishme që të rrisim nivelin e motivimit dhe të risim nivelin e performancës në të gjitha hallkat e këtij zinxhiri, në të gjitha bashkitë, natyrisht, sepse aty është baza dhe në të gjitha nivelet që shtrihen nga nivelet e qeverisjes së qendrorit, deri në nivelet sipërmarrjes së madhe dhe të vogël, ku patjetër duhet të bëjmë çmos që të përfshijmë edhe institucionet e tjera, duke nisur nga shkollat.
Shumë faleminderit edhe njëherë, edhe uroj që të kemi fokus edhe të kemi një bashkërendim edhe më të mirë të forcave, edhe të energjive për t’ia dalë me sukses kësaj sfide kaq të madhe dhe kaq të ndërlikuar. Faleminderit!