Projektet e reja për Vlorën, rritje ekonomike dhe punësim

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në prezantimin e projekteve të Qarkut Vlorë:

Përshëndetje!

Faleminderit për praninë tuaj këtu, edhe pse është një ditë që mund ta kishit bërë pushim! Ju jam shumë mirënjohës!

Më vjen shumë mirë se po shikojmë shenja gjithnjë e më inkurajuese lidhur me ekonominë dhe me punësimin. Përpara sesa të vinim këtu, ishim në Panairin e Punës, ku ishin afishuar 1016 vende të lira pune në ata sektorë që këtu në Vlorë kanë më shumë peshë, duke filluar natyrisht nga turizmi.

Po ashtu, më vjen mirë që të ndaj me ju një shifër krahasimore shumë domethënëse që lidhet, jo me anketat e punësimit, as me projeksione mbi baza rezultatesh statistikore të ndërtuara nga distanca, por mbi Regjistrin Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore.

Në Regjistrin Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore, Shqipëria në maj të vitit 2013 kishte 445 157 të punësuar në sektorin jobujqësor. Në maj të vitit të shkuar kishte 640266, pra 200000 më shumë. Ndërkohë që, nga maji i vitit të shkuar, në majin e këtij viti në Regjistrin e Sigurimeve Shoqërore të Republikës që është pasqyra e të gjithë të punësuarve që kontribuojnë në ekonomi dhe që janë të siguruar kemi 673640. Pra maj me maj, nga viti i shkuar në këtë vit, kemi 33374 njerëz më shumë të punësuar në sektorin jobujqësor. Natyrisht që, në të gjithë këtë transformim rrënjësor të shifrave të punësimit, një element i pandryshueshëm ndikues është formalizimi, pra nxjerrja e njerëzve nga gjendja e skllavërisë së punës në të zezë, por ana tjetër është punësimi real, i vazhdueshëm.

Vetëm nga zyrat e punës në muajt mars, prill dhe maj ne kemi kaluar 10 mijëshin e të punësuarve të rinj. Këtu flas për të punësuar që figurojnë në Regjistrin Kombëtar të Sigurimeve Shoqërore. Nuk flas për të punësuar në bujqësi që i numërojmë me hamendje, nuk flas për hamendësime dhe anketime të natyrave të tjera. Flas thjesht dhe vetëm mbi regjistrin ku të gjithë të punësuarit janë të regjistruar emër për emër dhe natyrisht të gjithë janë kontribuues për skemën e pensioneve dhe punojnë dhe si persona të siguruar nga pikëpamja shëndetësore dhe nga pikëpamja shoqërore ndërtojnë hap pas hapi edhe volumin e pensionit të tyre në të ardhmen.

Nuk diskutohet që, thënë të gjitha këto, sfida e punësimit është një sfidë komplekse dhe kur ne flasim për rritje të vazhdueshme të punësimit, jemi të vetëdijshëm që në këtë proces duhet të përballemi me një sërë sfidash brenda sfidës, që nga domosdoshmëria për të luftuar që ta rrisim ekonominë ende më shumë, që ta diversifikojmë ekonominë ende më shumë dhe të kemi rritje të pagave më të ulëta, në radhë të parë, deri te sfida e regjistrimit real të pagave, sepse 41% e të punësuarve në kompanitë e mëdha sigurohen me pagë 300 mijë lekë. Kjo është gënjeshtër! Kjo nuk është e vërtetë. Nuk ka ekonomistë, financierë, inxhinierë dhe të tjerë të kësaj kategorie, që punojnë në kompanitë e mëdha, që marrin 300 mijë lekë. E vërteta është, që, kompanitë i regjistrojnë me 300 mijë lekë që të shmangin takat, pasi deri në 300 mijë lekë nuk ka asnjë taksë mbi pagën dhe pjesën tjetër ua japin në të zezë. Kjo sjell që, edhe në volumin e përgjithshëm të llogarisë së pagave, Shqipëria të dalë më ulët sesa ç’është në realitet në pagën mesatare në sektorin privat.

Kjo është një betejë që i takon kësaj faze për t’i shtrënguar kompanitë që të deklarojnë pagat reale të punonjësve dhe për të garantuar që punonjësit të sigurohen ashtu siç duhet për nga niveli i pagesës në mënyrë që të marrë një pension më të lartë nesër, sepse duke menduar sot për sot shumëkush kujton se po e merr gjysmën e pagës në të zezë dhe po shpëton nga një detyrim, por, në fakt, ajo që bën është që nuk po mbledh muaj për muaj dhe vit për vit shumën që i duhet për pensionin nesër, sepse sigurimet shoqërore dhe shëndetësore janë kontribute për veten, nuk janë kontribute që shkojnë në arkën e shtetit dhe që nuk kthehen mbrapsht.

Po ashtu, brenda kësaj sfide ne kemi dhe sfidën e rritjes së fuqisë punëtore të kualifikuar. Kemi një problem shumë të madh me këtë. E kemi problem shumë të madh të trashëguar për shkak të një grope boshllëku 20 e kusur vite, ku u shkatërrua arsimi profesional dhe të gjithëve iu tha, “shkoni nëpër universitete dhe bëhuni juristë!” Sot e shikojmë, – unë pashë të dhënat e shkollës industriale këtu, – që 80% e personave që marrin arsim profesional në rang republike punësohen përpara se të mbarojnë dhe vetë shkollën, sepse me sistemin që kemi ndërtuar, që, një pjesë të kohës e kalon në shkollë, një pjesë të kohës e kalon në kompani fillon lidhja me kompaninë që përpara mbarimit të shkollës.

Zhvillimi i turizmit, që është zhvillimi i një motori që do të jetë gjithmonë e më i fuqishëm për ekonominë dhe për punësimin në Shqipëri, kërkon shumë më tepër forca të kualifikuara pune në të gjitha nivelet. Sot, ne kemi një rritje të jashtëzakonshme të kërkesës nga investitorë të mëdhenj, nga firma globale të turizmit për 4 dhe 5 yje që duan të investojnë në Shqipëri, duke përfituar dhe nga lehtësirat që ne kemi krijuar në legjislacion, por dhe duke parë që Shqipëria po bëhet gjithmonë e më shumë një destinacion i kërkuar, për shumë arsye kjo dhe problemi ynë që të mund t’iu përgjigjemi këtyre kërkesave me forca të kualifikuara për të gjithë zinxhirin e shërbimeve në turizëm.

Ju e dini shumë mirë që qysh prej kohësh kur ka nisur të bëhen fushata elektorale në Shqipëri, në çdo fushatë elektorale të gjithë këtu kanë ardhur kanë thënë “do bëjmë aeroportin”, aq sa u bë një barsoletë tradicionale e fushatave elektorale. Ndërsa ne thamë do bëjmë aeroportin dhe ne në muajt në vijim do fillojmë ndërtimin e aeroportit. Aeroporti në vetvete kërkon mbi 1 000 forca pune në një tërësi zanatesh dhe kualifikimesh. Siç e prezantoi edhe drejtori ynë i Aviacionit Civil, aeroporti do të jetë me paga goxha të larta në raport me mesataren që ne jemi mësuar për shkak se ka një zinxhir të tërë aktivitetesh brenda të gjithë organizimit të aktivitetit aeroportual dhe kërkohen njerëz të kualifikuar, të cilët sigurisht paguhen më mirë.

Por, nëse direkt në aeroport do të ketë mbi 1000 punësime për shkak të aeroportit vlerësohet botërisht se rritja e punësimit është 1 me 27. Pra, një i punësuar direkt për shkak të aeroportit herë 27 që punësohen si pasojë e aktiviteteve që aeroporti sjell nga pikëpamja ekonomike dhe tregtare në një zonë ku ndërtohet, që do të thotë që, 27 mijë është minimumi nga ku niset llogaria për 4-5 vitet e ardhshme si rezultat i ndërtimit të aeroportit. Pra 27 mijë vende pune të drejtpërdrejta, sepse aeroporti do të sjellë aktivitete të tjera, jo vetëm hoteleri, jo vetëm turizëm, por edhe shumë aktivitete të tjera që lidhen me transformimin e zonës në një zonë referimi për zhvillimin ekonomik, për zhvillimin tregtar, për zhvillimin e shumë e shumë e shumë industrive të lehta, apo e shumë e shumë e shumë investimeve rreth e rrotull këtij territori ku aeroporti hap një zhvillim komplet tjetër.

Por nuk është vetëm aeroporti. Aeroporti i Vlorës do të jetë një aeroport ndërkombëtar që do të jetë konkurrues drejtpërdrejt me Rinasin. Nga pikëpamja e parametrave do të jetë jashtëzakonisht cilësor dhe nga pikëpamja e çmimeve do të jetë shumë më i favorshëm për udhëtarët, qofshin vendas, qofshin vizitorë. Ne kemi kërkuar dhe jemi drejt përfundimit të negociatave, të cilat bëhen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Ministria e Financave, që të kemi aeroportin e Vlorës aeroportin me tarifat më të ulëta në rajon.

Kjo ka qenë kërkesa jonë, se duam që, nga njëra anë, të krijojmë kushte optimale për të gjithë ata që përdorin aeroportin si udhëtarë shqiptarë dhe mos harroni se janë 1600 persona që lëvizin çdo ditë nga jugu i Shqipërisë me autobus për të shkuar në Athinë dhe parafytyroni se sa herë më shpejt dhe se sa më lirë do të jetë të shkosh e të vish nga Athina nëpërmjet aeroportit të Vlorës, sepse ne i themi aeroporti i Vlorës, por ky në fakt është aeroporti i një territori shumë më të gjerë sesa Vlora dhe nga ana tjetër, ne duam një aeroport që të përpunojë edhe mallra, jo vetëm udhëtarë. Këto janë kërkesat tona. Duke qenë një aeroport me çmime shumë më të favorshme, atëherë do të jetë shumë konkurrues me Tiranën që është një nga aeroportet më të shtrenjta të botës, për shkak të një koncesioni të dhënë vite më parë, ku u mendua me entuziazëm “hajde ta transformojmë kioskën e Rinasit në një aeroport ndërkombëtar” dhe nuk u panë mirë shifrat, gjë që sjell sot e gjithë ditën që kush udhëton me avion për të ardhur në Shqipëri duhet të paguajë bileta shumë më të shtrenjta sesa për të shkuar diku tjetër në rajon, si rezultat i kostos së lartë që ka aeroporti për shkak të këtyre tarifave të pranuara koncensionare.

Nga ana tjetër, do vazhdojmë rindërtimin e shumë pjesëve që janë sot në nevojë për rindërtim. U prezantua këtu qendra historike e Vlorës. Është një domosdoshmëri për të vazhduar të rrisim kapacitetin tërheqës të qytetit dhe për të forcuar identitetin e qytetit, duke e kthyer identitetin në një magnet më të fortë tërheqës që do të krijojë më shumë ekonomi.

Unë dua të vë theksin te vijimi i ndërtimit të rrugës së Lumit të Vlorës. Jemi gati për të mbyllur kontratat për 3 lotet e tjera dhe besojmë që në fillim të vjeshtës do të fillojë puna për të mos ndalur më deri në fund. Nga ana tjetër, kemi zhbllokuar procesin e tmerrshëm të krijuar si rezultat i kontratave dhe i projekteve mizerabël për by-pass-et e Vlorës dhe të Fierit dhe në shtator nis puna për të dy by-pass-et, pra Vlora do të ketë by-pass-in e ri dhe by-pass-i i Fierit do të mbyllet brenda periudhës që përkon me hapjen e sezonit të ardhshëm turistik. Pra, ky do të jetë viti i fundit ku tortura e asaj kthesës atje do të vazhdojë për fat të keq për të gjithë ata që do të udhëtojnë drejt jugut.

Po ashtu dhe besoj që është shumë e rëndësishme, ne do vazhdojmë me pjesën tjetër të Lungomares, sepse projekti vazhdon përtej fushave të sportit dhe shkon deri te tuneli, ndërkohë po bëjmë projektin e ri për pjesën nga tuneli deri në Radhimë. Është e domosdoshme që edhe zona e Radhimës të përfshihet në këtë vizion të ri transformimi dhe të mos jetë më, si një shteg dhish ku lihen praktikisht pa u shfrytëzuar potenciale fantastike natyrore dhe turistike.

Do nisim punën brenda fillimit të vjeshtës për rindërtimin e plotë, me standarde komplet të tjera të rrugës Orikum – Llogara, nga porti i jahteve, deri në hyrje të Llogarasë.  Ka filluar projekti për tunelin e Llogarasë që do të krijojë një lidhje shumë më të shpejtë dhe praktikisht do ta kthejë Parkun Kombëtar të Llogarasë në një destinacion më vete dhe jo në një rrugë kalimi të të gjithë trafikut të sezonit turistik.

Ju e dini që kemi nisur rindërtimin e bulevardit të Vlorës që do të jetë diçka komplet tjetër e do të jetë praktikisht vazhdimi i vijës magjepsëse të Lungomares. Më vjen shumë mirë që nuk kam asnjë ankesë në telefon apo në Facebook nga Vlora, “jo u bllokuam, jo ku do lëmë makinat, etj”. Mesa duket e nxorën mësimin që folën e folën për Lungomaren dhe tani të gjithë e shikojnë që ia vlejti sakrifica e ndërtimit dhe e bllokimit dhe e durimit. Bulevardi do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik e do jetë një tjetër arsye për të ardhur në Vlorë e për të qenë ne të gjithë këtu bashkë, krenarë për Vlorën.

Kemi nisur të shtrihemi edhe përtej qytetit, jo vetëm me ndërtimin e rrugës së re të lumit të Vlorës, por edhe me ndërtimin e akseve të rëndësishme turistike siç është rruga e Kaninës, e cila tanimë ka përfunduar, por prapë ka nevojë për një punë për të gjelbëruar e për të sistemuar gjithë aksin dhe këtë do ta bëjë besoj bashkia.

Patjetër që me shumë rëndësi për ne është sistemimi i kanalizimeve. Ministri vetë është angazhuar për projektin e kanalizimeve që do të pastrojë përfundimisht detin e qytetit. Ju e dini shumë mirë që keni problem shumë të madh e të vjetër për shkak të mungesës së një sistemi kanalizimesh në zonën e Lungomares, ku synimi është që të kemi jo vetëm gjithë këtë aktivitet të jashtëzakonshëm ekonomik dhe turistik që po zhvillohet aty, por edhe një plazh që të jetë nga plazhet më të kërkuara të bregdetit të Shqipërisë e do t’ia dalim besoj duke sistemuar kanalizimet e duke pastruar përfundimisht ujin nga çdo ndotje e pajustifikueshme, por fatkeqësisht e pranishme.

Kemi nisur bashkë me Damianin punën për ndërtimin e tre terminaleve për kroçerat në Durrës, në Vlorë dhe në Sarandë. Vlora po bëhet gjithmonë e më shumë e do bëhet shumë më tepër e kërkuar nga turistët dhe nga destinacionet e kroçerave. Kështu që në portin e Vlorës, do të ndërtojmë një terminal modern për kroçerat e ndërkohë po synojmë e po vazhdojmë punën për të bërë disa investime me marinat e jahteve dhe të varkave turistike, qoftë në Vlorë, qoftë në Sarandë, pasi është një domosdoshmëri e madhe dhe është një ekonomi e fortë pasi sjell shumë para në një kohë shumë të shkurtër.

Turizmi që ne kemi sot është një turizëm masiv që jep një kontribut të rëndësishëm në ekonominë tonë, por nuk sjell aq para sa ne duam të sjellim në vend sepse nuk e ka fashën e cilësisë së lartë, për shkak të mungesës së strukturave me 4 dhe me 5 yje dhe për shkak të mungesë së marinave. Në këtë drejtim po punojmë dhe jam i bindur që brenda mandatit, do të kemi terminalin e kroçerave që do të jetë një shëmbëlltyrë e bukur e ngjashme, -por sigurisht me një masë më të vogël, -me aeroportin. Do të jetë porti dhe ndalesa e turistëve që sot nuk vijnë dot praktikisht, pra kroçerat nuk ndalojnë dot në Vlore se nuk kanë ku vijnë, nuk kanë ku dalin, nuk kanë ku e zhvillojnë aktivitetin e tyre dhe patjetër që paralelisht shpresojmë që të fillojmë dhe investimin për marinën e Vlorës, në krah të terminalit të krocerave dhe faktikisht si pjesë e zgjerimit të portit.

Përpara disa ditësh, ne fituam një çmim shumë prestigjioz europian, çmimin europian të hapësirës publike më të mirë të ndërtuar në 2017, në Barcelonë, në sheshin Skënderbej, por kishim 3 finalistë në 25, nga gjithë qytetet e Evropës që u morën në konsideratë dhe një ndër tre finalistët ishte dhe Lungomarja, që do të thotë që këto investime të Rilindjes Urbane janë investime që jo vetëm sjellin ekonomi, jo vetëm krijojnë mundësi të mëdha për punësim, sepse vetëm llogarisni çfarë ishte ajo zonë përpara ndërtimit të Lungomares, sa lokale kishte që funksiononin, sa xhiro bënin ato lokale, sa të punësuar kishin dhe shikoni sot se çfarë bëhet atje. Kjo erdhi si rezultat i një projekti që është pjesë e një programi të cilin ne tani po e orientojmë drejt fshatit po ashtu e për të cilin, e keni dëgjuar vetë, “fasada, fasada, palma, palma, pllaka, pllaka”. E vërteta është që nuk është kështu. Është ekonomi, është punësim dhe është imazh i vendit, është transformim i perceptimit për vendin tonë. Një vend që deri përpara disa vitesh nuk prodhonte dot një kartolinë në një qytet. Kartolinat ishin të gjitha me maja malesh me pjesë deti ku nuk dukeshin qytetet. Sot është një vend që ka hyrë në një epokë tjetër.

Sigurisht që ka shumë akoma për të bërë, sigurisht që ka akoma në çdo qytet e në çdo bashki të re, probleme me kanalizime, probleme me ujësjellësa, probleme me rrugë të pashtruara, probleme me ndriçim, probleme me mbetje, patjetër të gjitha këto janë të vërteta, por është po ashtu e vërtetë që ne, duke bërë çfarë kemi bërë, i kemi dhënë vetes një fuqi më shumë për të krijuar më shumë ekonomi, për të pasur më shumë të ardhura, e duke pasur më shumë të ardhura për të investuar më shumë. Kemi investuar në zonën e Vlorës 130 milionë dollarë në katër vjet.

E pa përfytyrueshme katër vjet më parë. Për këtë periudhë, 2018-2020, kemi 57 projekte që do t’i financojë vetëm buxheti i shtetit, pa llogaritur çfarë do financohet nga burimet e tjera. Pa e llogaritur këtu për shembull rrugën e lumit të Vlorës që është një projekt që financohet jo nga buxheti i shtetit, por nga Fondi Kuvajtian i Zhvillimit.

300 qendra shëndetësore do ndërtojmë e rindërtojmë në këto 3 vjet, 80 nga të cilat janë pjesë e planit të këtij viti dhe shumë shpejtë do rindërtojmë dhe do investojmë për të gjitha pajisjet, për standardet më të mira, poliklinikën e specialiteteve në Vlorë e do furnizojmë me pajisje të tjera mjekësore edhe kirurgjinë dhe patologjinë në Sarandë, meqë po flasim këtu për qarkun, edhe pse besoj do më mirëkuptojnë e do ma falni edhe pse u përqendrova kryesisht tek Vlora, ndërkohë që kush do shkojë këtë vit për të bërë plazh në Dhërmi, kush do shkojë për të bërë plazh në Jalë, do shikojë një botë tjetër, krejtësisht ndryshe nga çfarë ishte deri vjet, qoftë plazhi i Dhërmiut e qoftë plazhi i Jalës. Por jam i vetëdijshëm që siç kemi bërë lungomaren, siç kemi bërë këto dy plazhe që janë dy perla të turizmit shqiptar duhet të bëjmë shëtitoren bregdetare të Orikumit – që është një “kandahar” i mbetur atje dhe që është padrejtësisht në fakt i lënë ashtu për shkak se Orikumi ka një potencial shumë të madh, – deri poshtë tek shëtitorja bregdetare e Ksamilit, duke kaluar përmes Borshit, që ta kompletojmë të gjithë zinxhirin e këtyre xhevahireve të bregdetit Jon. Po ku ishte bregdeti Jon deri para 3-4 vitesh? Aty ishte, por ishte copë – copë. Një rrëmujë, me makina, kthyer plazhet në parking dhe njerëzit përveç diellit, detit dhe plazhit, nuk kishin asgjë tjetër. Ndërkohë që, në gjithë këtë zonë, do fillojnë dhe investime të mëdha private për të ndërtuar struktura hotelerie, si në Mal të Zi, si në Kroaci, si në gjithë Mesdheun. Kemi prekur 5 milionë turistë vitin e kaluar, janë shumë për një ekonomi si e jona sot, por janë shumë pak për ekonominë që duam të kemi pas 5 vitesh dhe sfida jonë është t’i bëjmë 10 milionë në 5 vjet dhe ne do t’ia dalim ti bëjmë 10 milionë në 5 vjet vetëm nëse do të kombinojmë të gjithë këto investime sëbashku.

Po ashtu, ka një program të tërë për rindërtimin e shkollave. Në mbyllje, unë dua të ndalem tek programi ynë i ri për agroturizmin e t’ju them të gjithë emigrantëve që kanë lënë shtëpitë në fshat, për të shkuar në Greqi, për të shkuar në Itali e për të shkuar kudo tjetër, që të mendojnë për të investuar kursimet e tyre në shtëpitë që kanë lënë në fshat, sidomos në ato zona ku nuk ka mundësi për një zhvillim intensiv bujqësor, në ato zona ku ka pasur traditë në blegtori, ku ka një natyrë të mrekullueshme dhe ku është e vështirë të mendosh se mund të ndërtosh një bujqësi apo një blegtori që të dalësh në tregun ndërkombëtar apo dhe në tregun vendas po të doni, sepse janë distanca dhe janë kosto që nuk del dot llogaria. Ama në këto zona mund të ndërtohet agroturizëm dhe në vend që njerëzit të jetojnë të izoluar apo ta braktisin vendin përkatës për shkak se ndihen jashtë mundësive për të bërë para e për shkak se komunikimi me qendrën, me tregun, është i vështirë, të bëjnë që të tjerët të vijnë tek ata. Agroturizmi kthen komplet logjikën. Në vend se të prodhosh e të dalësh në treg, tregu vjen tek ti. Janë turistët që vijnë tek ti. Janë vizitorët që vijnë tek ti e për çfarë vijnë? Vijnë për të shijuar bukuritë natyrore ku gjendet bujtina jote, vijnë për të shijuar ushqimet që prodhohen rreth e rrotull në fshatin tënd. Vijnë për të vizituar objekte të trashëgimisë që janë rreth e rrotull në atë zonë, vijnë për të kaluar natën apo javën, sëbashku me fëmijët dhe për të parë edhe jetën e fshatit e të fermës.

Kjo nuk është një imagjinatë dhe një fantazi në hava. Kjo është çka kanë bërë vendet e tjera me shumë sukses dhe kjo është çka kanë filluar të bëjnë me sukses tek-tuk fermerët shqiptarë. Ne duam ta kthejmë këtë tani në një rrugë zhvillimi dhe për këtë, qeveria do të ndihmojë drejtpërdrejtë me para, jo me kredi. Me para në dorë duke bashkëfinancuar projekte për ndërtim bujtinash apo për ndërtim hotelesh rurale deri në 30 shtretër, pra të vegjël, që kanë fermën pranë dhe që kanë kushtet e përcaktuara në tipologjinë e agroturizmit për të marrë certifikatën.

Jo vetëm me buxhetin e qeverisë që ne do të fillojmë që këtë vit që të japim para pa interesa, pa kthim, por në bazë të projekteve, por dhe me buxhetin që kemi marrë nga bashkimi europian, ku janë rreth 90 milionë euro, 11 milionë euro janë vetëm para për familje, për individë apo për sipërmarrës të vegjël që duan të ndërtojnë struktura të tilla. Këto struktura e thyejnë pa kthim varfërinë në fshat. Këto struktura do t’i kthenin çdo emigranti në fund të vitit, më shumë fitim se sa fitimi i gjithë vitit duke punuar aty ku punon, në Greqi apo në Itali apo kudo qoftë. Është një rrugë e re që forcon shumë ofertën tonë turistike sepse edhe njerëzit që vijnë për plazh, do ta kishin një arsye më shumë për të ardhur nëse do të kishin edhe mundësi për të lëvizur brenda territoreve, më thellë, për të shkuar në fshatrat pranë e për të shijuar traditën, për të shijuar mikpritjen, për të shijuar atmosferën në fshat.

Me këto, unë ju falënderoj për durimin se më shikoni në televizor çdo ditë dhe ju siguroj që nëse për Vlorën kemi bërë shumë në katër vite e gjysmë, çfarë do bëjmë në këto 3 vjet e gjysmë që kemi përpara, do jenë shumë më shumë se çfarë kemi bërë në ato katër vite e gjysme që lamë pas.

Faleminderit!