Përmbledhja e një viti të jashtëzakonshëm

Kryeministri Edi Rama në konferencwn e fundvitit me gazetarët:

 

Mirëdita të gjithëve!

Kjo është konferenca tradicionale e fundvitit dhe me lejen tuaj dhe kërkesën për pak durim në hyrje, dëshiroj të bëj një përmbledhje të shkurtër, por, natyrisht, duke qenë së do të mundohem të prek të gjitha fushat, nuk do jetë dhe aq e shkurtër.

Dua ta nis me Reformën në Drejtësi, duke patur parasysh faktin që me të drejtë qytetarët kanë një pritshmëri të lartë prej shumë vitesh. Pasi i kanë dhënë një mbështetje të madhe procesit të Reformës në Drejtësi, kanë edhe një padurim të mirëkuptueshëm për faktin se ende sot vazhdojnë problemet në sistemin e drejtësisë dhe ende sot, drejtësia nuk ka arritur deri në atë pikë të reagimit të saj ndaj llumit dhe zullumit, që të lehtësojë frymëmarrjen e qytetarëve.

Thënë këtë, dua të ndaj me të gjithë, faktin se procesi i ndërtimit të një sistemi të ri drejtësie nuk është një proces që zhvillohet as sa hap e mbyll sytë dhe as pa pengesat e veta. Sidoqoftë, nëse e shohin bilancin e deritanishëm të këtij procesi, mendoj se ka arsye për të qenë vërtetë optimistë për të nesërmen.

Procesi i Reformës në Drejtësi ka nisur me pastrimin e të gjithë llumit të grumbulluar në dekada në sistemin e drejtësisë. Nëse shohim shifrat e këtij procesi, me siguri që ajo që thashë konfirmohet, pra, arsyeja për të qenë optimistë për të nesërmen. Deri më sot, në total janë rivlerësuar duke kaluar në filtrin e vetingut 322 individë, nga të cilët më shumë janë shkarkuar dhe larguar nga sistemi sesa janë konfirmuar; Plot 128 individë të shkarkuar drejtpërdrejtë dhe 74 të tjerë të vetëlarguar nga ky proces, me siguri me vetëdijen e pamundësisë për të kaluar filtrin; Ndërkohë që vetëm 118 janë konfirmuar.

Pra, kemi 202 individë të larguar dhe 118 individë të konfirmuar. Është një shifër domethënëse, kuptimplotë, për të pasur një pamje të thellësisë së pastrimit të sistemit.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër e medaljes ka të bëjë me atë që është edhe një pyetje e vazhdueshme e qytetarëve; Çfarë ndodh me të larguarit? Kaq e thjeshtë qenka, thjesht një proces pushimi nga puna?

Jo, sepse në ndërkohë, paralelisht me pastrimin ka vijuar dhe po konsolidohet procesi i ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë dhe padyshim, ata, të cilët nuk kanë mundur të justifikojnë pasuri marramendëse në shumë raste, apo pasuri shumë më tepër mbi mundësitë legale të tyre në pjesën më të madhe të rasteve, do të përgjigjen përpara drejtësisë. Dhe nga përgjigja përpara drejtësisë e atyre që e morën peng drejtësinë për dekada do të konfirmohet edhe kthesa historike në sistemin e drejtësisë.

Prandaj fjala kyç në këtë proces është durim.

Durim, sepse bëhet fjalë për të ndërtuar nga themelet njërin prej tre pushteteve që përcaktojnë edhe tre shtyllat e sistemit demokratik, pushtetin gjyqësor.

Paralelisht me pastrimin e sistemit të drejtësisë ka vijuar intensivisht lufta kundër krimit të organizuar. Kulmimi i kësaj lufte ka qenë veprimtaria e Operacionit Forca e Ligjit, i cili, aktualisht, numëron sekuestrimin e 1713 pasurive dhe referimin në SPAK të 223 rasteve; 103 anëtarë të organizatave kriminale janë arrestuar; janë 30 grupe të goditura dhe 628 pasuri të sekuestruara.

Edhe këtë vit, numri i vrasjeve me dashje vijon të jetë në rënie. Në shifra, në janar-nëntor 2020 ishin 45 vrasje, 7 më pak se e njëjta periudhë e vitit paraardhës. Për të gjithë ata, të cilët janë të interesuar të dinë të vërtetën e përmbledhur në një shifër, duke patur parasysh edhe bombardimin mediatik që krijon një hapësirë disproporcionale për kronikën e zezë, duke krijuar një perceptim jo fort të përputhur me realitetin, në vitin 2012 kemi patur 126 vrasje. Sot kemi 2,5 herë më pak vrasje. E nëse i referohemi mesatares së disa viteve, përpara sesa ne të merrnim detyrën dhe sot, jemi praktikisht gjysmë për gjysmë. Natyrisht që e keqja harrohet shpejt, e mira nuk ka fund, por nga një vend ku praktikisht kishte mesatarisht 1 vrasje çdo dy apo tre ditë, jemi një vend që përsa i përket numrit të vrasjeve po stabilizohemi pranë mesatares së Bashkimit Europian.

Nuk po zgjatem më tutje me këtë fushë të drejtësisë dhe sigurisë, nëse do të ketë pyetje, me kënaqësi do t’iu përgjigjem.

Po hyj në atë që është fusha kryesore e ditës dhe fusha kryesore e veprimtarisë sonë të përbashkët, timen, tuajën, por edhe të të gjithë shoqërisë, të rrëmbyer në vëmendjen e vet dhe të fokusuar në radhë të parë tek lufta për mbrojtjen e shëndetit.

Dua ta nis nga reagimi i qeverisë për të mbështetur njerëzit më të prekur në këtë luftë. Këtu do të bëj një përmbledhje shumë të shkurtër për ata, të cilët janë prekur indirekt, në radhë të parë, jo drejtpërdrejtë lavdi Zotit, në shëndetin e tyre, por në ekonominë e tyre familjare. Sot mund t’ju them se janë afro 300 mijë shqiptarë, qytetarë të këtij vendi që kanë përfituar direkt pagë lufte nga paketa e parë apo nga paketa e dytë e ndihmës.

Ndihma direkte për biznesin e vogël është konkretizuar me një hap kurajoz dhe në fakt, goxha progresist përpara, jo vetëm për këtë faze, por në afat të gjatë, duke hequr taksën për biznesin e vogël e duke u bërë i vetmi vend në rajon, – se me Europën s’kemi ç’krahasohemi, se në Europë taksat janë shumë më të larta, – me zero taksë mbi fitimin për biznesin e vogël dhe me zero TVSH, plus taksë zero për të gjitha bizneset e vogla me një xhiro deri në 100 mijë dollarë në vit.

Besoj ju kujtohet polemika për të dy instrumentet e garancisë sovrane, e cila synonte mbështetjen e biznesit të madh, për të mundësuar pagat e punonjësve dhe nga ana tjetër, mbështetjen e disa sipërmarrjeve delikate, sektorë delikatë të ekonomisë si të gjitha ndërmarrjet prodhuese, si fasonet dhe operatorët në fushën e turizmit. Sot që flasim janë 560 entitete që kanë përfituar nga instrumenti i parë i garancisë sovrane me një shumë prej 53 milionë euro dhe 200 entitete të tjera që kanë përfituar nga instrumenti i dytë i garancisë sovrane me një shumë prej 51 milionë euro.

Ajo që është dhe më shumë domethënëse në këto shifra është se falë instrumentit të garancisë sovrane kanë përfituar 53 mijë punonjës.

Një tjetër e dhënë domethënëse që i referohet regjistrit të të punësuarve, – jo anketimeve apo hamendësimeve, – është që në Shqipëri, zyrtarisht, në momentin e goditjes së madhe, mars-qershor rezultuan të papunë menjëherë 33 mijë persona dhe sot janë më shumë se 20 mijë prej tyre që janë rikthyer në vendin e punës. Në ndërkohë që ne kemi një program të veçantë për nxitjen dhe mbështetjen e kthimit në punë të asaj pjesë të mbetur, që humbi vendin e punës për shkak të pandemisë.

Dua të kujtoj se kemi dyfishuar pagesën mujore të papunësisë, kemi dyfishuar ndihmën ekonomike. Dyfishimin e ndihmës ekonomike do ta mbajmë në fuqi edhe gjatë vitit të ardhshëm, deri në fund të luftës me këtë armik të padukshëm, për të gjitha familjet me ndihmë ekonomike, pavarësisht nëse kanë apo jo persona të prekur drejtpërdrejtë nga COVID.

Kemi fshirë kamatëvonesat e energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël me efekt financiar 120 milionë euro dhe vetëm në mars-qershor, po t’i marrim të gjithë instrumentet, me më shumë se 450 milionë dollarë mbështetje direkte hyjmë ndër vendet që kanë ofruar një mbështetje të konsiderueshme në raport me Prodhimin e tyre të Përgjithshëm Kombëtar.

Siç e kam thënë dhe më parë, shifrat janë kokëforta. Flas këtu për para të disbursuara, nuk flas këtu për para të hamendësuara, flas këtu për fonde të kaluara në xhepat e punonjësve, të kaluara në arkën e kompanive, nuk flas këtu për plane e për vendime të pazbatuara. Jemi në rajon në vendin e 2, vetëm pas Serbisë, e cila, të mos harrojmë, kaloi fazën e parë në një proces njëkohësisht electoral. Ka shumë rëndësi kjo për t’u mbajtur parasysh.

Sipas Bankës Botërore, jo sipas qeverisë shqiptare, si rezultat i masave të marra, ekonomia shqiptare dhe ajo malazeze do jenë dy ekonomitë që do të rimëkëmben më shpejt nga goditja e rëndë e pandemisë. Banka Botërore parashikon 5% rritjen ekonomike vitin e ardhshëm, 1,5% më shumë se mesatarja e rajonit.

FMN parashikon 6%.

Ajo që mbetet me rëndësi, përtej këtyre shifrave që nganjëherë janë dhe abstrakte për shumëkënd, është se falë faktit që paralelisht, ne kemi zhvilluar luftën në front, duke mbështetur financiarisht ata që u prekën më shumë dhe drejtpërdrejtë nga pasojat e kësaj lufte dhe kemi vijuar disa procese të rëndësishme, ku më i rëndësishmi është ai i rindërtimit, pa diskutim që ekonomia jonë ka një bazë të qenësishme për t’u rritur dhe për të vazhduar të rritet në mënyrë të qëndrueshme pas kësaj goditjeje.

Duke u kthyer tek aspekti i të prekurve direkt, dua të theksoj se sipas OBSH-së, për të mos iu referuar shifrave tona, por duke ju referuar burimeve të pavarura, serioze, në Shqipëri kanë humbur jetën mesatarisht, 405 persona për 1milionë banorë. Në Bosnje dhe Maqedoni norma është 3 herë më e lartë, mbi 1200; në Mal të Zi është mbi 1000. Ne jemi në një nivel të pranueshëm dhe të arsyeshëm për të qenë të motivuar që të vazhdojmë deri në fund së bashku, për t’ia dalë pa plagë katastrofike, edhe pse çdo jetë e humbur është tejet e dhimbshme dhe e rëndësishme kësaj lufte kaq dërrmuese.

Nga ana tjetër, dua të sjell në vëmendje që janë pikërisht masat e marra, strategjia e ndjekur dhe patjetër, edhe zbatimi i saj, në masë dërrmuese me korrektesë nga njerëzit, që ka sjellë që ne të jemi sot që flasim, vendi me numrin më të ulët të fataliteteve në rajonin tonë.

Përsa i përket menaxhimit në vetvete brenda sistemit, besoj që dhe këtu janë faktet që flasin. Edhe këtu vlen përsëri të ngrihet thjesht një krahasim ndihmës mes ku ishim dhe ku jemi sot me infrastrukturën spitalore. Parafytyroni një moment sikur kjo goditje kaq tronditëse të na kishte gjetur me infrastrukturën spitalore të 7 viteve më parë, ose larg qoftë, të kishte ndodhur 7 vite më parë, kur infrastruktura spitalore ishte ku thërret qameti.

Ne sot jemi në kushtet kur infrastruktura është as më shumë e as më pak, por njësoj si të gjitha vendet e tjera përsa i përket vijës së zjarrit; Jemi në kushtet kur kemi kapacitete deri në 1600 shtretër shtesë, nëse do të ishte apo do të jetë nevoja; Kemi 4 spitale të specializuar për trajtimin e Coronavirusit, nga të cilat, 2 struktura krejtësisht të reja, të ngritura enkas për të përballuar këtë goditje.

Kemi një rritje kapacitetesh laboratorike për diagnostikimin e COVID-19 dhe një rritje graduale, por të qëndrueshme të testimeve ditore, sipas strategjisë të bërë qysh në krye të herës, e cila është ndjekur me fanatizëm dhe ka dhënë rezultat, përtej polemikave dhe llafeve të kota. Së shpejti do të kemi 400 mijë teste të tjera të shpejta që mbërrijnë në Shqipëri dhe do të vazhdojmë të rrisim testimin.

Kemi të mbuluar skemën e rimbursimit të paketës bazë të barnave për trajtimin e COVID-19 për pacientët që trajtohen në shtëpi.

Ndërkohë kemi garantuar vaksinim të konsiderueshëm për gripin sezonal për 368 mijë qytetarë, për të ulur vulnerabilitetin në këtë fazë kaq delicate, kur, nëse do të përputhen të dyja bashkë, gripi sezonal dhe infeksioni, krijojnë premisa për fatalitet më të lartë.

Prej ditës 1 paguajmë me 1000 euro plus çdo muaj mjekët dhe me 500 euro plus çdo muaj të gjitha stafet e vijës së parë të zjarrit.

30 milionë euro janë vënë në dispozicion për gjithë këtë proces fuqizimi të vijës së parë.

Dua t’iu informoj që jemi në përpjekje intensive për vaksinën. Më vjen keq kur dëgjoj lloj-lloj muhabetesh e hamendjesh apo teorish, në mënyrë të përditshme në mexhelis, sepse faktikisht, situata e përgjithshme është shumë domethënëse përsa i përket një ngërci të përgjithshëm në raportin mes kërkesës dhe ofertës. Mbani parasysh një shifër, se mbase ndihmon për të kuptuar gjithë panoramën. Italia, e cila ka nisur vaksinimin 2-3 ditë më pare, ka në dispozicion, sot që flasim, 9700 vaksina. Kjo ka qenë partia e parë e dozave që ka marrë Italia, vend i Bashkimit Europian, me një popullsi të konsiderueshme dhe e ka nisur vaksinimin me 9700 doza.

Në ndërkohë, çka ka ndodhur në nivelin europian, është se gjithë partia e parë e dozave të disponueshme, që janë shumë herë më pak se nevoja e përgjithshme, është ndarë në një mënyrë apo tjetër mes vende të BE-swë dhe ndërkohë iu është lënë vendeve që të negociojnë me vende, palë të tjera, për të ndarë nga paketa e tyre.

Nga ana tjetër, – se çfarë nuk dëgjon këtu, – dua t’ju bëj me dije se kompanitë, duke filluar nga Pfizer, bëjnë marrëveshje, të cilat sidoqoftë janë të lidhura me shtetet, pra, nuk ka një marrëveshje tani, e cila bëhet drejtpërdrejtë me kompaninë dhe në mënyrë bilaterale, ti blen sipas asaj që ofron. Marrëveshja është e lidhur me shtetet me të cilat Pfizer ka vendosur vijat e para të komunikimit. Kur them shtetet, kam parasysh BE-në në këtë rast si një entitet i tërë. Kini parasysh edhe që në SHBA, ku është dhe baza më e madhe prodhuese, ka një ndalesë me një akt të Presidentit të SHBA-së që asnjë dozë nuk mund të dalë nga SHBA-ja.

I gjithë ky ngërc i takon vetëm fazës së parë, fillimit, sepse prodhimi do të rritet në mënyrë eksponenciale në muajt në vijim. Megjithatë, ajo që dua t’ju them është se ne jemi të bindur që do të fillojmë vaksinimin pa pritur që të kalojmë ose të kalojë ky ngërc. Do ta fillojmë vaksinimin brenda janarit dhe unë kam tendencë të besoj që në mes të janarit, ne do jemi në gjendje të fillojmë vaksinimin, duke bërë të njëjtën gjë që bëjnë të gjithë, në radhë të pare, me mjekët dhe infermierët dhe pastaj, duke u shtrirë në grupet e tjera vulnerabël, mësuesit, punonjësit e policisë dhe sigurisht, ata që janë më të moshuarit.

Jemi në diskutime edhe me AstraZeneca, edhe me Moderna-n dhe besoj që shumë shpejt do të finalizojmë marrëveshjen me Pfizer-in, e cila lidhet me kapacitetet që janë në shtete të ndryshme. Kjo është arsyeja pse kjo mbetet në këtë fazë, një punë intensive diplomatike dhe komunikimi nga të katërta anë. Nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar në fakt, që ditën e pare, asnjë mundësi për të bërë kontrata direkte, të palidhura me strategjinë e përgjithshme. Të gjithë ata që kanë akses kanë hyrë në kornizën e strategjisë së përgjithshme. Ne jemi shumë pranë finalizimit të një marrëveshjeje të shkruar, për të cilën kemi filluar të punojmë qysh nga takimi në New York me shefin e madh të kompanisë. Ekipi ynë, bashkë me përfaqësuesit e Pfizer çon dhe merr draftet përkatëse. Ndërkohë, nga ana jonë, ne punojmë politikisht dhe dipomatikisht për të siguruar harmonizimin mes gadishmërisë së Pfizer-it për të dhënë dozat dhe gadishmërisë së një vendi apo një vendi tjetër për të hapur rrugën, se ndryshe nuk funksionon.

U fol që filloi vaksinimi në Maqedoninë e Veriut. Çfarë filloi? Bëhet fjalë për 100 doza, të akorduara në parim nga Bullgaria për Maqedoninë e Veriut në formë solidariteti dhe miqësie.

Por kjo është e rëndësishme për të kuptuar sesi funksionon mekanizmi. Do t’ju lutesha shumë të bëjmë qartësi në këtë process, sepse është realisht proces jashtëzakonisht i komplikuar dhe siç e thashë, është një fazë ngërci i përgjithshëm për shkak se kërkesa është gjigande dhe oferta është shumë e kufizuar, si rezultat i kapacitetit prodhues. Të gjitha vendet po marrin dozat e para për të filluar me mjekët dhe infermierët dhe me ata që janë më të moshuarit fare, por në krahasim me nevojat që kanë, janë ku e ku.

Kjo situatë do fillojë të lehtësohet në shkurt dhe do të jetë shumë më e lehtë në tremujorin e dytë të vitit. Megjithatë, gjëja që mbetet ambicia ime dhe objektivi ynë, është që ne të mos mbetemi asnjë minutë mbrapa të tjerëve dhe të hyjmë në këtë proces njësoj si të tjerët, duke filluar me vaksinimin e grupeve të para menjëherë brenda muajit janar. Këtu do jemi dhe kështu do të ndodhë. Nuk ka sesi të ndodhë ndryshe, sepse kur vjen puna për të lypur për Shqipërinë e për shqiptarët, më falni për modestinë, por jam njësh.

Rindërtimi

Rindërtimi ecën me ritme goxha pozitive. Për fat të keq, ndërhyrja dramatike e COVID në gjithë procesin e aktivitetit të këtij viti me mars-qershorin, na bëri që shumë aspekte të rindërtimit të frenohen. Megjithatë, po punojmë intensivisht për të fituar kohën e humbur.

Sot kemi disbursuar 289.5 milionë euro grande dhe 250 milionë euro të tjera hua nga Konferenca e Donatorëve, pra, janë të kanalizuara, pa përfshirë 25 milionë euro transferta direkte nga donatorët në buxhet; Janë 280 milionë dollarë, 28 miliardë lekë të buxhetit të shtetit që janë vendosur në dispozicion të rindërtimit për 2021; Janë 28 kantiere infrastrukture publike që kanë filluar apo janë në process, për të garantuar akses të plotë në shërbime.

E gjithë puna e rindërtimit prek shumë më tepër sesa familjet e prekura drejtpërdrejtë, edhe për shkak të transformimit të infrastrukturës. Janë rreth 500 mijë banorë që afektohen drejtëpërdrejtë, qoftë nëpërmjet aksesit të fëmijëve në shkolla e kopshte shumë më të mira, qoftë nëpërmjet aksesit në infrastrukturë, qoftë nëpërmjet aksesit në shërbimin shëndetësor. Spitali i ri i Laçit, 6 qendra të mëdha shëndetësore që do të ndërtohen nga e para në atë zone.

Tjetra që besoj është shumë e rëndësishme, janë 450 kompani shqiptare dhe afro 25 mijë të punësuar në procesin e rindërtimit.

158 objekte arsimore për 25 mijë fëmijë.

Vazhdojmë me banesat individuale. Janë 1000 shtëpi të reja që hapin dyert deri pasnesër, për të mundësuar kalimin e Vitit të Ri në një strehë të re, shumë më të mirë, shumë më të fortë, me hapësirë zakonisht më të madhe se ajo që ishte më parë. Në mars përfundojmë 2500 shtëpi të tjera. Janë në total, 4500 shtëpi që mbyllen brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Ndërkohë kanë filluar edhe apartamentet e reja. Vazhdon sot e gjithë ditën mbështetja me bonusin e qerasë. Janë 13 mijë familje që mbahen me qera në kushte shtëpie deri në ditën që do kthehen në apartamentet e reja. Kini parasysh që efekti financiar për këtë është 26 milionë dollarë që paguhet nga buxheti i shtetit për këto familje.

Janë 29 mijë familje që kanë marrë para në dorë për meremetimet me një vlerë totale prej 100 milionë dollar.

Në total besoj se mund të themi që rindërtimi do të jetë një transformim kolosal, siç e keni parë me shkollat, me kopshtet, me shtëpitë, do të shikoni edhe me lagjet e reja që do të rindërtohen.

Investimet publike

Jemi në një proces shumë intensiv investimesh publike dhe presim edhe më shumë akoma, si rezultat i disa marrëveshjeve të nënshkruara që janë tani në proces zhvillimi.

Marrëveshja e nënshkruar për parkun e parë me energji diellore në Shqipëri, në Karavasta, do të materializohet në kantier në fillim të vitit të ardhshëm. Në proces gare ndërkombëtare është edhe parku i dytë me energji diellore në Spitallë.

Po bashkëpunojmë ngushtësisht me qeverinë amerikane për të materializuar procesin e ndërtimit të Skavicës, që do të jetë zgjidhja e shumëpritur dhe e shumë ëndërruar e balancës në kaskadënë e Drinit dhe më në fund e krijimit të rezervës kur nuk është nevoja për të konsumuar më shumë energji si pasojë e motit dhe pasja në dispozicion e asaj rezerve kur koha është e thatë. Gjë që do të bëjë që ne të kemi një kapacitet komplet tjetër strategjik në sektorin e energjisë.

Është vendosur më në fund në punë linja e interkonjeksionit me Kosovën.

Është krijuar bursa shqiptare e energjisë.

Investimet e mëtejshme kanë sjellë një reduktim të humbjeve në rrjet në 20%, një shifër e paimagjinueshme vetëm disa vite më pare, kur humbjet ishin 50% dhe gjysma e energjisë së prodhuar shkonte dëm, flas nga pikëpamja teknike, pastaj, humbja nga vjedhjet dhe nga mospagesat dhe gropa ishte marramendëse.

Vazhdojnë punët në infrastrukturën rrugore. Sot që flasim janë 250 kilometra rrugë kombëtare të përfunduara me standarde europiane. Janë në proces një numër tjetër rrugës, urash, tunelesh, që nuk po i numëroj.

Po shkon shumë mirë puna në Aeroportin e Kukësit dhe besoj që në pranverë, Aeroporti i Kukësit do të hapet për fluturimet dhe do të jetë aeroporti i dytë ndërkombëtar i Shqipërisë. Ndërkohë që uroj dhe lus Zotin që pengesa e fundit për Aeroportin e Vlorës të kapërcehet dhe më në fund, në gjysmën e parë të janarit të kemi ofertat në garën e rihapur ndërkombëtare, që u bllokua për muaj të tërë për shkak të pandemisë. E të shohim më tutje për të hyrë në kantier dhe në Vlorë brenda verës, në mënyrë që të garantojmë më në fund, edhe aeroportin e madh ndërkombëtare të jugut të Shqipërisë.

Menjëherë me hapjen e procesit për Vlorën, do të hyjmë në arenën ndërkombëtare për Sarandën e kështu do të kemi panoramën e plotë të katër aeroporteve ndërkombëtare, të domosdoshme për të zhvilluar si duhet turizmin dhe për të hyrë si duhet në këtë dekadë të re të këtij shekulli.

Për transportin detar, më e rëndësishmja është Marrëveshja e nënshkruar me qeverinë e Emirateve të Bashkuara për transformimin e Portit aktual të Durrësit në një port turistik, që do të jetë një nga portet më të mëdha turistike të Mesdheut dhe për spostimin e portit të mallrave në zonën veriperëndimore të Durrësit, ku ambicia është të ndërtojmë një port të ri mallrash me standarde europiane, jo si ky që është një turp në mes të qytetit të dytë më të madh të Shqipërisë.

 

Jemi në rrugë të mbarë për investimet në Vlorë përsa i përket transformimit të portit aktual në një port turistik dhe krijimit të një poli fantastik në qytet, të një qendre të re në qytet, si dhe ndërtimin, pastaj transferimin e portit të mallrave në zonën e Triportit, ku edhe aty do të ndërtojmë një port, më të vogël në kapacitete se ai i Durrësit, por me standarde europiane, për mallrat dhe duke përfshirë më në fund, zgjidhjen për portin e peshkimit.

 

Politikat Sociale

 

Dua ta mbyll me politikat kyçe sociale të këtij viti dhe që do të projektohen sigurisht dhe në vitin në vijim.

 

Taksa zero për 91% të bizneseve në vend. Janë 91% e sipërmarrjes së vendit që do të kenë taksë zero mbi fitimin. Këto 91% të sipërmarrjes kanë një xhiro deri në 140 mijë dollarë në vit. Ndërkohë, heqja e TVSH-së për të gjitha sipërmarrjet deri në 100 mijë dollarë do të ketë një impakt fantastik, bashkë me heqjen e taksës mbi fitimin.

 

Paga minimale do të bëhet 30 mijë lekë dhe hyn në fuqi në janar.

Subvencionimi i energjisë elektrike për pensionistët, – 24 milionë dollarë, – ka vijuar këtë vit, do të vijojë edhe vitin tjetër. Janë 154 mijë familje përfituese.

 

Hyn menjëherë në fuqi vitin e ardhshëm, edhe subvencionimi i karburantit për bujqësinë, janë 70 mijë përfitues direkt.

 

Dyfishimi i ndihmës ekonomike do të vazhdojë deri në fund të luftës.

 

Ka vazhduar e do vazhdojë bonusi i bebes për të gjithë fëmijët e lindur në Republikën e Shqipërisë, apo që regjistrohen në Republikën e Shqipërisë. E dini që është 40 mijë lekë për f për bujqësinë mij për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe 120 mijë lekë për të tretin.

 

250 mijë nxënës të klasave nga e para deri tek e teta kanë përfituar tekstet falas edhe për këtë vit shkollor.

 

Janë falur të gjitha debitë e ish ushtarakëve përmes ligjit duke, zgjidhur problematikën për qindra ushtarakë që u drejtohen gjykatave.

 

Deri në 28 dhjetor, 21 333 përfitues nga statusi i naftëtarit nga të cilët 619 dalje për herë të parë në pension në moshën 60 vjeç. Janë 20 714 përfitues shtesë mbi pensionin për profesionet naftëtar, metalurg, minator. 13 075 minatorë përfitojnë pension suplementar, 6 171 naftëtarë dhe 1 468 metalurgë.

Në ndërkohë do të vazhdojmë intensivisht të fuqizojmë të gjithë rrjetin e mbështetjes sociale pas të cilit, përtej të gjitha llafeve, e vërteta është që në këtë fazë 7 vjeçare është vënë në dispozicion volumi më i madh, pakrahasimisht me më përpara, i mbështetjes financiare për shtresat më në nevojë.

 

Kjo ishte panorama e përgjithshme. Nuk po ju lodh me vitin historik të Shqipërisë në krye të OSBE-së. Besoj që ka qenë një vit fantastik përsa i përket kontributit të Shqipërisë dhe politikës sonë të jashtme.

 

– Zoti Kryeministër, pyetja e parë lidhet me vaksinës. Dje ambasada ruse i ka shprehur drejtorit tuaj të Komunikimit gatishmërinë që Shqipëria të mund të marrë vaksinën e prodhuar në Rusi. A do t’i përgjigjeni pozitivisht kësaj gatishmërie? 

Deri më tani i keni kthyer përgjigje vetëm kundërshtarëve, Presidentit, opozitës, lidhur me dekretin presidencial për shtrirjen e Greqisë me 12 milje në detin Jon. A do të keni një reagim edhe zyrtar ndaj shtetit grek?

Në fakt ishte një kureshtje, duke qenë se fundviti shërben gjithmonë për të bërë një analizë të gjithë atyre që çdonjëri nga ne ka arritur, desha të dija Zoti Kryeministër, nëse kur bëni këtë analizë, a e shikoni si një fitore arritjen e objektivit disavjeçar, në fakt, tuajin, për të shkuar në zgjedhje Partia Socialiste e vetme dhe të gjitha partitë, pas të gjitha ndryshimeve kushtetuese të korrikut që tashmë nuk lejon më koalicionet klasike që kemi pasur deri tani?

 

Kryeministri Edi Rama:  Faleminderit Elja! Përsa i përket të parës, unë në fakt kam menduar që ka qenë një meme ajo që pashë, që ambasada e Rusisë kishte postuar nga Twitter-i i drejtorit të Komunikimit, një retweett të mos gabohem të një tweet-i të shefes së Komisionit Europian. Mendova se ishte një meme, sepse për një shtet serioz është krejtësisht e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Dhe kur them provokim, nuk po i paraprij ndonjë demarshi pranë shtetit rus, sepse ky është një provokim qesharak dhe nuk është mirë që një vend serioz si Rusia të bëhet qesharak përmes këtyre lloj postimeve dhe një ambasadë si ambasada e Rusisë në Shqipëri, që është një ambasadë e rëndësishme, të sillet sikur është një seksion i Portokallisë, apo një konkurrent i Portokallisë. Kështu që nuk po zgjatem më tej me këtë. Shpreh keqardhjen për këtë sepse nuk shoh arsye që ambasada e Rusisë të përfshihet në prodhimin e memeve.

 

Përsa i përket aspektit tjetër, ne jemi të fokusuar tek vaksinat e Pfizer, AstraZeneca dhe Moderna. Me këto kompani jemi në komunikim. Faktikisht, shtetet me të cilat, ne komunikojmë në Bashkimin Europian janë të drejtuara drejt këtyre kompanive. Nuk kemi asnjë arsye të shprehim rezerva apo të paragjykojmë qoftë vaksinën kineze apo vaksinën ruse, respekt, nuk ka asnjë problem. Por për momentin, duke parë dhe të tjerët, ne jemi të fokusuar në këto drejtime. Nëse do të lindë nevoja e nëse do ta shikojmë të arsyeshme, patjetër që pa asnjë paragjykim, ne do të shohim dhe alternativat e tjera. Për momentin nuk jemi të fokusuar në këto alternative dhe postimi i ambasadës Ruse, nga ana ime konsiderohet absolutisht i papërshtatshëm. Një ndjesë e ambasadës ruse, qoftë dhe për keqkuptimin do ishte shumë e mirëpritur.

 

Përsa i përket pyetjes tjetër, ju kërkoni, nëse ju kuptova mirë, që ne të reagojmë ndaj shtetit grek. Për çfarë të reagojmë ndaj shtetit grek? Ҫfarë ka këtu akoma për të mos u kuptuar, se unë besoj që çdo mendje normale, mjafton të përqendrohet, jo shumë, por pak dhe e kupton shumë qartë se për çfarë bëhet fjalë. Unë besoj që ata, të cilët i fryjnë këtij zjarri, janë të qëllimshëm. Qoftë nga Lalzi, qoftë nga Presidenca, qoftë nga Prishtina, janë të qëllimshëm. Unë e kam të vështirë të besoj që këta fryrës të këtij zjarri të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës, por kjo që bëjnë, për mua është e qëllimshme.

E qëllimshme, për të luajtur me ndjenjat kombëtare, për të luajtur me ndjeshmëritë patriotike, për të shfrytëzuar rastin që të krijohet një sebep për sherr e për t’i ndarë punët mes tradhtarësh dhe patriotësh, si gjithmonë, në mënyrën më të shëmtuar e më të ulët të mundshme.

 

Shqipëria, në vitin 1990 ka bërë ekzatësisht këtë gjë që bën Greqia sot, as më shumë e as më pak. E kam shpjeguar, e kam rishpjeguar, sipas Konventës Ndërkombëtare të Detit, çdo shtet që ka dalje në det ka të drejtën të zgjerohet 12 milje përtej kufirit ekzistues, të njohur më parë, aty ku është e mundur, thotë Konventa. Aty ku është e mundur. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin 1990 me një dekret të Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe e ka depozituar faktikisht, ushtrimin e kësaj të drejte në maj të ’90-ës në Kombet e Bashkuara. Nuk rezulton, se nuk ka si të rezultojë, që Greqia në atë kohë të ketë bërë ndonjë reagim apo ndonjë deklaratë. Se nuk ka çfarë reagon dhe nuk ka çfarë deklaratë bën. Është e drejtë e çdo vendi. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Greqia për detin Jon.

 

Deti Jon është shumë më përtej pjesës tonë të Jonit. Në pjesën tonë, në pjesën mes të dyja vendeve, nuk ka mundësi fizike për t’u shtrirë 12 milje, të dyja vendet, është e pamundur. Prandaj ne e kemi negociuar kaq kohë për të arritur një marrëveshje e prandaj do shkojmë në gjyq. Nëse kjo do ishte kaq idiotikisht banale, saç përshkruhet nga këta të pafe, pa atdhe, pa din, pa iman, vetëm për të nxitur urrejte dhe dëshpërim dhe për të krijuar një trazirë të radhës në funksion të zgjedhjeve, atëherë, për çfarë kemi negociuar ne? Për çfarë negocion Greqia me ne? Për çfarë negociojmë ne me Greqinë dhe për çfarë shkojmë në gjyq, nëse kjo do ishte kështu, që po bëjnë një vendim në Greqi e po e marr detin e po e mbyll këtë punë duke i shkelur syrin Edi Ramës.

 

Si mund të arrihet deri në këtë nivel të të menduarit, rrafsh fare, pa asnjë lëvizje të trurit! Si funksionoka kështu mes shteteve në shekullin e XXI, në mes të Europës!

 

Kjo nuk ndodh askund, por si u funksionoka kështu!? Bëmë një marrëveshje të fshehtë, po bëjmë vendimin dhe detin po e marrim dhe deti u shit. Si ndodh kjo? Çfarë të reagojmë ne ndaj qeverisë greke, kur kjo është pjellë e marrëzisë shqiptare? Çfarë t’i themi ne shtetit grek, kur këtë e prodhon mendja e autoritetit më të lartë të Republikës së Shqipërisë dhe e ish autoritetit më të lartë të Republikës së Shqipërisë, kam parasysh presidentin dhe ish presidentin? Si t’i themi? Kjo është gjëja më elementare e mundshme. Nuk ka asnjë lloj lidhje me zonën e kontestuar mes nesh.

 

Këta janë autorët e marrëveshjes së 2009-ës, mos harroni. Janë hartuesit dhe firmosësit e asaj marrëveshjeje famëkeqe që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që një për kohë të gjatë u refuzua të pranohej si e rrezuar nga autoritetet e Greqisë, të cilat thonin ç’pune kemi ne me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, kur kjo është një marrëveshje e bërë mes dy shteteve, mes dy qeverive dhe si mund të ketë efekt se çfarë bën Gjykata Kushtetuese e njërit vend për vendin tjetër?

 

Ishte këmbëngulja jonë, ishte rezistenca jonë, ishte qartësia jonë që pala greke më në fund erdhi në tavolinë dhe filluam të negociojmë një marrëveshje të re. Për çfarë do ta negocionim marrëveshjen e re, për ta bërë më keq se të 2009-ës, apo për t’u kthyer tek 2009-a?

 

Jo, një marrëveshje të re, të drejtë dhe të ndershme për të dyja palët. Sepse e para ishte e padrejtë dhe e pandershme për palën tonë dhe jo për faj të palës greke, por për përgjegjësi të këtyre që sot kanë marrë përsipër të mbrojnë detin nga asgjëja, të fajtorëve të 10 viteve më parë.

 

E faktikisht ka qenë kërkesa jonë që në fillim, në bisedat paraprake kohë më parë, që ta zgjidhim këtë punë me gjykatë dhe nuk donte pala greke të shkonte në gjykatë. Kjo është e vërteta. Këto teoritë që në gjykatë ndërkombëtare, Greqia është në avantazh etj., këto janë dokrra. E këtu jemi, sa herë tështin apo kollitet dikush në Athinë, këtu plas rrufa e madhe për arsye komplet të tjera nga fakti, nga thelbi, nga e vërteta, për arsye lufte për pushtet këtu.

 

Kaq e thjeshtë është kjo. Nuk e di çfarë duhet të shpjegoj unë më shumë këtu e çfarë duhet shpjeguar këtu, kur e kemi përsëritur 1000 herë që e drejta e 12 miljeve është e drejtë universale e çdo vendi që buron nga Konventa. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vitin 1990 dhe e ka depozituar në OKB. Greqia e ushtron sot, për arsyet e veta, që i dini shumë mirë se çfarë janë dhe nuk janë të lidhura fare me Shqipërinë, sa për dijeninë tuaj. Tani, o unë jam agjent turk që luftoj me Greqinë, o jam agjent grek që luftoj me Turqinë, o pastaj jam ai që jam në fakt, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë që nuk negocioj në asnjë rast e për asnjë rrethanë, të drejtat e shqiptarëve. Po në këtë rast, më vjen shumë keq, por është qesharake dhe është edhe e shëmtuar dhe e turpshme për një shtet, është e turpshme për një vend si i ynë që bëhet kaq qesharak në sytë e të tjerëve përmes gojës së një presidenti dhe një ish presidenti që i fryn këtij zjarri dhe që gjithë bota qesh me ta.

 

A e imagjinoni sikur të kishte këtu një fije të së vërtetës se çfarë do kishte ndodhur në nivelin europian apo ajo? A e imagjinoni sikur një vend i Bashkimit Europian të bënte një vendim unilateral, për të shkuar për të marrë detin e tjetrit? E shikoni se çfarë ndodh pak më tutje, për një kontestim midis dy vendeve fqinje që nuk merren vesh, se çfarë bëhet, ngrihet e gjithë bota në këmbë. A jeni në terezi, si u bëka që u marrka deti me vendim për Krishtlindje?

 

Jam realisht i pataksur nga niveli “zh” në këtë debat, i shumëkujt që përfshihet e nuk di çfarë flet e nuk di çfarë thotë. Kjo është kaq e thjeshtë, fare e thjeshtë dhe fatmirësisht është dokumenti i depozituar në OKB në ’90-ën, – se mund edhe të mos ishte. Mund të mos e kishte bërë Shqipëria atëherë, e bëri, – që flet vetë. Është fiks e njëjta gjë. Merreni vendimin e grekëve dhe shiheni, është ana tjetër e të njëjtës medalje. Dy vende që ushtrojnë të drejtën e tyre, aty ku ka mundësi. Aty ku nuk ka mundësi, sepse nuk ka fizikisht mundësi, – ku shkoi 12 milje, erdhi në Shëngjin? – aty bëhet marrëveshje, ku mbaron pjesa ime, fillon pjesa jote. Aty ku nuk arrihet dot marrëveshje, sepse të dyja palët kërkojnë më shumë sesa u takon sipas njëra-tjetrës, shkohet në gjykatë dhe ka rregulla, ka korniza të vendosura botërisht sesi bëhen këto ndarje.

 

Përsa i përket pjesës së të shkuarit të vetëm në zgjedhje, unë mendoj që nuk është çështje fitoreje këtu, por çështje bonsensi dhe çështje racionaliteti në raport me nevojën e vendit për të pasur qartësi e për të pasur alternativa programore e për të pasur zgjedhje mes alternativave. Ndërkohë që e kam thënë, nuk është secret, koha ka treguar që një numër i konsiderueshëm partish, të ashtuquajtura të vogla, por më të vogla se të vogla, nuk janë realisht një produkt i vyer pluralist dhe demokratik, por janë faktikisht parti, të cilat krijohen për të marrë pjesë në plaçkë. Nuk ka asnjë dyshim nga ana ime për këtë. Kështu që nuk është çështje fitoreje. E kemi bërë në vitin 2017, ka funksionuar. Komisioni i Venecias ishte shumë i qartë, tani, njerëzit do mund të zgjedhin partinë, do mund të zgjedhin dhe deputetin që dëshirojnë mes disa alternativave të qarta, pa ato lojërat me shtatë porta dhe fitoftë më i miri.

 

Përsa i përket vaksinës, ju thatë që vjen në fillim të janarit. Sa do jetë doza dhe a është kompania AstraZeneca, ajo që do t’i mundësojë Shqipërisë dozat e para të vaksinës? 

Përsa i përket Greqisë, kur do t’i drejtoheni Hagës dhe a ka nisur puna përgatitore, për t’u mbrojtur përballë Greqisë në gjykatën ndërkombëtare? 

 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk thashë në fillim të janarit, thashë brenda janarit. Nuk dua të jap data, sepse është shumë e vështirë për të dhënë data dhe datat e dhëna nga dëshira pastaj kthehen në premtime të pambajtura, kështu që brenda janarit. Sigurisht, ne po bëjmë çmos që të vijnë sot, por jam i sigurt që brenda janarit do fillojë vaksinimi.

 

Përsa i përket kompanive, ju thashë, ne jemi në kontakt me të treja. Jemi në fazë të avancuar me Pfizer. Sot, pas pak kemi kontaktin e dytë me Zoom për AstraZeneca-n. Jemi në kontakte të vazhdueshme, por kemi kontakt të dytë pasi kemi bërë një kontakt të pare, ku jemi përfshirë disa prej nesh dhe disa prej tyre. Ndërkohë jemi në kontakt edhe me Moderna-n, por jo kaq të avancuara sa me Pfizer-in dhe me AstraZeneca-n. Sot shpresojmë të kemi një avancim të rëndësishëm, por në këtë rast, si të gjithë, nuk kemi paragjykime, do t’i marrim nga të mundemi vaksinat dhe pastaj do shohim dhe për më tej sesa kaq me vaksinat e tjera, por për momentin jemi fokusuar këtu.

 

Përsa i përket pyetjes tjetër, është një proces i tërë përgatitja për atë gjykatë. Kështu që pjesa që duhet të merret me këtë punë po merret me këtë punë, por është një proces i tërë, ka disa shkallë.

 

Unë kam vetëm një pyetje që lidhen me katër çështje të ndryshme, që kanë të bëjnë me disa objektiva tuaja të papërmbyllura në këtë vit dhe ju lutem, nëse ka mundësi t’i prekim të katra me radhë. Çfarë do të ndodhë në tremujorin e ardhshëm apo deri në 25 prill me ligjin për Presidentin, me ligjin për amnistinë fiskale, me ligjin e njohur si antishpifja dhe sëfundmi, me një ambicie tuajën për legalizimin e kanabisit mjekësor?

 

Kryeministri Edi Rama: I kam dhënë shpjegimet për këto, megjithatë mund t’i jap prapë.

 

Ligji për Presidentin është në procedure, në mos gabohem.

 

Përsa i përket amnistisë vazhdojmë të punojmë me partnerët për një draft sa më të dakordësuar.

 

Përsa i përket antishpifjes, ajo u katandis në një alibi për disa, nuk flas brenda vendit, por jashtë vendit dhe jemi në proces komunikimi me të gjitha palët e përfshira, se kush nuk u përfshi në këtë dhe është një marrëzi më vete, por jemi në proces komunikimi. Nuk kemi asnjë ngut faktikisht. Do të bëhet kur të ketë dakordësi me të gjithë. Po nuk pati dakordësi, kurrë mos u bëftë. Unë nuk e kam kërkuar atë për vete, se për vete mbaj sasinë më të madhe të shpifjeve për njësi kohe në kurriz dhe deri tani, lavdi Zotit, më është bërë vetëm shëndet.

Përsa i përket kanabisit mjekësor, e njëjta gjë. Jemi duke rafinuar draftin. Kështu që janë të gjitha në proces, siç e kam thënë edhe më parë, nuk ka asgjë të re.

 

– Zoti Kryeministër, ju thoni se zgjerimi në 12 milje me Greqinë nuk e prek zonën e kontestuar mes dy vendeve, por nga ju buron kjo siguri? A keni parë ju ndonjë hartë? 

Duke marrë parasysh trendin e COVID-19 dhe situatën që mund të sjellë pjesa e parë e vitit, mendoni që ka rrezik që të mund të shtyhen zgjedhjet e 25 prillit? Sa janë shanset për këtë?

Meqenëse jemi në fundvit, mbase shumë prej nesh bëjnë balance, gjatë vitit keni bërë shumë falënderimi, por mendoni se në këtë fundvit keni për dikë apo diçka, hapësirën për të kërkuar falje për diçka që keni bërë apo nuk keni bërë?

 

Kryeministri Edi Rama: Unë nuk di si ta shpjegoj, por po përpiqem edhe njëherë, që mund të jetë hera e njëmijëtë. Nuk ka nevojë të shohësh asnjë hartë, sepse, e përsëris, 12 milje janë sipas Konventës Ndërkombëtare të Detit, një e drejtë që ushtrohet aty ku është mundësia dhe nuk ka fizikisht, nuk ekzistojnë 24 milje në zonën mes nesh dhe grekëve poshtë. Nuk ekzistojnë fizikisht. A më kupton çfarë do me thënë? Nuk ka. Nuk ekzistojnë, kështu që, pikërisht pse nuk ka, siç thotë dhe Konventa, çështja zgjidhet me marrëveshje ose përmes gjykatës. Është kaq e thjeshtë. Hartat që dalin janë fantazi. Nuk ka. Ato pikturat që vihet vizorja e shkojë kufijtë sipas qejfit deri në Shëngjin janë fantazira dhe përtej kësaj janë edhe prodhime për të nxitur pikërisht këtë tollovi, por nuk ka, nuk ekziston. Thjesht dhe vetëm ka një të drejtë, të cilën Shqipëria e ka ushtruar në 1990-ën dhe është shtrirë mbi këtë parimi deri aty ku është e mundur dhe Greqia po e ushtron sot. Ka bërë marrëveshje me Italinë, ka bërë marrëveshje me Egjiptin, nuk ka marrëveshje me ne. Shtrihet në 12 milje, aty ku e ka të mundur. Në pjesën mes nesh dhe tyre nuk është e mundur, a më kupton çfarë do me thënë?

 

Nuk është e mundur dhe për këtë arsye duhet të zgjidhet me gjykatë, për derisa me marrëveshje nuk e zgjidhëm dot. Për çfarë kemi diskutuar ne? Po të ishte kaq e thjeshtë, e kishin bërë me kohë ata dhe nuk rrinin të bënin diskutime me ne, as ne me ta. Unë nuk e di çfarë duhet thënë më shumë, por është kaq e thjeshtë, sa nuk ka. Më e thjeshtë nuk bëhet. 12 miljet janë një e drejtë aty ku është mundësia. Këtu në këtë zonë nuk është mundësia, prandaj ka kaq vite që diskutojmë pasi u rrëzua marrëveshja famëkeqe. Dhe ajo marrëveshje, pse u bë në 2009-ën? Mund ta kishin bërë me shtrirje, po nuk mund të bëhet se nuk ka vend. Është e thjeshtë fare. Duhet të merremi vesh, nuk u morëm vesh, shkojmë në gjykatë dhe e ndan gjykata ku është vija ndarëse që delimiton ujërat. Kaq!

 

Më the, kujt duhet t’i kërkoj fajle. Falje duhet t’i kërkoj familjes time, për sesa shumë jam i detyruar t’ju mungoj dhe patjetër, nëse Linda dhe dy të mëdhenjtë e përballojnë dhe e kuptojmë më mirë, kur vjen puna tek më i vogli, falja është edhe më e madhe.

 

– Më herët keni deklaruar se është dhënë një parapagim dhe një kapar për vaksinën tek COVAX. Kur dhe sa vaksina duhet të presim?

Marrëveshja për detin mes Shqipërisë dhe Greqisë, a mendoni se do të cenojë marrëdhënien tuaj me Presidentin turk Erdogan, për rrjedhojë dhe marrëdhënien e dy vendeve?

 

Kryeministri Rama: Për cilën marrëveshje?

 

– Po flas për zgjerimin e Greqisë me 12 milje.

 

Kryeministri Edi Rama: Cila marrëveshje? Kjo nuk është marrëveshje e jona për zgjerimin e Greqisë me 12 milje. Flasim dhe nuk dëgjohemi. Nuk ka marrëveshje me Greqinë për zgjerimin me 12 milje. A bëri ndonjë marreveshje Shqipëria, kur ushtroi të drejtën e zgjerimit në 1990-ën?

Nuk ka, nuk ekziston kjo marrëveshje. Nuk e kemi arritur dot një marrëveshje. Do shkojmë në gjyq. Ndërsa e drejta e zgjerimit 12 milje është e drejtë universale, ndërkombëtare, e garantuar nga Konventa. Shqipëria e ka ushtruar në vitin 1990. Greqia e ka ushtruar sëfundmi, aty ku është mundësia. Në zonën mes dy vendeve nuk është e mundur se është fizikisht e pamundur, nuk ka hapësirë për ta ushtruar dhe prandaj, çështja do të zgjidhet me gjykatë.

 

Ç’lidhje ka kjo me Presidentin Recep Tayip Erdogan, mund të ma thuash? Mos e ulni nivelin kështu, se jeni ndërmjetës me opinionin publik. Kur jeni ju në këtë gjendje, që nuk e bëni dot këtë dallim, imagjino të tjerët që nuk bëjnë punën tuaj, që kanë njëmijë e një punë të tjera dhe dëgjojnë me spont. I bini fyellit në të njëjtën vrimë, kur tjetri thotë nuk ka, nuk ekziston. Ҫ’është kjo këtu? Është 1990-a e Shqipërisë. Është një e drejtë e depozituar në OKB. Nuk shkohet fare tek vendi tjetër dhe t’i thuhet “dua të bëj këtë”. Bëhet dhe depozitohet në OKB, unë kam ushtruar këtë drejtë.

 

Në detin Jon, në pjesën më të madhe të tij, Greqia ka mundësi ta ushtrojë këtë të drejtë, sepse ka gjithë atë territor. Në pjesën mes nesh nuk është e mundur, prandaj bëhen negociatat.

 

– Një pyetje për rindërtimin. A pritet që viti 2021 ta përmbyllë plotësisht procesin e rindëtimit? 

E dyta ka të bëjë me Gjykatën Kushtetuese. Sot bëri betimin Sonila Bejtja në Presidencë, e cila ka mbajtur edhe qëndrime politike, kur kërkonte shpërndarjen e parlamentit. A mendoni se kjo Gjykatë do të jetë e pavarur dhe do të marrë vendime të drejta, vendim edhe për zgjedhjet e 30 qershorit?

 

Kryeministri Edi Rama: Rëndësi ka që Gjykata Kushtetuese është funksionale. Të tjerat nuk më takojnë mua. Komentet për Gjykatën nuk janë komente që hyjnë në sferën e mundësive të mia si Kryeministër. Gjykata të bëjë punën e vet dhe do të gjykohet për punën e vet. Nuk mund të komentohet dhe as të gjykohet dhe as t’i vihen vija të kuqe, si vijat që vë baba Xhikja.

 

Unë do t’i kthehesha pak çështjes së procesit zgjedhor. KQZ-ja, në datën 1 dhjetor i ka kërkuar qeverisë fonde të veçanta përsa i përket zbatimit të identifikimit biometrik të zgjedhësve dhe projektin pilot për votimin dhe numërimin elektronik më 25 prill. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve i ka kërkuar thuajse 27 milionë euro qeverisë për zbatimin e këtyre dy momenteve të rëndësishme. Ndërkohë që Ministrja Denaj, në mes të dhjetorit, në një deklaratë publike ka deklaruar që qeveria jep 20% të shumës së kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. A do ta plotësojë qeveria pjesën tjetër të fondeve që KQZ-ja ka kërkuar?

 

Kryeministri Edi Rama: Ka një fjalë që e përsëriste gjyshja ime “errare e umano, perseverare e diabolico”. Por ti nuk e ke nga djallëzia këtë se je djalë i mirë, por ta shpjegova dhe po ta shpegoj prapë. 20% e fondit, domethënë, sipas ligjeve të shtetit shqiptar, garanci për të prokuruar të gjithë fondin në rast nevoje.

 

Në rast se mund të na deklaroni ndonjë emër ose ndonjë kompani që jeni në tratativa për thithjen e investimeve të huaja, duke qënë se ka patur një zhvillim pozitiv për tremujorin e tretë të këtij viti.

Pyetja e dyte lidhet me OFL Ju deklaruat dhe dhatë shumë shifra në fakt, që OFL-ja ka qënë një sukses. Ndërkohë kemi një deklaratë të kryeprokutorit Olsian Çela në Elbasan, i cili thotë që është jeta ekonomike dhe politike e qytetit drejtohet nga krimi. Mos ndoshta duhet bërë diçka tjetër më shumë në lidhje me këtë aspekt?

Ndërkohë kam edhe një pyetje lidhur me rikonstruksionin e pallateve të dëmtuara. Më ka ardhur nnga një qytetar në rrjetet sociale, i cili thotë se ka përfunduar afati në tetor, i vlerësimit të pallateve, por nuk ka një datë se kur do të fillojë rikonstruksioni, pasi ishte thënë që do të bëhej në tetor.

Kryeministri Edi Rama: Rikonstruksioni i kujt, se varet për çfarë është fjala.

 

I pallateve të dëmtuara nga tërmeti.

 

Kryeministri Edi Rama: Besoj se bëhet fjalë për pallatet me dëme të thella DS4, për të cilat është dashur të bëhen projekte shumë komplekse. Imagjinoni që për çdo pallat duhen bërë projekte nga e para, konstruktiv dhe tani, në mos gabohem, janë në proces gare për të bërë kontratat me kompanitë, në Durrës, aty është problemi më i madh me DS4.

 

Përsa i përket pyetjes tjetër nuk e kam dëgjuar asnjëherë atë deklaratë dhe nuk dua të komentoj gjërat që nuk i kam dëgjuar, por ju garantoj që OFL-ja është një sukses i pasdiksutueshëm. E tregojnë faktet, e tregojnë shifrat. Nuk diskutohet.

 

– Unë kisha një pyetje lidhur me Reformën në Drejtësi. Duke qenë se nga sot, Gjykata Kushtetuese pritet që të bëhet me 7 anëtarë dhe gjatë fjalës suaj, fjala kyçe që përdorët ishte fjala durim. Sa durim duhet të kemi ose sa duhet të zgjasë ky durimi për të parë një Gjykatë Kushtetuese të plotë, me 9 anëtarë dhe një Gjykatë të Lartë funksionale, duke patur parasysh dhe ritmet e deritanishme, duke qenë se kaluan tre vjet, për të parë Gjykatën Kushtetuese funksionale.

 

Kryeministri Edi Rama: Këto janë procese të lidhura me njëra-tjetrën dhe të bësh një drejtësi të re do të thotë të ngresh nga e para një nga tre shtyllat që mbajnë shtetin dhe nuk është një fjalë goje. Nuk është njësoj si të hapësh një portal, ose të hapësh një faqe në FB, apo të hapësh një llogari në Instagram. Është komplet një gjë tjetër. Kështu që janë procese të ndërlidhura me njëra-tjetrën dhe patjetër që duhet durim. Sa durim duhet? Patjetër që duhet shumë durim.

 

– Ju i keni nisur përgatitjet për zgjedhjet e 25 prillit që në shtator me organizimet e partisë. Doja t’u pyesja, sa konfident jeni ju sot, se si sot pas një viti, ju përsëri do të jeni si kryeministër, përballë nesh gazetarëve në konferencë shtypi?

 

Kryeministri Edi Rama: Besoj që kështu do të ndodhë. Kjo nuk ka të bëje thjesht me mua. Kjo ka të bëjë me të gjithë ne, sepse Shqipëria nuk mund të kthehet mbrapa. Shqipëria ka kaluar dy sprova të rënda me të cilat është ende në proces. Por besoj se më e keqja është pas krahëve. Megjithëse nuk e dimë kur mbaron lufta me COVID-in, kemi të gjitha arsyet të besojme se viti i ardhshëm do të jetë një vit ku të gjitha gjërat do të shkojnë duke u lehtësuar, edhe për shkak të vaksinës, edhe për shkak të të mësuarit me një normalitet të ri. Ndërkohë që janë në proces rindërtimet e lagjeve të reja, edhe ajo sfidë tjetër besoj që mund të konsiderohet e kaluar në pjesën më të keqe të saj, edhe pse edhe ajo nuk mbaron pa hyrë familja e fundit në shtëpi. Megjithatë janë 13 mijë familje në shtëpi me qera, që mbahen në shtëpi nga qeveria. Pastaj janë kaq shumë gjëra të reja për t’u bërë.

 

Më pyeti përpara njëri nga kolegët tuaj dhe nuk ju përgjigja padashje, se çfarë investimesh kemi në proces. Realisht kemi investime jashtëzakonisht të rëndësishme. Shqipëria në 4 vitet e ardhshme, në mandatin tonë të tretë do të bëhet me të paktën tre aeroporte funksionale. Ndërkohë që do të jetë në proces dhe unë uroj që të jetë i ndërtuar edhe aeroporti i katërt, ai i Sarandës, për të cilin do të fillojmë menjëherë procesin pas Vlorës, pasi të mbarojmë, – do Zoti, – me sukses garën dhe të kemi marrëveshje për Vlorën. Transformimi i Portit të Durrësit do të jetë një transformim që do të impaktojë ekonomikisht jo vetëm Durrësin, por ekonominë shqiptare, sepse bëhet fjalë për një investim që i kalon 2 miliardë, minimumi. Porti i ri i mallrave në Durrës, bashkë me zonën industriale përkatëse, transformimi i Portit të Vlorës me portin e ri të mallrave janë investime madhore që kanë impakt të madh, pasi krijojnë një efekt zinxhir të jashtëzakonshëm. E faktikisht, me aeroportet dhe portet e reja do të kemi një Shqipëri krejt tjetër në aspektin turistik dhe në aspektin ekonomik, si dhe në aspektin e punësimit.

 

Duke e mbyllur këtë, dua të paraqes një shifër që nuk e përmenda deri tani. Këtë vit kemi 180% më shumë vlerë të eksportuar në bujqësi dhe tre herë më shumë produkte bujqësore të eksportuara në sasi sesa 7 vjet më parë. E kemi nisur këtë punë me 1 lekë eksport, 7, 5 lekë import, flas për prodhimet bujqësore dhe sot jemi 1 me 3. Pra, kemi ulur importet. Nga 7.5 jemi në 3. Kjo sepse kemi rritur prodhimin vendas dhe kemi shumë më tepër prodhim vendas në treg. Të gjitha këto janë të lidhura.

 

Kështu që jemi duke ndërtuar një urë të re me të ardhmen. Nëse në mandatin e parë kemi hedhur themelet, në këtë mandat kemi ngritur pilotat. Në mandatin e tretë do të bëjmë lidhjen mes të dyjave. Për më tepër, kush është alternative? Alternative është Zoti na ruajt; Ilir, Meta, Sali Berisha, Lulzim Basha, Monika, Nard Ndoka, Fatmir Mediu dhe shto ujë e shto miell, deri tek tymi i doganës. Është një alternativë e ububushme. Parafytyroni, me këta të vazhdojë rindërtimi, të zhvillohen këto investime, të vazhdojë procesi i pastrimit të drejtësisë. Është realisht, objektivisht e pamendueshme. Këto janë arsyet shumë të përgjithshme, i dashur Muhamed Veliu, pse konferencën e fundvitit të ardhshëm do ta kemi përsëri bashkë këtu, por mes meje, jush dhe kësaj që thashë është edhe dikush tjetër. Kështu që mos bëjmë sfida. Ajo që është objektive është që nuk ka asnjë alternativë tjetër, përveç Partisë Socialiste. Këtu po e ndal se nuk jemi në fushatë elektorale.

 

Ju uroj shumë, gëzuar festën familjarisht, me kë ju do zemra! Patjetër, me shëndetin për prindërit tuaj dhe për gjyshërit dhe gjyshet. Kush ka fatin t’i ketë akoma dhe kush i ka, t’i mbani sa më mirë, se kur të mos i keni, do t’ju kujtohen shumë shpesh dhe do të thoni, “ah, sikur t’i kisha të paktën një herë, për një festë të Vitit të ri, gjyshërit dhe prindërit!”

 

Punë të mbarë në përpjekjen tuaj të vitit të ardhshëm!

Me respekt për ju të gjithë që jeni vija e parë dhe ajo më pak e vlerësuara, ndoshta, edhe nga pronarët tuaj.

Çdo të mirë dhe shumë faleminderit për durimin deri tani!

Siç i thashtë Arditit, duhet shumë durim.

Faleminderit!