Në Kuvend, për procesin e Reformës Zgjedhore

Fjala e Kreministrit Edi Rama në seancën plenare të Kuvendit:

Maska është tanimë e detyrueshme në ambiente të mbyllura dhe nuk është aspak e domosdoshme në mjedise të hapura. Me këtë rast përfitoj që t’iu përgjgjem edhe të gjithë atyre, që, kur unë shfaqem në rrugë, më kritikojnë apo ironizojnë pse jam pa maskë, që në mjedise të hapura mjafton ruajtja e distancës minimale dhe moskontaktimi me shtrëngim duarsh i të tjerëve për të qenë të mbrotjur. Ndërsa në mjedise të mbyllura, tanimë edhe me një vendim zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë, maska është e detyrueshme dhe është vërtetë e rëndësishme që edhe Kuvendi po jep dhe duhet të japë deri në fund shembullin e vet.

Do më lejoni t’ju jap një mesazh shumë të qartë të gjithëve ju, duke filluar nga i palodhuri prej një tranzicioni të gjatë, ku shpeshherë ka qenë viktimë e administrimit të keq zgjedhor, Myslym Murrizi dhe deri te deputeti i fundit, jo për nga rëndësia, i opozitës parlamentare.

Dua ta filloj duke thënë që nuk mund t’i merrni të gjitha, nuk mund t’i kërkoni të gjitha dhe të gjithë së bashku duhet të bëjmë lëshimet tona. Po jua them sot, është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju, në rast se ju nuk votoni së bashku me ne.

Për ne, Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të sajën. E them duke e ripërsëritur edhe këtu, mua, Marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen dhe për mua, në Marrëveshjen e 5 qershorit ka një probem të madh, që nuk kemi arritur dot të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE/ODIHR-it, që është një rekomandim i përsëritur thuajse në të gjitha raportet pas të gjitha zgjedhjeve, depolitizimi i administratës zgjedhore.

Ju e dini shumë mirë që ne kemi qenë vijimësisht këmbëngulës dhe madje kemi thënë që ne do ta bëjmë depolitizimin, do apo nuk do Partia Demokratike, por ajo që e dallon sistemin demokratik dhe bashkëjetesën plurariste nga një sistem ku vendos vetëm një parti është që duhet edhe të tërhiqesh, duhet edhe të bësh kompromise, duhet edhe të pranosh çka nuk të pëlqen për hir të një interesi më të madh.

Zonja Hajdari ka firmosur në Këshillin Politik, ka dhënë argumentet e saj dhe e di shumë mirë besoj si dëshmitare okulare, – Damiani nuk është i besueshëm për Myslymin dhe për ju e s’po e sjell këtu si dëshmitar, – që deri në fund, Marrëveshja është penguar nga mosdakordësia pikërisht për këtë pikë. Në fund, pasi topi shkoi në fushën e Lulzim Bashës, u kthye në një kusht që mund ta kishte hedhur në erë Marrëveshjen nga ana e Lulzim Bashës, i cili donte me çdo kusht që gjërat të mos ndryshonin, edhe pse, duke thënë le t’i lëmë gjërat siç janë se janë më mirë se çdo gjë tjetër, ka thënë që gjithçka për të cilën ai ka luftuar ka qenë një teatër. Nuk kuptohet edhe pse ka ikur nga Parlamenti, nëse gjërat paskan qenë në rregull dhe nuk kanë nevojë për ndryshime. Lulzim Basha pretendon se ne e pranuam këtë, sepse na i futën këmbët në një këpucë. Unë vërtetë këpucën e djathtë e kam 46, por këmbën e majtë nuk ma nxë.

E vërteta është që ne bëmë një lëshim shumë të madh, jo sepse ne nuk kishim rrugë tjetër, por sepse kjo ishte rruga më e mirë për ta përfshirë Partinë Demokratike dhe opozitën jashtëparlamentare në procesin politik. Është një motiv besoj që të gjithë të kuptojnë që PS-ja dhe unë personalisht nuk kemi një qasje autoritariste, sepse ishte rasti për të bërë pikërisht të kundërtën, nëse do ishim të tillë dhe të thonim “kush jeni ju! Ju s’jeni në parlament. Ju s’përfaqësoni askënd tjetër, përveç vetes dhe rrugës tuaj të rrugës. Ne nuk ju njohim.”

Nga pikëpamja institucionale do ishim korrekt, por nga pikëpamja politike dhe nga këndvështrimi ynë demokratik për jetën tonë politike nuk do ishim korrekt, sepse PD-JA është një realitet politik, pavarësisht se nuk është pjesë e realitetit të sotëm parlamentar.

Këshu që, të dashur kolegë dhe kolege të opozitës parlamentare, keni kohë të reflektoni dhe të kuptoni që të dyja janë të lidhura bashkë: Marrëveshja e 5 qershorit dhe marrëveshja për të pranuar legjitimitetin e nismës suaj, e cila për hir të të vërtetës ka mbështetjen e një shumice të madhe shqiptarësh. E ne nuk e kemi pranuar sepse duam t’ju bëjmë juve qejfin, por e kemi pranuar sepse është e drejtë.

Në proces, falë përsëritjes këmbëngulëse, këtu në këtë foltore dhe në të gjitha rrugët që ju keni mundur të komunikoni prej më shumë se një viti, e vërteta është që ju keni arritur të sensibilizoni opinionin publik lidhur me këtë. Unë nuk e kam aspak problem që në këtë rast t’ju them, Zonjës Hajdari të parës, Myslymit, Ralfit dhe kujtdo tjetër që ka qenë shumë i zëshëm në këtë pike: Bravo i qoftë!

Unë jam i bindur që kjo është gjëja e duhur. Jam i bindur që Partisë Socialiste i takon të dëgjojë qytetarët dhe të kuptojë edhe kur ajo çka një masë e madhe njerëzish thonë, mund të mos jetë gjëja që do donte të bënte, që duhet të udhëheqë si forca që përfaqëson qytetarët, shumicën e tyre, por të gjithë në përgjithësi. E te çështja e hapjes së listave, unë shoh që ka një parti më të madh se PS-ja, PD-ja, apo të tjerat me radhë, që është një parti përtej partive, që është populli, pavarësisht se janë socialistë, demokratë e kështu me radhë. Në shumicë dërrmuese, shqiptarët duan hapjen e listave dhe duan të kenë një zë më shumë në proces, jo thjesht të zgjedhin partinë, por të zgjedhin edhe deputetin apo deputeten që iu pëlqen më shumë që t’i përfaqësojë.

Kështu që, në këtë pikë jemi dakord.

Aty ku s’biem dakord, e dëgjova edhe të palodhurin Myslym Murrizi dje, duke mirëkuptuar edhe stilin e tij të posaçëm, që ishte shumë agresiv në raport me Marrëveshjen e 5 qershorit. Më vjen keq që ka të drejtë, por më vjen po ashtu keq nëse ai, nga lartësia e eksperiencës së tij nuk do kuptojë që jemi në ushtrimin e artit të së mundurës, jo të së pamundurës. Kjo është politika, arti i së mundshmes.

Është e pamundur për ne që ta grisim Marrëveshjen e 5 qershorit, sepse është një marrëveshje e nevojshme për të dhënë një mesazh shumë të qartë në të gjithë spektrin politik, por dhe në të gjithë opinionin publik shqiptar, që të gjithë janë pjesë e këtij procesi.

Ju sigurisht që keni një huq, të trashëguar nga Partia Demokratike prej të cilës vini, që i doni të gjitha dhe jeni mësuar që po të bërtasësh shumë, po të kërcënosh shumë, po të vësh shumë kushte, patjetër do marrësh diçka më shumë, sesa ajo që të takon. E kuptoj, është zakon i të voglit. Keni qenë gjithë jetën pakicë dhe për këtë arsye e keni këtë zakon që qani më shumë. Por kjo është e pamundur. Më mirë herët se vonë, për Marrëveshjen e 5 qershorit, ne duhet të gjejmë rrugën që të jemi dakord.

Natyrisht, ne nuk e bëjmë hapjen e listave, sepse po na e impononi ju. Ne e bëjmë hapjen e listave, sepse jemi të bindur që është gjëja e duhur dhe në këtë pike, ju keni dhënë kontributin tuaj. Nuk kam pse ta mohoj. Përkundrazi! Është në nderin, gjithmonë, të një force të madhe, është në nderin, gjithmonë, të një qeverie që të jetë e gatshme të dëgjojë dhe të jetë e gatshme të ndryshojë edhe opinion, duke vënë të vërtetën dhe të drejtën mbi kokëfortësinë dhe mbi qëndrimin statik që, meqë ne e kemi thënë dikur këtë, ne nuk mund ta ndryshojmë. Absolutisht jo. Dhe me këtë rast, besoj se bashkarisht i japim një mësim njëri-tjetrit, por dhe një mësim demokracie për të gjithë.

Sigurisht nuk është e lehtë. Ju e patë reagimin edhe të një personaliteti të Bundestagut gjerman. Një reagim disproporcional dhe në thelb, i padrejtë në raport me këtë Parlament, por një tregues që na tregon se sidoqoftë duhet të konsiderojmë atë që ne kemi mundësi ta konsiderojmë, që është mosprekja e Marrëveshjes së 5 qershorit. E thjeshtë.

Natyrisht, unë nuk jam dhe nuk do jem dakord deri në fund dhe këtë ua them sot.

Zonja Hajdari është në të drejtën e vet që të mos më besojë, për më tepër e kam thënë dhe e përsëris, ne nuk jemi atdheu i Jezu Krishtit, ne jemi atdheu i Shën Thomait, – po nuk e preka, nuk besoj, – por ne do t’i qëndrojmë deri në fund asaj që kemi vendosur bashkërisht, me konsensus, në Komisionin e Ligjeve. Ne do t’i hapim listat. Por tek “sa”-ja dhe “si”-ja, kjo është një çështje që duhet ta diskutojmë në vijimësi. Kemi kohë. Ajo që është e rëndësishme është që Kushtetuta e re, apo ndryshimi kushtetues do të sanksionojë që askush nuk mund t’i ketë listat të hapura më pak se 2/3-at. Po aty, ne kemi rënë dakord, me konsensus, që duhet të garantojmë përfaqësimin e grave. Është një arritje e rëndësishme e Shqipërisë, por jo vetëm e Shqipërisë në sytë e të tjerëve, por e Shqipërisë në raport me veten. Shqipëria është rritur në vite, në dekada, në shekuj si një vend burrash, por, në fakt, në Shqipëri, shpëtimi gjithmonë kanë qenë gratë, edhe pse nuk janë dukur, nuk janë parë, nuk janë treguar si të tilla. Edhe ky Parlament, pavarësisht seç thonë, është shumë më i mirë se ai i mëparshmi dhe ai i mëparshmi ishte shumë më i mirë se ai tjetri e ai tjetri, pikërisht sepse është shtuar prania e grave dhe vajzave në këtë sallë. Ne këtë arritje nuk mund ta rrezikojmë.

Heqja e kuotave në emër të barazisë së konkurimit është njësoj si të thuash që janë në kushte të barabarta dy skuadra, të cilat kanë të njëjtin numër njerëzish, por njëra i ka këmbët e lidhura, tjetra i ka këmbët e lira. Duhet që të dy skuadrat t’i kenë këmbët e lira për të vrapuar njësoj. E në këtë aspekt, gratë në Shqipëri ende nuk i kanë këmbët e lira për të vrapuar njësoj si burrat. E dimë shumë mirë çfarë ndodh me shumë elementë të tjerë, që janë diskretitues për burrat në Shqipëri, por që janë edhe rëndues për ne të gjithë. Nuk kam dëgjuar që në Shqipëri të ketë dhunë ndaj burrave. Kam dëgjuar që ka dhunë ndaj grave. Burrat e dhunuar janë vetëm ata që flasin në emër të barazisë së konkurrencës pa kuota. Ata në fakt e fshehin, se dëgjova njërin nga këta që tha “ka sa të duash”. Ky është njëri nga këta që është i dhunuar nga gratë dhe nuk e thotë dot se është burrë dhe gjen një mënyrë tjetër për ta thënë. Nuk e kam për Korabin, se Korabi është burrë në të gjitha kuptimet. Ti Korab duhet ta mbledhësh mirë mendjen që duhet ta votosh Marrëveshjen e 5 qershorit. Unë e di, ty nuk të shqetëson çfarë mendon Gjermania, se ju përfaqësoni një zonë ku Gjermaninë, Kaliforninë, Australinë i keni emra rrugësh, thjesht një emër rruge. Për ju, shtetet dhe personalitetet janë thjeshtë emra rrugësh. Ju jeni qendra e botës atje.

Sidoqoftë, unë po të them, Gjermania nuk është një emër rruge, por është lokomotiva që tërheq të gjithë në rrugën e emancipimit, demokratizimit, të forcimit të të gjithë komunitetit të popujve të Europës. Ne thjeshtë po bëjmë atë që po bën Gjermania, në fakt. Ajo që shoh dhe që dëgjoj edhe nga partnerët dhe miqtë gjermanë është që ne po ndalojmë koalicionet. Kjo është qarja më e fundit e Lulit.

Ne nuk do i ndalojmë koalicionet. Ju këtë e dini shumë mirë, por thjeshtë do t’i bëjmë koalicionet si në Gjermani dhe si në çdo vend të Europës. Unë do të isha shumë mirënjohës nëse do të më tregonin një shtet demokratik, – në Europë nuk e gjejnë dot, por le ta gjejnë edhe prapa diellit, – që i ka koalicionet si në Shqipëri.

[ndërhyrje e deputetit Kujtim Gjuzi] Nalmadhni, Italia i ka koalicionet siç do t’i bëjmë ne, unë dhe ti, se do votosh edhe ti, edhe unë që koalicionet të bëhen. Koalicionet janë program dhe listë e përbashkët. E meqë po më përmend Italinë dhe meqë je monarkist i konvertuar në republikan i djathtë dhe meqë më kujtohet që në historinë tënde demokristiane ke qenë një partner i Roko Butilione-s, – Roko Butilione vinte fliste për ty dhe për Nardin, më kujtohet kjo – Roko Butilione ka qenë pjesë e koalicionit me Silvio Berlusconi-n, me Umberto Bossi-n dhe me Gianfranco Fini-n në të shtuquajturën Casa della Libertà. E Casa della Libertà ishte një koalicion, por kishin një listë të përbashkët. Kjo është gjëja që ne do bëjmë dhe Casa della Libertà që ti do bësh me këdo tjetër që do gjesh nga të mbijetuarit e monarkisë është një listë, një koalicion, ose mund të futesh përsëri aty ku ishe, pra, të rifutesh nga aty ku dole, nga koalicioni me PD-në, nëse ata do të të bëjnë pjesë të programit dhe ti do jesh anëtar i skuadrës që do përfaqësojë ata, së bashku me Shpk-në, siç e quan Luli, të Monikës dhe me të gjithë furgonat me radhë, por koalicion.

CDU-CSU-ja është një koalicion, por CDU-CSU-ja ka një kandidat për Kancelar, ka një skuadër dhe i shpërndajnë në fushën e betejës, jo me 3 mijë kandidatë siç kemi ne në Tiranë, që nuk e merr vesh i pari të dytën dhe në fund, shumë nga votat që shkojnë te njëri, mblidhen në prehrin e tjetrit. Kështu s’do ketë më.

Ju duhet të jeni pak më të shqetësuar kur, sa herë ky Parlament merr vendime, ju dilni fëmijë pa nënë e pa baba, ilegjitimë. Unë personalisht e kam thënë dje, e përsëris edhe sot, opozita joparlamentare dhe opozita presidenciale nuk e nderojnë veten, nuk i nderojnë ata që i mbështesin, duke e fyer Parlamentin dhe duke i trajtuar parlamentarët si dy kategori, një kategori legjitime; një kategori ilegjitime. Kjo është shumë e ulët dhe e padenjë, sepse askush nga ju këtu, askush nga ne këtu nuk është ilegjitim. Ju jeni këtu politikisht me nënë e me babë, disa me Monikën, disa me Lulin. Janë ata që ju kanë sjellë këtu. Nuk ju ka sjellë PS-ja dhe as ndonjë monarki paralele me Republikën.

Në këtë aspekt, unë sot para të gjithëve dua t’ju shpreh solidaritetin tim në këtë pikë dhe dua ta përsëris që unë nuk e respektoj më shumë Lulzim Bashën sesa Rudina Hajdarin. Nuk e respektoj më shumë Ilir Metën sesa Myslym Murrizin. Nuk respektoj më shumë asnjë nga ata që janë jashtë dhe që sulmojnë nga jashtë, ndërkohë që ishin brenda e dolën jashtë, sesa të gjithë që jeni këtu në këtë sallë.

Nga kjo foltore dua t’ju them të gjithëve, miqve tanë ndërkombëtarë në Shqipëri, – që nga përfaqësuesja e nderuar e SHBA-ve, e cila u vu në dispozicion me shumë bujari dhe me shumë durim në një proces jashtëzakonisht të vështirë, hapi edhe derën e shtëpisë së saj, meqë Parlamenti ishte një godinë e papranueshme për Lulzim Bashën dhe për ata që e braktisën; përfaqësuesin e nderuar të BE-së; përfaqësuesin e nderuar të Britanisë së Madhe, të cilët edhe personalisht e lehtësuan komunikimin në episodin e fundit, e theksoj të fundit për sa kohë, unë do jem kryetar i PS-së, ku bëhet dialog shqip me përkthim dhe nëpër ambasada të huaja; ashtu sikundër i falenderoj të gjithë, pëfshirë edhe Zotin Wadephul, me të cilin kemi një komunikim të vazhdueshëm, të hapur, të drejtëpërdrejtë, të barabartë, është një europianist i vendosur, është një personalitet, është shumë më tepër mik me Lulzim Bashën sesa me mua, por mua më mjafton që është edhe me mua, unë nuk jam xheloz për Lulin, – t’ju them që Parlamenti i Shqipërisë është sovran dhe në Parlamentin e Shqipërisë do vendoset siç mendojnë përfaqësuesit e popullit shqptar këtu në këtë sallë. Do vendoset ekzaktësisht në respekt të Marrëveshjes së 5 qershorit, nga njëra anë dhe në respekt të më shumë se 80% të shqiptarëve, nga ana tjetër që duan të kenë të drejtën të zgjedhin edhe deputetin dhe jo vetëm partinë. Këto të dyja janë një fakt me të cilin të gjithë miqtë dhe partnerët tanë duhet të jetojnë.

Jam i bindur që mjegulla e përhapur përmes dizinformimeve, si dizinformimi i madh që ne po ndalojmë koalicionet, përmes gjysmë të vërtetave dhe përmes klithjeve e lotëve të atyre që janë jashtë, do të shpërndahet më herët se vonë, por ndërkohë nuk do ta pengojë Parlamentin e Shqipërisë që, pa u mbyllur ky sesion parlamentar, të votojë një ndryshim historic, i cili i shërben Shqipërisë dhe zgjedhësve shqiptarë, që, siç thotë i palodhuri Myslym Murrizi, duhet jo vetëm të votojnë, por edhe të zgjedhin.

Faleminderit!

 

***

I dashur Myslym, nuk e dyshoj që ti mund të dish 100 mënyra për t’i bërë qejfin Lulit. Unë di vetëm një, Marrëveshja e 5 qershorit.

Marrëveshjen e 5 qershorit, Partia Socialiste do ta mbrojë jo vetëm me votë, por edhe me këmbëngulje dhe me komunikim të vazhdueshëm me të gjithë ju, për t’ju bindur se duhet ta votoni.

Natyrisht, thënë kjo, unë nuk kam se si të bëj këtu rolin e Lulit, që do të ishte në këtë rast, rolin e budallait, duke të thënë që ti nuk ke të drejtë kur flet për kërcënimet që i sjellin zgjedhjeve e sidomos në kushtet kur ne do të hapim edhe listat, komisionet partiake. Kam qenë i bindur me kohë që duheshin zhbërë dhe që administrimin e zgjedhjeve duhet t’jua besonim njerëzve që vijnë nga një marrëdhënie institucionale me shtetin.

E kam përmendur edhe në këtë sallë, e kam përmendur disa herë gjatë atyre ditëve të diskutimit me Partinë Demokratike, që kur Hamas-i dhe Fatah-u, dy forca kundërshtare në Palestinë, në kohën e konfliktit bënin zgjedhje dhe konflikti i tyre ishte absolutisht shumë më i rëndë sesa konflikti ynë, ia kishin lënë në dorë mësuesve që të administronin zgjedhjet, është e pamundur që të mos e bëjë dot këtë gjë Shqipëria. Është e pamundur që Shqipëria të mos ia besojë mësuesve, apo dhe nëpunësve atë detyrë dhe është e pamundur që partitë politike të konsiderojnë se të gjithë këta njerëz janë aq budallenj, sa të shkojnë në burg për hir të njërit apo të tjetrit.

Por ka një problem që vjen nga tradita. E në këtë rast, Myslym, ti je dëshmi. Ty nuk t’i ka vjedhur votat Partia Socialiste. Ty t’i ka vjedhur votat partia jote. Kjo ka rëndësi për faktin se ata që janë jashtë sot i kanë bërë këto gjëra, kur ishin në pushtet dhe i friken këtyre gjërave, sepse mendojnë që ne jemi si ata.

Unë nuk them që ne jemi engjëj. Unë nuk them që në kohën e qeverisjes sonë nuk ka pasur parregullsi. Unë nuk them që në të gjitha zgjedhjet, kur ne kemi qenë në qeveri, nuk ka pasur shitblerje votash, sepse përsëri nuk do të isha i drejtë. Por unë e them me siguri që në asnjë rast, këto fenomene që e kanë shoqëruar procesin zgjedhor dhe që e shoqërojnë procesin zgjedhor në Itali, sot e gjithë ditën, nuk kanë qenë gjatë gjithë kësaj periudhe, siç nuk janë edhe në Itali prej shumë kohësh, vendimtare për rezultatin.

Ajo që duhet të bëjmë, nuk është të merremi me Marrëveshjen e 5 qershorit, por të diskutojmë dhe këtu na vlen eksperienca e të gjithëve. Eksperienca jote si “dëshmor” i zgjedhjeve në më shumë se një rast është shumë e vlefshme, – unë e di shumë mirë historinë tënde dhe e them këtë pa asnjë humor, – që si do të garantojmë që edhe Marrëveshja të qëndrojë, edhe procesi i numërimit sidomos të jetë sa më transparent e të jetë në sytë e të gjithëve. Të mos harrojmë një gjë. E kam thënë kur Rudina vinte kujën këtu për listat e hapura, dakord, por ka një problem. Numërimi ynë sot, me thjeshtë subjekte politike, është një histori që zgjat. Sepse ne, numërimin, prej kohësh duhet ta kishim spostuar në qendër të votimit, siç e kanë gjithë të tjerët. E bëri Maqedonia e Veriut dje, nuk e di deri në fund, se edhe ata ballkanas janë dhe mbase do fillojnë të ankohen për njëri-tjetrin, por faktikisht, sot, rezultatet kanë dalë dhe kanë garantuar që në çdo qendër votimi ku edhe numërohet, ka kamera. Kjo është diçka e thjeshtë që mund të bëhet. Ama ne nuk e kemi këtë sistem. Ne e kemi numërimin e përqendruar e duke e pasur të përqendruar, janë shumë më pak njerëz që numërojnë dhe koha bëhet më e gjatë.

Edhe me ndryshimin që do të bëjmë, ku do të reduktohet numri i kandidatëve, si mund të bëhet një numërim i përqendruar në një kohë të shkurtër, kur duhet të numërohen edhe votat për partitë, por edhe brenda partive kush ka marrë e kush nuk ka marrë. Na duhet të gjejmë edhe këtu dhe nuk na pengon Marrëveshja e 5 qershorit, mekanizma për të arritur transparencën e numërimit. Mekanizma për të bërë të mundur që çdo kandidat, çdo konkurrent të mund ta shohë numërimin e vet. Është e mundur nëse vendosim në dispozicion një sistem dixhital.

Nuk është e rastit që në Raportin e OECD-së, një nga raportet më serioze, sepse është raport i një organizate që përmban brenda 37 vendet më të zhvilluara të botës, Shqipëria rezulton e para në rajon për transformimin dixhital dhe shërbimet publike dixhitale, ndërkohë që, kur është bërë Raporti pararendës afro një dekadë më pare, ishte e fundit.

Ne kemi mundësi, nëse do të gjejmë sistemin e duhur, për të bërë të mundur që fletët e votimit të jenë në sytë e të gjithëve online. Kjo do të jetë shumë e rëndësishme edhe për integritetin e procesit, sepse do të nxjerrë në pah numërimi i kandidatëve, edhe integritetin e numërimit për partitë. Ne e dimë shumë mirë atë që ka ndodhur, nuk është diçka që nuk e dimë, që partitë e vogla historikisht janë cënuar. Kandidatët e pavarur, – Myslymi ka qenë ndër të paktët – janë cënuar.

Naltmadhni, mos më ndërhy gjithmonë, të lutem. [drejtuar deputetit Kujtim Gjuzi] Unë nuk kam fron. Unë e kam të përkohshëm vendin, nuk jam ulur në fronin tënd. Mos më shiko sikur jam ulur aty ku duhet të jesh i ulur ti. Nuk është fron, është detyrë e përkohshme.

Vijmë tek çështja e grave. Këtu kemi diferencë të madhe. Të mos flas për diferenca të tjera që kemi në aspektet gjinore. Ne jemi absolutisht në dy botë të ndryshme kur vjen puna tek LGBP-të dhe jemi jo në dy botë të ndryshme, por jemi në pozicione goxha të ndryshme kur vjen puna tek gratë. Ti mendon që gratë bëjnë shumë më mirë punë të tjera dhe jo politikën. E ke thënë. Megjithatë nuk janë kushtet, Myslym. Të jemi realistë. Qëkur thua “burrnesha”, ka marrë fund kjo punë. Kur thua gratë le të bëhen burrnesha, ka marrë fund kjo punë. I do gratë si burra, kur vjen puna për politikë. Sikur burrat të merrnin pak më shumë nga hiri i grave, mbase kjo Shqipëri do ishte më e mirë. Pse duhet gratë të bëhen burrnesha dhe jo burrat graresha? Unë e kuptoj që në momentin që e them këtë, Myslymi dhe disa të tjerë tmerrohen, por nuk është fat i madh që jemi burra Myslym, ma beso. E di që shtihej në pushkë kur lindte djalë, e hapej vaji kur lindte vajzë një herë e një kohë, por më beso dhe shyqyr që kemi grate, se po mos kishim gratë, do kishim ngrënë njëri-tjetrin tani e nuk e di kush do mbetej në fund. Kuptohet, Luli do ishte ngrënë me kohë, por do mbeteshim në fund, unë dhe ti, ndoshta.

Tek kjo pikë, diskutimi është i hapur. Unë mendoj se është shumë e rëndësishme që ne kemi vendosur një tavan dhe t’i japim vetes kohë e të kuptojmë që, nëse hapim listat, duhet edhe ta vëmë në prove këtë sistem, se është hera e parë. Nuk do të bëjmë një provë, e cila për shkak të administrimit të na çojë në situata ku të na thonë e shikon, e bëtë gabim, ia futët kot, nuk e administruat dot etj..

Po ashtu përmende “Dushkun”. Ky sistem koalicionesh që kemi, dushk nuk është, por rrap është dhe nën hijen e rrapit – ma ka mësuar këtë, zotëria që është mbrapa, – nuk rritet asnjë pemë, vetëm bimë. E kjo politikë me një rrap e me shumë bimë duhet të ndryshojë. Koalicionet do të bëhen siç bëhen në të gjithë Europën. Koalicion, patjetër. Grupim partish, patjetër. Por një program, një lider, një skuadër. Skuadër kombëtare. Merren nga të gjitha skuadrat dhe krijon Kombëtaren. Ta bëjnë. Ne, Partia Socialiste nuk kemi nevojë për të bërë skuadër kombëtare, se jemi skuadër kombëtare. Këto skuadrat lokale të bëjnë një skuadër kombëtare. Ta bëjnë edhe të tjerët.

Ndërkohë që edhe tek çështja e pragut, ne bëmë shumë mire, që ndryshe nga si e kishit propozuar ju, nuk e vumë në Kushtetutë, por e lamë në Kod. Tek çështja e pragut, ne duhet të punojmë e të bëjmë një dallim të madh. Ka nevojë për një dallim midis subjekteve që konkurrojnë se nuk janë të gjithë njësoj dhe ky dallim duhet punuar, duhet parë në funksion edhe të një fakti, të cilin unë e përsëris, gjithmonë, edhe me miqtë ndërkombëtarë. Deputetët e opozitës parlamentare mund të mos jenë po aq të njohur sa ata të opozitës jashtëparlamentare, por kjo nuk i bën ata jashtë parlamentit më të zgjuar, nuk janë ata më të mençur. Kur vjen puna tek vota që lidhet me Reformën Zgjedhore, çdo deputet voton të vetmin ligj ku ajo që voton lidhet drejtpërdrejtë me interesin e tij, në kuptimin profesional, në kuptimin e karrierës e të interesit politik. Ka ndonjë këtu, – nuk qenka këtu në sallë, – që në mëngjes është me LSI-në, në drekë është me PD-në, pasdite është me PS-në, në darkë është i lirë për çdo parti që ka kohë të merret me të dhe gjatë natës ëndërron se me kë do hajë mëngjes të nesërmen. Po, ka edhe kështu. Por 99.99%, deputetëve nuk mundet dot t’u kërkojmë të duartrokasin dhe të votojnë me aklamacion, pa kërkuar asgjë tjetër, Marrëveshjen e 5 qershorit. Por ama, – Myslym, mbase ti nuk do e votosh se përgjithësisht i qëndron fjalëve që thua me nxitim, por me dhimbje, miqtë e mi, do ta votojmë dhe duhet ta votoni se përndryshe do hidhet në erë gjithçka.

Ne nuk shkojmë dot përtej këtij sesioni, pa i dhënë fund kësaj sage. Jam shumë dakord me të gjitha ato që thotë Myslymi për Marrëveshjen, është kot të them nuk ke të drejtë, se është gjë e mirë etj., por një gjë Myslym nuk ke të drejtë. Partia Demokratike është realitet politik. Lulzim Bashha është kryetari i Partisë Demokratike. Tani, shumë gjëra nuk i kupton, po t’i kishte kuptuar shumë gjëra, sot do ishte jo vetëm këtu, por do ishte edhe më shumë se këtu. Unë jam i bindur që do t’i kuptojë. Ama mohimi i realitetit politik dhe i një pjese të rëndësishme të realiteti politik, pavarësisht se pakicë, nuk na bën mire. Jam i bindur që, nëse ju që jeni këtu, Myslymi, Rudina e të tjerë, në Parlamentin e ardhshëm do të riktheheni me forcat tuaja dhe do të provoni që jeni një pjesë e realitetit politik, atëherë patjetër që Damiani dhe Oerdi do ta kenë punën më të vështirë. Por për momentin nuk e kanë aq të vështirë, sa do doje ti.
Ne do votojmë 5 qershorin!