Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Vijon papushim puna në kantierët e ndërtimit të infrastrukturës arsimore. Shkolla 9-vjeçare “Hajdar Hoxha” në Larushk dhe në shkolla ”Gjon Luka” në Luz, Krujë, janë vetëm dy prej 158 shkollave më të reja që po ndërtohen gjatë fazës së rindërtimit. Gjatë një inspektimi në këto dy shkolla, Kryeministri Edi Rama bëri me dije se shkolla e Larushkut “Hajdar Hoxha” do të hapë dyert për 370 nxënës e saj në fund të janarit, ndërkohë që shkolla e Luzit “Gjon Luka” brenda muajit shkurt për 160 nxënësit e saj.

158 shkolla të reja me standarde europiane, laboratorë, fusha sportive do të ngrihen falë Programit të Rindërtimit mbi degradimin e shkollave të para tërmetit të nëntorit të shkuar.

***

Lagja e Rilindjes në Fushë-Krujë po formësohet nga dita në ditë. Tërmeti katastrofik i një viti më parë e shndërroi mbarë zonën në një gërmadhë. Rreth 1200 banorë presin që në muajin e parë të vitit në vijim dhe pak më vonë të hyjnë në shtëpitë e reja, që janë njësi individuale dhe pallate.

“ Këtu kemi 128 njësi banimi dhe 100 apartamente në krahun e djathtë, për të cilat procedura është duke u mbyllur. Janë 128 njëso banimi të organizuara në një lagje, në një kompleks njësish me të gjitha ambientet ndihmëse dhe komunitare. Në total në Fushë-Krujë do të ndërtohen 15 pallate për të gjithë familjet e dëmtuara dhe 128 njësi individuale në kompleks. Besoj se me këto njësi banimi dhe me ambientet shoqëruese komunitare mbarojmë brenda marsit”, – informoi Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë inspektimit që Kryeministri Rama bëri në kantierin e lagjes së re.

“Sa i përket pallateve – vijoi ministri Ahmetaj, – sot shpallet procedura dhe deri në mes të janarit kemi hapur kantierin dhe sipas grafikut që kemi, për 6 muaj do të përfundojmë me pallatet. Do të thotë që në mes apo në fund të korrikut, me gjithë të papriturat inxhinierike që ka procesi i ndërtimit t’i kemi dorëzuar. Me pallatet jemi në fazë fillestare, por jemi fiks me programin. Të gjitha ndërtesat kolektive marrin 6 deri në 8 muaj ndërtim, pra, procesi i ndërtimit, duke nisur nga hapja e themeleve, që do të thotë që, ashtu siç keni deklaruar dhe ju, në mars të vitit 2022, gjithë shenjat e tërmetit do të jenë fshirë nga faqja e dheut.”

Projektet e pallateve të reja përshijnë edhe parkingun përkatës, si dhe për çdo pallat është parashikuar nga një njësi tregtare e vogël. Sa i përket procedurës së hyrjes në apartamentet e reja Ministri Ahmetaj sqaroi se “ata që janë nevojtarë janë në listën prioritare dhe pastaj  do të ketë short në familjet e tjera”.

Kryetari i Bashkisë  së Krujës tha se kërkesat e banorëve për të qene pjesë e lagjes së re jashtë shtuar me zhvillimin e projektit. “Duhet të theksoj se fillimisht kërkesat e banorëve kanë qenë për ndërtimin e shtëpisë në oborrin ku kishin shtëpinë e vjetër. Ndërsa tani që kanë parë projektin thonë ju lutem mos na përjashtoni nga ky projekt.

Ai shtoi gjithashtu se pas festave do të nisë pastrimi i territorit për përgatitjen e terrenit të ndërtimit. Lidhur me këtë Ministri Ahmetaj tha se “në çdo bashki janë vënë në dispozicion fondet për pastrimin e territorit, largimin e inerteve aty ku nuk janë larguar dhe është bërë gati territori për tu ndërtuar. Ndërkohë FSHZH vazhdon procedurën.”

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.