Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në çeljen e Panairit të Aftësive Profesionale 2018:

 

Ky Panair kombëtar i Arsimit Profesional tanimë është në rrugën e krijimit të një tradite dhe ndodh sot, pas një sërë aktivitetesh që janë mbajtur në shkolla të ndryshme profesionale me synim promovimin e profesioneve.

Dua të kujtoj me këtë rast që vetëm pak vite më parë, arsimi profesional ishte thjesht një zonë dëshpërimi dhe faktikisht, një element i diskriminuar i sistemit tonë dhe i përket vetëm këtyre pak viteve më parë, edhe një raport i Dhomës Gjermane të Tregtisë, e cila e përshkruante në mënyrë shumë të qartë situatën e tregut të punës, si pasojë e politikave të gabuara, të ndjekura për thuajse çerekshekulli në vendin tonë.

Ja çfarë shkruhej në atë raport: “Shqipërisë i mungojnë punëtorë të kualifikuar në industrinë tekstile, industrinë ushqimore, në vendosjen e skelave të ndërtimit, në mirëmbajtjen e makinerive industriale, në industrinë elektromekanike. Shqipërisë i mungojnë saldatorë, elektricistë, kuzhinierë, guida turistike, gjeologë, minatorë, specialistë ashensorësh…” Dhe lista vazhdon.

Kjo mungesë dramatike e kaq shumë zanateve dhe profesioneve në një vend që është në zhvillim do të thotë as më shumë e as më pak, po një vend që ecën jo mbi dy këmbë, por vetëm me një këmbë. Përpjekja jonë për ta bërë vendin të ecë mbi dy këmbë, në kuptimin e arsimit dhe formimit të të rinjve, ka nisur që në ditën e parë të mandatit të parë. Natyrisht, sot nuk jemi në pikën që të themi që tanimë vendi ecën në dy këmbë, por jemi padyshim në një moment kur mund t’i prekim nga afër rezultatet e arritura dhe mund ta shikojmë me shumë më tepër optimizëm dhe siguri të ardhmen.

Vetëm 4 vite më parë, në arsimin profesional kishte 3 mijë nxënës. E 3 mijë nxënës që në numër ishin shumë pak, por në kushtet në të cilat arsimoheshin ishin krejtësisht të harruar dhe të humbur në mes të rrugës. Sot, ne kemi 19 mijë nxënës dhe 6 mijë të tjerë që janë pjesë e kurseve dhe e trajnimeve profesionale. I bie që të jenë 20% e nxënësve, sot, në Republikën e Shqipërisë.

Është ende shumë, shumë pak. Duhet të jetë shumë më tepër se kaq dhe qëllimi ynë dhe politika jonë në këtë drejtim është e dedikuar që numri i nxënësve që shkojnë në arsimin profesional të rritet në mënyrë progresive dhe në arsimin profesional të mos shkojnë thjeshtë dhe vetëm nxënësit që nuk ndjekin dot arsimin e mesëm të përgjithshëm për arsye të rezultateve, por edhe më të mirët. Faktikisht sot, në shkollat tona profesionale, ne kemi një numër jo të vogël nxënësish shumë të mirë, të cilët kanë zgjedhur rrugën e arsimit profesional dhe kanë bërë shumë mirë.

Anketa e forcave të punës tregon se shkalla e punësueshmërisë së nxënësve që diplomohen në arsimin profesional është 12% më e lartë, sesa ajo e nxënësve me arsim të mesëm të përgjithshëm.

Statistikat tregojnë qartë që edhe vlera e pagës për nxënësit që mbarojnë arsimin profesional në vendin e tyre të parë të punës është më e lartë, sesa vlera e pagës së atyre që mbarojnë arsimin e mesëm të përgjithshëm në vendin e tyre të parë të punës.

20% më shumë është mundësia e punësimit e atyre që kryejnë arsimin profesional, në krahasim me ata që e kanë një diplomë universiteti dNatyrisht kjo lidhet edhe me cilësinë mizerabël të shumë diplomave të universiteteve të së shkuarës e tanimë të mbyllura, por nga ana tjetër lidhet edhe me urinë e madhe që ka tregu i punës për profesionistë, për zanatçinj.

Gjithashtu është me rëndësi të përmendet edhe fakti se numri i të diplomuarve në arsimin profesional në vitin 2016 është rritur me thuajse dyfish, krahasuar me një vit më parë.

Ne do të vazhdojmë ta nxisim shumë fort arsimin profesional. Unë i jam shumë mirënjohës atyre që na ndihmojnë në këtë proces. Këtu foli ambasadori i Zvicrës, i cili është një ndër aleatët më të rëndësishëm që ne kemi si përfaqësues i një vendi mik dhe një vendi që ka dhënë, po jep e do të japë dhe më shumë, një ndihmesë shumë të çmuar në rritjen cilësore të arsimit tonë profesional. Këtu foli përfaqësuesja e kompanisë Vodafone, që është një ndër kompanitë që ndihmojnë e mbështesin në këtë proces, por edhe për të thënë se në këtë rrugë jemi sëbashku, qeveria, kompanitë dhe partnerët tanë. Është një bashkësi e domosdoshme, pasi partnerët sjellin dije, sjellin eksperiencë dhe kompanitë krijojnë hapësira dhe mundësi në një proces ku reforma e Arsimit Profesional ka vendosur si parim themelor ndarjen e orëve mes shkollës dhe vendit të punës.

Besoj se nuk është aspak e ekzagjeruar nëse do të shtoja në fund, që fokusi gjithmonë e më i madh tek teknologjitë e reja dhe nxitja gjithmonë e më tepër e të rinjve për të ndjekur në rrugën e tyre të arsimit profesional rritjen e kapaciteteve në funksion të përdorimit të teknologjive të reja, janë sot pjesë e një faze të re në një rrugë që vazhdon.

Kemi takuar nxënësit e sapodiplomuar të shkollës profesionale austriake këtu në Tiranë, shqiptare, por me mbështetjen e partnerëve austriakë dhe kemi parë nga afër një pamje jashtëzakonisht inkurajuese dhe frymëzuese, pasi vajza e djem të rinj që kanë kryer atë shkollë janë sot të gatshëm të hyjnë në tregun e punës nga dera kryesore, në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe kjo është edhe arsyeja pse promovimi i vazhdueshëm i shkollave profesionale, nxitja e vazhdueshme për prindërit dhe për fëmijët që të kthejnë sytë nga arsimi profesional përbën një domosdoshmëri sot, në funksion të Shqipërisë që duam nesër.

Sa më shumë profesione, sa më shumë zanate, aq më shumë mundësi për punësim real dhe aq më shumë rritje e qëndrueshme ekonomike nesër.

Urime dhe respekt edhe për të gjithë nxënësit dhe nxënëset që janë këtu të pranishëm dhe patjetër edhe për të gjithë mësueset dhe mësuesit që i shoqërojnë ata në fillimin e një rruge sa të vështirë, aq dhe interesante, por në fund të ditës, një rrugë e sigurt drejt punësimit real.

Faleminderit!

© Qeveria Shqiptare Keshilli i Ministrave 2022. Të gjitha të drejtat e rezervuara.