Rritje e kapaciteteve për përpunimin e kromit në Fabrikën e Ferrokromit në Elbasan

Në Fabrikën e Ferrokromit në Elbasan po realizohet investimi i ri 30 milionë dollarë për rritjen e kapaciteteve përpunuese. Kjo, sipas kompanisë, është faza e re e investimeve në fabrikë, çka ka rritur kapacitetet e saj për përpunimin e kromit. Kjo pohohet nga përfaqësuesit e kompanisë gjatë vizitës sot të Kryeministri Edi Rama në Fabrikën e Ferrokromit në Elbasan.

“Me rritjen e kapacitetit jemi deri në 300 mijë ton në vit. Kemi 210 punëtorë. Pagat janë deri në 600 dollarë’, – thotë përfaqësuesi i kompanisë.

Në 7 vitet e fundit janë realizuar 150 milionë dollarë investime dhe 130 milionë të tjera janë në proces. Kjo ka shumëfishuar kapacitetet përpunuese të prodhimit vendas. Falë investimeve për 5 furra të reja, nga vetëm 1 deri para 7 vitesh, sot përpunohen në vend mbi 100.000 ton mineral nga 28.000 që përpunoheshin. Rilindja e sektorit ka ndikuar jo vetëm në rritjen e kapaciteteve përpunuese, por edhe në rritjen e të ardhurave e të pagave për punonjësit e sektorit të kromit. Paga bruto e minatorit të galerisë ka arritur deri në 1450 dollarë, e zjarrmëtarit deri në 1230 dollarë dhe e vagonistit deri në 1020 dollarë.

“Kjo ka qenë sfida e sektorit, – shprehet Kryeministri Rama, – sepse ishte gjendje mesjetare, çfarë merrej nga minierat futej në anije e ikte dhe në raport me vlerën e shtuar që krijon përpunimi, shitej për një copë bukë. Tani, edhe shifra zyrtare është pak a shumë në të njëjtët terma, që kemi arritur të përpunojmë më shumë se gjysmën e prodhimit dhe është vlerë e shtuar. Kjo ka sjellë që pagesat të rriten jashtëzakonisht në këtë periudhë për të gjithë punonjësit në sektor që janë të lidhur me përpunimin. Ambicia është që të mos çojmë asnjë kilogram të papërpunuar. Besoj se kemi bërë politikën e duhur edhe me rentën, pavarësisht se disa nga këta nacionalkomunistët e maskuar si liberalë europianë thonë se renta është për oligarkët, por në fakt, ulja e rentës dhe favorizimi përmes rentës është për sektorin, për ekonominë dhe për të gjithë ata që punojnë. Ka vende të botës madje që e subvencionojnë, japin lekë për prodhimin këtu”.

Investimet në sektor do të vazhdojnë, siguron Kryeministri, derisa të ezaurohet edhe volumi i fundit i prodhimit të papërpunuar në vend.