Fjala e Kryeministrit Edi Rama në takimin e ciklit kombëtar “Bashkia që duam” në Berat:
Përshëndetje të gjithëve!
Shumë faleminderit për këtë mikpritje të jashtëzakonshme!
Ne jemi këtu në vazhdën e serisë së takimeve në të gjitha bashkitë e Shqipërisë. “Bashkia që Duam” e kemi quajtur këtë cikël takimesh.
Në këto takime, ne duam të ndajmë me njerëzit disa të vërteta të thjeshta, si dhe t’iu themi se pse ne mendojmë që është shumë e rëndësishme të motivohen sa më shumë njerëz, në mënyrë që zgjedhjet që po afrojnë në qershor, ne t’ia dalim jo të fitojmë ndaj atyre që…, s’di as si të them tani, kemi përballë, se as përballë nuk janë, por kanë kthyer kurrizin dhe janë nisur në një drejtim të paditur, por sidoqoftë, ne nuk e kemi betejën me ta. Ne betejat me ta i kemi fituar dhe do t’i fitojmë sa herë do ketë një betejë, por kjo është pjesa më e thjeshtë, ne betejën e kemi me hallet e problemet e njerëzve, betejën e kemi me plagët ende të pambyllura të një të shkuare të gjatë dhe të dhimbshme, betejën e kemi me papunësinë, me varfërinë, me korrupsionin, e kemi me ata, të cilët vazhdojnë të jenë ende në zyrat e shtetit, edhe pse nuk janë të denjë për t’ju shërbyer qytetarëve.
Këtu në Berat besoj se çka kemi bërë në këto thuajse 4 vitet e fundit flet vetë, pasi qyteti ka ndryshuar shumë, por do të ndryshojë edhe më shumë, sepse është bërë shumë, por ka ende shumë për të bërë.
Ka ende shumë për të bërë, posaçërisht kur del pak më tutje dhe shkon në zonën rurale të Beratit, ku njerëz të mrekullueshëm të punës ia dalin të prodhojnë, ia dalin të eksportojnë, ia kanë dalë t’i dyfishojnë eksportet gjatë këtyre viteve, falë edhe mbështetjes së qeverisë, por ku ende përballen me probleme që kërkojnë zgjidhje dhe kërkojnë edhe më shumë mbështetje nga qeveria.
Këtu në Berat, ne kemi arritur të kthejmë sytë nga e ardhmja, duke krijuar një atmosferë dhe një hapësirë ku sot rritet çdo ditë numri i turistëve. Faktikisht është rritur në mënyrë të ndjeshme edhe numri, por edhe volumi i sipërmarrjeve të vogla, siç është rritur dhe do të rritur edhe më shumë numri i bujtinave, për të shfrytëzuar trashëgiminë kulturore në funksion të ekonomisë familjare.
Këtu është një zonë ku potenciali për të zhvilluar jo vetëm bujqësinë, por dhe agroturizmin, për të transformuar shtëpitë në fshat, apo për të ndërtuar në fshat bujtina dhe hotele të vogla të turizmit rural, ka një potencial shumë të madh. Për këtë arsye, ne i kemi dhënë një shtysë me politikat tona të mbështetjes sektorit të agroturizmit, për të hapur një rrugë për të gjithë ata që duan të investojnë tek shtëpitë e tyre, apo shtëpitë e të parëve të tyre në fshat, të cilat nga shtëpi që janë të pamundura për të përballuar një jetesë normale të kthehen në instrumente fitimi, në biznes. Është plotësisht e mundur. Nuk është diçka që e kemi parë ne në ëndërr, por është diçka që të tjerët e kanë bërë përpara nesh. Agroturizmi është përgjigja më e duhur dhe më e sigurt kundër varfërisë aty ku mundësitë për të krijuar kushte dhe për të prodhuar për eksport nuk ekzistojnë, apo janë minimale.
Unë besoj se shembujt e parë që kanë nisur, flasin vetë. Besoj se për të gjithë ata që kanë emigruar është mundësia më e mirë, kur ata kanë lënë fshatin, që kursimet e tyre t’i investojnë në fshat te shtëpitë e tyre, pavarësisht nëse kthehen, ose nuk kthehen, por familjet e tyre, apo të të afërmve e miqve të tyre t’iu japin mundësi që t’i administrojnë këto investime. Është e llogaritur që fitimi nga një investim i tillë tek një bujtinë, tek një agroturizëm, në një vit është shumë më tepër, sesa fitimi i tyre nga rroga e çfarëdo pune që mund të bëjnë në emigracion.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për nevojat që ka ende këtu, për të përmirësuar deri në fund kushtet e infrastrukturës arsimore, apo kushtet e infrastrukturës shëndetësore. Kemi filluar një investim të madh të Programit të 300 Qendrave Shëndetësore. Mbase ju ka rasti t’i shikoni, janë modele transformimi rrënjësor. Qendrat e vjetra shëndetësore janë krejt jo dinjitoze dhe nuk i japin asnjë zgjidhje problemeve të njerëzve, edhe pse shpesh ndodh që në to të ketë mjekë e infermiere të përkushtuara, që bëjnë maksimumin. Transformimi i këtyre qendrave shëndetësore është një nga objektivat kryesorë të këtij mandati dhe kjo punë ka filluar. 80 qendra të reja shëndetësore u ndërtuan vjet, 100 do të ndërtohen sivjet dhe 300 do të ndërtohen brenda këtij mandati.
Ekonomia në tërësi ka hyrë në rrugën e duhur, pavarësisht se asnjëherë nuk është mjaft, kur vjen fjala tek ekonomia dhe asnjëherë nuk mund të jetë mjaft, nëse krahasojmë veten me të tjerët. Është pak, por e sigurt që jemi në rrugën e duhur. Është pak, por e sigurt që biznesi është lehtësuar ndjeshëm nga taksat e të shkuarës. Është pak, por e sigurt që kemi sot më shumë sipërmarrje të vogla dhe kemi një hapësirë për sipërmarrjet e vogla me një taksim minimal nga 0 në 5%.
Një problem i madh është nevoja për të rritur më tutje rrogat në sektorin privat, sidomos rrogat e ulëta, por kjo mund të vijë vetëm duke rritur më tutje investimet dhe duke rritur më tutje ekonominë.
Jo larg që këtu, në Shpirag, ne presim konkluzionet e një investimi kolosal të kompanisë SHELL. Të gjitha të dhënat janë optimiste dhe së shpejti do të kemi edhe përgjigjen përfundimtare nga testimi i fundit, që do të thotë që, nëse edhe testimi i fundit do të konfirmojë çka kanë konfirmuar testimet e deritanishme, atëherë do të kemi një zbulim që do të ketë një ndikim të madh në ekonominë kombëtare dhe që do të sjellë mesatarisht 1 miliardë euro investime në vit, që janë një shumë tejet e konsiderueshme. Patjetër do të sjellë më shumë punësim, do të sjellë më shumë angazhim të të gjithëve rreth e rrotull, do të sjellë më shumë dije në sektor, sepse shumë të rinj do të përgatiten për atë sektor, por mbi të gjitha do të sjellë shumë mundësi të reja përmes një injektimi të konsiderueshëm në ekonomi.
Edhe papunësia është fakt që është sot në kuotat më të ulëta të 27 viteve të fundit, por është ende një problem, sidomos për ata, të cilët mbarojnë universitetin dhe për shkak se orientimi i politikave arsimore dhe orientimet e universitetit kanë qenë për shumë e shumë vite kaotike, mbeten pa punë, ose nuk arrijnë dot të punojnë në atë sektor për të cilin kanë studiuar.
Në të gjithë këtë periudhë kohe dhe në këtë udhëkryq, ku shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë të tjera duhet të ndryshojnë akoma, një sërë problemesh janë zgjidhur, plot probleme të tjera mbeten për t’u zgjidhur dhe kur Shqipëria është shumë afër çeljes më në fund të negociatave zyrtarisht me BE, gjendemi në një situatë politike absurde me ata, të cilët janë zgjedhur për të përfaqësuar popullin në Parlament dhe për të bërë detyrën e tyre si opozitë e qeverisë, që kanë vendosur të braktisin detyrën dhe të dalin në rrugë, duke nxitur dhunë dhe duke bërë thirrje për ndryshim të qeverisë me dhunë.
Këto janë gjëra që Shqipëria i ka parë dhe i ka jetuar shumë e shumë vite më parë. Gjëra që dukeshin sikur nuk do të ktheheshin më kurrë dhe sikur më në fund ishte krijuar maturia e nevojshme, për të mos bërë budallallëqe të këtyre dimensioneve, mirëpo ja, për fat të keq, edhe njëherë tjetër, ata, të cilët përfaqësojnë Partinë Demokratike dhe pastaj edhe ajo partia tjetër që është simotra e njërës dhe e tjetrës, sipas radhës, shfaqen në kundërshti të plotë me interesat e vendit dhe në kundërshtim të plotë edhe me sensin logjik të jetës demokratike.
Një gjë është e sigurtë me metoda të tilla e vetmja gjë që nuk preket është qeveria. Nuk preket dot, përkundrazi! Po të ishte për qeverinë dhe për shumicën në Parlament, as nuk do i hynim fare këtij diskutimi, as nuk do t’i përmendnim fare këto rreziqe, por ka gjëra të tjera shumë të rëndësishme që preken.
Më e rëndësishmja, preket Shqipëria.
Preket Shqipëria, sepse shfaqet në sytë e botës si një vend ku nuk duhet shkuar për të investuar, si një vend ku nuk duhet shkuar për ta vizituar, që do të thotë, preket çdo familje dhe çdo individ që jeton këtu në Berat, sepse, nëse rrugën për të ardhur këtu e kalojnë më pak vizitorë, atëherë ka më pak para që shpenzohen këtu, ka më pak shpenzime që jepen këtu, ka më pak të ardhura për ata që kanë ndërtuar këtu një biznes të vogël, që kanë ndërtuar një bujtinë, që kanë në plan të ndërtojnë një tjetër dhe ka më pak lekë që shkojnë në shtëpitë e tyre.
Preket drejtpërdrejtë ekonomia e çdokujt. Ata që nisen nga Berati për të shkuar pas berihait, apo nga çdo qytet tjetër për të shkuar pas berihait, janë në të drejtën e tyre të mos e duan qeverinë, të mos e votojnë kurrë Partinë Socialiste, por duhet ta kuptojnë se nuk kanë çfarë i bëjnë fare qeverisë dhe as Partisë Socialiste si shumicë qeverisëse, por kanë çfarë i bëjnë vetes së tyre. I bien vetes, sepse mbyll tjetri dyqanin këtu dhe niset pas berihait në Tiranë. Ai dyqani këtu shet më shumë, kur këtu vijnë më shumë vizitorë dhe shet më pak, kur këtu vijnë më pak vizitorë. Duke shkuar pas berihait atje çon kudo mesazhin: “Mos eja në Shqipëri!”; “Mos ejani në Berat!”
Por nuk është vetëm për të huajt, është edhe për shqiptarët, edhe për familjet shqiptare që konsumojnë më pak në kushtet kur ka paqartësi, pasiguri, ankth, thirrje për dhunë, thirrje për prishje, thirrje për shkatërrime. Po të pyesni rreth e rrotull, ata që tregtojnë në Tiranë do t’u thonë që pas 16 Shkurtit të famshëm, konsumi i tyre ra sepse njerëzit vetvetiu janë të prirur të shpenzojnë më pak dhe të presin si do mbarojë kjo punë.
Kjo punë nuk ka asnjë shans të mbarojë me prekjen e një fijeje floku të shumicës qeverisëse. Kjo duhet të jetë shumë e qartë. S’ka se si, por ama, gjatë kësaj pune preken jo vetëm fijet e flokëve, por preket dhe shumë më tepër ekonomia e secilit. E kam thënë edhe njëherë tjetër, po jua them edhe juve një shembull shumë të thjeshtë; Një luleshitëse që e njoh prej shumë e shumë vitesh tek kthesa e Rrugës së Elbasanit, kur shkova më tha, është tufa e parë e luleve që shes pas 16 Shkurtit, se, normalisht, në një situatë mërzie dhe paqartësie, njerëzit fillojnë e kursejnë, shpenzojnë me pak dhe e fillojnë duke mos blerë lule, duke mos blerë diçka që është për kënaqësi dhe pak nga pak tërhiqen dhe nga të tjera mallra konsumi.
E kush fiton këtu?
Ata që i kanë hyrë atij deti, – as në këmbë jo, por i kanë hyrë atij deti zvarrë, – ata jo e jo janë të humbur dhe vetëm humbasin, por më keq akoma, se për ata nuk është se, me thënë të drejtën, po na vjen keq se ata po humbasin, por humbet jo Shqipëria si e tërë dhe si një fjalë e madhe që kur e përmendim, duket sikur s’na takon, por humbet Shqipëria, sepse humbasin njerëzit e zakonshëm, humbasin familjet e zakonshme, humbasin ata, atë cilët gjatë këtyre viteve po shohin dritë. Është një dritë që është ende larg, por ama është një dritë, sepse po rritet mundësia për tregti, po rritet mundësia për biznes, po rritet mundësia për turizëm.
Kur flasim për shifrat e turizmit, nuk flasim për statistika të reshjeve, por flasim për masa të tëra konsumatorësh, që duke u rritur, rrisin ekonominë. Kur flasim për rritje të turistëve, flasim për mijëra vende pune që krijohen gjatë sezonit turistik për shkak se vijnë turistë. Nëse nuk vijnë turistë, nuk krijohen ato vende pune, se nuk ka nevojë për të shtuar numrin e punonjësve. Kur flasim për rritje të numrit të turistëve, flasim për rritje të volumit të mesazheve pozitive që shpërndahen kudo për vendin dhe që sjellin të tjerë një vit më pas. Goditje të tilla vonojnë. Goditje të tilla i shtyjnë për më larg ato mundësi që i kemi më afër.
Nga ana tjetër, kush mund ta pranojë, nuk ka logjikë e jo më të ketë partner e të ketë komunitet ndërkombëtar që mund të pranojë që deputetët të thonë ne po i djegim mandatet, që të bëhemi popull.
Ç‘është kjo tallje!
Populli të ka caktuar ty të shkosh të bësh detyrën atje, ti thua unë po e braktis detyrën, se dua të jem popull si ti, d.m.th, të jemi bashkë rrugëve dhe punë e madhe shumë se çfarë bëhet me Shqipërinë, të jemi bashkë rrugëve dhe të torolisemi dhe punë e madhe shumë se fjala juaj nuk shkon asgjëkund dhe fjalën tuaj nuk e dëgjon askush.
Megjithatë, të gjithë atyre që të shqetësuar kanë shkruar, janë shprehur e kanë kërkuar me ngulm që mos u dorëzoni, mos lëshoni, dua t’iu them shumë thjeshtë, se këtu nuk është çështja se çfarë duam ne, këtu është çështja se cila është detyra jonë.
Detyra jonë është t’i qëndrojmë besnikë kontratës që kemi me shumicën e shqiptarëve, që na dhanë mandatin për të qeverisur punët e vendit deri në vitin 2021.
Këto teoritë që ne po i djegim dhe po ikim nga stadiumi fare dhe po ju lëmë juve në fushë vetëm, kështu që dilni të gjithë nga stadiumi, të fillojmë ndeshjen nga e para, por tani do e caktojmë ne se kush futet në fushë e kush nuk futet në fushë, janë muhabete që as në kafenenë e fshatit nuk i bëjnë burrat, e lëre më gratë, se gratë s’merren me llafe fare. As në kafenenë e fshatit nuk ka burra që mund t’i hanë këto muhabete, se gra që i hanë as nuk diskutohet që s’bëhet fjalë. Nuk bëhet fjalë fare. Kështu që unë u them të gjitha grave që i kanë burrat demokratë, mbajini nga xhaketa, mos i lini të shkojnë pas Berihait se sebep duan që të marrin rrugën të ikin në Tiranë, se rrinë që rrinë në kafe, thonë “po ikim, po dalim njëherë andej të shohim ca bëhet”. Nuk ka çfarë bëhet fare andej, po mbajini burrat këtu se sido që të vijë puna, ju e keni në dorë. Edhe shtëpinë, edhe ekonominë edhe të gjitha, lerë se çfarë thonë. Dhe kur vjen puna, mes burrave, burrat socialistë edhe bëjnë ndonjë punë. Burrat demokratë vetëm për punë nuk i ke. Shikojeni, punë së prapthi është ajo, por dhe atë punë së prapthi, nuk e bën Luli, e bën Monika. Se të ishte për Lulin, e kishte mbyllur dhe i kishte futur gjumë deri në 2021.
Tani ka edhe një gjë tjetër. Pse e bëjnë? E bëjnë se ja, më thoni ju mua tani, çfarë do bëjnë në Berat ata në qershor? Do bashkohen bashkë? Do vijnë këtu? E çfarë do bëjnë? Thjesht do dorëzojnë bashkinë e Beratit dhe mbajeni mënd çfarë po ju them. Do dorëzojnë bashkinë e Beratit. Do dorëzojnë bashkinë e Kuçovës. Do dorëzojnë bashkinë e Skraparit. Të treja. Do t’i dorëzojnë paqësisht. Tani, “jo, po ne nuk hymë në zgjedhje”. Unë them që do hynë, por po nuk hynë, ç’problem ka? Ne i kemi ndarë gjërat. Luli me Monikën, Monika me Lulin. Ne me njerëzit, njerëzit me ne.
Përveç zgjedhjeve, ata kanë dhe hallin tjetër. Kanë dhe hall se po krijohen institucionet e asaj drejtësie që u munduan ta pengojnë që ditën e parë. Tani, -se këtu jemi mu në zemër të gjithë organizmit elektoral që lidhet me LSI-në -më thoni ju mua, a e mban dot Shpiragu në kurriz klithmën e Monikes “o Zot mbroji shqiptarët nga blerja e votës”? A mundet Shpiragu ta mbajë dot se mendja e njeriut nuk e mban kur Monika ngre kokën, shikon qiellin dhe thotë “o Zot, shpëtoi shqiptarët nga blerja e votës”, çfarë të bëjë Zoti? Zoti thotë më mirë nuk po ndërhyj në çështjet elektorale të shqiptarëve se i bie të mbroj shqiptarët nga Monika. Të mos flasim pastaj për malin e Tomorit, por kapa Shpiragun se po të kthehemi tek mali i Tomorrit i bie të ngjallet Abaz Aliu dhe të luftojë me të gjitha fallxhoret e Monikës.
Ne nuk kemi asnjë ndjenjë negative ndaj askujt, ne na vjen keq, shumë keq, sinqerisht, edhe për Monikën, edhe për Lulin, edhe për ata të shkretët pas.
I keni parë ata? Se dalin nëpër konferenca shtypi këta që kanë lënë mandatet, i keni parë si janë? Meit komplet. Vëreni re kur dalin në televizor, kur dalin ata duket sikur prishen ngjyrat e televizorit se janë pa ngjyra. Zbardhur komplet dhe vazhdojnë thonë “do luftojmë”. Se me kë luftojnë e se për çfarë luftojnë, e di Monika dhe Luli. Kaq dhe për Monikën dhe për Lulin dhe në fund fare, unë dua të them që askush nuk duhet të mendojë se ne dhe unë personalisht jemi të kënaqur me çfarë kemi bërë dhe ndjehemi mirë për mënyrën si shkojnë të gjitha gjërat. E vërteta është që këtë kemi bërë shumë dhe këtë nuk e mohon dot askush, por ka shumë gjëra që nuk shkojnë dhe një nga gjërat që ende nuk shkon si duhet është ajo çka ka qenë një nga angazhimet tona më solemne.
Më kujtohet edhe këtu në Berat se këtu ishte një nga zonat më agresive të sulmit në tepsinë e pushtetit. Nuk shkon akoma shërbimi për njerëzit në zyrat e shtetit. Ka akoma parazitë ka akoma grabitqarë, ka akoma njerëz që marrin rrogën në mënyrë të pamerituar dhe i bien në qafë njerëzve të zakonshëm, por ama nga ana tjetër ne nuk kemi ndenjur duarkryq. Unë besoj se shërbimet janë më mirë sot se sa ishin dje edhe pse janë shumë keq në krahasim me si duhet të jenë nesër ama ne kemi ndërtuar një mekanizëm për të mos e lënë vetëm këdo qoftë që kur shkon të marri një shërbim ia përplasin derën në fytyrë.
Kemi ndërtuar mekanizmin e bashkëqeverisjes reale ku një njeri i zakonshëm që nuk ka as mbiemër të njohur, nuk ka as taraf, nuk ka as parti, nuk ka as lek, nëse ka të drejtë, mjafton që të na drejtohet ne tek platforma Shqipëria që Duam dhe menjëherë ka në krah drejtpërdrejtë qeverinë, drejtpërdrejtë ministrin përkatës.
Këtu unë kam kërkuar nga ekipi i platformës të më sjellin disa shembuj dhe do kisha dëshirë që t’i ftoja të tregojnë rastin e tyre.
– Shumë faleminderit kryeministër për rrugën e zgjidhjes që ke bërë për hallet e popullit! Unë kisha një hall me energjinë elektrike. Më erdhi një mbi faturim. Brodha 3 muaj zyrë më zyrë dhe nuk e zgjidha dot. Ju drejtova platformës Shqipëria që duam, aty halli mu zgjidh për 3 ditë, jo më shumë. Shumë faleminderit dhe mbajeni fort se vërtetë jeni në rrugën e duhur.
Kryeministri Edi Rama: Është shumë e thjeshtë. Një burrë nga Ura Vajgurore, për një mbifaturim. Mbifaturimi është i padrejtë, por ka ndodhur. Nëse nuk do të ishte vullneti ynë për ta dëgjuar dhe nëse nuk do kishim krijuar mekanizmin do ishte akoma sot pa përgjigje. Siç kanë mbetur pa përgjigje me vite të tëra, dhjetëra mijëra njerëz.
Sot, patjetër që nuk është mirë që ndodh diçka e tillë, por ama kur ndodh, nëse qytetari nuk shkon tek kafja dhe të fillojë të shfryjë dhe të mbledhë me vete gjithë shqetësimin e të kërkojë majtas, djathtas, por thjesht dhe vetëm hap telefonin, shkarkon aplikacionin dhe shkruan aty, menjëherë çështja merret përsipër nga ministri përkatës. Është Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës në këtë rast që ka marrë rastin dhe pastaj bashkë me skuadrën e platformës e kanë ndjekur deri në fund dhe është zgjidhur brenda 3 ditëve. Prandaj ju inkurajoj të gjithë që mos dekurajoheni kur në zyrat e shtetit ju del dikush që nuk ju jep përgjigje nëse keni të drejtë, drejtohuni menjëherë tek platforma Shqipëria që duam dhe brenda 10 ditëve do merrni përgjigje e nëse ju takon ajo e drejtë, është me ju dhe është e juaja pa diskutim.
– Jam një pensionit. Kam shërbyer në ushtri 31 vjet. Nga viti 1961 deri në 1992. Në 1992 dolën reformat, mbusha moshën për pension në 1994. Dola me një pension qesharak. U rropata vite me radhë nëpër dyert e sigurimeve shoqërore, deri në Ministrinë e Mbrojtjes dhe asgjë nuk përfitova. Erdhi një ditë djali nga puna dhe më thotë “kryeministri ka ngritur një zyrë për ankesat, prandaj ne do bëjmë një letër”. Nuk hezitova, bëra letrën, ka qenë 25 janar dhe nuk kaloi shumë dhe mora konfirmimin që ishte marrë letra. Më thanë që pas 10 ditësh do merrja përgjigje. Në datën 28 erdhi ekipi i kryeministrisë në sigurimet shoqërore. Unë po pija kafe me ca shokë kur më vjen njëri dhe më thotë që tek sigurimet shoqërore të ka ardhur një ekip nga kryeministria. Mu drodh shpirti, nuk e piva dot atë kafe. Thashë mbërriti kryeministri deri tek individi. Jo vetëm pensionin e plotë e mora, por mora edhe tepricat që kisha. U bëra 80 vjeç dhe nuk kisha numëruar ndonjëherë 1 milionë. I numërova 2-3 herë. Unë ju falënderoj me shpirt e me zemër për punën që bëni.
Kryeministri Edi Rama: Jovan, boll tani do thonë është i FRESH-it, ka dalë atje se e kanë mësuar të flasë. Ka shumë raste pensionesh të llogaritura keq, me vite dhe unë jam shumë i keqardhur që ka shumë pensionistë që e kanë kaluar dhe vazhdojnë tani akoma që flasim ta kenë këtë problem, por ama jam shumë i kënaqur që të gjithë pensionistët që i janë drejtuar platformës Shqipëria që duam, e kanë marrë, jo vetëm korrigjimin e pensionit, por dhe të gjitha tepricat që shteti u detyrohej me vite. Kjo është ajo që kemi bërë, nuk është një mrekulli por sidoqoftë është ajo që i jep qeverisë sonë dimensionin e një qeverie që ka ardhur nga njerëzit, me zotimin që do bashkëqeverisim dhe i ka dhënë përmbajtje kësaj fjale. Nuk është një fjalë në hava.
– Përshëndetje! I jam drejtuar portalit të qeverisjes për restaurimin e shtëpisë sonë që është e vjetër, nga familjet më të vjetra, që nga 1800. Aty gjetëm zgjidhje dhe falënderoj edhe gazetarët që ishin dje duke parë shtëpinë tonë. Na dhatë ndihmën për restaurimin, falënderoj Ministren e Kulturës, si dhe drejtorinë rajonale të Beratit. Ju faleminderit dhe juve, Zoti ju bekoftë!
– Përshëndetje! Mirë se erdhët në Berat. Edhe unë kisha një problem me legalizimin e shtëpive, që nga viti 2006. Ishte bërë një gangrenë dhe atëherë çuni im iu drejtua portalit tuaj Shqipëria që duam dhe e bëri zgjidhjen brenda 1 muaji. Për këtë ju falënderoj shumë. Megjithëse ma zgjidhët edhe këtë problem, prapë unë nuk jam me Juven, jam me Barcelonën.
Kryeministri Edi Rama: Tani, ka një arsye pse demokratët zgjidhin problemet me ne dhe nuk janë me ne. Se thonë, këta se i votojmë, se nuk i votojmë, punët na i mbarojnë. Kështu që ne vazhdojmë me ata dhe pas Berihait. Nuk ka problem.
Tani edhe një gjë tjetër, duke ju thënë të gjithëve edhe një herë që nëse keni një legalizim për të marrë dhe nuk e merrni, nëse shkoni në hipotekë dhe nuk ju regjistrohet prona, nëse ju vjen një mbi faturim, nëse duhet bërë një përllogaritje pensioni që vonon dhe nuk është bërë dhe me radhë, të gjitha shërbimet, letrat që merren në shërbimet e shtetit, mos prisni, thjeshtë dhe vetëm përdorni platformën Shqipëria që duam dhe nëse nuk dini ta përdorni, ata që janë si puna ime, atëherë keni kalamaj nëpër shtëpi që bëjnë çudira me iphone. Mjafton tua jepni në dorë dhe ju regjistrojnë, jua shkruajnë, jua bëjnë gati dhe nuk ka kënaqësi më të madhe se sa atë që nuk ta ka dhënë shteti për 30 vjet ta sjell nipi 10 vjeç në dorë. Por nuk është vetëm kaq.
Ju e mbani mend shumë mirë që në dhjetor, studentët dolën në protestë për disa gjëra që ishin të drejta. Ne, jo se nuk i dinim, por nuk i kishim në rendin e ditës. Ama nga ana tjetër, ishte mundësia që t’i jepnim përgjigje pozitive dhe sot ne jemi në fazën kur të gjithë studentët, pra familjet, paguajnë 50% më pak për fëmijët studentë. Ata që i kanë fëmijët studentë me 9-10 apo që janë familje në ndihmë ekonomike, nuk paguajnë më asgjë. 100% i paguan qeveria dhe atyre u japim edhe 100 mijë lekë bursë në muaj, edhe të parëve, edhe të dytëve.
Për më tepër, kemi vazhduar dhe do të shkojmë deri në fund me rindërtimin e konvikteve. Do të bëjmë ndërhyrje në të gjithë universitetet për të përmirësuar infrastrukturën. Sot, para se të vinim këtu ishin në Universitetin Bujqësor, 1 milionë euro i dhamë universiteti bujqësor për të bërë fermën e parë didaktike, një kërkesë 30 vjeçare e universitetit për t’ju dhënë mundësi pedagogëve dhe studentëve për të bërë punën praktike dhe punën shkencore atje, por dhe universitetit për të shitur prodhimet nga ajo fermë dhe për të marrë të ardhura bujqësore dhe kështu me radhë, të gjitha aspektet e tjera. E më i rëndësishmi për mua që nuk ishte fare në kërkesat e studentëve, është garancia për ata me 9-10 që të punësohen në shtet. 373 studentët e parë, pa i parë fare as nga janë, as të kujt janë, as kë kanë votuar, por thjeshtë dhe vetëm duke ju parë notat, 373 të parët, sot janë në administratën e këtij shteti dhe kështu kemi hapur thirrjen e dytë dhe vendet e lira do t’i plotësojmë me më të mirët, duke i dhënë fund kohës kur më të mirët dekurajoheshin me idenë që sado i mirë të jem në universitet, sado mirë të kem mbaruar, sado të kenë investuar prindërit, sado të kem investuar unë, nuk ka vend për mua se është miku, është shoku, është partia, është tepsia. Janë hapa të rëndësishëm edhe pse rruga është e gjatë, por në këtë rrugë ka vetëm një fuqi që e çon e do ta çojë Shqipërinë në destinacion dhe kjo është Partia socialiste e Shqipërisë.
Duke ju falenderuar të gjithëve për këtë mikpritje të jashtëzakonshme, duke ju siguruar që votën tuaj të 2017 nuk e luan topi, jo Luli, unë ju garantoj që do të rikthehemi prapë në Berat dhe nëse thuajse 4 vite përpara këtu ju kam thënë na jepni besimin e do bëjmë për Beratin më shumë se sa është bërë në 20 vite të marra sëbashku dhe ja ku është Fadili këtu që e konfirmon, investimi i fundit këtu… – këtu nuk kishte fare njëherë, por andej nga ana tjetër në bulevard, ishte bërë në 1969, para se të lindja unë, kur Fadili sapo ishte martuar.
Tani po ju them që përgatituni dhe kur të vijë dita, ne do vijmë prapë këtu se nuk kemi ardhur për fushatë, por kur të vijë dita e zgjedhjeve, me besim dhe mbështetje reciproke, në katër vitet që vijnë do bëjmë për Beratin shumë më tepër se katër vitet që shkuan.
Shumë faleminderit!