Transformim i plotë i Bregut në çdo fshat

Kryeministri Edi Rama, llogaridhënie publike në Himarë:

 

Më vjen shumë mirë që jam këtu sot dhe që kemi mundësinë të komunikojmë drejtpërdrejtë në një fushatë llogaridhënie, që është në fakt e para si eksperiencë e një partie që qeveris edhe që takohet me njerëzit në këtë format, jo për arsye zgjedhjesh, jo për arsye votash, por për të ndarë çka kemi bërë, çka është e rëndësishme të sqarohet ndër gjërat që, për fat të keq, përmes kanaleve të mediave deformohen dhe edhe për çka duhet të vazhdojmë të bëjmë.

Nuk mendoj se ka njeri që i ka sytë dhe do t’i përdorë për të parë, që nuk e sheh se çfarë ndryshimi i madh ka nisur në të gjithë Bregun e Jonit dhe se çfarë ndryshimi ka filluar të materializohet në të gjithë Bashkinë e Himarës, si një zonë që nuk iu takon vetëm himarjotëve, por i takon të gjithë vendit, për shkak të një potenciali të madh zhvillimi që ka dhe të kontributit të madh që mund të japë jo vetëm për ekonominë familjare të njerëzve dhe të familjeve në këtë vend, por për të gjithë ekonominë tonë kombëtare.

Edhe investimet që po bëjmë shkojnë në drejtim të nxitjes ekonomike, të nxitjes së investimeve private, duke filluar nga investimet e vogla të atyre që mund t’i transformojnë shtëpitë në bujtina mikpritjeje për të gjithë sezonin, deri te investimet më të mëdha për infrastrukturë mikpritjeje të standardeve më të larta europiane. Edhe investimi prej afro 10 milionë eurosh që fillon për linjën e re 20 kilovolt shkon në këtë drejtim. Sot, ne e kemi stabilizuar furnizimin me energji elektrike të bregdetit, por duhet ta konsolidojmë në mënyrë që të përballojë të gjithë atë konsum në rritje të energjisë, që vjen vetvetiu bashkë me rritjen e volumit të investimeve dhe me rritjen e volumit të turistëve gjatë sezonit.

Më vjen shumë mirë që vetëm pak ditë më parë, ne morëm një çmim të madh ndërkombëtar me sheshin “Skënderbe”, Çmimin Europian për Hapësirën më të Mirë Publike të ndërtuar gjatë vitit 2017 Në 25 finalistët e këtij çmimi, me projekte të përzgjedhura nga të gjithë qytetet e Europës, ishin dhe dy të tjerë, projekti i Lungomares së Vlorës dhe projekti i Shëtitores Bregdetare të Himarës, gjë që flet vetë për impaktin që këto projekte kanë jo vetëm për komunitetin, por edhe për imazhin e vendit tonë.

Ne jemi të vetëdijshëm që ka shumë akoma probleme për të zgjidhur dhe për të bërë, por nga ana tjetër jemi të bindur që kthesa në ekonomi dhe në punësim tanimë ka nisur. Është një kthesë e gjatë, nuk është një kthesë e shkurtër, por sot, Shqipëria për herë të parë ka një nivel papunësie12.5%, që është niveli më i ulët historik i papunësisë.

Sot, Shqipëria është në një situatë ku ka dhe gjeneron në vazhdimësi vende të lira pune dhe turizmi është padiskutim motori kryesor i këtij zhvillimi që ne presim në vitet e ardhshme, qoftë në aspektin e rritjes ekonomike, qoftë në aspektin e rritjes së punësimit.

Patjetër ka disa sfida brenda sfidës së madhe të rritjes së investimeve, që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve të të gjithë strukturës së shërbimeve, që kanë të bëjnë me kualifikimin e njerëzve dhe me arsimin profesional. Na vjen shumë mirë që numri i atyre që shkojnë dhe trokasin në dyert e shkollave profesionale vjen në rritje. Edhe numri shkollave profesionale do të vijë në rritje. Nevoja për t’iu përgjigjur tregut në këtë drejtim do të vijë në rritje dhe do të ketë gjithmonë e më shumë brenda vetes një sfidë shumë të madhe për ne.

Po ashtu, më vjen shumë mirë, që fshatrave të jugut po iu japim atë që iu ka munguar për vite e vite të tëra, duke iu rikthyer imazhin e bukur që kanë pasur kur stërgjyshërit tanë i konceptuan dhe i ndërtuan dhe duke iu dhënë mundësi shumë familjeve që të investojnë në to.

Por Himara nuk është thjesht bregdeti. Është edhe pjesa e brendshme e territorit që lidhet me të gjithë zonën rurale dhe që përbën një aset të jashtëzakonshëm ekonomik totalisht të pashfrytëzuar.

Rruga e Lumit të Vlorës do të vazhdojë me segmentin tjetër. Do të jetë një arterie shumë e rëndësishme zhvillimi për pjesën e brendshme, për pjesën e ndërmjetme midis Himarës dhe anës tjetër të Tepelenës dhe do të krijojë kushtet për t’i dhënë një shtytje të fortë zhvillimit të agroturizmit. Shtëpitë dhe strukturat që janë pranë bregut janë të destinuara që të jetojnë me turizmin bregdetar, me turizmin intensiv, por për të tjerët që janë më thellë, sidomos në disa pika ku ka bukuri të mahnitshme natyrore dhe ku dikur ka qenë dhe shumë e zhvilluar blegtoria, por sot është shumë e vështirë për të dalë në treg për shkak të kostove të larta, agroturizmi është përgjigja.

Transformimi i shtëpive në bujtina, ngritja e hoteleve të vogla rurale me fermën pranë, me ushqimet e me mikpritjen tradicionale janë absolutisht një rrugë e sigurt për të dalë nga varfëria dhe izolimi, sepse, nuk është më fjala si të prodhojmë dhe të dalim në treg në rrugë të gjata dhe jo të lehta, por si të krijojmë kushtet që në vend se ta përshkruajmë ne këtë rrugë, ta përshkruajnë turistët për të ardhur tek ne. Provat për këtë janë në të gjithë Europën, por janë dhe në Shqipëri, ndonëse disa prova të pakta akoma, por shumë kuptimplota strukturash mikpritjeje në zona të thella, që bëjnë sukses, bëjnë ekonomi dhe fitojnë të ardhura. Po ashtu besoj se është dhe një mënyrë shumë efikase për t’iu krijuar emigrantëve një rrugë të re investimi, për t’iu dhënë të gjithë atyre që kanë lënë shtëpitë në fshat, në të gjithë zonat ku ka bukuri të mëdha natyrore dhe ka trashëgimi të rëndësishme kulturore, që kursimet e tyre t’i investojnë për t’i transformuar shtëpitë në struktura mikpritjeje. Nuk diskutohet që të ardhurat në fund të vitit do të jenë shumë më tepër, sesa të ardhurat nga puna e përditshme dhe e lodhshme në emigracion.

Unë kam shumë besim te ky projekt. Ne do bëjmë çmos që ta mbështesim. Ne kemi një program të veçantë që synon pikërisht bashkëpunimin financiar me të gjithë ata që janë të interesuar të ndërtojnë bujtina të vogla në shtëpitë ekzistuese, apo të ndërtojnë struktura pak më të mëdha në pronat e tyre, për të bërë agroturizëm. Dhe nuk është vetëm buxheti ynë. Është dhe buxheti i krijuar nga fondi i mbështetjes i Bashkimit Europian, që për herë të parë Shqipëria e ka marrë e janë 11 milion euro në dispozicion për t’u investuar për projekte individuale, projekte familjare, apo projekte në grup për agroturizëm.

Ne kemi një program të tërë për informimin dhe njëkohësisht kemi ngritur tani dhe strukturën mbështetëse për t’i asistuar ata që janë të interesuar t’i bëjnë këto projekte, në mënyrë që të kenë shanse që të fitojnë përmes aplikimeve.

A do shpërblehem, apo jo për dyqanin që më prishën, se e kam me hipotekë me të gjitha?

Kryeministri Edi Rama: Po, patjetër. Do marrësh dëmshpërblimin siç të takon. Në qoftë se ka qenë me dokumente, e ke në listën e shpronësimeve, patjetër! Kjo është pak, por e sigurt.

Unë flas për shëndetësinë. Kemi një ambulancë te varrezat. Ata janë këtej e ne vemi andej. Në kohë të Enverit e kishim në fshat. Këtu në fshatin e Himarës, – do më thuash që kanë ikur të gjithë, kanë ardhur më shumë seç kanë ikur akoma, – ne këtu spital nuk kemi. Dy gra kanë vdekur në Llogara për 2 orë, nuk sosemi në Vlorë. E kishim këtu spitalin. Të bëjnë spital se kemi njerëz plot këtu.

Kryeministri Edi Rama: Përsa i përket qendrës shëndetësore, ambulancës, ne kemi 300 qendra shëndetësore që do ndërtohen, ose rindërtohen me standarde krejt ndryshe nga ato që janë “mos qofshin”. Një nga qendrat që do ndërtohet është në Vuno. Pra, do bëjmë qendrën e re shëndetësore. Sapo më tha zëvendësja/ministrja, që qendra e Vunoit është nga 80 të parat që do ndërtohen, apo rindërtohen këtë vit. Te varrezat, ke të drejtë, edhe varrezë, edhe qendër shëndetësore, ke të drejtë, por nga ta kapim përpara? Çfarë na lanë, e ke parasysh.

Unë kam problem me pronat. Kemi qenë të persekutuar. Babai më është dënuar në vitin 1951, u burgos për 250 kg ullinj se u quajt sabotim ekonomik. Na u konfiskuan të gjithë pronat dhe dolëm në 4 rrugët. Kemi një pronë në Livadhë, në emër të babait, Irakli Bollano edhe janë ndarë 4 fletë me ligjin 7501, 4 persona kanë marrë të njëjtën tokë. Nga këta të katërt, dua të di, kush duhet ta mbajë? Dje mora vesh që kanë shkuar topografët për ta bërë gati që ta blejë personi që do ta blejë. Unë jam munduar të gjej këtë person, t’i tregoj dokumentet që i kam të  rregullta dhe mendoj se as ai nuk do e pranonte, por ata ia kanë shitur si të tyren.

Kryeministri Edi Rama: Ne e kemi shumë të qartë se çfarë është bërë me pronat në bregdet me vite e vite të tëra. Ajo që ne kemi bërë, e para, e kemi frenuar këtë çmenduri, e dyta kemi bllokuar të gjithë zonën e Bregut për këto historitë e këtyre akteve të marrjes në përdorim që shumë janë në shkelje të plotë të ligjit, sepse janë dhënë akte marrjeje në përdorim nëpër shkëmbinj e nëpër plazhe që s’ka pasur kurrë as bujqësi, as blegtori, asgjë. Ndërkohë këtu do hapet zyra përkatëse, do bëhet dhe një zyrë konsulence që do jetë në dispozicionin tuaj për të trajtuar këto çështje. Por ne letra me aktet e 7501-shit që janë në konflikte me njëri-tjetrin, apo që janë në konflikte me ata që kanë dokumente më të vjetër nuk do pranojmë, kjo është e sigurt. Do mundohemi që të korrigjojmë sa më shumë situatën katastrofike që është krijuar në 20 e ca vite. E rëndësishme është qe e kemi ndaluar këtë proces padrejtësish që ka vazhduar dhe e ka bërë këtë situatë për ju dhe për shumë të tjerë një lesh arapi që nuk e merr vesh i pari të dytin, duke futur njerëzit nëpër situata konfliktuale. Po flas në parim, në rastin konkret, të thashë, që do shikojmë letrat dhe në bazë të letrave, kujt i takon do t’i njihet e drejta që i takon.

Kam problemin e tokës. Na e mori bashkia me gjithë policinë e rendit. Ne kaluam në gjykatë dhe vendimin e gjykatës e zbatoi përmbarimi, sepse para se të shkonim në përmbarim, ne i vajtëm bashkisë dhe i thamë do na kthesh lekët e tokës apo jo. Por nuk ra dakord. Erdhi përmbarimi, i vuri kufirin dhe e mbylli atje. E mbylli përmbarimi dhe asgjë nuk u bë. Përmbarimi është shtet. Mbi të gjitha të informoj se kryetari i bashkisë nuk është në gjendje të drejtojë punën këtu. Është vetëm për njerëzit e tij.

Kryeministri Edi Rama: Ky nuk është informacion. Ky është opinion. Përsa i përket të parës, nëse keni një vendim, aq më mirë akoma. Po ju them dhe këtë, mos çoni më letra nëpër institucione. Keni platformën shqiperiaqeduam.al,  shkruani të gjithë pretendimet dhe letrat aty dhe për 10 ditë do ta zgjidhim nëse ke të drejtë. Kryeministria nuk ka fare dengje, ka vetëm këtë adresë. 3 minuta kohë duhet, fusni dokumentet që keni në dispozicion dhe do gjykohet. Nëse keni të drejtë, për 10 ditë do bëhet siç thoni ju. Në rast se ju keni pasur një pronë me dokumente që është shpronësuar për interes publik, se bashkia nuk e ka marrë ta çojë në Korfuz, edhe për atë shkruani aty me fakte, jo me opinione. Faktet janë kur të nxirrni letrat dhe ne do t’i shikojmë dhe nëse ju takon, patjetër që ne do ta bëjmë këtë gjë. Kryeministria ka vetëm këtë adresë që po ju them. Në këtë adresë, ne për 10 ditë ngremë në këmbë të gjithë institucionet për një qytetar të vetëm dhe institucionet kanë përgjegjësi të përgjigjen. Kështu funksionon.

Quhem Elena. Studioj për mësuesi, por ndihem e pashpresë kur shikoj se shumë mësues të diplomuar, në rregull me dokumentacionin, nuk punësohen në vend, por vijnë mësues nga Vlora, apo rrethe të tjerë, të cilët mund të kenë një mënyrë punësimi tjetër nëpër qytete e jo të na zënë vendin neve aty. Faleminderit!

Kryeministri Edi Rama: Ke konkurruar tek portali “Mësues për Shqipërinë”?

Jo, sepse unë jam akoma në master.

Kryeministri Edi Rama: Mirë, mbaro, konkurro, fito pikët dhe me siguri, po të jesh e zonja, do marrësh atë që të takon. Në tërësi e njoh shumë mirë këtë pjesë, sepse jam marrë me të gjitha ankesat që kam dëgjuar. Kush merr pikët, fiton dhe merr punën. Nuk ka aty, as parti, as mik, as krushk, asgjë. Kush merr pikët fiton. Janë mijëra mësues që janë në punë sot, falë kësaj. Kështu që kur të dalësh nga shkolla, konkurro në platformë, merr pikët dhe po i more, do shkosh të punosh aty ku të takon.

Flas në emër të shumë kolegëve që kanë mbaruar dhe kanë pikë maksimale.

Kryeministri Rama: E kuptoj çfarë po thua. Edhe unë në emër të qeverisë po të flas e nuk ka asnjë rast deri më sot të konstatuar që dikush që nuk e meriton, se ka më pak pikë, të ketë kapërcyer dikë që ka më shumë pikë. Nuk ekziston sepse portali është kompjuter dhe çdo veprim që bëhet, lë gjurmë aty e nuk mundet dot ta marrësh njërin e ta kërcesh mbi tjetrin. Është njësoj si konkurset e universitetit që nuk mundet njëri që ka më pak pikë të kapërcejë tjetrin që ka më shumë pikë. Le të jetë tjetri djalë çobani e le të jetë ai që ka më pak pikë djalë ministri, nuk ndodh dot.

Përshëndetje! Ne duam të na bësh një nder si Kryeministër. Është një plazh gati tre kilometra në Shkallën e Borshit. Po të ketë mundësi, se nuk e zutë në gojë plazhin e Borshit. Uji në Borsh derdhet në det dhe është gjynah që ne nuk kemi ujë.

Kryeministri Edi Rama: Unë e di që ti e ke për mua këtë. Po e kam vetë merak. Po të shikosh se çfarë kemi bërë, i numëron apo jo? Shiko Dhërmiun, e ke parë? Jalën e ke parë? Qeparoin e ke parë?

Unë i kam bërë kërkesë edhe Berishës, po e di si më tha? Nuk ka dalje në det më tha.

Kryeministri Edi Rama: Këtu e prishe, ai ka të drejtë, por ti e prishe.

Banoj në Himarë, po na bëjnë lyerjet e pallateve, por jemi me frikë se do na zërë korrenti. Shkojmë tek elektriku, na thonë bëni kërkesë me shkrim. Ne jemi banues në pallat. Ne i duam të gjithë sahatet të jenë në katin e parë.

Kryeministri Rama: Dakord, këtë do ta shikojmë patjetër.

E dyta, kam një lokal me qira këtu. Po bëj një vit që më kanë vjedhur motorin e varkës. Hapën xhamin dhe u futën dhe e morën. Kam bërë ankesë tek polica e Himarës dhe asnjë përgjigje. Shefi i krimeve thotë nuk të jap përgjigje.

Kryeministri Rama: Policia po merret me atë punë. Unë e mbaj mend se më ke çuar edhe mesazh. Jam marrë unë me këtë unë dhe tani, policia nuk i ka kapur në moment, nuk është e lehtë t’i gjesh pas kaq kohësh. Për një gjë që jam marrë personalisht, nuk mund të më thuash që jam dhe unë me ata që kanë marrë motorin.

Kemi tre vjet që nuk kemi vaksinë në blegtori. Ne na mbron natyra. E dyta, kam tre jetimë. Unë 900 lekë pension marr. Nuk i mbaj dot me këtë pension. Nusja ime është me shkollë të lartë.

Kryeministri Rama: E ke fjalën për punësimin e tyre? Do t’ia gjejmë punë nuses, por në privat. Nëse është dakord të punojë në privat, ditën e hënë ka punë edhe për nusen dhe për shumë të tjerë. Këtu është problemi që shumë njerëz nuk duan punë në privat, por duan të punojnë në shtet. Kjo nuk mund të realizohet dot.

Në fshatin Pilur është vjedhur komplet toka me 7501. Prandaj vër dorë. Punës vëri të zotin, se të flas si nip nga Bregu që je.

Kryeministri Edi Rama: Një gjë dua të them lidhur me atë që the për punonjësit. Mund ta zgjidhim nëse jemi bashkë dhe këtë nuk e kam parullë. Platforma që kemi ngritur është pikërisht për këtë gjë, që njerëzit të mos rrinë të humbasin kohë. Nëse u del dikush në një zyrë që nuk u bën punën, nuk u jep të drejtën, të mos rrinë të humbasin kohë, të mos rrinë në kafene e të shfrynë, të mos rrinë të mërzitur e të kërkojnë shok, mik a deputet e krushqi, apo të kërkojnë të paguajnë ryshfet, por vetëm t’i drejtohen platformës shqiperiaqeduam.al. Duhen vetëm 3 minuta e kush nuk ka telefonin që të mund ta bëjë direkt, mund të shkojë tek zyra e postës, apo tek zyra e njësisë administrative, mund të shkojë tek zyra që kemi hapur enkas për këtë punë, 3 minuta dhe për 10 ditë merrni përgjigje. E jo vetëm që merrni atë që ju takon, por menjëherë ne fillojmë hetimin administrativ dhe i ndëshkojmë ata që janë përgjegjës për atë punë. Nëse punonjësit e zyrave do të marrin mesazhin që çdo njeri i zakonshëm, që të vjen përpara, mund të të marrë në qafë, nëse vë në lëvizje ministrin përkatës për çështjen e tij, atëherë kjo histori do shkojë duke u përmirësuar dita – ditës dhe në zyra do merret shërbim maksimalisht i mirë dhe nuk do ketë më ryshfet, sepse do e kuptojnë që mund të humbasin vendin e punës edhe nga një grua e moshuar që u duket sikur nuk ka asnjë fuqi, mjafton që t’i thotë nipit a mbesës të shkruajë te platforma ankesën.

 Ju përshëndes dhe ju urojmë suksese. Përsa i përket problemit si qeveri, ai që nuk ka sy të shikojë dhe ai që kërkon ta nxijë punën tuaj, gabohet. Forma që po ndiqni ju si kryeministër, duhet të mësojnë dhe këta poshtë në bazë. Këto probleme janë më shumë të bazës, që duhet të japin dhe këta llogari, që nga njësi e deri tek bashkia ka degë të njësisë që duhet të zgjedhin disa probleme që sot ua ngrenë juve si kryeministër. Problemi qëndron përsa i përket pronave. Dihet që opozita, ne ju ndjekim në parlament, që e ka për detyrë dhe jashtë detyrës që ta bllokojë, por në disa raste na del qoftë në hipotekë apo në ALUIZNI që është bllokuar nga qeveria. Pse të bëhet bllokim qeveria? Problemi tjetër, unë nga viti ’92 kam qenë emigrant në Greqi. Punova 15 vjet dhe në viti 2005 bleva një garsoniere në Fier. Atje nuk kam banuar asnjë ditë. Nuk kam pasur linjë të ujit. UKF më ka ngarkuar me gjobë 1 milionë lekë. Unë jam dakord të paguaj vetëm shërbimin, por jo afrofetë. I jam drejtuar portalit dy herë për këtë problem dhe nuk kam marrë përgjigje.

Kryeministri Edi Rama: Ke marrë apo nuk ke marrë përgjigje e verifikojmë në moment. Si e ke emrin?

Ilia Prifti.

Kryeministri Edi Rama [pas verifikimit]: Nuk ka ankesë në emrin tuaj në platformë. Ndodh ndonjëherë që bëhen aplikimet gabim, ose bëhen në drejtim tjetër. Në platformën shqiperiaqeduam.al nuk ka ankesë në emrin tuaj. Kështu që dhe njëherë, kije parasysh, kjo është adresa. Na ndodh herë pas here që i çojnë tek e-albania, i çojnë tek Facebook-u im. Adresa është shqiperiaqeduam.al. 12 000 deri tani janë çështjet që janë regjistruar dhe janë trajtuar.

Unë kam një problem madhor. Në fshatin Nivicë jemi 8 familje, kemi marrë me ligjin 7501 tokë në fushën e Kakomesë. Ka zbatuar vendimin e gjykatës zoti Jorgo Goro, kemi marrë tapitë, kemi bërë aplikimin në datën 22/8 për të marrë certifikatën e pronësisë dhe nuk po regjistrohet prona, që në gushtin e 2017.

Kryeministri Edi Rama: Janë të bllokuara, e di. Janë për të gjithë, jo vetëm për ju, sepse pikërisht janë shpërndarë këto AMTP sipas qejfit, shpërnda këtej e shpërnda andej. Në mes të plazhit, akt të marrjes së tokës në përdorim, nuk ka pasur kurrë as grurë e as misër, as dele, as dhi. Nuk flas për ju, se nuk e di rastin, por po flas në parim. Nëse ke një ankesë për të bërë, bëje tek platforma.

Nuk bëhet çështja juaj më vete, sepse janë bllokuar të gjithë, ka lidhje me gjithë Bregun, për gjithë poshtërsitë që janë bërë. Kur të lirohen, në bazë të gjithë analizave që po bëhen, se shumë nga ato vendime do atakohen në prokurori për mashtrim. Po flas në parim. Është vendimi në tërësi, nuk është për ju. Vendimi i qeverisë është nga Velipoja deri në Sarandë. Pikërisht sepse ka pasur shumë mashtrime përpara, qeveria ka marrë këtë vendim, që të mos ketë më mashtrim dhe që mashtrimet të kthehen mbrapsht, për këtë e ka marrë vendimin qeveria.

Unë kam një pyetje, për rrugën që do vijë, a i takon gjë Borshit dhe Shkallës? E dyta, me lekët që do derdhen, a do ndahet një pjesë për lagjen Shkallë që të bëhet rezervuari, se në korrik nuk ka një pikë uji.

Kryeministri Edi Rama: Jam shumë dakord me të gjitha këto që kërkoni ju. Nëse ka mundësi, a mund të bëjmë një krahasim, çfarë është bërë në 4 vite e gjysmë nga Llogoraja deri në Sarandë dhe çfarë u bë 25 vjet? Çfarë u bë në 4 vite e gjysmë e çfarë u bë në 25 vjet që u katandisët këtu, xhep fallco i Shqipërisë. Do bëjmë atë, do bëjmë shëtitoren e Ksamilit, janë disa të tjera në radhë për t’u bërë, por e morëm nga Dhërmiu, Jala, Himarën këtu.

Unë e kam shumë të qartë që ka shumë gjëra për t’u bërë akoma, por, nëse në 4-vjeçarin e parë hapëm rrugën e transformimit në gjithë Bregun e Jonit, në 4-vjeçarin e dytë do bëjmë këtë transformim duke i adresuar të gjitha këto probleme që u ngritën, sepse janë në fakt çështje që janë në adresim e sipër, qoftë për ujësjellësin, qoftë për linjën 20 KV, qoftë për rrugën e lumit të Vlorës, e cila do të përfundojë brenda këtij mandati, për pjesën e shëtitoreve bregdetare të mbetura përgjatë vijës bregdetare, apo për çështjen e pronave që ka qenë një problem i gjatë dhe shumë rraskapitës dhe kështu me radhë. Unë ju falënderoj shumë. Më falni për këtë vunjocin këtu, por kështu e kemi ne nga Vunoi dhe mu bënë dy, se kam Petrit Vasilin në Tiranë, kam dhe këtë këtu tani. Ju uroj çdo të mirë, duke ju siguruar që do vijmë prapë shumë shpejt, sepse kemi shumë punë të tjera për të bërë në gjithë këtë territor.

Faleminderit!