Sektori i bujqësisë është ndër sektorët me performacën më të pabesueshme të viteve të fundit, duke u transformuar nga bujqësi e mbijetesës në bujqësinë e sipërmarrjes. Në vitet në vazhdim synohet që Shqipëria të bëhet lider në rajon në fushën e turizmit, agroturizmit dhe të eksporteve të produkteve bujqësore. Kjo është ambicia që Kryeministri Edi Rama e bashkëndau sot me fermerë, agropërpunues dhe grumbullues të produkteve bujqësore të Moravës në Berat. Kryeministri deklaroi se në vitet e ardhshme synohet që eksportet të shkojnë në vlerën e 1 miliardë dollarëve.
Fatosi ka ngritur një nga pikat më të mëdha të grumbullimit dhe eksportit të produkteve bujqësore. Në sipërmarrjen e tij angazhon 1500 fermerë. Vitin e shkuar, ndonëse vit i vështirë, rriti me 40% eksportet. Një tjetër sipërmarrës në fushën e bimëve medicinale angazhon 3000 mijë fermerëve në zinxhirin e tij të vlerës nga Delvina në Koplik dhe eksporton në Europë, SHBA dhe Korenë e Jugut. Një tjetër fermer me aktivitet prej 15 vitesh në prodhimin e produkteve bujqësore në sera, në 4 vitet e fundit ka dyfishuar sipërfaqet me serave, duke shumëfishuar prodhimin. Këto janë vetëm disa nga historitë e suksesit në Berat, që e kanë bërë këtë qark, vlerësoi Kryeministri, një shembull të transformimit të bujqësisë.
“Berati është kthyer në një platformë shembullore transformimi të bujqësisë, duke kaluar nga bujqësia e mbijetesës në bujqësinë e sipërmarrjes. Shqipëria është sot në kushtet kur mund të pretendojë të bëhet kampione e Ballkanit në turizëm, agroturizëm dhe në eksporte bujqësore. Këto tre hallka të zinxhirit të zhvillimit janë edhe baza e një punësimi cilësor. Punësimi është një sfidë e të gjithë vendeve të rajonit. Rritja e vendeve të punës të paguara më mirë është sfidë e jashtëzakonshme e jona”, – u shpreh Kryeministri.
Ndërsa nënvizoi disa fakte në shifra:
– Eksportet bujqësore, në total janë rritur nga rreth 100 milionë në 4000 milionë dollarë. Eksportet do shkojnë në mbi 1 miliardë në katër vitet e ardhshme;
– Sot punohet më shumë se dyfishi i tokës bujqësore se 7 vjet më parë, nga 125 mijë hektarë, sot në 235 mijë;
– Janë shumëfishuar kapacitete e serave dhe të eksportit. 7 vite më parë kishim raportin import – eksport në produkte bujqësore 7 me 1. Sot importojmë vetëm 3 dhe eksportojmë më shumë. Sot kemi më shumë sesa përgjysmuar importet dhe rritur eksportet. Kjo do të thotë që produkti vendas është shumë më i pranishëm në tregun e brendshëm dhe shumë më i gatshëm për t’u eksportuar.
Kryeministri theksoi se fermerët dhe sipërmarrësit në sektorin e agropërpunimit do të vazhdojnë të asistohen për të përfituar edhe nga fondet e Bashkimit Europian, i cili vetëm një ditë më parë aprovoi një tjetër fonde për sektorin prej 90 milionë.
“Ambasadori i BE-së, dje njoftoi aprovim e një tjetër transhi për mbështetjen e bujqësisë 90 milionë lekë. Jam shumë krenar që falë lidershipit të AZHBR-së dhe qasjes komplet tjetër ka bërë një kapërcim shumë domethënës, duke e çuar Shqipërinë nga vendi i fundit në gjithë Ballkanin për thithjen e fondeve nga BE-ja në vendin e parë.
Sot, ne e kemi realitet që kemi hyrë në rrugën e transformimit të bujqësisë nga bujqësia e mbijetesës në bujqësi të sipërmarrës fitimprurëse, jo për një e dy, por për rrjete të tëra njerëzish. Shqipëria është sot një nga eksportuesit më të mëdhenj të domates në Europë parë me përqindjen për frymë. Kjo sepse u krijuan kushte të reja, rritja e serave, kapacitetet grumbulluese dhe kapacitetet negociuese.”
Turizmi dhe agroturizmi do të vazhdojnë të mbështeten fuqimisht si dy fusha me potencial të lartë zhvillimi për ekonominë familjare, lokale dhe kombëtare.
“Ne kemi detin dhe malin ngjitur me detin, kemi tokën, diellin, jemi vendi i dytë më i pasur me ujë në gjithë kontinentin, mjafton të jemi të vendosur të sjellim investitorët e mëdhenj që tani më në fund po hyjnë me investimet e mëdha në turizëm në bregdet, të nxisim agroturizmin, të sjellim sa më shumë emigrantë, në mos fizikisht, të sjellin kursimet e tyre të ribëjnë shtëpitë e gjyshërve të hapin një agroturizëm dhe të fuqizojmë maksimalisht prodhimin, duke e rritur edhe më shumë sasinë e serave, duke përmbyllur rrjetin e pikave të grumbullimit dhe frigoriferëve dhe duke ju fuqizuar ju me mbështetje të vazhdueshme.”