Në Berat është zhvilluar me sukses një tjetër investim modern në agropërpunim, një strukturë e re grumbullimi dhe tharjeje të frutave. Sipërmarrja “Gjedra”, në bashkëpunim me 3500 fermerë, ka arritur që produktin final ta nxjerrë edhe në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.
Me mbështetjen e AZHBR, përmes programit IPARD, “Gjedra” ka shtuar ambientet e grumbullimit dhe përpunimit me 2500m2 sipërfaqe ndërtimi, si dhe dy furra tharëse bashkëkohore. Me këtë investim ka rritur kapacitetet grumbulluese e përpunuese deri në 660 ton fruta në vit.
Kryeministri Rama theksoi gjatë vizitës në këtë sipërmarrje se rezultatet e viteve të fundit janë produkt i punës së filluar më parë ndërsa Gjergji, pronari sipërmarrjes “Gjedra” pohon se në krahasim me 7 vite më parë, kanë pasur një rritje me 15% deri në 20% vit pas viti të kapaciteteve.
“Rezultatet e viteve të fundit, janë produkt i punës së filluar më parë dhe kapaciteti i rritur i AZHBR-së, sot e ka kaluar Shqipërinë në vendin e parë për thithjen e fondeve në Bashkimin Europian. Se BE-ja thotë ke kaq fonde por nuk ti jep po nuk ishe i zoti të bësh projekte të besueshme e të tregosh që projektet i realizon, nuk merr. Kështu që kalimi në vend të parë sot dhe aftësia për të thithur fonde që tejkalojnë me herë çfarë ka bërë shteti për bujqësinë deri para ca vitesh dhe e treta, shembujt e suksesit dhe ato që janë para reale që futen në xhep në familje që jetojnë në zona rurale që deri dje kishin komplet pa perspektivë jetën, do të sjellë patjetër hap pas hapi, siç po e sjell, që ata të cilët janë më largpamës e që kanë një pronë, kanë një tokë, kanë një shtëpi në fshat, ta shfrytëzojnë për të rritur të ardhurat, qoftë për agroturizëm, qoftë për agropërpunim, qoftë për prodhim”, – u shpreh Kryeministri.