Shqipëria sot një hap më pranë Bashkimit Europian

Fjala e Kryeministrit Edi Rama pas vendimit të Këshillit Europian:

Të nderuar deputetë,

anëtarë të kabinetit qeveritar!

Dje në mbrëmje është bërë më në fund e mundur çka deri dje në drekë dukej e pamundur. Pas shumë muajsh përpjekje të përditshme, mes dallgëve të ngritura artificialisht nga opozita esadiste shqiptare, e cila nuk la vesh të huaj pa përmbytur me baltën e saj kundër Shqipërisë dhe 72 orësh në det të hapur mes dallgëve të brendshme të një Bashkimi Europian të përfshirë nga presionet brenda shteteve anëtare dhe tensionet mes shteteve anëtare, Shqipëria mori datën e fillimit zyrtar të negociatave për anëtarësim. Bashkë me vendosjen e datës u çel drita jeshile për hyrjen në procesin përgatitor të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.

E dhimbshme, por faktikisht e vërtetë, që teksa ne merrnim telefonatat e urimeve nga miqtë europianë dhe mediat serioze europiane lajmëronin vendimin e Këshillit Europian për hapjen e rrugës së negociatave me Shqipërinë e me Maqedoninë, opozita jonë esadiste dhe mediat e rreshtuara krah saj hidhnin në mexhlis gurët e vulgaritetit të tyre proverbial, për t’iu prishur shqiptarëve fundditën e shumëpritur, pas përpjekjes së lodhshme e të shumëfishtë në të gjithë këtë kohë.

“U shty data, u shty data, sepse Europa refuzoi narkoqeverinë”.

Çfarë vulgariteti!

Çfarë ligësie ndaj vendit të përbashkët!

Çfarë pabesie ndaj atyre shqiptarëve që e duan Europën njësoj si të gjithë të tjerët dhe u kanë besuar këtyre stërnipërve të Esat Pashë Topatanit votën dhe përfaqësimin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë!

Po si mund të shtyhet një datë që nuk është vënë!

Si mund të pranojë Këshilli i shteteve anëtare të Bashkimit Europian të vendosë një datë për çeljen e negociatave brenda 12 muajsh me një vend “të zhytur në krim, në drogë, në korrupsion” dhe të ndezë dritën jeshile për të nisur përgatitjet e procesit të negociatave me një “narkoqeveri”!

Si mund të flitet kështu kaq ligësisht dhe kaq poshtërsisht për vendin tënd dhe si mund të keqtrajtohen kaq brutalisht vetë zgjedhësit e tu, si të ishin një kope qorrash që duhen hedhur në luftë për hesapin e një grushti njerëzish pa fe, pa atdhe, pa din, pa iman!

Sëbashku me Ditmirin, qysh se Shqipëria mori rekomandimin e pastër për çeljen e negociatave nga Komisioni Europian dhe çështja kaloi nga niveli i objektivitetit teknik në nivelin e subjektivitetit politik të shteteve anëtare, na është dashur të kryejmë një numër rekord, besoj, komunikimesh me nivelet më të larta me shtetet anëtare. Kemi parë dhe dëgjuar edhe gjëra që askush nuk do t’i besonte dhe më besoni, nëse do shkruaja vazhdimin e “Kurbanit” me këtë temë, mund të dilnin dy volume me titujt “Europë mu bëfsh kurban” dhe “Europë t’u bëfsha kurban”.

Por asnjë kulminacion befasues në këto volume nuk do ta kapërcente dot kulmin e kulmeve të kësaj historie, qoftë për ne, qoftë për miqtë tanë europiane, të cilët na pyesnin të çuditur, të hutuar, nganjëherë të shastisur, po si ka mundësi që opozita juaj ta dojë me kaq pasion bllokimin e Shqipërisë dhe mos çeljen e negociatave?!

Po si ka mundësi që opozita juaj të bëjë këtë që nuk e ka bërë asnjë opozitë në asnjë vend që ka kaluar më parë nga ky proces?!

Po si ka mundësi që opozita juaj të paguajë media në vendet tona, për të shpërfytyruar vendin tuaj në sytë e opinionit tonë publik dhe të mos lërë deputet kundër zgjerimit të Europës pa kapur për krahu në parlamentet tona, për të ndërsyer kë të mundet kundër qeverive në ato vende ku ka më shumë erëra antieuropiane?!

E pra, si ka mundësi!

Si ka mundësi!

Dhe ja që, për dreqin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, jo vetëm ka mundësi, por kjo është mundësia e vetme me këtë opozitë që në frymë ka Esat Pashën, në germë ka Sali Efendiun dhe në fytyrë ka Babale Veliun. Tamam si një mallkim që na ka ndjekur nga mbrapa, rrugë më rrugë, korridor më korridor, derë më derë, bisedë më bisedë, nga kryeqyteti në kryeqytet, nga takimi në takim, nga telefonata në telefonatë, por që në fund të fundit ka ndihmuar të kuptohen edhe më mirë hallet tona të brendshme në rrugën e reformave, të vlerësohen edhe më shumë arritjet tona falë reformave dhe të merret vesh edhe më qartë nevoja e Shqipërisë për ta mbështetur vazhdimin e reformave me një kalendar të qartë veprimi dhe me një datë të vendosur në kalendar, qeverinë tonë reformiste, e cila Europën nuk e ka çarçaf në gojë, por e ka flamur në veprim.

E për këdo që nuk e di, dua ta ritheksoj dhe dua ta ritheksojmë të gjithë në vijim, se data për çeljen e negociatave në Këshillin e shteteve anëtare të Bashkimit Europian nuk është asnjëherë imediate pas rekomandimit pozitiv, por ka gjithmonë një hapësirë kohore në mes, e cila ka lidhje të drejtpërdrejtë me politikën e brendshme të vendeve anëtare dhe konsensusin e domosdoshëm mes tyre, si i vetmi mekanizëm vendimmarrës në Këshillin Europian.

Ky ka qenë dhe thelbi i debatit shumë të ndërlikur dhe shumë të tensionuar, madje, për 72 orë rreth mes 25 vendeve që u rreshtuan në krah të Shqipërisë dhe të Maqedonisë, duke kërkuar madje një datë imediate, por me synimin për të arritur në fund, aplikimin e precedentëve të Serbisë dhe të Malit të Zi, në të dy rastet, data e çeljes së negociatave është vendosur me afat kohor në mes dhe 3 vendet e tjera, të cilat për 70 orë me radhë e refuzuan vendosjen e një date, duke e çuar në ceknodë të gjithë procesin.

Vendosja më në fund e datës, në 12 muaj nga sot, si dhe drita jeshile për të nisur përgatitjet për negociatat me Komisionin Europian është absolutisht një zgjidhje optimale kompromisi, e cila e blindon përfundimisht perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë, jo me fjalë të përgjithshme, sado të bukura, për progresin, por me një kalendar të miratuar nga Këshilli Europian. Fiks e njëjta gjë dhe me të njëjta afate nga sot deri te data u bë dhe për Maqedoninë fqinje dhe mike.

E gjitha, pra, rrodhi krejt ndryshe, totalisht ndryshe nga baltologjia e efendilerëve esadistë të opozitës sonë, të cilët për 72 orë rresht u ranë daulleve për rrebeshin e zi mbi Shqipërinë dhe trumbetave të ndarjes së Maqedonisë më vete për çelje imediate negociatash, pa dashur t’ia dinë fare për faktin se Shqipëria kërcënohej nga një poshtërim ndërkombëtar, sepse i tillë do të ishte qoftë varianti pa datë, apo qoftë varianti i kalendarit të ndarë mes dy vendeve.

Të paudhët e shtëpisë tonë, jo vetëm e sulmonin opinionin publik me tym e me baltë, gjoja nga burime të besuara, por nuk fshihnin dot as gëzimin për këtë paudhësi të pakomentueshme që bënin.

Po tani?

A ka ndonjë shqiptar me sytë në ballë që do të shikojë, me veshët në vend që do të dëgjojë dhe me kokën mbi shpatulla që do të mendojë dhe që akoma nuk e kupton se çfarë është arritur me një stërmundim diplomatik dhe falë edhe betejës së miqve tanë të shumtë në Bruksel, por edhe respektit të vetë miqve francezë dhe holandezë, të cilët, pavarësisht pozicionit të tyre të ngurtë, pranuan nga kontaktet e para fare deri në minutën e fundit dje të dëgjonin, të ridëgjonin, të stërdëgjonin argumentet tona, derisa në fund e njohën meritën tonë, duke u bërë pjesë e zgjidhjes, pavarësisht halleve të tyre të brendshme dhe qasjes së tyre që është faktikisht e ndryshme ndaj procesit të zgjerimit, krahasuar me të tjerët?

A ka shqiptar me dy fije mend që mund të vazhdojë të mbyllë sytë e veshët ndaj faktit kokëfortë të kësaj fitoreje kombëtare, politike dhe diplomatike të së ardhmes mbi të shkuarën dhe të vijojë t’u besojë dokrrave, dokrrave të hinit, kur thoshte At Gjergj Fishta, të hinit esadist të opozitës sonë?

A ka njeri normal që realisht nuk e kupton se ne mund të kritikohemi, sa të duash, për shumë gjëra që mund, duhet dhe do t’i bëjmë më mirë, por që, për ne, shtetbërja europiane e Shqipërisë nuk është slogan, por vizion, nuk është fjalë goje, por program, nuk është një shtytje ku rafsha mos u vrafsha, por është një betejë e përditshme me të shkuarën, përgjatë të cilës s’ka vetëm ngritje, por ka dhe rrëzime, s’ka vetëm arritje, ka dhe gabime, s’ka vetëm përballje të fituara, por dhe ballafaqime të humbura në një realitet të rëndë, të trashëguar, në një Shqipëri në kërkim të vazhdueshëm të rifitimit të kohës së humbur?

Data u vendos në qershorin e ardhshëm, kur Shqipëria ta ketë kryer të gjithë punën përgatitore, e cila do të nisë menjëherë. Në korrik do të vijë këtu ekipi i Komisionit Europian për punë përgatitore, por dhe kur të jenë mbyllur zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin e ri Europian, të cilat ishin pengesë, jo e vogël politike, për një datë më të afërt sesa kjo.

Por fakti është se as Shqipëria dhe as Maqedonia nuk humbasin asnjë ditë me këtë zgjidhje, sepse kjo zgjidhje nuk na humbet 12 muaj, por na jep 12 muaj kohë për të thelluar zbatimin e reformave tona dhe për të hedhur të gjitha hapat detyrues të fazës përgatitore të negociatave, që do të duheshin hedhur edhe sikur hipotetikisht data të ishte sot.

Dy fjalë për kushtet e trumbetuara me zhurmë të madhe nga efendilerët esadistë, sikur ishin thela të reja mbi bishtin e vjetër imagjinar të dështimit, që aq shumë e dëshironin, por që për fatin e mirë të Shqipërisë dhe për turpin e tyre mbeti thjesht dështimi i tyre politik dhe moral, një dështim që edhe sot, edhe në vijim vazhdon dhe do vazhdojë të ushqejë propagandën e shëmtuar të mllefit dhe të baltës, që, po ta shikoni, i ngjan tamam siç ngjajnë dy pika uji, propagandës paszgjedhore ku fitorja jonë etiketohej si humbje dhe humbja e tyre vishej me rrobat e viktimës imagjinare.

E vërteta është se nuk ka kushte të reja për të marrë datën e negociatave, por ka një datë për çeljen e negociatave, si një afat drejt të cilit si Shqipëria dhe si Maqedonia janë të kushtëzuara me vijimin reformave, tanimë të ndërmarra dhe me thellimin e zbatimit që tanimë ka nisur. Asgjë më normale sesa kjo nuk mund të kishte dhe nuk mund të ketë në një proces si ky i anëtarësimit europian, ku gjithçka, jo sot, jo deri në datën e hapjes së negociatave, por deri në hapin e fundit përpara firmës së anëtarësimit, është e lidhur me përmbushje kushtesh për të qenë një shtet i denjë anëtar i Bashkimit Europian.

Të gjitha kushtëzimet e kësaj faze janë, as më shumë e as më pak sesa çfarë ne duhet dhe do bënim si me datë, si pa datë për fillimin e negociatave. Sepse, si me datë, si pa datë, vettingu do të vazhdonte pa pushim e pa luhatje, si një rrugë e re pa kthim, për të pastruar llumin më shumë se çerekshekullor në pallatin e drejtësisë.

Si me datë, si pa datë, SPAK-u dhe Byroja Kombëtare e Hetimit do të ngrihej pa diskutim dhe pa ngurrim,  sepse janë kërkesë e ligjit tanimë të miratuar.

Si me datë, si pa datë, beteja për shtetbërjen europiane të Shqipërisë do të vijonte çdo ditë për forcimin e rendit ligjor, në radhë të parë dhe në çdo aspekt, që nga fillimi i luftës kundër krimit dhe korrupsionit e deri tek goditja e mëtejshme e fenomenit të azilkërkimit të paligjshëm, të gjitha gjëra që kanë nisur dhe janë përditë në rendin e ditës së punës sonë.

E së fundi, kjo po, kërkesa për të adresuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në ligjin zgjedhor, jo vetëm që na gjen dakord, por na vjen si dhuratë nga qielli, me thënë të drejtën, se tanimë opozita nuk do të mund luajë më kukafshehti me këtë temë kaq të rëndësishme, duke shpikur për konsum politik kërkesa jashtë kornizës së rekomandimeve dhe duke refuzuar, p.sh., një kërkesë të lashtë, thelbësore të OSBE/ODIHR për depolitizimin e komisioneve zgjedhore.

Ja pra, është e thjeshtë fare, ne duhet të zbatojmë programin tonë të vitit të dytë të mandatit, që në aspektin e objektivave të integrimit është plotësisht i përputhur me detyrimet ndaj Bashkimit Europian në 12 mujorin e ardhshëm.

Çka nuk do të jetë e thjeshtë padyshim është pjesa tjetër, pjesa jonë e brendshme që ka të bëjë me funksionimin sahat të rrjetit të negociatorëve në këtë vit të plotë përgatitor për tryezën e negociatave. Po për këtë, sëbashku me ministrin dhe zëvendësministrin përgjegjës që do të drejtojë gjithë procesin teknik, ne do të kemi pasnesër një takim të zgjeruar në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Të dashur miq  dhe të nderuar kolegë,

Më lejoni që në emrin tuaj dhe të gjithë qytetarëve tanë sot të shpreh mirënjohjen dhe të adresoj falënderimet  e këtij rasti  kaq të posaçëm,  për miqtë e mëdhenj që na ndihmuan kaq shumë, në këtë moment kaq vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë. Sepse unë e di më mirë se kushdo tjetër, siç e di dhe Ditmiri, me të cilin këto muaj kemi konsumuar një numër marramendës takimesh, bisedash dhe mesazhesh në gjuhë të huaj, – së fundmi kemi gdhirë nja tre net në telefon, duke konsultuar çdo orë për komunikimet e orëve në vijim, -por duhet ta dini dhe ju të gjithë dhe të gjithë të tjerët, se pa miqtë që ju gjenden Shqipërisë shumë pranë, sidomos në betejën e 72 orëve që i paraprinë zgjidhjes, vendi ynë do të kishte mbetur në det të hapur, në mëshirën e erërave kundër zgjerimit të Europës, në disa vende kyçe për vetë Europën.

E nëse do të mbeteshim pa datë ankorimi këtë herë, një Zot e di se si dhe kur do të rikthehej  në tryezën e shteteve anëtare mundësia e dytë për një datë, pas një 12 mujori ku Bashkimi Europian duhet të sprovohet në stuhinë e zgjedhjeve të reja për europarlamentin.

Është vërtetë, jo sepse duhet thënë falja e rastit, por është vërtetë me shumë kënaqësi dhe jo pa emocion e shkrova këtë pjesë të fjalës, sepse realisht jam ndjerë shumë mirë, duke përjetuar faktin se Shqipëria ka rigjetur shumë miq të vërtetë e ka bërë disa miq të vërtetë në këtë periudhë.

Miq, të cilët nuk u mjaftuan me fjalët e mira, apo një mbështetje parimore, por që luftuan me këmbëngulje për të mos e lënë anijen tonë pa një datë ankorimi në portin e negociatave për anëtarësim. Miq të vjetër e miq të rinj, të cilëve u jam dhe u jemi thellësisht mirënjohjesh dhe falenderues. Që nga Kancelarja Merkel, e cila – sot mund ta them, – ma bëri të qartë që në takimin tonë në Berlin se do të jenë muaj të vështirë e ajo do të ishte në krahun tonë për çeljen e negociatave e deri tek Presidenti Makron, – edhe këtë sot mund ta tregoj, – ma tha troç, që në takimin e parë në Paris, se për të ishte tejet e vështirë të thoshte “Po” për një datë për arsye të qarta, të mirëkuptueshme, që nuk lidheshin me Shqipërinë. Por njëkohësisht më premtoi ama, se në respekt të reformave mbresëlënëse të qeverisë sonë do të mendohej për mundësinë e një zgjidhjeje pozitive.

Kam kënaqësinë të shtoj këtu, nëse diçka e paparashikueshme nuk do ndodhë, këtë vjeshtë, Shqipërinë do ta vizitojë për herë të parë një president i Francës dhe jam i bindur se, pasi ta shohë me sytë e tij këtë vend, lidhja jonë do të bëhet më e fortë dhe roli i Francës në ecurinë pozitive të Shqipërisë dhe të Ballkanit do të rritet.

Kështu ndodhi në fakt me Kryeministrin belg, Charles Michel, të cilit i detyrohem një falenderim të veçantë, sepse erdhi në Shqipëri si një dashamirës disi i dyzuar, dyshues për qëndrimin lidhur me “datë, jo datë” dhe pas vizitës, befasuese, – janë fjalët e tij, – për të në Tiranë, ai ishte një nga zërat më të fortë në mbrojtjen e idesë se Shqipërisë duhet t’i jepet me patjetër data.

Kështu do ndodhë, unë jam i bindur, edhe me Kryeministrin Mark Rutte, një mik me të cilin kemi pasur debate të forta, por që ka qenë gjithmonë respektplotë ndaj përpjekjeve dhe arritjeve tona dhe në fund nuk e ka vënë veton e shumëpërfolur bllokuese të Holandës, por është bërë pjesë e zgjidhjes pozitive dhe prandaj, duke ia njohur mirë dinamikat e brendshme në vendin e tij, por dhe idetë e tij disi të veçanta për Europën, e falenderoj shumë sinqerisht për sforcon shumë të dobishme që bëri në favor të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

Në ndërkohë, nuk e ekzagjeroj aspak, duke i thënë se është vërtetë e vështirë, mua më rezulton vërtetë e vështirë të gjej të gjitha fjalët e duhura për të falënderuar fqinjët dhe miqtë tanë grekë dhe italianë. Qeveritë e tyre, jo thjesht na mbështetën, por realisht na përfaqësuan në mungesë me të gjithë fuqinë e njohjes së veçantë për rajonin dhe me gjithë forcën e një miqësie të ripërtërirë, qoftë pas periudhës së vështirë të marrëdhënieve mes nesh dhe Greqisë, qoftë pas ndryshimit radikal që solli qeverinë e re në Itali.

Prandaj nuk është aspak pa vend, por është me detyrim mirënjohja për ministrat Kotzias dhe Moavero, të cilët bënë për Shqipërinë dhe Maqedoninë në Këshillin e Ministrave të Këshillit Europian, asgjë më pak sesa do kishin bërë dy ministrat tanë të Jashtëm.

Një faleminderit nga zemra Kryeministrit Tsipras dhe Kryeministrit Konte, me të cilët mezi pres të takohem që t;i falenderoj edhe sy më sy.

Është vërtetë e gjatë lista e miqve që na mbështetën. Të gjithëve do t’ju dërgojmë letra të veçanta falënderimi, që nga Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, një polak mendjendritur që e kupton thellësisht se sa e rëndësishme është Europa për vendet e Ballkanit, por dhe se sa i rëndësishëm është Ballkani për Europën e Bashkuar e me radhë, nga Kryeministri Borisov dhe presidenca bullgare, Kryeministri i Suedisë dhe kryeministrat e vendeve të Vishegradit dhe kryeministrat e vendeve baltike dhe deri tek ata të Spanjës dhe të Portugalisë, tek i fundit.

Me këtë rast u doli boja, por fare, edhe broçkullave të firmosje së shitjes së detit, apo të kampit fantazmagorik me 600 000 sirianë, për të marrë datën për negociatat. Broçkulla që mund t’i krijojnë vetëm mendjet e përdala të atyre që edhe Europën e dinë si klubin e pazareve me Babalen dhe me aktorët e maskaradave si ajo e Babales.

Patjetër që nuk e harrova Federica Mogherinin, shefen e diplomacisë europiane dhe komisionerin Johanes Hahn, siç nuk harrova dhe Presidentin e Komisionit, Jean Claude Juncker, por me ta kemi qenë në të njëjtën anë të barrikadës që pas daljes së rekomandimit pozitiv dhe si të thuash, është paksa si të falenderosh veten në këtë rast.

Mirënjohje për ta, bashkë me ndjesën për të gjitha peripecitë që kaluan për ta bërë të mundur atë që deri dje në drekë, realisht dukej krejt e pamundur.

Shumë faleminderit ambasadores Romana Vlahutin, bashkë me Delegacionin e BE-së në Tiranë, bashkë me ndjesën për gjithçka asaj i është dashur të dëgjojë në adresën e saj nga foltoret dhe gojtoret e efendilerëve esadistë të Shqipërisë.

Një rol tejet të veçantë dhe prandaj edhe meriton një paragraf të veçantë, ka pasur edhe Austria dhe qeveria austriake, miq të vjetër e të palëkundur e asnjëherë të munguar të Shqipërisë e padyshim, edhe Kancelari. Jam i bindur që me presidencën e re austriake do të bëjmë progres të rëndësishëm e jam po ashtu i bindur që falë presidencës austriake do të thellojmë në mënyrë të konsiderueshme rrugën e progresit në bashkëpunimin rajonal.

Në fund, por jo për nga rëndësia, shumë faleminderit dy miqve të paepur, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, dy europianë që bënë gjithçka mundën për Shqipërinë, si dhe gjithë europarlamentarëve që firmosën letrën e mbështetjes për çeljen e negociatave, paçka se ju shkoi dëm, në fakt, leksioni konkret europian i bashkimit të së majtës dhe të djathtës për një çështje më të madhe sesa dasitë mes kampeve politike. U bashkuan të majtët e të djathtët në Bruksel për Shqipërinë, ndërsa të djathtët e Shqipërisë i ranë rrugës qorre të Esat Pashë Toptanit.

Faleminderit miqve tanë socialdemokratë të qeverisë së koalicionit të madh në Gjermani, posaçërisht Sekretarit të Shtetit Michael Roth, si dhe reporterit të SPD, Metin Hakverdi. Faleminderit miku tonë të ri, por mik besnik i Shqipërisë, David McAllister, një figurë e spikatur e partisë së Kancelares, që na ndihmoi pa masë si dhe atyre plot miqve të rinj që halli na solli fatin t’i bëjmë miq në grupin parlamentar të CDU-së dhe CSU-së, të cilët u treguan shumë të hapur dhe shumë të sinqertë në dëshirën për ta njohur nga afër Shqipërinë dhe falë takimeve në Berlin e vizitave në Shqipëri, ndikuan shumë pozitivisht në debatin brenda grupit. Edhe një tjetër miku të mirë, raportuesit të të Gjelbërve në Bundestag,  Manuel Sarrasin, shumë faleminderit.

Me këto falënderime, shpresoj shumë që të mos kem harruar nga lodhja dhe krejt pa dashje ndokënd, mbyllet dhe kremtimi ynë i kësaj arritjeje të shënuar, që për një rastësi fatlume përkon me Vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut dhe e pasuron kalendarin e Vitit me lajmin e shumëpritur të vendosjes së datës për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Një punë edhe më e madhe na pret, jo vetëm sepse nuk është fundi, por është fillimi i një tjetër pjese të rrugës së re dhe të vështirë, por edhe sepse ne duam ta përshpejtojmë dhe çojmë deri në fund këtë rrugë dhe ma mbani mend mirë këtë që po them, ishim ne që e bëmë Shqipërinë vend kandidat për Bashkimin Europian. Jemi ne që po hapim negociatat me Bashkimin Europian dhe do jemi ne, ata që do ta bëjmë Shqipërinë shtet të denjë europian dhe gati për anëtarësimin në familjen e bashkuar europiane, jo se jemi më të mirët, por më të mirë as kemi parë e as duken kund në horizontin e kësaj rruge, që është vërtetë jo e shkurtër.

Faleminderit të gjithëve ju dhe gjithë shqiptarëve që na besuan udhëheqjen e Shqipërisë në këtë fazë delikate dhe vendimtare për të ardhmen e fëmijëve të këtij vendi.

Shumë faleminderit!