Investimet në turizëm vetëm 6% TVSH

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin me operatorët turistikë në Durrës:

Shumë faleminderit të gjithëve për praninë tuaj! E vlerësoj shumë që jeni shkëputur nga puna.

Ne kemi një rritje të konsiderueshme të formalizmit të ekonomisë dhe të transaksioneve që bëhen në strukturat e mikpritjes. Marrja e kuptonit sot është shumë më e pranishme sesa ishte. Natyrisht që ka ende boshllëqe që duhen mbushur dhe ne jemi duke u përgatitur për një inovacion të rëndësishëm teknologjik në funksion të biznesit të formalizuar dhe për të formalizuar më tutje biznesin, bazuar në një model shumë të suksesshëm në Kroaci e në një sërë vendesh të rajonit. Ministria e Financave po punon intensivisht për këtë program, i cili do t’iu vihet në dispozicion të gjithë bizneseve, për të mundësuar atë që ne akoma nuk e kemi sot, regjistrimin online të çdo transaksioni në kohë reale.

Sot, ne regjistrojmë xhiron ditore përmes kasave fiskale, ndërkohë që regjistrimi në kohë reale i çdo transaksioni është një domosdoshmëri dhe teknologjia e re na e jep këtë mundësi, duke i lehtësuar shumë kompanitë e bizneset nga barra e rëndë e mirëmbajtjes së kasave.

Besoj se ju jeni pjesë e biznesit të madh tani, sepse me siguri keni një xhiro që i kalon 80 milionë të vjetra në vit. Nuk e di a i kaloni 140 milionë lekë të vjetra, por ajo që ne kemi bërë gati është një masë jashtëzakonisht lehtësuese për të gjitha bizneset deri në 140 milionë lekë xhiro në vit, të cilat janë praktikisht 91% e të gjitha bizneseve në Shqipëri, aty ku faktikisht është kufiri real mes më të vegjëlve dhe të mëdhenjve fare dhe për të gjithë këto biznese do të bëjmë një ulje trefish të taksës. Që do të thotë se do të kalojmë nga 15% në vetëm 5% të Tatim – fitimit, gjë që do t’u japë mundësi bizneseve të vogla të ndahen nga gënjeshtra shumë e shumë vjeçare me xhiron dhe të mos e kenë më stresin që po thamë të vërtetën dhe po dolëm mbi 80 milionë na kap 15%-shi i Tatim – fitimit, por përkundrazi të punojnë pa sekëlldi, të mos i tremben më inspektimeve tatimore, të mos bëjnë më kukafshehthi me shtetin. Njëkohësisht, shteti nga ana e vet të jetë një partner në një aleancë ku do të jetë shumë më e lehtë të adresojmë atë problem që ngritët ju, të formalizimit më të thellë të të gjithë këtij aktiviteti.

Ne jemi në mbështete të plotë të sektorit. Jemi të gatshëm të bëjmë edhe më shumë, nëse ju do të na ndihmoni për të kuptuar çfarë mund të bëjmë më shumë. Unë dua të theksoj se ardhja e turistëve skandinavë është shprehja më kuptimplotë e transformimit që po ndodh. E një transformimi që ka nisur vetëm pak vite më parë, sepse ju e dini shumë mirë ku ishim pak vite më parë. Ishim në një vend ku këtu, në zemër të potencialit turistik të vendit, ujërat e zeza derdheshin në det. Kjo zonë ku jemi sot e ku aktualisht kemi përpara syve një panoramë që nuk ka absolutisht asnjë dallim nga panorama që të shikojnë sytë në Mesdheun turistik, ishte kënetë ku të vetmit turistë gjithëvjetorë ishin leshterikët deri këtu dhe disa rrënoja që nuk afrohej njeri. Ja sesi është transformuar sot, falë bashkëpunimit me Bashkinë e Durrësit, e cila nën drejtimin e Vangjushit ka bërë jashtëzakonisht shumë, por ka bërë shumë më tepër qysh se ne erdhëm në qeveri dhe e kthyem turizmin nga një parullë bosh në një investim strategjik në politikën tonë.

Sot jo vetëm që nuk derdhen më ujërat e zeza në det përgjatë bregdetit të Durrësit, por po bëhet investimi i shumë kërkuar i shumë pritur i shumë premtuar dhe asnjëherë i realizuar për ujësjellësin. Është një investim i madh që vazhdon dhe që ka filluar qysh tani të japë me fakte rezultate në furnizimin me ujë të pijshëm të të gjithë kësaj zone që ka qenë me etje historikisht.

Unë besoj që është shumë e rëndësishme që ne të vazhdojmë dhe unë jam i bindur që kjo do të shtohet në listën e arsyeve që ju promovoni për të sjellë turistët në Shqipëri, të vazhdojmë me agroturizmin. Ka një potencial të jashtëzakonshëm për të zhvilluar agroturizmin në të gjithë pjesën rurale të Bashkisë së re të Durrësit, ka mundësi fantastike që ne duam t’i shfrytëzojmë, për t’iu dhënë një shans atyre që nuk e kanë shtëpinë buzë detit, nuk mund të ndërtojnë hotele buzë detit, nuk kanë mundësi dhe akses në tregun bujqësor për shkak të pozicioneve gjeografike të vështira, por ku kanë në dispozicion një bukuri të jashtëzakonshme, ku kanë në dispozicion edhe një traditë të bukur, që mund ta kthejnë në një traditë mikpritjeje, të bazuar tek suksesi dhe tek fitimi.

Për këtë arsye, ne nuk do reshtim së promovuari agroturizmin, nuk do reshtim së thëni njerëzve që jetojnë në fshat se mundësia juaj nuk është vetëm një, të prodhoni dhe të nxirrni në treg, sepse jo kudo kjo mund të bëhet dhe jo kudo kostot për ta bërë këtë justifikojnë mundimin, por është edhe mundësia tjetër, që në vend se ju të rropateni për të nxjerrë një trastë me domate në rrugë për ta shitur, ju të investoheni me mbështetjen tonë që turistët të vijnë tek ju. Turizmi dihet është eksport dhe në pamundësi për të eksportuar fruta dhe perime, eksportohet mikpritje dhe shija e turizmit.

Ne po shohim një transformim të madh në qasje dhe në interesim përsa i përket hoteleve me 4 dhe 5  yje, pasi kemi marrë masat e rëndësishme legjislative që na bëjnë një vend me konkurrueshmëri të lartë në rajon sa i përket avantazheve.

Shumëkush e keqkupton sepse dëgjon propagandën çorientuese, sikur këto investime dhe këto lehtësira bëhen për të pasurit. Në fakt, këtu në këtë investim, që unë shpresoj të akreditohet ndërkombëtarisht me të 5 yjet që meriton, jemi në një truall ku kishte një godinë të rrënuar, me disa njerëz pa shpresë. Sot, këtu janë 60 të punësuar dhe 15 vende të lira pune të të gjitha kategorive, përveçse hoteli është i mbushur me turistë të huaj, të cilët shpenzojnë përditë dhe fiton sipërmarrësi, fiton edhe shteti. Hotelet me 4-5 yje na sjellin një numër turistësh që është shumë i vogël në to, sesa numri i turistëve që janë në nivelet e tjera, por që harxhojnë shumë më tepër para. Para që mbeten këtu, para që do të ndikojnë detyrimisht në rritjen e rrogave dhe në rritjen e punësimit real me rroga më të larta, haps pas hapi. Kjo është logjika.

Ashtu sikundër kjo është logjika, pse për agroturizmin kemi vendosur të bëjmë të njëjtin trajtim si për hotelet me 4 dhe 5 yje, duke e ulur TVSH-në në vetëm 6%, duke e lënë Tatim-fitimin në vetëm 5% dhe jo në 15%, duke hequr çdo taksë tjetër mbi lejen e ndërtimit e kështu me radhë, sepse e dimë shumë mirë që është ana tjetër e medaljes, pra, njerëzit mund të dalin nga varfëria.

Thënë këto, ne po hapim një rrugë për të kanalizuar paratë e emigrantëve në ekonominë shqiptare. Ka një numër të panumërt emigrantësh nga zonat rurale të Shqipërisë që janë në Greqi, në Itali, Gjermani, Zvicër, Holandë, Angli, të cilët vazhdojnë rropaten ditë për ditë dhe kursejnë ditë për ditë për të ndihmuar familjen, apo për të garantuar të ardhmen. Unë jam i bindur që secili nga këta emigrantë, që do i bjerë lapsit dhe kursimet e veta do t’i investojë te shtëpia e babait në fshat, për të bërë një agroturizëm, mund të qëndrojë atje, të vazhdojë të punojë, por do të ketë të ardhura në vit nga ky investim më tepër, seç ka të ardhura në vit nga puna atje për llogari të dikujt tjetër.

Deri sot, kjo teorikisht ishte e bukur, por praktikisht ishte e vështirë. Me 20% TVSH, me Tatim-fitimin 15% dhe me të gjitha vështirësitë e tjera, plus, edhe me një turizëm banal, që zhvillohej me bukë me vete dhe thjesht duke i besuar diellit e detit dhe me ujërat e zeza që kalonin nën këmbë, kjo nuk mund të ishte një arsye për emigrantët që të mendonin seriozisht investimet e tyre në Shqipëri.

Sot, e gjithë kjo kornizë ka ndryshuar. Gjithkush që do investojë në agroturizëm do përfitojë nga i gjithë ky numër i madh turistësh që vijnë për të shijuar bregdetin, por që në darkë, siç ndodh në të gjitha vendet e Mesdhut, preferojnë të marrin makinën dhe të shkojnë diku 30 minuta, 40 apo 60 minuta larg, në një zonë ku është më fresk dhe ku njihen me traditën, ushqimet dhe karakteristikat e zonës përmes agroturizmit.

Nesër kemi një takim me një grup investitorësh, të bërë bashkë nga ministri, që vijnë nga shumë vende dhe që kanë shprehur interes të drejtpërdrejtë për të ndërtuar hotele me 5 yje në Shqipëri, për të sjellë  firmat e mëdha që pastaj ndryshojnë përfundimisht imazhin e vendit, në raport me sigurinë, në raport me cilësinë e shërbimeve, që Shqipëria i ka në fakt.

Shqipëria është nga vendet më të sigurta, po të shikosh shifrat dhe po të dëgjosh dëshmitë e atyre që vijnë. Më prezantoi Vangjushi më parë me dy turistë norvegjezë, të cilët për të tretën herë vijnë në Shqipëri dhe folën shumë thjeshtë, vend me siguri të plotë, vend me çmime të lira, vend me mikpritje fantastike. Mirëpo imazhi është ende që po të vish në Shqipëri, mund të lësh lëkurën këtu. E prandaj gjithkush që vjen habitet, sepse gjen një gjë komplet ndryshe nga ato që  i kanë thënë. Këtë e kam dëgjuar edhe nga deputetët që vijnë për të verifikuar fakte, – delegacione dhe vizita që ata i quajnë vizita pune, por që në fakt janë vizita të mirëfillta turistike, se nuk kanë çfarë vërtetojnë për një ditë që rrinë, – të cilët po habiten.

Përpara disa muajsh, një turist politik erdhi në Shqipëri dhe nuk dilte nga salla VIP e aeroportit, sepse thoshte dua roje me pushkë dhe makinë të blinduar. 40 minuta debat. Në fund i thanë se nuk e ofrojmë këtë shërbim, pra, roje me pushkë, i kemi me revole, po deshe ik. Hyri dhe të nesërmen ka ardhur më ka takuar dhe më tha, unë dua të të kërkoj ndjesë, sepse e kam imagjinuar Shqipërinë 100 % ndryshe nga kjo që shoh.

Është e vështirë për ta ndryshuar këtë imazh vetëm nëpërmjet njerëzve që vijnë dhe e shohin vetë, por kur në Shqipëri të jenë ngritur hotelet me 5 yje, me emra që i gjen në të gjithë Mesdheun, atëherë ajo flet vetë, njësoj siç foli dhe flet sot e gjithë ditën për Malin e Zi.

Mali i Zi ishte delja e zezë e gazetave dhe e mediave në vitet ’90-të, të cilat flisnin për  trafiqet, kontrabandën, krimin, etj.. Sot është një vend për të cilin flitet mirë e bukur, pavarësisht se po të vijnë tek problemet që tani na i thonë ne, i ka dhe Mali i Zi, i kanë dhe të tjerët në rajon, i ka dhe Italia, i kanë dhe vende të tjera. Disa i kanë dhe më shumë,  i kanë dhe më keq, por askush nuk merret me këtë, kur vjen puna tek Mali i Zi, sepse Mali i Zi ndoqi një politikë shumë largpamëse, me shumë durim, me shumë mundim dhe sakrifica dhe sot ka dalë në një kategori tjetër.

Por çfarë ka Mali i Zi më shumë se ne? Asgjë nuk ka më shumë, përveçse ka pasur në krye për 20 e ca vjet, një burrë shumë të madh për atë vend, me një vizion dhe një vendosmëri unikale.

Ne po hedhim hapat e parë në një fazë të re. Hapat e parë janë hedhur me kohë, por këto janë hapat e parë në një fazë  të re. E më vjen shumë mirë që ne kemi një sistem të ngritur jo nga shteti, as nga qeveria, por nga talenti dhe guximi i njerëzve si zonja këtu, që sot e takoj për herë të parë dhe do të isha shumë i lumtur, nëse do të donte vendin tim dhe do t’ia liroja me shumë respekt, në kuptimin më të mirë të fjalës, sepse njerëz të tillë janë njerëz të rrallë, që thjesht me forcat e tyre arrijnë të tregojnë se çfarë mund të bëhet në këtë vend, në qoftë se nuk qahesh gjithë ditën, nuk pret gjithë ditën që të vijë shteti dhe t’i zgjidhë të gjithë problemet. Por edhe plot të tjerë si zotëria që foli përpara, që janë arsye e madhe për të kuptuar që në Shqipëri, çdokush që do të bëjë sukses dhe është i gatshëm që të paguajë me energji, me durim, me sakrifica për suksesin, e bën suksesin. E po ashtu janë një burim i madh frymëzimi për mua, sepse, nëse arrin një grua, duke mos qenë askush, jo të bëhet dikush, por të bëhet një dikush që sjell 90 mijë turistë vetëm me sistemin e vet këtu në Shqipëri, atëherë dhe Shqipëria mund të arrijë të bëhet vendi që të sjellë këtu 10 milionë turistë në 5 vitet e ardhshme.

Kemi arritur 5 milionë, duhet të shkojmë në 10 milionë në 5 vjet. Por 10 milionë turistë në 5 vjet do të thotë një ndryshim rrënjësor i fuqisë ekonomike të vendit, një ndryshim rrënjësor që të reflektohet tek ekonomia e familjeve që punojnë dhe që përmes punës meritojnë të marrin paga shumë më të larta se këto që marrin, të marrin fitime shumë më të mëdha se këto që marrin.

Të gjitha këto kërkojnë vizion, kërkojnë reforma, kërkojnë këmbëngulje dhe durim dhe nuk bëhen sa hap e mbyll sytë. Unë e di që durimi është malli më i shtrenjtë sot në Shqipëri. Të gjesh durimin dhe të kesh durim është gjëja më e vështirë, sepse kanë kaluar shumë vite duke pritur dhe duke besuar.

Nga ana tjetër, në këto 4 vite e gjysmë besoj se ne kemi dhënë provat që ia vlen të vazhdojmë dhe të durojmë edhe ca, sepse paketa e investimeve të mëdha që kemi filluar me rrugën e Arbrit, që do shtrihet në të gjithë aksin nga Shkodra deri poshtë, duke i kthyer segmentet e rrugës që lidh Shqipërinë nga lart-poshtë, nga shtigje ku Mercedesi, lopa, shoferi, politikani, bariu e qeni janë të gjithë bashkë dhe rrezikojnë në çdo moment të përplasen me njeri-tjetrin, duke u bërë burim aksidentesh, burim skandalesh dhe burim, me thënë të drejtën, sëkëlldie edhe për turistët, në rrugë e në akse të standardeve europiane, ku makina ka rrugën e vet, kalimtari ka të vetën, fermeri ka të vetën dhe patjetër, edhe lopa dhe qeni kanë të vetën.

Ju falënderoj shumë për praninë! Ju falënderoj shumë për gjithçka bëni!

Faleminderit zonjë, jam shumë mirënjohës për praninë tuaj këtu dhe i nderuar që ju jeni këtu, sëbashku me gjithë të tjerët. Nuk diskutohet ka dhe të tjerë që janë kontribuues të mëdhenj në këtë sektor dhe të jeni të bindur që ne do të bëjmë më shumë, pa harruar asnjëherë atë shprehjen: Bëra sa munda, nuk bëra sa desha. Të mundja më shumë, se lija pa bërë.

Shumë faleminderit!